Na që na dhemb, po u themi atyne që s’u dhemb Primo - TopicsExpress



          

Na që na dhemb, po u themi atyne që s’u dhemb Primo Shllaku Të mos ishte mnyra e pahirtë e përgjigjes së nji pedagogu universitar ndaj nji kleriku të ri, i cili, për sa e njofin, po dëshmon shum dhunti e virtyte krijimtare, as që do ta kisha marrë mundimin me shkrue tashti në ket bisht stine, kur njerzit s’e kanë fare mendjen për punë të holla. Por meqë tranzicionin kultural nuk presim të na e realizojë askush, as si substancë e as si konsulencë, po e mbajmë të gjallë debatin e dialogun pa dallim stine, çasti dhe konjunkture. Dëshiroj me ndërhy për të skjarue nji rrethanë mosmarrveshtje, e cila, simbas meje, buron prej mospërputhjes së kodeve të komunikimit. Para dy-tre ditësh profesor Rami Memushaj lshon nji invektivë të pashembullt destruktive në adresë të don Gjergj Metës, famullitar i Kamzës. Profesori zbulon në ket shkrim dashakeqës talente të dukshme prej kalamburexhiu dhe nuhatësi të pagabueshëm kombinacionesh fonetike dhe na fton që përpjekjet tona të rikuperimit t’i kthejmë në lojë zbavitëse stilesh e polemikash precioze. Me vjen sinqerisht që, as në ket rast, nuk m’u dha mundësia me mbrojtë nji çeshtje të drejtë, të mbajtun prej nji njeriu të drejtë, siç âsht don Gjergji, sepse tezat e tij tek shkrimi “Rilindja e shkërbejve” (MAPO, e martë, 9 korrik) janë të kjarta dhe të plota. Mungonte në ajër vetëm nji vetdije e ndritun që t’i keqkuptonte ato teza. Por ajo s’vonoi dhe u gjet. Dukshëm dhe thekshëm i nxehun prej fjalës “shkërbé”, e cila në shqipen tonë të madhe vërtet do të thotë “egërsinë, kafshë pylli, kafshë grabitqare”, por edhe – jo vetëm edhe simbas spjegimit dhe përdorimit mjeshtror të dr. L. Shamku-Shkrelit – ka edhe nji vështrim tjetër metaforik ditunor që i bie me qenë kalkimi në shqip i shprehjes së famshme “monstrum sacrum”, i cila në kontekste po ditunore dhe akademike nuk ka kurrfarë konotacioni përkeqsues, por do të thotë “ themelues dhe ruejtës i nji establishmenti ”. Themeluesit janë gjithnji edhe ruejtës, edhe fanatikë të realizimit të tyne. Nëse themeluesit kanë pasë fatin e mirë me qenë pa rival në shestimet e tyne, plakja e idesë së tyne i vjen shum mâ shpejt sesa nji produkti dialogu. Zakonisht kta themelues, pra kta shkërbej shum shpejt hyjnë në nji klimaks idesh dhe katandisen në të pareduktueshëm, dmth që njiqind spata me u ra, nuk u hiqet nji ashkël. Zotni Memushaj, edhe pse në vitet e largta 1986, paska qenë për ndryshime të standardit, sot nuk âsht ma partizan i asnji ndryshimi. Na lind pyetja: çka t’i ketë ndodhë profesorit që i vdiq në zemër dëshira për ndryshime në standard? Le të kthehemi pak tek kuadri i njomë politik që as kjo verë e nxehtë nuk po mbrrin me i tha bojën parullave. U fol për rilindje, bile për Rilindje me shkronjë të madhe. Për shqiptarët nuk ka fjalë ma të madhe e ma të ndritshme se fjala Rilindje. Si kureshtar e mistrec i detyrimit të përputhjes së fjalës me kuptimin e saj, unë mbetem ende i pakjartë nëse do kemi nji “rilindje”, “Rilindje” apo nji “Ririlindje”. Me siguri që askush nuk mund të na e thotë me saktësi ketë përmbajtje. Ndërkaq unë e ndiej si detyrë timen me thanë se po, na kemi nevojë për nji