PJESE NGA LIBRI KAPITULLI VIII Dy polet e bashkuara të ligësisë - TopicsExpress



          

PJESE NGA LIBRI KAPITULLI VIII Dy polet e bashkuara të ligësisë shqiptare Dimri i vitit 1977 ishte i gjithi i mbushur me lavdet e Kongresit VII të Partisë së Punës dhe në kamp kjo ndihej nga të gjithë ata të burgosur, që ishin të lidhur me Sigurimin dhe që, në një mënyrë apo në një tjetër, krijonin atë gjendje terrori që kam përshkruar. Po në këtë kohë, ndihej gjithashtu se, ftohja kineze po e shtynte Hoxhën drejt një frike që nuk e lejonte dot të shihte në brendësi të botës akademike për të gjetur zgjidhje, por e shtynte më thellë në egërsinë pasionante të injorancës kundër intelektualizmit në Shqipëri. Lavdet e kongresit, që sapo kishte mbaruar, dukej se kishin një mllef kundër vetë Maos, por asgjë nuk thuhej hapur. Megjithatë, gjithçka dukej se ishte ende e përqendruar te një pritje e mundimshme për ndryshimin e gjendjes në Kinë dhe te goditja e brendshme që duhej të vijonte. Por, me aq sa shihnim në lidhje me Uzinën e Naftës, aty para syve tanë, gjithçka kishte ngrirë. Dhe prandaj edhe ne prisnim, madje edhe kundërshtarët e tjerë që jetonin kudo nëpër Shqipëri, gjithashtu prisnin. Por brenda asaj pritje kishte edhe ngacmime që vinin si presion nga drejtuesit e jashtëm dhe të brendshëm të kampit. Kampi i Ballshit kishte një strukturim vetadministrimi që drejtohej nga vetë të burgosurit, sepse brenda rrethit ku qarkullonte dhe jetonte komuniteti i burgosur, nuk kishte roje apo policë në shërbim të vazhdueshëm. Ata hynin e dilnin pa ndonjë qëllim të caktuar; kështu që gjithçka e brendshme drejtohej nga vetë të burgosurit. Atje kishte një zyrë të administratës së brendshme të burgut, atë që kam përshkruar në takimin e parë me Minush Jeron, dhe aty grumbulloheshin e rrinin bashkë: kryetari i zyrës teknike që kishte të bënte me punën, kartelisti që mbante kartelat e të burgosurve dhe kryetari i këshillit të riedukimit. Pastaj atje vinin edhe brigadierët e punës, si dhe ata të burgosur që caktoheshin me shërbim nëpër kamp. Në fakt, aty hynin e dilnin të gjithë të burgosurit politikë që e ndienin veten me regjimin, që kishin dalë dëshmitarë dhe që shkonin herë-herë nëpër biruca si agjentë të fshehtë, që përdoreshin për të “zbërthyer grupet armiqësore”, të cilat ishin ende nën regjimin e arrestit. Ne i quanim këta minj birucash dhe e dinim se nuk ishin të pakët në numër. Kjo masë të burgosurish krijonte një atmosferë të rëndë dhe përçmuese për ata të tjerët, që nuk kishin lidhje as me riedukimin dhe as me regjimin e Tiranës, por që e ndienin veten kundërshtarë të regjimit dhe të vendosur deri në fund në këtë rrugë. Nëse e sheh nën një prizëm historik, kjo gjendje që po përshkruaj për Kampin e Ballshit, ka qenë specifikë e të gjitha kampeve të përqendrimit në Rusi apo në Gjermani, e kudo gjetkë gjatë shekullit që kaloi. Politika europiane totalitare e shekullit XX, në luftën e saj kundër demokracisë dhe qytetërimit perëndimor, e në funksion të pushtetit politik totalitar dhe dominimit të një fyhreri ose udhëheqësi, që absolutizmin e tij e mbështeste vetëm tek terrorizmi shtetëror dhe propaganda e shfrenuar, krijoi edhe kampet e përqendrimit, një fenomen bashkëjetues ky i vetë totalitarizmit. Në aspektin e funksionimit të këtyre kampeve, kishte një ngjashmëri të madhe në lidhje me atë proces të brendshëm që kudo quhej “riedukim”, domethënë përçarje e studiuar e vetë kundërshtarëve politikë, që ishin me mijëra në këto kampe. Këta i ishin kundërvënë një gjendjeje tiranike, por numri i tyre i madh nuk duhej të bëhej assesi shqetësues për regjimin. Stalini dhe bolshevizmi, duke e njohur si dobësi “liberalizmin