Avioni «Madam Baterflaj» (Fragment nga romani) Komisioni i - TopicsExpress



          

Avioni «Madam Baterflaj» (Fragment nga romani) Komisioni i posaçëm i OKB-së, i përbërë nga tre vetë, dy gra dhe një burrë, mbërriti në qytezën tonë në muzg. Avioni i vogël luksoz shkëlqente si një kapriçio në krahë të avionëve tanë ulokë. Kryetarja e Komisionit ishte një grua, zonja Lambertina, apo Nabetina, këtë s’e mbaj mend mirë. Ajo vinte e rëndë sikur kish fjetur nën hije të arrës. Nga oblla e avionit-shtëpi, vura re sesi ecnin, a thua se shkelnin në një planet tjetër, apo sikur kishin fshehur në çanta e xhepa ndonjë aparat për matjen e radioaktivitetit, ose sikur po ecnin në ndonjë zonë të minuar. Nuk doja t’i prisja, përkundrazi, kërkoja që ata të vinin në shtëpinë time. Mbase ishte ky shkaku që kryetarja e Komisionit për gjetjen e Baterflait, ishte kaq hijerëndë. Budallaçka! A thua se kjo humbje kish lënduar më tepër atë se sa mua. Vejusha dhe kanadezi e kishin futur në mes dhe nga shenjëbërjet e kuptova se çfarë bisedonin. Po më justifikonin. Mirëpo për komisionet e çdo lloj rangu, më shumë rëndësi kanë protokollet sesa misionet që ato do të kryejnë. E kuptova që edhe këtë radhë nuk do të gjenin gjë. Madje, kisha frikë se ekspozimi apo ndërkombëtarizimi i humbjes, do të ma zhduknin fare Baterflain. Trokitën. - Hyni! - u thashë dhe u përpoqa të rregullohesha normalisht në kolltukun tim të vogël. Ata hynë dhe unë u shtrëngova duart sipas radhës së paraqitjes. U ngula shikimin dy grave të delegacionit: patjetër që duhej të ishin motrat Foks, sepse ngjanin shumë, si dy krijesa të qirinjta dhe vejusha u rrinte në krah si të qe shandani i tyre. - Mirësejugjetëm! - foli kryetarja e Komisionit të Posaçëm - Këtu qënka si fundi i botës dhe habitem si kanë arritur ta rrëmbejnë Baterflain. Megjithatë, ju duhet ta mbani veten. - Ju që në fillim po shfaqni dyshime, që tërthorazi më prekin mua, - u hodha menjëherë në sulm, - megjithatë ju vë në dijeni se askush nuk është kaq i varfër sa të shesë të ardhmen e vet. Të tre anëtarët e delegacionit panë njëri-tjetrin në sy, si për të gjetur domethënien e frazës sime të fundit. Kanadezi u kollit dhe, me puron e gjatë si shkop dirigjenti, më bëri një shenjë të lehtë si për të më thënë “jepi, vazhdo”. - Jam i bindur se dhe në pergamenët e Detit të Vdekur, nuk do të gjeni dëshira kaq të pastra sa të miat. Unë nuk jam i pasur sa të blej të kaluarën time, këtu po citoj Uajldin, por nuk jam dhe aq i varfër sa të shes të ardhmen time. Tani besoj se më kuptoni, apo jo, motrat Foks? - Na falni, po ne nuk jemi motra, - tha ajo që nuk ishte kryetarja. - Madje, asnjëra nuk quhet Foks, - ngriti zërin kryetarja e delegacionit. - Ky mund të quhet thjesht provokim, - tha burri i Komisionit me një zë të hollë, i cili, i inatosur, hoqi syzet e miopit dhe me nervozizëm nisi të merrej me skeletin e syzeve, si me një karkalec të bezdisshëm. Pashë nga kanadezi babaxhan, puroja e të cilit vazhdonte dirigjimin. - Më falni atëherë, veç një gjë të keni të qartë: Baterflain e kanë rrëmbyer pa dijeninë time. Dikur Baterflaj më ka treguar për një shoqen e saj gejshe, që kish qenë dashnorja e një spiuni të madh sovjetik, e Sorges, nëse keni dëgjuar. Ky Sorgeja... Puroja më bëri me shenjë “pusho”. U tërhoqa një çast. Tre anëtarët e komisionit më shikonin me habi. - Nuk keni dëgjuar asnjë zhurmë, asnjë klithmë? Nuk keni gjetur asnjë gjurmë, asnjë letër, asnjë shenjë? - pyeste gruaja e dytë. - Asnjë! - iu përgjegja shkurt, u ngrita, hapa frigoriferin dhe u servira coca-cola. Ra një heshtje labirintesh. Kanadezi nuk duroi më dhe e ndezi puron; anëtari plak i komisionit i vuri syzet, motrat Foks pinë me gllënjka të mëdha, dukeshin që qenë të etura. - Po çfarë keni vënë re atëherë? - pyeti sërish burri me zë të hollë, i cili vinte simpatik, me tëmtha të thinjura, si të qenë galvanizuar në argjend. - Kam vënë re se ndërhyrjet dhe komisionet, shpesh, në vend që të ndreqin, prishin punë. Më falni po nuk dua të heq asnjë paralele me ju. Kam vënë re se Gjon Pagëzori qëndroi i vetmuar në shkretëtirë dhe atje iu shfaq Zoti. Më vonë edhe Krishti ndenji dyzet ditë në shkretëtirë dhe atje mësoi të ardhmen e tij. Po kështu edhe Buda, edhe Muhamedi. Po të prisni e të takoni postierin plak, që me sa kuptoj vjen që nga mijëvjeçari i parë, ai mund t’ju bindë se rëra e shkretëtirës nuk është thërrmijë e zakonshme, por rëra e harxhuar e një klepsidri gjigant ku çdo kokrrizë i përket një sekonde, sa të gjallë, aq dhe të vdekur. Në një kokrrizë rëre të zakonshme ka një rrahje zemre, një cicërimë zogu, një Çezar e një Kleopatër, një Shekspir, një Linkoln, një Krisht, një Budë, një Balzak, një puthje, një memec, një tradhti, një buburrec, një Shliman, një Muhamed, një Uliks, një Helenë, një derrkuc, një ofshamë, një pancir, një helikë, një Da Vinç, një Xhokondë, një sferë, një Borhes, një Ajnshtajn, një Xhordano Bruno, një Salman Ruzhdi, një pordhë, një trëndafil, një drithërimë, një Keops, një Homer, një sy, një direk, një kukull një... o Zot sa u lodha... Vejusha m’u afrua dhe më zgjati një qetësues. Kur hapa sytë, vura re se të gjithë flinin. Hodha shikimin tej dritares dhe pashë të lodhurin postier që zvarriste këmbët para devesë së tij, gjithashtu e drobitur. - Ja ku erdhi dhe postieri plak, - thashë me zë dhe tre mysafirët kërcyen nga vendet dhe fërkuan sytë e përgjumur. Postieri i djersitur hyri duke sjellë brenda aromën e rërës. - Më përcëllojnë shojet e këmbëve, - foli rënkueshëm, a thua se edhe zëri i filtronte në një ezofag ranor - Paskemi miq? Komisioni i Posaçëm i OKB-së po e shikonte me një habi tërsëlluese; një eklips mosbesimi ua kish ngrysur sytë. - Ç’mund të na thoni për humbjen e Baterflait? - e pyeti postierin kryetarja e Komisionit. - Gjithçka. Ju e dini se feja budiste mban një qëndrim përbuzës ndaj vdekjes. Dhe Baterflai nga natyra e saj genetike është një sfidante e madhe, një ronine 1) që, pasi ka fjetur ca kohë në këto hotele të mjerë avionikë, merr forcën e shpirtrave njerëzorë dhe pabëzajtur, mëkon plagët e botës. Ajo është një tragjedi lëvizëse me një kimono të mëndafshtë simboli, është një lot çasti në shkretëtirë. Mbase mund ta gjeni edhe në një rryokan2) duke bërë banjë mes mëkatarëve të shekullit... Tre anëtarët e Komisionit e dëgjonin me vëmendje. Mbase argumentet e postierit të mençur kishin zënë vend te të tre përfaqësuesit e OKB-së. - Ti duhet të flesh, - i belbëzoi vejusha dhe e kapi postierin te supi i djathtë. - Edhe mençuria jote na duhet. Postieri, pa folur, kaloi