Llojet e ideologjive 1. Ka dy lloje ideologjish: ideologji - TopicsExpress



          

Llojet e ideologjive 1. Ka dy lloje ideologjish: ideologji humane dhe ideologji klasore. Ideologji humane është ajo që i drejtohet gjithë njerëzimit dhe jo një klase, race ose komuniteti të caktuar. Qëllimi i shpallur i një ideologjie humane është emancipimi i racës njerëzore dhe jo i një grupi ose i një shoqërie të caktuar. Plani i saj i përfshin të gjitha shtresat e shoqërisë dhe nuk mbetet i kufizuar në një shtresë të caktuar shoqërore. Përkundër kësaj, ideologjia klasore i drejtohet një grupi ose një shtrese të caktuar të shoqërisë dhe ka për qëllim emancipimin dhe fuqizimin e këtij grupi. Plani i përpiluar nga një ideologji e tillë është i kufizuar tek ky grup i caktuar, prej të cilit i rekruton përkrahësit dhe mbrojtësit e tij. Të dyja këto ideologji mbështeten në një konceptim të caktuar të njeriut. Çdo ideologji e përgjithshme dhe humane, si ideologjia islame për shembull, ka një qëndrim ndaj njeriut, i cili mund të konsiderohet natyror. Nga këndvështrimi islam, njeriu është krijuar për të qenë superior ndaj faktorëve historikë dhe shoqëror. Ai ka një dimension të veçantë ekzistencial dhe është i pajisuar me cilësi që e dallojnë qartë nga kafshët. Sipas këtij këndvështrimi, krijimi i njeriut është i tillë që secili individ është i pajisuar me vetëdije dhe me një intuitë. Kjo e bën atë të denjë për ta pranuar një thirrje dhe për t`iu përgjigjur asaj. Ideologjitë humane i mbështesin mësimet e tyre në intuitën e veçantë natyrore të njeriut dhe ia falin atij shpirtin e veprimit. Por disa ideologji të tjera kanë një mendim të ndryshëm mbi njeriun. Sipas tyre, raca njerëzore nuk është e denjë për të pranuar një thirrje dhe për t`iu përgjigjur asaj. Ata thonë se vetëdija dhe prirjet e njeriut përcaktohen nga faktorët e historisë së tij kombëtare dhe nga faktorët socialë të statusit të tij klasor. Sipas tyre, po t`i lëmë mënjanë faktorët historikë dhe shoqëror, në kuptimin absolut, njeriu nuk ka as vetëdije dhe as ndonjë fuqi intuitive për të qenë i denjë për të kryer një mision të caktuar. Në këtë rast, ai nuk do të jetë një njeri i mirëfilltë dhe ekzistenca e tij do të jetë thjesht konceptuale. Marksizmi dhe filozofitë e ndryshe kombëtare janë mbështetur në këto pikëpamje mbi njeriun. Filozofitë e tilla ose kanë për qëllim përfitimet klasore ose mbështeten në ndjenjat racore dhe kombëtare të njerëzve. S`ka dyshim se ideologjia e Islamit i takon kategorisë së parë, atë të filozofive humane dhe mbështetet në natyrën e vërtetë të njeriut. Kjo është arsyeja përse porosia e Islamit u drejtohet njerëzve të rëndomtë1 dhe jo një grupi ose një shtrese të caktuar shoqërore. Islami ka tërhequr përkrahës nga të gjitha shtresat, madje edhe nga ato, kundër të cilave ishte e drejtuar lufta e tij, gjegjësisht nga shtresat e pasura që jetonin një jetë luksoze. Ishte një arritje e madhe e Islamit që arriti të rekrutonte njerëz nga një shtresë e shoqërisë, për të luftuar kundër interesave të po kësaj shtrese dhe madje për ta bërë individin të luftojë kundër vetes së tij. Kjo është një gjë të cilën e ka bërë Islami dhe po e bën akoma. Islami, duke qenë një fe që mbështetet në natyrën e njeriut dhe që bëhet një me cilësitë dhe me vetë ekzistencën e tij, është i aftë ta bëjë individin të luftojë dhe i aftë për të shkaktuar një revolucion brenda vetes së tij. Ky revolucion është pendimi. Fuqia revolucionare e një ideologjie klasore është e kufizuar në nxitjen e një lufte të individit kundër individëve të tjerë ose kundër një klase tjetër të shoqërisë, por ajo kurrë nuk mund ta detyrojë individin që të bëjë revolucion brenda vetes së tij dhe as që mund t`i vendosë ndjenjat dhe dëshirat e njeriut nën kontrollin e tij. Islami, duke qenë një fe dhe për më tepër, feja e fundit e shpallur, më shumë se çdo fe tjetër ka ardhur për të krijuar një sistem të drejtësisë