26 SURJA ESH-SHU‘ARÂ’ 92. Ata do të pyeten: “Ku janë - TopicsExpress



          

26 SURJA ESH-SHU‘ARÂ’ 92. Ata do të pyeten: “Ku janë idhujt që ju i adhuronit 93. në vend të Allahut? A mund t’ju ndihmojnë ata ose, a mund ta ndihmojnë veten?” 94. Kështu, ata do të hidhen në zjarr bashkë me mohuesit, 95. si dhe të gjithë ushtarët e Iblisit. 96. Ndërsa ndodhen aty brenda, ata do të grinden ndërmjet tyre, duke thënë: 97. “Betohemi për Allahun, ne kemi qenë njëmend në humbje të qartë, 98. kur ju kemi barazuar me Zotin e botëve. 99. Ishin të ligjtë ata që na mashtruan, 100. Tashmë ne nuk kemi asnjë ndërmjetësues (tek Allahu) 101. e as ndonjë mik të ngushtë! 102. Ah, sikur të ktheheshim përsëri (në jetë) e të bëheshim besimtarë!” 103. Sigurisht që në këtë ka shenja treguese, por shumica e njerëzve nuk janë besimtarë. 104. e Zoti yt, me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë. 105. Populli i Nuhut, i quante gënjeshtarë të dërguarit. 106. Kujto kur vëllai i tyre - Nuhu, u tha: “Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut? 107. Në të vërtetë, unë jam një i dërguar i besuar për ju, 108. andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua! 109. Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi; mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve. 110. Andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!” 111. Ata thanë: “Vallë, a të të besojmë ne ty, ndërkohë që ty po të pasojnë më të ulëtit?” 112. Ai tha: “Unë nuk di ç’kanë bërë ata! 113. Llogaria e tyre është vetëm te Zoti im, a nuk kuptoni? 114. Unë nuk do t’i dëboj besimtarët, 115. unë jam vetëm paralajmërues i qartë.” 116. Ata thanë: “Nëse nuk tërhiqesh nga këto, o Nuh, me siguri, do të gurëzohesh”. 117. Ai tha: “O Zoti im, populli im më mohoi, 118. andaj, Ti gjyko mes meje dhe atyre dhe më shpëto mua e besimtarët që janë me mua!” 119. Kështu, Ne e shpëtuam atë dhe ata që ishin me të në barkën plot, 120. kurse të tjerët që mbetën pas, i fundosëm. 121. Njëmend, në këtë ka këshillë, por shumica e njerëzve nuk janë besimtarë. 122. Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë. 123. Fisi Ad i quante gënjeshtarë të dërguarit. 124. Kujto kur vëllai i tyre - Hudi, u tha: “Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut? 125. Pa dyshim, unë jam i dërguar i besuar për ju, 126. andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua! 127. Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve. 128. A mos vallë në çdo kodrinë po ngrini përmendore, për t’u tallur, 129. dhe ngrini pallate, sikur do të jetoni gjithmonë? 130. Edhe kur përdorni forcën, e shfrytëzoni atë si tiranë. 131. Andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua! 132. Frikësojuni Atij, i Cili ju ka dhuruar ato që i dini: 133. ju dhuroi juve bagëti dhe fëmijë, 134. edhe kopshtije, edhe burime. 135. Unë, me të vërtetë, i trembem për ju dënimit të një Dite të madhe”. 136. Ata thanë: “Për ne është njëlloj: na këshillove ose nuk na këshillove ti. 137. Këto janë vetëm doket e popujve të lashtë 138. e ne nuk do të jemi të dënuar.” 139. Ata e quajtën gënjeshtar atë, andaj Ne i shkatërruam ata. Njëmend, në këtë ka këshillë, por shumica njerëzve nuk janë besimtarë. 140. Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë. 141. Edhe fisi Themud i quante gënjeshtarë të dërguarit. 142. Kujto kur vëllai i tyre - Salihu, u tha: “Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut? 143. Pa dyshim, unë jam një i dërguar i besuar për ju, 144. andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua! 145. Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve. 146. Vallë, a mendoni ju, se do të mbeteni këtu të sigurt, 147. në kopshtije e pranë burimeve, 148. në ara me të lashta dhe palma hurmash me fruta të shijshme? 149. Ju i gdhendni shtëpitë në male me mjeshtri të rrallë, 150. andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua, 151. dhe mos dëgjoni urdhrat e atyre që e teprojnë në të keqe 152. e të cilët bëjnë ngatërresa në Tokë e nuk sjellin përmirësim”.
Posted on: Sat, 31 Aug 2013 01:30:17 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015