pak më tej, mbështeti kokën në një jastëk të vogël dhe natyrisht që e zuri gjumi. Gjatë kohës që postieri fliste, m’u ngulit ideja që t’i çoja të tre anëtarët e delegacionit në kafkën e madhe të Gjon Pagëzorit. Në këtë çast, kanadezi dhe vejusha dolën, mbase që të më linin vetëm me tre të porsaardhurit; ky mund të ishte dhe një pakt i tyre i fshehtë. Pasi dera u mbyll dhe pasi hodhi një shikim nga postieri që gërhiste lehtas, kryetarja e Komisionit m’u afrua dhe si në pëshpërimë më tha: - A nuk ju ka shkuar ndërmend se kjo grabitje mund të jetë kryer nga organizata e fuqishme mafioze me emrin Jakuxha? E kuptoni? Baterflaj, japoneze, organizata, gjithashtu... Burri hoqi syzet - insekt dhe vazhdoi me zërin e tij prej hermafroditi: - Është një organizatë e padukshme, tepër e përhapur që merret me trafikun e armëve, të drogës, por edhe me grabitjet e vrasjet e bosëve. - Ku e mbështesni dyshimin? - pyeta. - Apo mos vallë?... - Jo, jo, nuk dimë asgjë... Por vetëm se... është organizatë e padukshme, e pakapshme, eterike, si dhe vetë e fejuara juaj. A na kuptoni? Ata shesin armë, drogë, por edhe grabisin kryevepra... Kështu Baterflaj origjinal, e cila ka nënshtetësinë japoneze, mund të kthehej për ta në një biznes të madh... Aty për aty sikur u binda dhe thashë një “mundet”, por jo entuziaste, sepse kur e gjithë policia japoneze, madje dhe Interpoli nuk kish mundur t’ia gjente gjurmët Jakuxhas, si mund të gjente gjurmët e Baterflait. Dhe në çast, në të qindtën e sekondës, iu ktheva motrave Foks: - Mos vallë kërkoni që nëpërmjet Baterflait, të gjeni Jakuxhan? Ishte një pyetje e drejtpërdrejtë, pa dorashka, asgjësuese, si e thënë jo me fjalë po me heje akulli, sepse, jo vetëm të dyja motrat, po dhe hermafroditi, u ngurtësuan. Atëhere përfitova nga heshtja e tyre dhe vazhdova: - Nëse doni që e fejuara ime t’ju shërbejë si karrem për peshkun e madh, e keni gabim. Meqë ata të dy janë të padukshëm, ka mundësi që kërkimi të zgjasë me shekuj, deri atëhere kur paraja të hiqet nga qarkullimi - dhe ia plasa një të qeshure bubulluese, saqë postieri i gjorë kërceu përpjetë dhe shtëpia avion kërciti. - Na fal plakush, po këta më ndezën ca ide të çuditshme, po ti fli, fli se nuk qesh më. Postieri u shtri sërish dhe, pas pak sekondash, rinisi të gërhasë. - Po të doni, do t’ju çoj diku..., - iu drejtova të tre anëtarëve të Komisionit. - Ku? - pyeti kryetarja. Vura re se fytyra e saj kishte shumë qime të zeza, a thua se i kishin mbirë tani. Bar zemërimi. - Diku në shkretëtirë... Mbase do t’ju interesojë. Megjithëse pa qejf, ata u ngritën dhe m’u vunë pas. - A është larg? - pyeti gruaja tjetër, e cila, nga sa kuptoja, vinte pak më e zgjuar se dy të tjerët, sepse jo vetëm fliste pak, por edhe shikimin e kishte më pak dyshues. - Jo dhe shumë. Është një vend që e njoh veç unë, nuk do t’ju sorollas kotmësëkoti. Ejani para se të bjerë muzgu. Zbritëm shkallëzat e shtëpisë dhe morëm rrugën. I zbutur disi, me një ndjenjë keqardhjeje për përfaqësuesit e OKB-së, që kishin ardhur kaq larg, fundja për të zgjidhur edhe një hallin tim, nisa t’u flas më hapur. - Jam fatkeq. Ngjaj me atë pilotin e divorcuar, i cili njëherë shkundi një pendëz nga fustani i princeshës së Anglisë dhe thashethemet u copëtuan e u kthyen në shkronja