Rilindje, e cila do t’i shërojë Shqipnisë e shqiptarëve plagën e madhe të prekjes brutale të psikosintezës kombtare, ekuilibrit veri – jug, gegë e toskë, ata që i panë hajrin diktaturës dhe ata që diktatura i vuni në pozicion mbijetese pa asnji mundsi krijimtarie. Parullat e tjera “malokë e malësorë”, “çeçenë e talebanë” janë sinonime të degjenerueme të çifteve të sipërpërmenduna. Pikërisht ajo delikatesë e Rilindjes dhe ai promovim i ekuilibruem i gjuhës dhe i prodhimit gjuhësor, ajo harmoni dhe ai proces homogjenizimi psikomoral që filloi me Rilindjen Kombtare dhe kulmoi me Pavarësinë, âsht vlera e mungueme (sepse e shkallmueme) qysh prej 1944. Gegë e toskë nuk janë dy koncepte boshe dhe pa përmbajtje. Kto janë dy “fiset” e mdha që e përbajnë Shqipninë tonë, janë pjesët konstitutive të shoqnisë shqiptare mbrenda shtetit shqiptar. Vetëm qëllimet hegjemoniste, antieuropiane e antipërendimore mund të guxonin me prekë thelbin ontologjik të shqiptarëve. Kultura fodulle dhe “futuriste” e variantit shqiptar të marksizmit, për dava pushteti dhe vetëm, futi përçamje dhe kjo përçamje u instalue në gjuhë. Vendosja në bazë të standardit të nji sistemi fonetik alternativ ma të ngushtë se varianti tjetër, e përjashtoi qëllimisht dhe pa shpëtim gegnishten nga ndërveprimi me standardin. U kultivue gegofobia dhe gegoalergjia. Por jo vetëm në gjuhë, por edhe në kulturë dhe në marrdhaniet mes njerzish që vijnë nga krahina të ndryshme. Po nuk fole standardin, je malok, je i pashkollë, je injorant. Dhe meqë kjo nuk âsht e vërtetë, atëherë do t’i kujtoja zotni Memushajt se sot po ndodh ajo që ai ka frikë ma shum se asgja: standardi po i dështon në fazën e vet ma delikate, pikërisht në atë të implementimit. Por nervozizmi alergjik i profesor Memushajt nuk pajtohet as me qenien e tij gjallë si qytetar i ktij vendi. Shkrimi i tij, me tone ciceroniane e titull imperativ “Dom, merru me grigjen tënde”, do që ta katandisë ket të ri intelektual në nji ripërtypës ritualesh dhe qytetar apatik që vegjeton. Kisha katolike ka luejtë rol vendimtar dhe ka pasë peshë në jetën morale të shoqnisë shqiptare. Në ketë kohë krize angazhimi i saj do të ishte ma se i dëshirueshëm. Prap më rezulton se profesor Memushi nuk e rrok dot përmbajtjen e fjalës “grigjë”. Në nji zonë intensivisht të popullueme si famullia e Kamzës, grigja e don Gjergj Metës mund të jetë sot disa dhjeta fish ma e madhe se auditoret ku ky zotni jep leksionet e veta. Çka mund ta pengojë nji intelektual që ban gjithë jetën jetë akademike, ti bâjë në heshtje kto përllogaritje dhe t’ia thotë vetes essëll, para se me dalë në punë, se ky prift i ri ka para vetes nji auditor gjigand që nji profesor specialitetesh s’kishte për ta pasë kurr. Në kërkim të përhapjes së asaj që në kishë nënvizohet papushim si “fjala e Zotit”, don Gjergj Meta ka dhe duhet të ketë ndie krizën e fjalës së papërshtatshme. Ktu dhe vetëm ktu mund ta ketë marrë shtysën dhe ka ra pre e atij “porositësi” që profesori i nderueshëm me çdo kusht kërkon ta personifikojë si njeri konkret. Kam mbetë pa mend e i befasuem prej ktij profesori filologjie, me nji moshë bukur të shtyme që shifrën nuk mund t’ia hamendosj se mos bie në gabimet e tij, kur i shpërvilet