Fjalimi i z.Basha,kryetarit te Partise Demokratike per nder te - TopicsExpress



          

Fjalimi i z.Basha,kryetarit te Partise Demokratike per nder te figures se Azem Hajdarit... Basha: “Figura e Azem Hajdarit apelon dhe sot për bashkim dhe unitet rreth vlerave të demokracisë dhe çështjes kombëtare” Me nderimet më të larta shtetërore, të organizuara nga Bashkia e Tiranës, është përkujtuar në 15 vjetorin e vrasjes, Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari i cili nga sot do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve. Personalitetet më të larta shtetërore, Presidenti i Republikës Bujar Nishani, Kryetari i Parlamentit Ilir Meta, kryeministri në detyrë, Sali Berisha, kryebashkiaku Lulzim Basha, përfaqësues të partive politike, studentët e dhjetorit ‘90, intelektualët, nismëtarë të lëvizjes për demokraci, miq, shokë, kolegë të Azemit dhe qindra qytetarë të Tiranës janë përulur sot me nderim dhe respekt, përpara veprës dhe kontributit të Heroit të Demokracisë Azem Hajdari. Për më shumë se dy orë, në Pallatin e Kongreseve janë zhvilluar homazhe, në nder të Azem Hajdarit, studentit që guxoi të ngrihej kundër regjimit komunist dhe të vihej në krye të lëvizjes studentore që i dha goditjen fatale regjimit më të egër diktatorial në Europë. Rreth mesditës, kortezhi i përmortshëm me arkivolin e vendosur në shtratin e topit, i shoqëruar nga dhjetra qytetarë të Tiranës u nis për në Varrezat e Dëshmorëve, ku do të prehet përjetësisht. Kryebashkiaku Lulzim Basha ka vlerësuar lart rolin dhe kontributin e Azem Hajdarit, në Lëvizjen Demokratike të dhjetorit 1990 e cila shënoi ndarjen e Shqipërisë nga diktatura komuniste dhe fillimin e erës së re të demokracisë perëndimore. “Sot, në pesëmbëdhjetë vjetorin e ndarjes fizike të Azem Hajdarit prej nesh, po ritakohemi në këtë homazh të ri, me kujtimin dhe veprën e tij. Besoj se nuk ka as edhe një njeri të vetëm të lire në këtë vend që nuk i detyrohet, në mos për tjetër, për hapin e parë që ai hodhi në planetin e demokracisë, në dhjetor 1990, kur ai i pari dhe studentët e tjerë me të, kërkuan dhe diktuan pluralizmin politik. Nga largësia e viteve, ne sot mund ta themi me gojën plot, se prej atij çasti, koha e re e Shqipërisë demokratike u nis dhe filloi të rrjedhë në drejtimin që treguan studentët, intelektualët e thirrur prej tyre, Azem Hajdari si prijës i tyre. Lëvizja Demokratike e dhjetorit 1990 shënoi ndarjen e Shqipërisë nga diktatura komuniste, fillimin e erës së re të demokracisë perendimore. Kjo ishte dhe mbetet sot e gjithë ditën Rilindja e vërtetë e Shqipërisë, pas dekadave të izolimit dhe robërisë” - u shpreh z. Basha. Për kreun e Bashkisë, Lulzim Basha, figura e Azem Hajdarit apelon dhe sot për bashkim dhe unitet, rreth vlerave të demokracisë dhe çështjes kombëtare. “Azem, ti je gjallë, sepse ti je e do të jesh vizioni, qëndresa, guximi ynë, sepse je e do të jesh frymëzimi i brezave që kanë mësuar nga ti, se liria u përket atyre që luftojnë çdo ditë për ta fituar atë! Sot, ndërsa vazhdon të lartësohet në pidestalin e nderit të kombit, figura e Azem Hajdarit apelon më fort se kurrë, për bashkim dhe unitet rreth vlerave të demokracisë dhe çështjes kombëtare. Vërtet ishte themelues dhe drejtues i lartë i Partisë Demokratike, por trashëgimia dhe testamenti i tij politik u përkasin gjithë shqiptarëve, pa dallim partish, krahinash dhe fesh” – theksoi kryebashkiaku Basha. Djali i Azem Hajdarit, në emër të familjes ka shprehur mirënjohjen e tij, për lartësimin që iu bë figurës së Azem Hajdarit. “Në radhë të parë juve, doktor Berisha. Në të gjithë jetën tonë dhe të Azemit, keni qenë mishërues i dhimbjeve tona. Ju, z. Berisha,Ibrahim Rugova, Haradinajt dhe Jasharët e Kosovës na i keni bërë netët vetmitare të kalueshme dhe të prisnim mëngjeset me shpresa të reja. Ashtu siç na është gjendur në momente të veçanta edhe z. Ilir Meta. Burrat qe rriten pozitën e Azemit, si presidenti Nishani qe e kanë dekoruar babain me Urdhërin e Flamurit