gazetash... Flisja, po ata sikur nuk ma vinin veshin. Ecnin e ecnin duke dyshuar gjithnjë e më shumë se unë po i vërtisja kuturu në shkretëtirë. Qeshë i sigurt se motrat Foks, të paktën njëra prej tyre, patjetër mendonte se Baterflain mund ta kisha humbur unë, në një nga sorollatjet epileptike. Memecllëku i tyre po më tërbonte, ndaj ia ndërrova kahjen monologut dhe nisa të flas mjegulluar për vendin ku po shkonim, por pa u shfaqur asgjë konkrete. - Shkretëtira nuk mund të jetë tepsia e kokës së prerë të Gjon Pagëzorit, sepse nëse do të qe e tillë, pra një tepsi e bakërt apo e florinjtë nga të pallatit të Herodit, ajo do të lëshonte tinguj festivë, ngaqë kokat priten gjithmonë në festa, apo menjëherë pas festave. Dhe Salomeja e bukur do të vallëzonte diku... - Nuk e kuptoj se ç’hyn Gjon Pagëzori në këtë rropatje, - foli zëholli i Komisionit, duke zvarritur këmbët diku pas nesh. - Ky sikur nuk duket tamam burrë, - guxova dhe i fola gruas së Komisionit, jo kryetares. - Mbase është ky që ma rrit mosbesimin. Është koha e të fuqishmëve dhe jo e impotentëve. Si për çudi, ajo vuri lehtë buzën në gaz dhe mbase vetëm në atë çast mendoi se unë nuk qeshë ndonjë i lajthitur. S’kaloi shumë dhe kafka gjigande u shfaq madhërishëm dhe një “ah!” mugulloi nga kraharorët e tyre. - Më falni, - ia bëri hermafroditi - po nuk e prisja një surprizë të tillë. Nuk qenë zhgënjyer. Të tre përfaqësuesit e OKB-së i silleshin rrotull kafkës së stërmadhe, e përkëdhelnin disi me frikë dhe hera-herës kthenin kokat nga unë si për të më falënderuar për këtë zbulim. Siç duket shpresonin shumë te kafka e Gjon Pagëzorit, jo vetëm për gjetjen e Baterflait, por edhe për probleme të tjera të ndërlikuara të organizatës. Tashmë në sytë e tyre pashë një respekt të veçantë. E ngujuar në zemër të shkretëtirës kafka e stërmadhe kish marrë ngjyrën e floririt. - Sapo zbulova kafkën e Gjon Pagëzorit, fillova të mbaj një ditar të cilën e kam quajtur “Enciklopedia e Parajsës” - u thashë anëtarëve të Komisionit të Posaçëm, të cilët këtë radhë u ulën dhe nisën të më ndjekin me interes. - Shënimet nisin me mollën biblike, simbol i mëkatit të parë njerëzor dhe përfundojnë me atë kërpudhën time, simboli i mëkatit më të madh antinjerëzor. Degjenerimi i mollës, frutit që mbajti peshën e mëkatit të Evës dhe Adamit, në kërpudhë, erdhi gjatë mijëvjeçarëve, shkallë-shkallë, si çdo evolucion e revolucion. Kjo mbase ka të bëjë me vetë thelbin degjenerues të racës njerëzore. Hermafroditi u kollit, si për të mos e pranuar gjykimin tim. Megjithatë, tanimë kisha hyrë në faqet e ditarit dhe citoja përmendësh, pa marrë parasysh nëse donin apo nuk donin të pranishmit e nderuar: - Kur Herodi urdhëroi prerjen e kokës së Gjon Pagëzorit (për këtë detaj më ka folur gjatë vetë Gjon Pagëzori), mbreti ishte ulur në krye të tryezës dhe përpara kishte një tabaka të florinjtë të mbushur me koka të kuqe mollësh. Me të njëjtën tabaka, Salomeja solli kokën e prerë të Gjon Pagëzorit. Kaligula e ushqente kalin e tij të mirë, Incitatusin, vetëm me mollë, gjë që i dha kafshës të drejtën për t’u bërë senator; po më mirë kali të pranonte edhe fronin e perandorit, sepse raca e kuajve, që e dinë mirë ç’është dhimbja e kamzhikut, në diktaturë janë udhëheqës më të butë. Minotauri