Pse Vllaznia kërkon “kokën” e Skënderbeut Nga GËZIM - TopicsExpress



          

Pse Vllaznia kërkon “kokën” e Skënderbeut Nga GËZIM SINEMATI Ka një shprehje ish-futbollisti i talentuar shkodran, Ferit Borshi, sidomos kur Vllaznia shfaqet në krye të klasifikimit: “Edhe futbolli ka më shumë humor, kur shkodranët nderojnë historinë e tyre”. Është një fillimkampionati i bujshëm dhe shkodranët kanë shumë arsye të besojnë: futbolli i tyre po afron më shumë tifozë dhe vlera që çmohet si “goli i madh” i kësaj Vllaznie është fakti ndjellës se në fushë janë 8 futbollistë shkodranë. Klubi, i cili dy vite më parë krenohej me globalizmin në fushë, i ngarkuar me të huaj në kundërshtim me traditën për të lindur talente dhe i favorizuar nga politika zyrtare, e cila lejonte 8 futbollistë të huaj në fushë, po përjeton momente krenarie me bio-futbollistët. Edhe shifrat provokojnë eufori, ku Vllaznia shfaqet si ekipi që shënon më shumë dhe pëson më pak. Trajneri Canaj ka frikë kur dëgjon se ky ekip mund të pretendojë titullin, sepse nga përvoja ka mësuar shumë leksione dhe euforia në Shkodër është një fllad që përhapet shpejt. Kjo shpjegon dhe arsyet e deklaratës paralajmëruese të protagonistëve Hajdari dhe Bushiç, të cilët kërkojnë “kokën” e Skënderbeut në menynë e radhës. Ekipi i Canës është çliruar nga sindromi i golit, prej të cilit kanë vuajtur jo pak në vitet e fundit, sa nuk besohej në Shkodër, kur për golin kujdeseshin edhe mbrojtësit. Gjërat kanë ndryshuar për mirë, sa tregojnë padurim edhe për ndeshjen e së mërkurës me Skënderbeun. Një padurim, që i ka rrënjët më thellë sesa duket. Krijuesit klasikë të lojës, të cilët me topin kanë një konfidencë besnike, edhe pse kanë munguar rezultatet, janë lodhur me dominimin dhe përkëdhelinë korçare, në këto tri vitet e fundit. Po të dëgjosh zërin që vjen nga bashkia, beson se me Skënderbeun do të jetë një finale morale. Ndërsa logjika shkon në favor të trajnerit Cana, që nuk lodhet me kambanën e tij: “Në një kampionat ku katër ekipe do të humbasin mbijetesën, pse u dashka kaq presion vetëm për ndeshjen me kampionët?”. Në të vërtetë, kur të përballen me Skënderbeun, ajo që ka peshë më shumë se pikët, është një gjë që e çmojnë shumë në “Loro Boriçi”… futbolli i besueshëm.
Posted on: Mon, 30 Sep 2013 16:29:22 +0000

Trending Topics




© 2015