carist” të burgjeve apo kampeve të tij të punës, nuk i la të goditurit e vet të shumtë që të krijonin një shtresë kundërvënwse ndaj regjimit. … Pikërisht kjo frymë kishte ardhur e ishte implementuar edhe në Shqipëri drejtpërdrejt nga KGB-ja ruse, të cilën krerët e Sigurimit të Shteti e perfeksionuan edhe më tej. Në funksion të kësaj shkolle, Sigurimi dhe vetë Enver Hoxha nuk mund të lejonin që në vend të krijohej një shtresë potenciale për kundërvënie, dhe për këtë, ata e dinin se më të rrezikshmit sigurisht do të ishin të burgosurit politikë. Prandaj burgu politik shqiptar duhej të kalonte domosdoshmërisht nga shpërbërja e formimit të grupimeve solide. Një gjë ishte e ditur nga eksperienca ruse se, në një mjedis burgu politik, njerëzit njihen shumë më mirë dhe aty krijohen marrëveshjet e mëdha përbetuese, që formojnë më pas grupimet klandestine, të cilat, në një moment të caktuar, bëhen të afta për të rrëzuar regjimet politike. Pikërisht këto formime, Sigurimi Shqiptar duhej t’i ndalonte që në embrion; dhe frika e madhe që kishte ndërkallur nëpër burgje kishte rezultuar e suksesshme, sidomos në dhjetë vitet e fundit. “Vjen një kohë që ata mund të na bëjnë gjëmën”, tha në vitin 1977 Enver Hoxha për të persekutuarit, në një nga fjalimet e tij, dhe në Burgun e Ballshit kishte ndonjë të burgosur që e pa këtë thirrje me naivitet si trembje apo frikë të Hoxhës dhe mendoi se do të kishte zbutje të luftës së klasave. Por në të vërtetë, kjo ka qenë “thirrma” e tij e përhershme për degradimin e kundërshtarit me anë të Sigurimit të Shtetit. Të burgosurit e vjetër që ishin në Kampin e Ballshit, njerëz të ndershëm dhe kundërshtarë të vendosur të regjimit të Tiranës, ma sqaruan shumë saktë atë që kishte ndodhur në burgun politik shqiptar në këta dhjetë vjetët e fundit, duke filluar që nga viti 1967. Sipas tyre, që nga ai vit, Sigurimi i Shtetit ishte shumë më i pranishëm në burg dhe agjentura ishte shumuar. Gjatë këtyre vjetëve në burg ishin futur edhe njerëz pa kriter, por sidomos kishte individë që, të thyer nëpër hetuesitë e rënda që kryenin, e vijonin veprimtaritë e tyre si bashkëpunëtorë të Sigurimit edhe në kohën kur e vuanin dënimin në një burg politik. Kundrejt tyre ushtrohej një presion i çuditshëm, por më së shumti, secili nga agjentët përfitonte disa privilegje të vogla si për veten në kamp apo në burgun ku vuanin dënimin, ashtu edhe për familjen kudo që ajo të ishte. Këta ishin shumë më të egër se vetë policët e burgut dhe, ashtu siç e kam thënë, që të gjithë rrinin me fletë në dorë për të të denoncuar. Kjo gjendje psikologjikisht krijonte një pabesueshmëri masive në burg, dhe prandaj, të gjithë ata që mund të grupoheshin dhe që ishin vërtet kundërshtarë të vendosur të regjimit, rrinin të izoluar dhe dy e nga dy, apo tre e nga tre dhe e konsideronin si aventurë grupimin e mundshëm në burg. Kjo gjendje e kishte kthyer burgun politik shqiptar në një komunitet pasiv dhe të larguar nga çdo angazhim kundrejt veprimtarisë politike. “Ja, Spartak, më tha Ahmet Thaçi dikur, e sheh atë të burgosurin që sapo ka ardhur dhe që quhet Faik Kapo Kalemaj? Ai ka qenë i njohur me gisht përpara 10 vjetësh si spiun, sepse vetëm ai e ndonjë tjetër ishin në të gjithë Kampin e Fushë-Krujës. Kurse tani, pas 10 vjetësh, kjo është një gjë masive”. Dhe kishte të drejtë, sepse këtë pastaj ma thanë edhe shumë të tjerë, por duke sjellë në mend vitin 1967, sepse ky fenomen në burgun politik ishte shfaqur menjëherë pas 6 shkurtit të vitit 1967. Sigurisht që kjo ka qenë një metodë e infiltruar si sistem dhe e studiuar nga korpuset e specializuara të Sigurimit të Shtetit, por edhe të vetë Partisë. Të gjitha regjimet diktatoriale