e fshihte çelësin e labirinteve brenda një kokrre molle. Lufta e Trojës u nis nga një mollë joshëse e hedhur nga Erida grindavece. Mbretër të shumtë janë helmuar pas injektimit të helmeve në tulin e mollëve. Njutoni e zbuloi teorinë e gravitetit po nga molla, veç unë mendoj se shkencëtari finok ka bërë sikur e ka zbuluar nga fruti i Kopshtit të Edenit, sepse e dinte që teorisë së tij i duhej edhe një ngarkesë me vlerë simbolike: mollë që binte drejtpërdrejtë nga qielli i Parajsës! Po Vilhelm Telit, a nuk i vunë për nishan mbi kokën e djalit një kokërr mollë. Jam i bindur që molla u zgjodh pikërisht për veshjen e saj elektrizuese simbolike, për t’i kujtuar heroit forcën mëkatare të frutit e për t’ia dridhur medoemos dorën shigjetare. E, më në fund, jo më kot Zamza qëllohet nga i ati me një kokërr mollë dhe personazhi kafkian ende mban në kurrizin prej zvarraniku mollëgungën e përgjakur; kjo ndodhi se molla ka prejardhje biblike, është fruti i mëkatit të parë dhe i ati, metamorfozën përçudnuese të të birit, e vulos po me mollën simbol. Dhe po të zgjatem më shumë, mund t’ ju rreshtoj plot fakte të tjera, duke filluar nga mollët e arta të Hesperitëve, shijimi i të cilave të bënte të përjetshëm, (nuk e di se sa nga këta të pavdekshëm vazhdojnë të jetojnë deri në ditët tona, përjashto këtu të fejuarën time), e duke përfunduar te një grup ambientalistësh Greenpeace, diku në Paqësorin jugor, të cilët protestuan duke vizatuar në gjokset, kurrizet dhe kofshët e tyre të zhveshura, mollë që putheshin me kërpudhat. - Të lumtë! - duartrokiti kryetarja e Komisionit dhe unë, pasi u përmenda, vura re një butësi në shikimet e tyre; kuptohej që tirada ime u kishte pëlqyer. - Po tani ç’do të bëjmë? - pyeti burri me syzet skeletinsekti. - Mund të hyni me radhë brenda në kafkën e Gjon Pagëzorit e që nga sytë e tij të shihni botën. Ja, një kafkë e tillë i duhet sallës së OKB-së që të zbulojë të vërtetat e mëdha - shpalla me zë të lartë, pa i marrë leje Gjon Pagëzorit, i cili dinte të fliste edhe me heshtjen e tij. - Po hyj unë e para. O Zot, sa emocion që kam! - tha kryetarja e Komisionit të Posaçëm. Rrëshqiti si një dhelpërushë poshtë qafëprerjes dhe për tre sekonda kafka e mbuloi si një skafandër. Kryetarja e Komisionit të Posaçëm të OKB-së, dukej si një alien. - Shikoni nëpërmjet zgavrave të syve. Çfarë dalloni? - pyeta unë. - Asgjë - tha ajo shkurt e me një ton keqardhjeje. - Vetëm rërë, pafundësi rëre. - Nuk është e mundur - u thashë dy të tjerëve. - Unë shoh çdo ditë. Pa provojeni njëherë ju, zotëri. - T’i marrë syzet? - pyeti më kot hemafroditi, por unë u futa në sëkëlldi e s’dija çfarë t’i thoja. - Provoje njëherë me syze e pastaj pa syze, - ia këputa dhe i bëra zë kryetares që të dilte nga kafka. Ajo doli, gjithnjë si dhelpërushë, veç tepër e dëshpëruar, mbase edhe e zhgënjyer. - As unë nuk shoh gjë, - ia bëri hermafroditi - edhe pa syze nuk shoh gjë. - Kur nuk sheh me syze, lëre atë punë, - foli që nga jashtë gruaja tjetër, që kishte të zhvilluar sensin e humorit. - Megjithatë dil, ta provoj njëherë edhe unë. Por edhe ajo doli duke rrudhur buzët. - Atëhere po e provoj vetë, - vendosa dhe hyra nën kafkë me një ndjenjë frike, sepse mundej që Gjon Pagëzori të qe zemëruar me mua. Por çdo gjë ishte si më