Kriza greke rubinet “i mbyllur”, nis të rivlerësohet e - TopicsExpress



          

Kriza greke rubinet “i mbyllur”, nis të rivlerësohet e shkuara Rubineti’ duket se po mbyllet… dhe ‘evrotë’ që vërshonin prej tij, janë gjithmonë e më të pakta. Teksa ky nivel i ulur i peshores, në anën tjetër, shfaq në shkallë sipërore të papunët e shtuar të fabrikave në Shqipëri, që lëndën e parë e merrnin pikërisht nga ‘rubineti’ i shtetit fqinj, Greqisë. Dhe nuk janë pak, por rreth 50 fabrika të tilla, të tipit fason, në jug të vendit që raportohet se janë mbyllur fare, ose që kjo gjë mund t’ju ndodhë shumë shpejt në kohë. Në këtë këndvështrim, kriza ekonomike që ka përulur fqinjët tanë, duket se ka një ndikim të pashmangshëm edhe për vendin tonë. Po t’i shtojmë kësaj edhe anën tjetër të panoramës, se nuk janë pak, por rreth 200 mijë shqiptarë, dikur emigrantë në shtetin fqinj, që sot janë kthyer në vendin e tyre të origjinës. Në kërkim të një pune … Por edhe në kërkim të gjetjes së vetvetes dhe një motivi të ri, sikundër edhe një përshtatshmërie të re me atë që kanë lënë 10 apo 20 vjetë më parë dhe asaj që sot gjejnë realisht në shtëpinë e dikurshme. Konkretisht, ka qenë Qendra Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare, ajo e cila ka komunikuar pak kohë më parë shifrën prej rreth 180 mijë emigrantësh shqiptarë të kthyer në Shqipëri, shumica nga fshatrat dhe jugu i vendit, e që të gjithë me tendencën për të qëndruar këtu. Duke i shtuar kështu, problematikës reale të papunësisë që ekziston në vendin tonë, edhe peshën e tyre. Një peshë kjo, të cilën, fqinjët na e kishin lehtësuar jo pak, gjatë këtyre dy dekadave. Mjafton të kujtojmë se nuk ishin pak, por rreth 500-600 mijë emigrantë shqiptarë, të zyrtarizuar në Greqi, që gjatë këtyre viteve punuan përtej kufijve të Jugut dhe që andej sollën jo vetëm shumë para’, por mbi të gjitha, e lehtësuan Shqipërinë nga një detyrim i madh për t’i punësuar dhe sistemuar këta njerëz. Gjë e cila në fakt, mund të thuhet edhe për vendin tjetër, atë përtej Adriatikut, Italinë, e cila gjithashtu mikpriti rreth 400-500 mijë shqiptarë (të paktën zyrtarisht), për të punuar në territorin e saj. Ndaj diskutimi i humbjeve reale që po pëson realisht Shqipëria, qofshin këto ekonomike dhe praktike, edhe në këtë rast, paraqitet sërish shqetësues. Po të mendosh se që të dyja këto vende, listohen si donatorët kryesorë të vendit tonë, prej nga buron shumica e investimeve të huaja direkte. Sikundër, janë edhe vendet me të cilat Shqipëria, realisht kryen edhe potencialin më të madh të shkëmbimeve tregtare. Por në rastin e Greqisë, problematika e krizës së saj reflektuar në ekonominë shqiptare, duket se ka një impakt më të madh. E kjo, jo vetëm për nga pesha më e rëndë që kjo krizë zotëron në shtetin fqinj të Jugut, por edhe se emigrantët e kthyer prej saj, janë edhe më të shumtë, sikundër edhe “evrotë” e sjellë prej tyre, më të pakta. E tani, që këto dukuri po shfaqen, ndoshta po ndihet vërtet rëndësia e asaj që ka ndodhur gjatë këtyre dy dekadave, në aspektin ekonomik mes dy vendeve tona. Për të vërtetuar në njëfarë mënyre, teorinë apostutalatike, se gjërave ua kuptojmë vlerën, kur nisim t’i humbasim ato … ECURIA Investimet e huaja direkte, Greqia zë vendin e parë Greqia figuron të jetë vendi investitor kryesor në vendin tonë, me nivelin më të lartë të investimeve për secilin