pa kurrfarë etikete nji kleriku të ri me moshë e që i paska thanë se “ke mendsi komuniste”. Bâj çudi se pse kta njerz të rritun e të selitun në shkollat e pigmentizueme të komunizmit shqiptar, kërcejnë pupthi kur ua kujtojnë shkollën dhe epokën që i ka formue. Kisha dashtë me i thanë Memushajt se edhe ai, edhe unë kemi mbarue të njajtën shkollë dhe kemi shlye të njajtat kurrikula, jemi shënue prej tyne kush ma shum e kush ma pak. Dikush u zhvillue mbrenda ksaj shkolle si reagim ndaj saj dhe dikush i ardhun prej traditash të vorfna e adoptoi shkollën e socializmit shqiptar si të vetmin ushqim për mendjen e për shpirtin. Nuk âsht ndonji turp të jesh komunist e aq ma pak të jesh i shënuem me mendsi komuniste, ku shkalla e përgjegjësive âsht edhe ma e vogël, sepse zgjedhja âsht e imponueme. Na sot kemi nji parti komuniste legale, në koalicion me maxhorancën fituese. Pse duhet të na trembë komunizmi ne? Duhet të kemi njifarë mirënjoftje për tê se na mori nga barij dhish e na bani njerz mendues. Unë nuk i përkas atynë që besojnë se komunizmi ka krijue ndonji vlerë shpirtnore, po sidoqoftë, disa të tjerë duhet ta kenë nji minimum mirënjoftje të shfaqun. E mira duhet mbrojtë haptaz. Ai zotnia thotë që nuk ka qenë antar partie dhe kjo duhet të jetë ashtu si thotë ai. Por edhe ai duhet të kontrollojë veten se mnyra se si sillet me don Gjergjin, epitetet, mosngurrimi i tij për të zgjedhë fjalët vrastare – le të më falë profesori i nderueshëm – âsht shum nevrik e mishngranës dhe ka mbrendë verbim shumkatesh. Vetëm po të kishte pasë kohë më mendue se sa delikate mund të ishte ideja e goditjes së nji pjestari të klerit katolik, mbi kokën e të cilëve rri varë nji episod i mirëfilltë holokausti, profesori duhet të ishte tregue ma i përmbajtun. Po ndalem edhe nji herë në zanatin që na përbashkon me profesorin. Në kulmin e humbjes së tij të kontrollit dhe të tensionit të tij hakmarrës, profesori përdor nji fjalë vërtet shkatrruese dhe asgjasuese: sikar. Unë do ta kritikoj paksa artikullshkruesin jo për aftësitë e tij të keqpërdoruna për të stigmatizue njerz korrektë, që të vetmin faj kanë se kanë pikëpamje, por ma shum për t’i thanë se fjala “sikar”, që do të thotë serial killer ose “ai që merr pare për me vra dikë për llogari të dikujt” e ka nji ekuivalente të bukur në shqipen që, mesa duket, profesori nuk e di dhe ka plot arsye mos me e ditë, sepse ajo fjalë e rrallë e leksikut juridik âsht vetëm gegnisht dhe gjendet rëndom tek Kanuni i Lekës. Kjo fjalë âsht “dorás-i”, pra ai që ekzekuton verbnisht përkundrejt nji shpërblimi. Po thoja me vete se me ketë liri shtypi që ka ardhë ndër ne e me atë kërshëri të publikut për gallatë, askush nuk mund të jetë ma i sigurtë se emni i tij i pagzimit në bashkëvajtje me mbiemnin e vet të familjes, krejt papritmas mund t’i kenë ruejtë atij nji befasim kombinacionesh, që nuk e bart as toka. Prandej si koleg që i bie me më pasë, do ta kshilloja që të paktën për hatër të studentëve të mos e lejojë që të biret fjala e bukur shqipe “dorás”, edhe pse ajo mund të jetë prap po aq e bukur, edhe kur nuk i përshtatet atij që ia mveshim. E po nuk mund t’i thuhet nji kleriku katolik shqiptar që merru me grigjën, kur dihet prej të gjithëve – përjashtim ban me siguri profesori yne – në historinë e ktyne 6 shekujve të fundit Bogdani klerik pati udhëheqë kryengritje, Luigj Bumçi mori rrugët e Europës për mbrojtjen e Shqipnisë në nji çast fort kritik, Fishta vraponte deri në Amerikë dhe merrej me satirë e poezi, kritikë e arkitekturë. A e imagjinojmë na atëherë nji njeri që do t’u delte ktyne kolosëve përpara e t’u thoshte me përbuzje “shkoni e merruni me grigjën” dhe lejeni atdheun të humbasë ? Desha ta lajmoja sado përciptazi profesorin se gjuha liturgjike e kishës katolike nuk âsht ajo që përdoret ende ndër shërbesat e saj. Kisha katolike, siç e thotë emni i saj , âsht universale, ajo i respekton diversitetet kulturale dhe qysh herët i ka respektue vernakulat dhe vetëm ksisoj ka mundë me qenë pranë njerzve. Dom Simon Filipaj që ai citon paksi me triumf, ka krye nji vepër të madhe, por stilistikisht e letrarisht skandaloze. Ai vetë e ka pasë shprehë ahtin e tij se nuk po mund ta përkthente Biblën në atë ekspresion që ai do të dëshironte. Kurse sa për Imzot Rrok Mirditën, përmendja e tij âsht vetëm dashakeqe, instigative (gegnisht: gërgase) dhe insinuante (gegnisht: shtiskeqe). Ai âsht nji personalitet i dalluem i periudhës së ringritjes së kishës katolike, ka kontribute të veçanta, por tosknishten e flet rryshëm dhe lavdia e tij ligjërimore ka mbetë te homelia që ai ka mbajtë më 1993, kur përshndeti në gjuhën natyrale të ksaj kishe ardhjen e Gjon Palit II. Magjia e fjalimit solemn dhe e entuziazmit rilindës nuk âsht përsëritë ma tek ky prelat. Unë them se vetëm për shkak të gjuhës. Për ta zhdramatizue pak seriozitetin me të cilin e shof se e kam marrë apologjinë e nji të drejte në dritë të diellit, po tundohem nga xhindi im i dështuem prej gazetari. Nësa po rreshtoja kto fjalë të nji shkrimi miqsor ndaj zotni Memushajt, më bie celulari dhe nji gjuhëtar i ri kosovar që e kishte lexue në internet shkrimin e profesorit, më pyet shum i alarmuem: “ Nga cili planet gjigand vjen ai Memushaj i juej që po iu dukkan shtetet si mahalla?” Dhe tashti seriozisht i trembun se mos e kam thithë mbi vete gjithë inatin e profesorit, po i uli letrat dhe po them: Mirë, mor profesor, po e pranoj se jam servil, se jam fajtor për të gjitha të kqijat që ka psue ky popull kta 100 vjet të Pavarësisë, se jam mercenar, se jam dorás ( variantin latin po ia la profesorit se unë e kam me miell shpije ), se jam provincial, se jam katolik, eksperimentues, paragjykues, “i porositun”, i mjerë, të gjitha të ligat po i marr mbi vete, po si i bâhet hallit se na dhimbset shpija jonë, ndiejmë dhimbje për traditën tonë të madhe që vazhdon dhe s’pushon, ndiejmë dhimbje të madhe para faktit që ju vllaznit tonë të nji gjaku s’e kuptoni dhimbjen tonë? Dhimbjen tonë të madhe para idesë së bjerrjes së gegnishtes, dhimbjen për bjerrjen e letërsisë së saj si dhe idenë e shterpzimit të mitrës së saj krijimtare nuk e fashitë belbzimi i nji triumfi të vyshkun. Prandej po të siguroj se nuk kam asnji arsye me ta lshue rrugën, as me të adoptue tezat bajate që shoqnisë së rritun shqiptare sot i bien ngusht. Gegët e gegnishtja janë në shpi të vet.
Posted on: Sun, 22 Sep 2013 14:27:58 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015