parë. Nëpërmjet zgavrave të syve të tij, unë vazhdoja të shihja botën, ta shihja mirazhet e shumëllojshme. - Një mrekulli! Një mrekulli! - thërrisja nga brendësia e kafkës. - Unë shoh gjithçka. Ja, Ajnshtajni ka hipur në makinën e kohës dhe më thotë se këtu duhet të hipin politikanët, që mbas një shekulli të kuptojnë budallallëkun e tyre. - Ai po tallet - tha hermafroditi - Nuk kemi kohë për të humbur. Nisemi se do të na zërë nata. - Zotëri, - thërrisja - ideja e njeriut për t’u arratisur nga koha dhe bashkëkohësit e tij, është e vjetër sa edhe zhgënjimi. Sepse në botë të zhgënjyerit janë më të shumtë, ashtu si dhe të vdekurit. Kryetarja e Komisionit doli përpara kafkës dhe nëpërmjet zgavrave më foli: - Zoti Pluton, ju lutem dilni dhe na shoqëroni. Ne nuk e dimë rrugën. - Prisni jashtë dhe dëgjoni shpjegimet e mija. Ju betohem që nuk po tallem. Shoh gjithçka, gjithçka përveç asaj, të fejuarës sime. Atë nuk e dalloj dot. Ia plasa të qarit. Më në fund, me lot në sy, dola nga kafka e stërmadhe dhe, heshturazi, si në një funeral, priva rrugën drejt qytezës së avionëve ulokë. Dëgjova të trokitura në derën e avionit. - Hapeni... hapeni, jemi ne, - ishte zëri i Djalit Sylidhur. Kërceva nga shtrati. - Hyni. Dera është e hapur. Djali dhe Hija në Gur hynë me një frymë. - Po Baterflaj?.. Ku është Baterflaj?! - Hesht! Kemi ardhur të mbledhim plaçkat e saj... - tha kërcënueshëm Hija në Gur. - Na jep letrën që more... - Po unë..., - belbëzova. - Mbylle... vepro si të themi ne, nëse do që ajo të kthehet shpejt, - tha Djali Sylidhur. Dukej që ndiqeshin. - U lodhëm duke u vërtitur si Shvejku në Sarajevë, - tha Hija në Gur. - Sarajeva prandaj është krijuar, që të vërtiten Shvejkët e botës, - thashë unë me gjysmë zëri dhe ata të dy, çuditërisht, ia plasën të qeshurit, duke harruar se ishte mesnatë dhe se çështja qe tepër konspirative. - ... E mora letrën nga Baterflaj... - Duhej ta merrje... Ajo budallaçka ime s’di si e bëri - tha Djali Sylidhur. - Tani ne po ikim. Ti mos bisedo me asnjërin... veçanërisht vejushës mos i thuaj asgjë... E kupton përse?... - Gruaja e një spiuni... - shtoi Hija në Gur. Ikën. Koka më ziente. Nata më mblidhej si një lëmsh i zi e më ngatërrohej nën kafkë. Tani dhoma qe boshatisur. Nuk kisha asnjë shenjë nga e fejuara ime. Kuptohet, veç avionit. “Përkëdheljet i kemi të lehta. po fund s’kanë porsi qielli e deti pa anë”... 3) Nuk e di sesi iu mbush mendja vejushës që ta kthente avionin e saj në një teatër kukullash. Megjithatë, ideja nuk qe e keqe. Kukullat, duke qenë prej druri, sfungjeri, allçie, apo prej lënde plastike, nuk rrezikojnë si qëniet prej mishi e kocke. Avionit spiun mund t’i shkonte edhe emri i avionit të kukullave. Vejusha spiritualiste ishte mjeshtre për të bërë kukulla të tipit marionetë. Kanadezit plak i jepej të shkruante pjesë të shkurtra dhe ata, në fshehtësi, arritën të përgatisin kukullat e pjesës “Rrëmbimi i Baterflait”. Si dekor i shfaqjes ngriheshin dy portretet e Madam Baterflait punuar nga mjeshtërit e mëdhenj Gog dhe Gogen. Kjo shfaqje do më shërbente si një alibi. Skena ishte pjesa e përparme e avionit, ngaqë edhe xhamat mund të lëviznin lehtësisht. E shihja që vejusha qe tepër e ngarkuar dhe e shqetësuar për surprizën e saj. Kanadezi, me puron e famshme, që