e kanë pasur këtë tendencë të infiltrimit të policisë sekrete nëpër radhët e kundërshtarëve dhe që të gjitha kanë pasur sukses në këtë ndërmarrje të frikshme. Edhe Sigurimi i Shtetit ia kishte arritur që, në një përqindje të konsiderueshme, ta kishte thyer me agjenturë shtresën e të persekutuarëve në Shqipëri. Presioni kundrejt tyre ka qenë jashtëzakonisht i madh. Duke përfituar sidomos nga fenomeni i tulatjes së brezit të parë të të persekutuarve dhe prej tërheqjes së tyre në një jetë të heshtur dhe pa kundërvënie, Sigurimi iu vërsul me sistem brezit të ri: e joshte, e trembte dhe, duke i krijuar ndonjë privilegj, sidomos me anë të shkollës që iu siguronte, ia kishte arritur që shumë prej tyre t’i tërhiqte si bashkëpunëtorë. I gjithë ky proces në vitet ‘70-të e kishte dhënë në Shqipëri produktin e vet: persekucioni shqiptar nuk kishte asnjë lloj kundërvënie të programuar. Këtë fakt regjimi e ndiente si fitore të vetën dhe shpesh e përmendte me krenari me anë të figurave të tij të larta. Madje, siç do ta shohim, kur, në vitin 1991 erdhi koha që vetë regjimi u tërhoq pa zhurmë dhe qëndresë nga pozicioni sundues, shumë prej kontingjentit të bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që dukej sikur kishin “kartën morale për të qeverisur”, u bënë shtylla mbështetëse për një lloj tjetër perversiteti në qeverisjen e vendit, gjithë duke i sjellë një dëm shumë të madh demokracisë shqiptare dhe duke e ndihmuar tiraninë, e cila në fakt kishte ndryshuar vetëm legjitimitetin në Shqipëri, por jo sundimin e vet. Pikërisht te kjo tendencë e studiuar dhe e ngritur deri në shkollë, që Sigurimi i Shtetit e përdori kundër kundërshtarëve të regjimit komunist në Shqipëri, e gjen veten edhe “zakoni” apo kultura reaksionare, që haset pas vitit 1991, kur partia në pushtet rekrutonte agjentë në të gjithë krahun e opozitës, në Parlament e kudo ku kishte aktivitet politik. I gjithë ky veprim agjenturor, që po masivizohej vijimisht në Kampin e Ballshit, nuk realizohej në heshtje apo si një agjenturë sekrete; përkundrazi, ai bëhej hapur për t’iu thënë të burgosurve se nuk kishin asnjë shpresë tjetër përveç “riedukimit”, domethënë bashkimin me Partinë e Punës. Dhe kjo bëhej çdo ditë përmes propagandës në burg nga të “riedukuarit”, të cilët i kishim gjithë ditën nëpër këmbë, që të provokonin dhe të shihnin me përbuzje si një njeri që vijoje të kishe “kolerë” edhe në burg. Por që të gjithë, kuptohej se ishin të trembur nga e ardhmja. Në momente të caktuara kishte prej tyre që e ndienin veten superiorë, sepse herë-herë ata dallonin që ishin edhe më të fortë sesa vetë drejtuesit oficerë të kampit, ose të burgut. Të gjithë ishin të bindur se regjimi i Tiranës nuk do të rrëzohej kurrë dhe, pikërisht për këtë, e adhuronin; por së brendshmi e ndienin atë frikën që thashë më lart. I ndruheshin së ardhmes. Enigma e së ardhmes ka trembur çdo hajdut, çdo vrasës dhe çdo diktator dhe prandaj nuk kishte sesi të mos trembte edhe një spiun keqbërës, që raportonte bashkëvuajtësit e vet. Por aty, në atë kamp, kishte të burgosur që, ndonëse kishin njëfarë droje që të ma thoshin hapur në sy atë që mendonin, unë i kuptoja se e adhuronin Enver Hoxhën. Por gjithsesi, pa dyshim që këta, në të përgjithshmen e vet, kanë qenë të futur në atë rrjedhën psikologjike të tabusë që unë e kam shpjeguar, kur kam folur për “krijimin e tabusë shqiptare”. Ishin shumë të pështirë dhe unë gjithmonë rrija e mendoja i bindur se ishin të lidhur me regjimin e Tiranës, sepse kishin të njëjtin ndërtim me udhëheqësit e Partisë së Punës; me shumicën e sekretarëve të parë, por sidomos, ishin shumë të ngjashëm me vetë punonjësit e Sigurimit të Shtetit. Por pata