Dy aksionarët kryesorë të Elbasanit, presidenti Arben Laze dhe - TopicsExpress



          

Dy aksionarët kryesorë të Elbasanit, presidenti Arben Laze dhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, kanë pasur dje një takim me kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka. Ka qenë Laze ai që ka bërë ftesën dhe prej rreth katër orësh të tre së bashku kanë folur gjatë e gjerë për situatën që po kalon klubi verdheblu dhe futbolli në përgjithësi në këtë qytet. Me sa duket, ardhja surprizë e Dukës në këtë takim aksionarësh ka qenë për të bërë një investim në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta”, ku në të ardhmen të zhvillohen ndeshje të Kombëtares shqiptare. Takimi - Ashtu siç ishte paralajmëruar nga “Panorama Sport”, që pritej një tjetër takim ndërmjet Lazes dhe Sejdinit, ashtu ka ndodhur. E vetmja surprizë ka qenë ardhja e kreut të federatës, Armando Duka. Nga burime zyrtare të kampit elbasanas pohohet se Laze me Sejdinin e kanë mbyllur me sukses këtë takim dhe se sezonin e ardhshëm skuadra do të ketë siguri financiare, ndryshe nga sa ka ndodhur gjatë këtyre viteve të fundit. Është premtuar Elbasani i Superiores, dhe bashkëpunimi ndërmjet tyre mund ta sjellë në jetë këtë premtim. Nuk bëhen të ditura detajet e kësaj mbledhjeje (nëse mund të quhet kështu), por pas përfundimit të saj të gjithë janë parë optimistë për të ardhmen e klubit. Gjithashtu, nga sa mësohet, është folur edhe për merkaton, ku theksohet se do të afrohen tre futbollistë cilësorë nga kampionati shqiptar, por për emrat e tyre nuk bëhet asgjë e ditur për momentin. Me sa duket, ndërmjet Lazes dhe Sejdinit do të ketë të tjera takime, si dy aksionarët kryesorë të klubit të Elbasanit. Stadiumi - Nga burime pranë verdhebluve pohohet se në Elbasan gjatë këtij viti do të fillojnë punimet për ta shndërruar “Ruzhdi Bizhuta”- n në një stadium me parametra ndërkombëtarë, ku do të zhvillojë ndeshje edhe përfaqësuesja shqiptare e futbollit. Një tjetër investim do të bëhet edhe në kompleksin sportiv “Shefqet Lamçja”. Kjo duket të ketë qenë dhe arsyeja kryesore e vizitës së Dukës në Elbasan. Në fund, kreu i FSHFsë ka pasur një takim edhe me drejtues të tjerë të ekipit të Elbasanit: teknikun Ilirjan File, shefin e klubit Erjon Sqapi dhe anëtarin e grupit mbikëqyrës, Fatjon Laze.
Posted on: Sat, 13 Jul 2013 16:19:11 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015