Letërsitë “e vogla” dhe përkthimet October 14, 2013 at - TopicsExpress



          

Letërsitë “e vogla” dhe përkthimet October 14, 2013 at 11:06am Gëzim Aliu Letërsitë “e vogla” dhe përkthimet Dihet që vlerësimi i një letërsie si ‘letërsi e vogël’ mund të shkaktojë pakënaqësi, megjithatë këtu, në këtë shkrim, përdoret si etiketë për letërsinë që njihet pak në botë. Prandaj, mbiemrin “e vogël” e kam futur në thonjëza. Letërsitë “e vogla” gjithmonë kanë fat jo edhe aq të mirë në skenën e letërsisë botërore. Ato njihen pak, sepse në atë skenë të madhe vazhdimisht shfaqen dhe bëjnë hije shkrimtarë të kulturave të mëdha botërore. Kjo nuk do të thotë që letërsitë “e vogla” nuk kanë çfarë t’i rrëfejnë lexuesit ndërkombëtar, por e shfaq një anë tjetër të kësaj krijimtarie letrare, që përveç artistike, është edhe mjaft teknike: Përkthimin! Më saktë, mospërkthimin, kështu pra edhe jodepërtimin jashtë kufijve kombëtarë. Përkthimi i letërsisë është veprimtari e vështirë, sidomos në botën tonë bashkëkohore, ku çdo gjë është komercializuar. Nëse nuk ke para nuk arrin të bësh asgjë. Dhe, si t’ia bëjë shkrimtari i letërsisë sonë që në këtë rrokullimë të madhe globale zë një vend anonim? Puna e shkrimtarit është të shkruajë letërsi të mirë. Kjo mjafton, madje e dërrmon dhe këtë e dinë të gjithë ata e ato që shkruajnë dhe përpiqen të shkruajnë letërsi. Gjatë një takimi kulturor-letrar, jashtë Kosovës, ku isha i pranishëm vitin e kaluar, ma bënë një pyetje që më bëri të mendoj gjatë. Pyetja ishte kjo: kë e ke agjent letrar? Do të thotë: kush merret me punët pas botimit të librit? Thashë që nuk kisha agjent letrar, u mundova t’i shpjegoj kushtet dhe mundësitë tona në Kosovë, çështjen e shtëpive botuese normale, profesionin e agjentit letrar që as nuk ekziston, mungesën e instituteve të përkthimit, mungesën e fondeve, mungesën e madhe të përkthyesve nga shqipja në gjuhët e tjera e kështu me radhë. Këto, natyrisht me stilizimet e nevojshme, po i shpreh edhe këtu. Por, së pari, nuk mund të mos kthehemi në të kaluarën, sepse çështja e përkthimit, megjithatë, ka traditë në kulturën tonë. Për shembull, përkthimi i letërsisë shqipe në Shqipëri, gjatë periudhës së diktaturës komuniste, është bërë përmes mekanizmave shtetërorë. Janë krijuar institute përkthimi, janë formuar e shpesh edhe shfrytëzuar përkthyes të fuqishëm, kanë ekzistuar shtëpi botuese me linja botimi në gjuhë të huaja, ka pasur madje edhe revista promovuese të letërsisë shqipe në gjuhë të huaja. Krejt kjo është bërë me mision të qartë, që të bëhet shpërndarja në gjuhët e huaja, kryesisht të mëdha të botës, “e së vërtetës për parajsën komuniste” në Shqipëri. Me gjithë qëllimin propagandistik, kjo pati një të mirë, sepse mjaft libra të mirë, nganjëherë edhe të fuqishëm janë përkthyer dhe kanë përfaqësuar e përfaqësojnë atë që do të mund ta quajmë letërsi e lexueshme e normale shqipe e asaj kohe. Shembulli më i mirë është vepra e Ismail Kadaresë. Pra, nga ky investim ideologjik komunist, letërsia shqipe në fund ka pasur përfitime të dukshme, sepse ka dalë nga anonimiteti. Është një paradoks, por që ka çelë megjithatë një udhë për të arritur te lexuesi i huaj. Udhë që vazhdon, sado me ngecje, të shkelet nga shkrimtarë shqiptarë të Shqipërisë. Në Kosovë, ndërkaq, më shumë ka pasur politikë redaksionale të “Rilindjes” për përkthimin e letërsisë së huaj në gjuhën shqipe, sesa përkthimin e letërsisë shqipe të Kosovës në gjuhët e huaja. Prandaj, edhe kemi kaq pak autorë të përkthyer e fare pak të njohur jashtë. Se a ishte puna te cilësia apo gjërat e tjera teknike e ideologjike, këtu nuk do të diskutojmë, pasi caku ku dua të dal është tjetër. Siç e pamë pak më lart, për përkthimin e autorëve të letërsisë sonë duhet mbështetje e madhe institucionale, madje duhet të qëndrojë një shtet i tërë për mbrapa, me një mision të caktuar, me kuadro e organe kulturore-letrare për prezantimin e kulturës sonë jashtë kufijve. Shkrimtari në Kosovë, dhe këtë e kemi thënë më parë, ballafaqohet me shumë telashe. E para është çështja e botimit. Gjatë tërë kohës sa ai shkruan dhe mendon të krijojë një vepër, e ka në mendje këtë çështje. E ka, sepse të botosh në Kosovë është shumë lehtë, nëse ke para. E shkrimtarët përgjithësisht këtu nuk kanë para. Pasi