edhe një rast që, njëri prej tyre, që dukej si liberal, por që unë e dija se ishte spiun, më pyeti se çfarë do bëhej me spiunët pasi të rrëzohej regjimi i Tiranës. E kuptova se e kishin dërguar dhe ia kishin dhënë atë pyetje. Piro Meçe e kishte emrin spiuni; ky kish kaluar një proces enigmë, si pjesë e grupit për të cilin thuhej se kishte dashur të vriste Enver Hoxhën. Nuk di se çfarë të them për këtë, por në burg ishte spiun dhe mua më doli madje edhe si dëshmitar në ridënimin tim, gjë që do ta shpjegoj më poshtë. E pra ky më pyeti se çfarë do të bëhej me spiunët nëse rrëzohej regjimi dhe unë, shumë shpejt iu përgjigja ashpër që t’ua çonte të freskët eprorëve të tij. “Por, ja mor Piro, i thashë, në fakt këta spiunë në burg po vuajnë dhe janë dënuar si kundërshtarë të këtij regjimi. Për këtë do të zhdëmtohen, sigurisht; por, për faktin që kanë qenë spiunë në burg dhe kanë denoncuar ditë për ditë bashkëvuajtësit e tyre, do të dënohen sërish me burg për dëshmitë e rreme, që kanë dhënë, si dhe për bashkëpunimin e tyre në ushtrimin e terrorit në një burg politik”. Po më dëgjonte me kokë të ulur dhe nuk ndenji më, por gjeti rastin dhe u largua nga unë menjëherë. Më erdhi për të qeshur, por ndjeva edhe një si kënaqësi të brendshme që u kisha dërguar inkuizitorëve banalë mendimin se unë isha i bindur që regjimi do të rrëzohej e të gjithë ata e bashkëpunëtorët e tyre spiunë nëpër burgje do të dënoheshin gjithashtu. Dobësia njerëzore, si rregull, të çon në ligësi dhe ligësia në urrejtje; kjo ka qenë edhe natyra e të dy poleve të hoxhizmit në Shqipëri: edhe e Sigurimit të Shtetit, si poli që vinte nga përzgjedhja e “ligësisë së kualifikuar” të klasës që kishte pushtetin, por edhe e shtresës së persekutuar, si poli që vinte nga përzgjedhja e “ligësisë së kualifikuar” të klasës së përmbysur. Komunizmi hoxhian, si pasojë e asaj që ai i quante luftë klase, kishte krijuar kështu dy aspekte të ligësisë: edhe nga gjiri i vet, por edhe nga gjiri i kundërshtarit. Në fakt, ligësia është e njëjtë pavarësisht nga ngjyrimet politike që merr. Nëse një tirani drejtohet nga ligësia e despotit, ajo është e prirur që të mbështetet tek e gjithë ligësia njerëzore, që jeton në një shoqëri të caktuar: edhe te ligësia që i përket shtresës së tij, edhe te ligësia që i përket shtresës kundërshtuese, të cilën ky e ka persekutuar. Prandaj, nëse do të qëndrojmë dhe do t’i bëjmë një analizë psikologjike arsyes përse pati raste në Shqipëri kur i persekutuari u bashkua me persekutorin kundër shtresës së vet, këtë do ta gjejmë te ligësia e barabartë që kishte një pjesë e klasës së përmbysur, me një pjesë të klasës në pushtet. Kjo e vërtetë “bashkimi” në Shqipërinë komuniste erdhi e u bë një fenomen, sepse, koha tregoi se kishte edhe një bashkim të moralshëm, që nuk kishte asnjë lidhje me ligësinë njerëzore, midis një pjese të shtresës së persekutuar dhe një pjese të klasës që ishte në pushtet. Prandaj, pikërisht këtu, te kjo çështje bashkimi, vjen në diskutim ajo pikë që i takon moralitetit, sepse normalisht na duhet të ngremë këtë pyetje: si do ta shpjegonim fenomenin që një pjesë e përzgjedhur, që vinte nga klasa në pushtet, u bashkua me një pjesë të vuajtur që vinte nga klasa e përmbysur? Unë mendoj se edhe kjo duhet shpjeguar njëlloj si rasti i parë, por për këtë rast, nëse të parët i kishte bashkuar me njëri-tjetrin ligësia, të dytët sigurisht që i bashkoi moraliteti dhe humanizmi. Ja kjo është e vërteta, sepse në çdo fenomen që drejtohet nga e liga dhe ligësia, ka një moment tjetër që, brenda tij, drejtohet nga moraliteti dhe humanizmi.
Posted on: Thu, 29 Aug 2013 23:14:17 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015