eshtë gjithashtu një emër i respektuar, por do të duhej një dishepull politik shpirtëror, njerëzor si z. Lulzim Basha, të projektonte këtë lartësim sa prekëse nga ana njerëzore, aq edhe të nevojshme për ditët që kemi përpara, si vazhdimin e luftës së babait tonë, për liri dhe demokraci. Dua të kujtoj këtu, të paharrueshmin Besim Çera që dha jetën pranë babait tim”. Azem Hajdari, Heroi i Demokracisë mban titullin më të lartë të Republikës së Shqipërisë “Urdhërin e Flamurit” dhe urdhërin më të lartë në Republikën e Kosovës, “Medaljen e Lartë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, të dhënë nga ish -Presidenti Ibrahim Rugova. Azem Hajdari është Qytetar Nderi i Tiranës dhe pothuajse i të gjithë bashkive dhe komunave të Republikës së Shqipërisë. Fjala e kreut të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha: Zoti Kryetar i Kuvendit! Zoti Kryeministër në detyrë! Të dashur dhe të respektuar, Fatmira, Rudina, Kiri dhe Azem! Të dashur familjarë, të afërm dhe miq të Azem Hajdarit! Të nderuar drejtues dhe përfaqësues të komuniteteve të besimit! Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik! Zonja dhe zotërinj, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë! Të nderuar, të zgjedhur vendorë! Zonja dhe zotërinj, pjesëmarrës në këtë ceremoni! Të nderuar bashkëqytetarë! “Sot kemi ardhur te ky vend i zgjedhur dhe i shenjtë i prehjes së dëshmorëve të atdheut, për të sjellë eshtrat e një heroi, për t’u përkulur me nderim e mirënjohje të thellë para veprës së tij, për t’u betuar në heshtje, si në një tempull të udhës sonë, para kujtimit të tij. Rini e Shqipërisë, ti që ishe foshnje në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, ti që linde në ato vite, ti që je tani bukuria dhe shpresa e re e këtij vendi të lirë dhe demokratik! Kujtohu, kujtohu sot se ishte një djalë i ri ai që u priu studentëve, në dhjetor të vitit 1990, kur ata u ngritën dhe kërkuan udhëkryqin e historisë, në natën e errët pa busull të Shqipërisë komuniste. Liri dhe Demokraci! Kujtohu se ky djalë ishte studenti i Fakultetit të Filozofisë, Azem Hajdari, kujtohu dhe krenohu, kujtohu dhe mendo! Ai nuk është më fizikisht mes nesh, edhe pse po të ishte gjallë, sot do të ishte vetëm 50 vjeç. Na mungon të gjithëve, u mungon familjes dhe të afërmëve, shokëve dhe miqve, i mungon Shqipërisë. Pesëmbëdhjetë vjet më parë, në një ditë zije, dhimbje të thellë dhe revolte të ligjshme, demokratët dhe mbarë njerëzit e lirë të Shqipërisë i dhanë lamtumirën e fundit tribunit të tyre, krah i djathtë i Sali Berishës, në betejat e mëdha politike për themelimin dhe afirmimin e Partisë Demokratike, për mbrojtjen e kësaj partie në ditë shumë të vështira, nga skenarët ogurzinj që synonin eliminimin e saj. Ajo ditë e mallkuar, megjithatë, nuk ka qenë errësira por drita; nuk ka qenë fundi por fillimi i përjetësisë për Azem Hajdarin, për vendin e merituar që ka dhe do të ketë përgjithmonë në historinë e demokracisë shqiptare. Gjatë këtyre viteve, Azem Hajdari është nderuar me urdhërat dhe titujt më të lartë nga presidentët e Shqipërisë dhe Kosovës. Azem Hajdari është Qytetar Nderi i Tiranës dhe i shumicës dërrmuese të qyteteve të Shqipërisë, i votuar si i tillë me konsensus të gjerë nga këshillat pluralistë të bashkive. Rrugë, lagje, shkolla, ekipe sportive, etj mbajnë emrin e tij. Megjithëse ka kaluar vetëm një dekadë e gjysëm nga dita e tij e rënies, Azem Hajdari pason rilindësit tanë më të shquar, për sa u takon vlerësimeve dhe nderimeve institucionale, sepse Lëvizja Demokratike e dhjetorit 1990 shënoi ndarjen e Shqipërisë nga diktatura komuniste, fillimin e erës së re të demokracisë perendimore. Kjo ishte dhe mbetet sot e gjithë ditën Rilindja e vërtetë e Shqipërisë, pas dekadave të izolimit dhe robërisë. Sot, në pesëmbëdhjetë vjetorin e ndarjes fizike të Azem Hajdarit prej nesh, po ritakohemi në këtë homazh të ri, me kujtimin dhe veprën e tij. Besoj se nuk ka as edhe një njeri të vetëm të lire në këtë vend që