WikiLeaks për Shqipërinë ! Rrjedhjet toksike nje bombe me - TopicsExpress



          

WikiLeaks për Shqipërinë ! Rrjedhjet toksike nje bombe me sahat ! Në këtë temë jeni të ftuar të gjithë të sillni nga site të ndryshme të gjitha kabllogramat e ambasadës U.S.A për Shqipërinë . Po e nis unë me disa artikuj të publikuar në Shekulli . Kabllogrami: Ka rrjedhje toksike nga depot ushtarake të Qafëmollës Qeveria shqiptare nuk ka lënë rast pa u vetëlëvduar për shkatërrimin e një pjese të arsenalit të LHL-ve (Lëndëve Helmuese Luftarake) në zotërim të forcave të armatosura shqiptare. Këtij kori iu bashkuan në jo pak raste edhe ligjvënësit e njohur amerikanë Nun dhe Luggar. Ky operacion reklamohej si një sukses absolut pa asnjë problem apo të metë. Por nga tre kabllograme të Ambasadës Amerikane në Tiranë të zbardhura nga Wikileaks, informohemi për probleme të rënda, që shoqëruan apo erdhën si rrjedhojë e këtij operacioni medemek “të suksesshëm”. Në kabllogramin e 30 gushtit 2008 të karakterit konfidencial formuluar nga Ambasadori Amerikan ngrihen një sërë problemesh për sa i përket mbetjeve toksike të magazinuara në grup-depot e Qafmollës. Këto mbetje jashtëzakonisht helmuese janë nënprodukte të dala nga procesi i shpërbërjes me metoda industriale të municioneve kimike shqiptare. Sot dhe sidomos në fund të vitit 2012 ato do të rrezikojnë seriozisht shëndetin dhe jetën e fshatarëve dhe ushtarakëve të zonës së Qafmollës, por jo vetëm… Në kabllograme theksohet me forcë se në rast fatkeqësie natyrore në këtë zonë të Shqipërisë: tërmet, vullkan, zjarri në pyll, shkarje toke apo në rast dëmtimi të depove nga veprime terroriste apo luftarake rreziku i kontaminimit do të kërcënojë banorët e zonës rurale midis Qafmollës dhe kryeqytetit shqiptar, madje edhe të periferisë lindore të Tiranës. ***** Sipas kabllogramit, në Qafmollë janë depozituar kontejnerë me mbetje të rrezikshme kimike. Këto kontejnerë kanë filluar të rrjedhin dhe mbetjet kimike kanë filluar të kontaminojnë ambientin rreth e qark tyre. Këtë rrezik e ka identifikuar së pari ai që ka dhënë alarmin nën/koloneli shqiptar kimisti Fadil Vucaj. Sipas planeve të agjencisë amerikane DTRA (Agjencia për Zvogëlimin e Rrezikimit të Mbrojtjes) mbetjet e dala nga procesi i shpërbërjes së municioneve kimike do të vendoseshin në kontejnerë me parete të dyfishta të cilët për 20 vjet nuk do të kishin rrezik rrjedhje të mbeturinave kimike. Meqenëse fondet u mbaruan (çudi se si një firmë e specializuar nuk di të përllogarisë drejt fondet që duhen për të përfunduar një projekt) disa kontejnerë me mbetje kimike, (që sipas marrëveshjes duhet të dërgoheshin jashtë Shqipërisë nga firma) iu lanë “peshqesh” Shqipërisë. Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ra dakord me shkrim, të pranonte t’i mbante këto kontejnerë me mbeturina kimike. ***** Ndotja e ambientit, nuk shkaktohet vetëm nga rrjedhja e këtyre kontejnerëve me mbetje kimike, por edhe nga kontaminimi me mbetje të metaleve të rënda (plumb, zhivë apo bismuthi tri valent) i sipërfaqes prej betoni të repartit të asgjësimit të municioneve kimike. Nga kabllogramet mësojmë se firma shumë e njohur angleze e kësaj fushe Savant Environmental e konfirmoi ndotjen mjaft të lartë të ambientit. Nga kontejnerët kishin rrjedhur substanca ndotëse shumë të rrezikshme si kripëra të arsenikut, zhivës dhe plumbit. Kontejnerët për depozitimin e pajisjeve të impiantit nuk ishin të padepërtueshëm nga uji, kështu pajisjet e kontaminuara të magazinuara në këto kontejnerë – (pra jo kontejnerët me mbetje kimike) – filluan të kontaminojnë truallin, ku ishin vendosur. Këto pajisje për faj të firmës sipërmarrëse gjermane Eisenmann ishin vendosur pa u pastruar si duhet. Dhe nuk ishte ky “gabimi i parë” i firmës gjermane në projektin shqiptar. Në prill 2006 në