I dashtun mik e dashamirë, unë prapë kam vendosë sonte me - TopicsExpress



          

I dashtun mik e dashamirë, unë prapë kam vendosë sonte me dalë me fjetë para Kuvendit për disa netë. Thujëm budallë, i trentë, hajvan, çka të duesh. Jam budallë i trentë, hajvan, e çka të duesh. S’po mërzitem hiç për këtë punë. Çdo ditë e jetës më shkoi duke u mundue me ba mirë, me punue ndershëm e me e respektue vendin tim, përkundër krejt hajnive, korrupsionit, vrasjeve e të tana të zezave që ndodhën qe 14 vjet, të cilat i përbiva çdo ditë të lume, shpresova se nji ditë krejt këta kanë me përfundue në burg. E, me dalë këta me pru ligj që i shpëton prej krejt krimeve edhe me i ba të barabartë me mue, s’po mundem me e përbi as me nji cisternë ujë. Nuk e di se sa kemi ndikue të mërkurën mbrama ata 150 vetat që fjetëm para Kuvendit. Ndoshta hiç, e ndoshta po, por ligji nuk kaloi. E këta po dojnë me e kthy prapë në votim, me do ndryshime që as nuk quhen ndryshime. Po thojnë të enjten, por jam i bindun se kanë me e futë të hanën. More, le të çohet krejt bota e me thanë se ky ligj duhet me kalue. Krejt bota s’po jeton në Kosovë me këta kriminelë. Po jetojmë unë e ti, e që po na futet prej këtyne çdo ditë, të cilët tash po dojnë me u ba të barabartë me neve. E, jo. S’po du. S’po ma nin që kam punë e rrogë. Paret shkojnë e vijnë, por rasti me jetue nji jetë të mirë na jepet veç nji herë. E ky rast po na humb në këtë Kosovë qeshtu. Prandej unë sot prapë po dal, mbas protestës që po mbahet në orën 20:00 para Ministrisë së Kulturës, edhe po vazhdoj para Kuvendit, me flejtë deri të hanën, e nëse e shtyjnë për të enjten, kam me flejtë deri të enjten, qaty, në rrugë. E kësaj here, tetanëve po ju ftoj me e ba të njajtën gja, sepse as vetë nuk jeni tuj e dijtë fuqinë që e keni, e që s’ka as hajn, as polici e as ushtri në botë që ju ndalë. Edhe, qysh po e shohim në shumë raste nëpër botë, ndërkombëtarët nuk po i përkrahin qeveritë, por vullnetin e qytetarëve. Si budallë e hajvan që jam, unë s’kam kurrfarë kompetence me thirrë protestë gjithëpopullore. Por e kam çdo të drejtë me dalë e me protestue vetë. E ty nuk po të thërras me dalë me mue ose për mue, por për vendin tand. Le të bijnë sakica, se s’e kam ndërmend me lëvizë, se unë s’po muj me durue ma!
Posted on: Sat, 06 Jul 2013 14:43:46 +0000

Trending Topics




© 2015