vit. Konkretisht, referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, edhe pse në rënie, ky tregues flet për një potencial dominues të shtetit fqinj ndaj financimeve që në tërësi, sipërmarrësit e huaj kanë kryer ndaj vendit tonë. Kështu, në vitin 2008 (kur edhe filloi kriza), investimet greke në Shqipëri mësohet se kapnin nivelin prej 27.4% të totalit, duke qenë edhe më të lartat, krahasuar me ato të vendeve të tjera. Një trend ky që vijoi dukshëm edhe në vitin pasardhës 2009, ku edhe pse shënuan një rënie të tyre, investimet greke arritën në nivelin prej 24.8% të totalit. Sikundër, edhe më pas, në vitin 2010 dhe vitin 2011, kur investimet greke mësohet se kanë zënë përkatësisht nivelet prej 23.2% dhe 17.3% të totalit të investimeve të huaja direkte në vendin tonë. Duke folur kështu për një rol absolutisht të pakundërshtueshëm në gjenerimin e ekonomisë shqiptare si të tillë, vit pas viti. Fasonët më të rrezikuarit e krizës, punësojnë 100 mijë shqiptarë në vend Ata padyshim, që mbeten sektori më i rrezikuar nga prekja prej efekteve negative të krizës financiare në Greqi, por edhe në Itali. Fabrikat e ashtuquajtura të tipit ‘fason’, pikërisht ato që punojnë me material porositësi kryesisht nga këto dy vende dhe që punësojnë në totalin e tyre, jo pak, por rreth 100 mijë shqiptarë brenda territorit të vendit, kanë pësuar edhe goditjen më të rëndë nga këto efekte. Shoqëruar konkretisht, me mbylljen e rreth 50 fabrikave në rang vendi, kryesisht në rrethe të tilla si Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Devoll, Pogradec, por edhe në qytete të tjera të vendit. Ndërsa ka qenë vetë Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve, e cila ka bërë me dije se janë më shumë se 50% e të punësuarve në këtë sektor, që aktualisht gjendet e papunë, ose e punësuar me kohë të pjesshme. E në të tilla kushte, jo më kot, pak kohë më parë ky organizëm i biznesit, i ka drejtuar një letër të hapur qeverisë, me kërkesat për ta lehtësuar nga barra fiskale, por edhe për t’i siguruar masa të tjera të favorshme, pikërisht me argumentin “për të siguruar mbijetesën e këtij biznesi në kushtet shumë të vështira të krizës, por edhe të mungesës në rritje të likuiditetit, mungesës së kreditimit, mungesës së porosive dhe kontratave të reja apo tkurrjes së frikshme të investimeve në këtë sektor”. E megjithatë, duhet thënë edhe se efekti i kësaj krize nuk është se ka qenë tërësisht negativ. Pasi bizneseve të tilla, iu desh në njëfarë mënyre që të zgjohen nga gjumi, pasi ulën kostot e prodhimit e kërkuan tregje të reja. Por gjithsesi, për ta, raporti i eknomisë me Greqinë duket i pazëvendësueshëm, pavarësisht tendencave të përkohshme. 180 Mijë emigrantë shqiptarë të kthyer përfundimisht nga Greqia në vendin e tyre, është shifra e komunikuar para pak kohësh nga Qendra Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare 17.3% E totalit të investimeve të huaja direkte në vendin tonë gjatë vitit 2011 kanë rezultuar nga Greqia; nga niveli prej 24.8% në vitin pararendës 2010; apo 24.8% në vitin 2009 dhe 27.4% në vitin 2008 -10% Rezulton rënia e niveleve tregtare të Shqipërisë me Greqinë vetëm gjatë vitit të kaluar, tregues ky i cili është paraqitur si shqetësues për ekspertët e ekonomisë, teksa dikur zinin vendin e parë impakt.al/ekonomia/kriza-greke-rubinet-i-mbyllur-nis-te-rivleresohet-e-shkuara
Posted on: Mon, 30 Sep 2013 20:47:13 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015