Shtutgard firma bëri provat teknike të pajisjes ETTS (Sistemi Eisenmann për Trajtimin Termal), që do shërbente për shkatërrimin e municioneve kimike në Qafëmollë. Për shkak të gabimeve të personelit pajisja u dëmtua dhe u vonua fillimi i projektit në Shqipëri nga fundi i qershorit 2006 për në fund të tetorit të të njëjtit vit. “Specialistë britanikë shpresuan ta zgjidhnin më vonë problemin e ndotjes në maj të vitit 2008, por mbetjet kimike të kripërave të metaleve të rënda të vendosura në fuçi metalike i kishin ndryshkur fuçitë thuajse menjëherë duke krijuar premisa për ndotje të re mjedisore. Tashmë këto kripëra po vendosen në fuçi plastike, që do të mbyllen në kontejnerë plastikë së bashku me pajisjet e impiantit pasi të bëhet dekontaminimi i këtyre pajisjeve, – shkruan kabllogrami i Ambasadës amerikane në Tiranë. Sipas firmës angleze pretendimi i firmës gjermane për një afat 20 vjeçar të sigurisë së kontejnerëve është i gënjeshtërt. Afati i sigurisë së këtyre kontejnerëve është nga 5 deri 10 vjet. Disa konkluzione nga ky kabllogram Duke e studiuar me kujdes kabllogramin mund të nxjerrim disa konkluzione. Së pari: Pentagoni, – njëlloj si me kontratën 300 milionë dollarëshe me adoleshentin Diveroli, – shpeshherë është i pakujdesshëm me shpenzimin e parave. Si në rastin e Diverolit edhe në rastin e Agjencisë amerikane DTRA dhe firmës gjermane Eisenmann faturën e keqpërdorimit të parave publike amerikane, dje e paguan fshatarët shqiptarë (plus baxhanaku i Berishës) në Gërdec dhe nesër me siguri fshatarët dhe ushtarakët shqiptarë në Qafëmollë. Së dyti; Ministrat e shtetit shqiptar janë gjithnjë të gatshëm të hedhin firmën në projekte, që dëmtojnë interesat kombëtare, jetën dhe shëndetin e shqiptarëve. Së treti: Mungesa flagrante e transparencës së Ekzekutivit shqiptar në këtë rast, bën që mileti i merr vesh bëmat e gjëmat e qeveritarëve ose nga burime të huaja, (media, kabllograme etj) ose nga shpërthime vrastare si ai i Gërdecit. Së katërti: Qeveritarët shqiptarë nuk kanë vënë mend nga “kopili” i pesticideve të skaduara gjermanolindore që ua lanë në derë ish agjentët e STASI-t gjermanolindor së bashku me Yllin Kryeministër, Rulin Ministër dhe Romeon Kryedoganier, por përsëri me një firmë të hedhur (më së paku me mendjelehtësi) pranojnë magazinimin e mbeturinave helmuese në truallin shqiptar. Media edhe kësaj radhe e kreu detyrën e saj duke shfrytëzuar kabllogramet amerikane për të dhënë alarmin për katastrofën e pritshme ambientale. Tashmë është detyrë e OJQ-ve ambientaliste, që u rruajnë e u qethin miliona euro dhe dollarë donatorëve të japin alarmin për ndotjen e mjedisit. Është detyrë e ushtarakëve shqiptarë, që mos bëhen më legenë se Gjeneral-Major Luan Hoxha, por të protestojnë fuqimisht për të mos rrezikuar jetën dhe shëndetin e kolegëve të tyre në grup depot e Qafmollës, si edhe të shqiptarëve të kësaj zone. Së fundmi si qershia mbi tortë: Ministri i Mjedisit Mehdiu duhet të marrë masa urgjente për të pastruar mbetjet kimike, që për shkak të firmës së tij si Ministër i Mbrojtjes, gjermanët i lanë në Qafëmollë si lopa bajgën. Pas dhjetorit të vitit 2012 për këto mbetje kimike nuk ka asnjë siguri që nuk do të helmojnë ushtarakët dhe fshatarët, që jetojnë dhe punojnë në zonën e Qafmollës. Në këtë shkrim në “Shekulli” të mbështetur në kabllogramin amerikan të 30 gushtit 2008, u trajtua vetëm problemi i mbetjeve të rrezikshme kimike të dala nga shpërbërja e municioneve kimike. Por problemet e sasive reale dhe vendndodhjes së tyre sot, për sa i përket municioneve kimike, që ushtria shqiptare i trashëgoi nga koha e diktaturës komuniste, normalisht përbëjnë një temë shumë më të gjerë, sidomos në kontekstin e luftës globale antiterror.
Posted on: Thu, 31 Oct 2013 21:10:51 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015