s’i shuhej kurrë, ngjiste e zbriste pandërprerë shkallët e avionit të kukullave. Mbase, gjatë këtyre ecejakeve të shumta, do t’i ketë lindur ideja për ta kthyer avionin e tij në një klub. Gjëra që ndodhin e që e kanë me vete shpjegimin psikologjik: njeriu i vetëm përpiqet të merret me diçka, me të cilën harxhon një kohë të vdekur për të rifituar kohën e gjallë. Postieri plak solli, që nga tejshkretëtira, disa mjete të domosdoshme për një shfaqje kukullash si projektorë të vegjël, aparatet fonike e mes tyre edhe një ekspres kafeje. Shfaqja u dha në muzg. Nga shkretëtira vinte afshi i rërës dhe nga kopshti - aroma dehëse e gjelbërimit. Ne, spektatorët e pakët, të ulur diku, mbase mbi Vijën e Teodosit, prisnim të shfaqeshin kukullat e bukura. Tre anëtarët e Komisionit të OKB-së po bisedonin me kanadezin për një farë Rezolute mbi mbrojtjen e Baterflait. Postieri dremiste dhe mua më dukej se më shumë se një dremitje natyrale, ai ishte një lloj tiku nervor i huajtur nga deveja e tij. - Po fle? - e pyeta postierin, më shumë për të ndërruar dy fjalë. - O, jo..., - ma ktheu ai, - po mendoja se kam mbi dyqind vjet që nuk kam parë asnjë shfaqje. Pastaj, kam një gjysmëbindje se shpirtrat njerëzorë po shkretizohen bashkë me Tokën. Ashtu si Toka, dalëngadalë e pak nga pak. Filloi muzika. U ndezën dritat dhe shikimet tona u ngulën në turirin e avionit të vejushës, tashmë të kthyer në një mikroskenëz. Prisja të shihja një pjesëz të rëndomtë, një dramëbalsam, por çdo gjë më habiti. Kanadezi kish shkruar një pjesë të mrekullueshme, kurse vejusha interpretonte si një mjeshtre e madhe: kukullat tepër tërheqëse lëviznin në një lojë tronditëse, ku grotesku kapërcente kufijtë dhe shpërthente parimet dhe bindjet e secilit. Subjekti me dy fjalë ishte ky: Baterflaj rrëmbehej çdo natë, jo me dhunë, po, përkundrazi, me vullnetin e saj. Një herë ndodhej në Vietnam, një herë në Nikaragua, një herë në Somali, një herë tjetër në Muruoa, pak më vonë në Ballkan e Bagdad dhe të gjitha këto vende vareshin në qafën e saj, si gurët e përgjakur të një gjerdani të çmuar. Ajo kthehej herë në një bamirëse, herë në një gejshë, pas saj rendnin diplomatët, vrasësit, viktimat, kusarët, prepotentët; herë bëhej Kësulëkuqja, herë Borëbardha apo Hirushja dhe magjia e saj përpinte pagjumësinë e globit; ajo i kthente poetët në somnambul, regjisorët në memecë, muzikantët në zogj, fëmijët në burra, nuset në qershi dhe pleqtë në zhgënjim. Më hipën të dridhura. Një lebeti nisi të përplasë flatrat brenda meje. Sipas kësaj logjike edhe tek unë, ajo, Baterflaj, do të ishte diçka kalimtare, gjurmë verbuese e një trilli femëror. Mirëpo, pjesa vazhdonte. Ora nuk tregonte sekonda e minuta, por vite e shekuj dhe, çuditërisht, e fejuara ime vejevinte si një fllad i përjetshëm, duke thyer gati të gjitha ligjet. Mbase për kortezi, në spektakël nuk përmendej fare Nagasaki. Duartrokitëm fort. Uruam dhe përqafuam vejushën e djersitur nga loja e, pastaj, kanadezi i kënaqur, na ftoi në avionin e tij. - Zhurma e ekspresit më kujton elikat, - bëri ai humorin e paramenduar dhe tre anëtarët e OKB-së qeshën me gjithë zemër. Kurse postieri plak po ushqente devenë, duke mërmëritur dialogjet e shfaqjes mbresëlënëse. - Të pëlqeu? - pyeti me zë të lartë kryetarja