HISTORIA SHQIPTARE E EGJIPTIT PARA VENDOSJES SE SUNDIMIT TE MEHMET - TopicsExpress



          

HISTORIA SHQIPTARE E EGJIPTIT PARA VENDOSJES SE SUNDIMIT TE MEHMET ALI PASHES Fatos Baxhaku (fragment) Qëkurse sulltan Selimi shpartalloi ushtrinë e mamlukëve të Egjiptit në 1517, në vend u krijua një situatë e çuditshme. Egjipti ishte zyrtarisht pjesë e Perandorisë Osmane porse vendi, për dy shekuj me radhë, do të përfshihej nga një rivalitet i përgjakshëm mes mamlukëve vendas dhe jeniçerëve të sulltanit. Ndonëse administrata osmane ishte formalisht prezente, kjo periudhë do të mbizotërohet kryesisht nga mamlukët deri në mbërritjen e armatave të Napoleon Bonapartit në 1798. Pikërisht në këtë kohë shënohen emrat e parë të sunduesve shqiptarë. Më i pari prej tyre është Sinan Pasha nga Topojani. Ky shërbeu dy herë si vali (1567-1568 dhe 1571-1574). Një historian i njohur egjiptian, i cili për rastësi quhet Mubarak, ka lënë një listë të ndërtimeve që la pas Sinan Pasha i Topojanit: medrese, hamame, xhami, tregje në Kajro dhe Aleksandri. Në fillim të shekullit XVII si vali i Egjiptit shërbeu një pasha nga Peja, Mere Pasha, fatkeqi Mere sundoi vetëm pak, sepse në kohën e tij vendi u përfshi nga një valë përmbytjesh dhe nga një epidemi shfarosëse murtaje. Gjatë viteve 1637-1640 vali i Egjiptit ishte shqiptari Mehmet Pasha, i cili më vonë u bë Vezir i Madh në Stamboll. Mehmet Pasha është i njohur për luftën e tij të gjatë me Ridvan beun, kreun historik të mamlukëve. Për disa kohë luftën kundër mamlukëve e vazhdoi një tjetër shqiptar, Ahmet Pashë Tarhonxhi. Pjesa më e madhe e ushtarëve që luftonin nën urdhrat e sulltanit ishin shqiptarë, por ndërkohë, shumë ballkanas, mes tyre edhe shqiptarë kishin nisur të regjistroheshin në radhët e mamlukëve. Disa prej tyre arritën të bëhen edhe komandantë të njohur. Njëri prej tyre, ishte Hysen bej Arnauti. Ky e kishte nisur karrierën ushtarake mes mamlukëve duke kaluar me radhë gradat e tyre dhe arriti të bëhej amir dhe kashif (princ i një krahine). Ky sundoi në zona të gjera derisa sa vdiq pas 23 vjetësh në pushtet në Medinë. Në gjysmën e dytë të shekullit XVIII shumë i njohur ishte edhe Ahmet Arnauti. Ky, të paktën që në 1775, ishte komandanti i pjesës më të frikshme të mamlukëve, kalorësve pushkatarë. Historianët bashkëkohës e cilësojnë si njeri të drejtë e të ndershëm. Ahmet Arnauti u bë i famshëm për pasionin e tij për librat. Shumë prej tyre ua fali më vonë xhamive dhe studentëve të varfër. Ahmet Arnauti vdiq në Kajro. Kishte jetuar afër një shekull. Në 1787 në Aleksandri ndodhi një ngjarje e çuditshme. Një mijë shqiptarë të armatosur, të komanduar nga prijësi i tyre, Ahmet Pasha, u paraqitën para shefave vendas duke i ofruar shërbim atij që do t’i paguante më shumë. Ismail pasha nuk qëndroi shumë në Egjipt, ai u largua shpejt për të marrë pjesë në luftën ruso-turke, porse njëmijë shqiptarët mbetën përgjithnjë në vend. Pas Ahmet Pashës kreu i ri i shqiptarëve u bë Ismail beu. Ky i stabilizoi shqiptarët në tri lagje të ndryshme të Kajros. Në 1790 një epidemi e rëndë murtaje përfshiu Kajron. Mes dhjetëra mijëra viktimave ishin edhe Ismail beu dhe shumë prej shqiptarëve të tij. Ushtarët shqiptarë morën pjesë masivisht në luftën kundër armatave të Bonapartit. Beteja vendimtare u zhvillua në korrik të 1798. Bilanci ishte: tre mijë të vrarë egjiptianë e shqiptarë përkundër dhjetë francezëve. Më 27 korrik francezët hynë në Kajro. Ata masakruan pa mëshirë mbrojtësit e qytetit. Mes tyre ishin edhe 500 ushtarë shqiptarë. Pas largimit të francezëve ishin tre pretendentët për Egjiptin: mamlukët vendas, jeniçerët e sulltanit dhe tashmë si fuqi e frikshme e pavarur, shqiptarët. Këta numëronin afër 5 mijë ushtarë që komandoheshin nga Tahir Pashë Arnauti. Sipas Al-Xhabartit, një kronikani të kohës, ky Tahir Pasha nuk dinte gjuhë tjetër veç shqipes. Ishte i hollë, i zeshkët dhe me mjekër të zezë. Kalonte një pjesë të mirë të kohës në shoqërinë e dervishëve. Në 1801 sulltani dërgoi në Egjipt një vali me dorë të fortë, Mehmet Husruf Pashën. Në ushtrinë e tij kishte shumë shqiptarë. Këta nuk pranuan të luftonin kundër shqiptarëve të Tahir Pashës, kështu që vendi mbeti pa zot derisa paria e Kajros vendosi ta shpallë vali Tahir Pashë Arnautin dhe të priste miratimin e sulltanit. Porse shqiptari Tahir sundoi vetëm 26 ditë si vali, sepse u vra nga jeniçerët në një protestë të improvizuar për punë pagash. Vrasësit e pashait u ndoqën dhe u masakruan prej shqiptarëve. Në vend të të ndjerit Tahir si komandant i shqiptarëve të Egjiptit erdhi Mehmet Aliu. Ky ishte një shqiptar që kishte lindur në Kavallë në 1769. Në Egjipt kishte ardhur në krye të treqind shqiptarëve duke iu përgjigjur thirrjes së sulltanit për luftë kundër Bonapartit. Vendi pa zot u bë shpejt i lakmueshëm. Që në ditën e vrasjes së Tahir Pashës shqiptarët u ndanë në dy kampe: një pjesë kërkonte që Ahmet Pasha kryetar i jeniçerëve të ishte valiu i ri. Në këtë pjesë ishin shumë aktivë shqiptarët Ymer bej Arnauti dhe Sali Koshi. Pjesa tjetër e shqiptarëve mbështesnin Mehmet Aliu. Gjakrat u nxehën keq. Porse beteja u zhvillua krejt e gënjeshtërt. Shqiptarët e të dy krahëve nuk luftuan seriozisht ndaj njëri-tjetrit. “Ishin një racë”, shkruan al-Xhabarti. Pas shumë peripecish, që vijuan, më në fund sulltani u detyrua të lëshonte pe. Më 9 korrik 1805 mbërriti në Kajro fermani sulltanor që e shpallte shqiptarin Mehmet Ali vali të Egjiptit. Pakkush e kuptoi asokohe se fati i këtij vendi të stërlashtë po ndryshonte një herë e mirë falë një shqiptari energjik.
Posted on: Tue, 16 Jul 2013 08:10:35 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015