nuk i detyrohet, në mos për tjetër, për hapin e parë që ai hodhi në planetin e demokracisë, në dhjetor 1990, kur ai i pari dhe studentët e tjerë me të, kërkuan dhe diktuan pluralizmin politik. Nga largësia e viteve, ne sot mund ta themi me gojën plot, se prej atij çasti, koha e re e Shqipërisë demokratike u nis dhe filloi të rrjedhë në drejtimin që treguan studentët, intelektualët e thirrur prej tyre, Azem Hajdari si prijës i tyre. Kujtesa e kombit e ka regjistruar Azem Hajdarin, si njeriun që vrau frikën, çliruesin e shpirtit kryengritës, kundër diktaturës më të egër në Europë, në një periudhë të vështirë, kur regjimi në Tiranë synonte izolimin e themeluesve të PD-së, duke i paraqitur në popull si “tradhëtarë legalë”, bashkimi me të cilët ishte me pasoja. Azem Hajdari u nis në këmbë, si i thonë fjalës, qytet me qytet, për të zgjuar Shqipërinë e ndrydhur nga terrori dhe mashtrimet komuniste, për ta nxjerrë në rrugë dhe në sheshe popullin e tij, me thirrjen e lirisë dhe demokracisë. Ai e mundi terrorin, me guximin e tij të jashtëzakonshëm. Dikur, nga thellësitë e kohës, ka pas ardhur gojëdhëna se heronjtë janë ata që nuk vdesin në shtrat, por flijohen para kohe, për kauza që kërkojnë sakrifica sublime. Mendonim se në vigjilje të mijëvjeçarit të ri, ky atavizëm ishte dicka e kapërcyer edhe për civilizimin shqiptar; mendonim se në Shqipërinë pluraliste të vitit 1998, pavarësisht konflikteve të forta politike mes opozitës dhe qeverisë, nuk kishte arsye për vrasje politike. Por ishim gabuar! Koha kishte ngecur në vend ose ishte kthyer prapa për armiqtë e lirisë dhe kombit shqiptar që nuk përballonin dot luftën politike, në tribunat e fjalës së lirë, që nuk pajtoheshin dot me zhvillimet fatlume që po trokisnin për kombin shqiptar. Azem Hajdari u vra mbrëmjen e 12 shtatorit, para selisë së Partisë Demokratike. U vra sepse kishte qenë prijësi i Lëvizjes Studentore të dhjetorit 1990; u vra sepse kishte qenë protagonist në përpjekjen e suksesshme, për fitoren paqësore të pluralizmit dhe hapjes demokratike të vendit; u vra sepse kishte qenë themelues i orëve të para dhe kryetari i parë i Partisë Demokratike, nga dhjetori i vitit 1990 deri më 14 shkurt 1991; u vra sepse kishte qenë fjalësjellës, zëdhënës dhe mbrojtës guximtar i demokracisë dhe çështjes kombëtare; u vra sepse ishte ngulur në kufirin që ndante kohët e Shqipërisë, si një barrierë e pakalueshme e kthimit prapa të fatit të saj. Nuk është e vërtetë, se përmbysja e komunizmit në Shqipëri u bë në mënyrë krejt paqësore. Lëvizja shqiptare për liri dhe demokraci ka dhënë liderin e saj të parë, ka paguar me gjakun dhe jetën e Azem Hajdarit. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër ish- komunist. Nuk e vranë në betejën ballore të fillimit por pas disa vitesh, në kulisat e pabesive dhe revanshit. Sot, ndërsa vazhdon të lartësohet në pidestalin e nderit të kombit, figura e Azem Hajdarit apelon më fort se kurrë, për bashkim dhe unitet rreth vlerave të demokracisë dhe çështjes kombëtare. Vertet ishte themelues dhe drejtues i lartë i Partisë Demokratike, por trashëgimia dhe testamenti i tij politik u përkasin gjithë shqiptarëve, pa dallim partish, krahinash dhe fesh. Megjithatë, në këtë çast, ne të gjithë kemi dëshirë të thërrasim thirrjen tonë të njohur: “Azem, ti je gjallë!” Sepse ti je e do të jesh Shqipëria e lirë dhe demokratike. Sepse ti je e do të jesh Shqipëria në NATO. Sepse ti je e do të jesh ëndrra jonë për Shqipërinë në Europë. Sepse ti je e do të jesh Kosova e lirë. Sepse ti je e do të jesh kombi i bashkuar, në rrugën drejt Europës. “Azem, ti je gjallë!” Sepse ti je e do të jesh vizioni, qëndresa, guximi ynë. Sepse je e do të jesh frymëzimi i brezave që kanë mësuar nga ti, se liria u përket atyre që luftojnë çdo ditë për ta fituar atë. I përjetshëm kujtimi yt, prehu në paqe në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut!
Posted on: Thu, 12 Sep 2013 15:33:08 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015