e delegacionit. Postieri e la devenë dhe iu afrua grupit. - Më pëlqeu. Janë të vërteta të zhveshura nga lëvozhgat. Baterflaj është pikërisht ajo kukull, - tha ai me atë të folurën e qetë, a thua se edhe kur fliste mbante në daullet e veshëve ritmin e hapave në shkretëtirë. - Arti është shpikja më e madhe e njerëzimit. Çdo gjë mbi botë është njohje njerëzore. ...Këto kukulla çfarë thonë. Janë shpirtrat e të parëve. Televizioni dhe radiot vazhdonin të jepnin lajme për Baterflain. Nuk kuptova çfarë thoshin. Megjithatë, m’u krijua bindja se ajo ishte bërë prè e ndonjë loje të ndyrë, siç janë në përgjithësi të gjitha lojërat e kësaj natyre. Dikush, mbase kipci im, më kish thënë se mafia ka timonin e botës dhe se të gjithë të tjerët bëjnë sikur janë timonierë. Gjithmonë e kam patur frikë pushtetin, veçanërisht atëhere kur fëmija-bombë doli në dritë... - Ah, nëna ime e mirë, që më ndihmove me ariet e çmuara! Ishte si një klithmë, e dalë nga thelbi i zemrës, sepse në çast vetëtiu diçka pa gjëmim, diçka tepër misterioze; një aromë shkrumbi, shkretëtire dhe jasemini mbuloi dhomën-avion dhe, sa hap e mbyll sytë, para meje u shfaq Baterflaj. U përqafuam fort, fort. - O zot, si mbive këtu! U bënë kaq vite pa të parë. Më mori malli. Po digjesha. Kush të solli? - isha kthyer i tëri në habitje. - Më solle ti, - tha ajo me zërin e ëmbël e flladitës - nuk dua të të lodh me ato që më ndodhën... - Po ku ishe?... Kush të solli?...A po të ndjekin?... A duhet të të fsheh?... - Oh, jo. Çdo gjë u zgjidh... - Po televizioni vazhdon të flasë... - Kështu ndodh gjithmonë: jehona e gënjeshtrës vazhdon më gjatë se vetë gënjeshtra... Isha një lumë i turbullt. Tashmë nuk dija nëse vërtet kish ndodhur diçka. Humbja e Baterflait, ardhja e Djalit Sylidhur dhe e Hijes në Gur, vizita e papritur e Komisionit të OKB-së, spektakli me kukulla dhe ja tani, papritmas, fanitja e së fejuarës, gjithçka më dukej se ishte një përçartje, një notim krahëprerë në një kënetë xhelatinoze. Baterflain e zuri gjumi dhe më dha mundësi ta kundroja në pafajësinë e saj. Kthimi i menjëhershëm më kish befasuar. Fytyra, e lëmuar si pasqyrë, rrezatonte paqe. Nuk e di ku kish shkelur, çfarë xhindesh kish takuar e në çfarë vorbullash kish vallëzuar, por di që dhembja e saj tashmë qe tretur në qenien time si një opium qetësimi. Hodha sytë tej dritares: larg dukej se qershia kish vendosur të lulëzonte. Papritmas, krijesa ime e mirë, kërceu nga shtrati dhe ajo fytyrë-pasqyrëz, sikur u plasarit dhe u thye. - Jo!...Jo!...!- foli gjysmë e zgjuar. - Çfarë ke?!... Pse, u trembe?! Ç’të ka ndodhur?! - e pyeta. - Oh, asgjë... - Ty diçka të mundon... ma thuaj... Hapma zemrën. Fërkoi sytë e bajamtë dhe nisi të tregojë në një stil të tillë, a thua se po e vazhdonte një rrëfim që e kish nisur para se ta zinte gjumi. ¬¬¬__________________ 1) Samuraj pa zot 2) Hotel tradicional japonez 3) Vargjet janë nga libreti i operas « Madam Baterflaj » ---------------- Petraq Risto ka botuar në prozë: Vdekja e palaços, tregime Ndalohet vrasja e ujqërve, tregime Avioni i parajsës « Baterflaj », roman Bukuroshja fantazmë dhe unë zoti Prek Vdek, roman Një grua me Urdhrin e Ujkut, roman si dhe disa libra për fëmijë.
Posted on: Mon, 29 Jul 2013 12:58:48 +0000

Trending Topics




© 2015