i gjejnë mundësitë dhe i botojnë veprat e tyre, ata ndeshen me mungesën e madhe të lexuesve. Nëse, megjithatë arrijnë të bëhen pak a shumë të njohur, e shohin që vepra e tyre do të mbetet fenomen kulturor-letrar vetëm për disa kilometra katrore të kryeqendrës. Kur u shkon mendja të përkthimi në gjuhë të huaja, ata e ato zhgënjehen krejtësisht, sepse mundësitë janë pothuajse joekzistuese. Janë të paqena, sepse askush në këto vitet e fundit nuk është interesuar të merret seriozisht me çështjen e përkthimit të letërsisë shqipe të Kosovës jashtë vendit. Sidomos nuk janë interesuar institucionet shtetërore. Jeta e librit nuk përfundon me botimin. Aty fillon. Dhe, me udhëtimin e librit te lexuesi, në botë merren një varg njerëzish, nga botuesi që i rri afër gjithmonë produktit të vet e deri tek librashitësi. Këtu rol të madh luan edhe ai që në botë e quajnë agjent letrar. Ky është një profesion i specializuar, si të themi, kujdestar i librit në jetën letrare publike. Te ne nuk ekziston ky profesion, sepse edhe nuk ekziston tregu i letërsisë. Këtu, këtë rol duhet ta luajë shtëpia botuese, e cila duhet të kërkojë mbështetje institucionale. Jo vetëm për botimin e librit, por, në radhë të parë, për mbajtjen gjallë të tij. Nëse libri tregohet i suksesshëm në hapësirën tonë, atëherë botuesit duhet të interesohen që librin ta përkthejnë jashtë vendit, sepse ky duhet të jetë qëllimi final i secilit shkrimtar dhe botues. Deri këtu e përdorëm shpesh ndajfoljen “duhet”. Nuk jam këtu për të dhënë këshilla. Megjithatë, po tregoj si do të duhej të bëhej kjo punë, pra përkthimi dhe depërtimi jashtë, po të ekzistonin kondita normale. Nëse e kemi një vepër të mirë dhe mendojmë se ajo ia vlen të përkthehet në ndonjë gjuhë të huaj, atëherë prapa këtij libri të një shkrimtari të caktuar, duhet të qëndrojë një varg njerëzish. Nga botuesi fillestar, te gjetja e përkthyesit në gjuhë të huaj e deri te botuesi i jashtëm, i cili nuk boton diçka nëse nuk e sheh përfitimin, sepse atje nuk shkon puna e botimit sikur te ne. Atje, po nuk doli me fitim një produkt, atëherë mund të ndodhë falimentimi. Prandaj, për çështjen e përkthimit duhet të krijohen fonde të posaçme dhe mekanizma që dinë t’i përdorin këto fonde. Sepse, mund të ndodhë që të krijohen fondet, por librat që përkthehen nuk e kanë merituar as të botohen. Sado që kjo mund të duket paragjykuese, jemi dëshmitarë të promovimit të mediokriteteve këtu, madje me ‘madhështi’ për ta pasur zili. Viteve të fundit janë bërë përkthime të librave të disa autorëve të letërsisë shqipe të Kosovës. Këtë nuk duhet ta mohojmë. Por, po harrohet një gjë. Vetë përthimi në gjuhë të huaj nuk do të thotë shumë. Përkthimi është një gjë, ndërsa depërtimi dhe pranimi atje, është një gjë krejt tjetër. Libri mund të përkthehet madje edhe të shpërndahet mirë nëpër librari, por sa do të depërtojë ai, kjo nuk dihet. Nuk dihet, sepse përgjithësisht mungojnë prezantimet e librit, takimet letrare të lexuesit me autorin, shkrimet nëpër gazeta, intervistat në mediat e shkruara dhe elektronike të atjeshme. Për vetë autorin e përkthyer, madje edhe për shtëpinë botuese, organizmi i këtyre gjërave është i pamundur. Për këtë shkak, bota ka shpikur atashetë kulturorë pranë ambasadave nacionale në shtetet e huaja. Sa kam dijeni, asnjë ambasadë jona nuk ka atashe kulturor. Mbase edhe kanë, mirëpo ata janë shumë larg letërsisë, sigurisht edhe kulturës përgjithësisht. Pra, me vetëm përkthimin nuk do të thotë që është kryer krejt puna dhe këtë iluzion nuk duhet ta ushqejnë autorët që kanë pasur fatin të përkthehen e fatkeqësinë të mbesin megjithatë anonimë për lexuesin e huaj. Një kulturë kombëtare, nëse ka dëshirë e qëllim t’i paraqesë vlerat e veta në botë, duhet të organizojë energji të tëra dhe institucione të ndryshme kulturore e politike për ta bërë këtë. Njëherë për njëherë, ne nuk kemi as dëshirë, as qëllim e nuk po bëjmë asgjë. Jemi të kënaqur me jetën kulturore e letrare në këta pak kilometra katrore të kryeqendrës sonë. Lexuar në tryezën debatuese lidhur me përkthimin e letërsisë sonë, të organizuar nga “Klubi i Shkrimtarëve i Kosovës”, 10.10.2013 dhe botuar në “Koha Ditore” 12.10.2013
Posted on: Wed, 16 Oct 2013 20:41:56 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015