shoqërore.2 Është më se e natyrshme që Islami të përqëndrohet në emancipimin e të shkelurve dhe të të varfërve. Megjithatë, porosia e tij nuk i drejtohet vetëm kësaj klase shoqërore dhe Islami s`i ka rekrutuar ndjekësit e tij vetëm nga kjo kategori njerëzish. Siç dëshmon historia, duke u mbështetur në forcën e besimit dhe në natyrën e brendshme të njeriut, Islami ka arritur të tërheqë përkrahës edhe nga ato shtresa të shoqërisë, kundër të cilave luftonte. Islami e përfaqëson teorinë e triumfit të dimensionit human përballë atij shtazarak, triumfin e diturisë përballë injorancës, të drejtësisë përballë tiranisë, të barazisë përballë diskriminimit, të virtytit përballë imoralitetit, të modestisë përballë epsheve dhe të monoteizmit përballë politeizmit. Suksesi i të shtypurve përballë tiranëve dhe despotëve është pikërisht manifestimi i këtij triumfi. 2. Pyetja që parashtrohet si pasojë e diskutimit të mësipërm është: A ka kultura e mirëfilltë njerëzore një karakter të njëtrajtshëm? Ose mos vallë nuk ekziston një gjë e tillë dhe gjithë që ka ekzistuar deri sot dhe që do të ekzistojë në të ardhmen, s`është tjetër veçse një sërë kulturash të ndryshme, secila ma tiparet e veta kombëtare, grupore dhe klasore? Kjo pyetje ndërlidhet me një pyetje tjetër: A ka njeriu një natyrë të lindur dhe origjinale, e cila e bën të njëtrajtshme kulturën njerëzore? Nëse natyra e njeriut është vërtet e njëtrajtshme, atëherë kjo njëtrajtshmëri duhet të reflektohet edhe në kulturën njerëzore. Përndryshe do të ishte e arsyeshme të besohet se kultura është një produkt i faktorëve historikë, kombëtarë dhe gjeografikë ose një pasojë e interesave financiare klasore. Islami, duke u nisur nga konceptimi i tij i veçantë i universit, beson në njëtrajtëshmërinë e natyrës së lindur njerëzore. Ai e përkrah idenë e njëtrajtshmërisë ideologjike dhe kulturore të njerëzimit. 3. Është më se e qartë se vetëm një ideologji humane dhe jo klasore, mund të themelohet në vlerat njerëzore dhe mund të ketë tipare të larta shpirtërore. Një ideologji kjo, që nuk mbështetet në ndarjen e njerëzimit dhe një ideologji natyrore që nuk është e frymëzuar aspak nga interesat dhe nga përfitimet. 4. A varet natyra e çdo ideologjie nga koha dhe nga hapësira në të cilën lind? A ka nevojë për një ideologji të re në çdo epokë dhe në çdo rast kur rrethanat ndryshojnë? A mund vallë ideologjia të ndryshojë, varësisht prej vendit dhe të anulohet krejtësisht me kalimin e kohës? A është e njëtrajtshme ose e shumëtrajtshme një ideologji humane? Me fjalë të tjera, a është ajo absolute ose relative? Kjo pyetje varet nga një pyetje tjetër: A është natyra njerëzore burimi i kësaj ideologjie dhe a është përparimi i racës njerëzore qëllimi i saj? Ose mos i ka vallë interesin klasor dhe ndjenjat kombëtare si burim? Nga një këndvështrim tjetër, kjo pyetje varet nga mendimi ynë në lidhje me natyrën e ndryshimeve shoqërore. Kur shoqëria ndryshon dhe hyn në një epokë të re, a ndryshon edhe natyra e saj aq sa të bëhen të pavlefshme ligjet me të cilat ishte kontrolluar deri atëherë? Për shembull, me rritjen e temperaturës, uji bëhet avull dhe pas kësaj pike, për të vlejnë ligjet natyrore që kanë të bëjnë me gazrat. Pas kësaj pike, për ujin nuk vlejnë më ligjet e lëngjeve. A vlen e njejta gjë edhe në rastin e ndryshimeve dhe zhvillimeve shoqërore ose a janë ndryshimet shoqërore veç një shkallë në evolucionin e një shoqërie, e cila nuk ka kurrfarë ndikimi mbi ligjet themelore ose mbi rrjedhën e vetë evolucionit, siç shohim në shembullin e kafshëve, ligjet e zhvillimit të të cilave mbeten të njejta, pavarësisht ndryshimit në mënyrën e të jetuarit. Nga një pikëpamje tjetër, pyetja në është absolute një ideologji ose relative sipas kohës dhe hapësirës, varet nga mënyra se si konceptohet universi. Ky konceptim mund të jetë shkencor, filozofik ose fetar. Konceptimi shkencor i universit, duke qenë i përkohshëm, nuk mund të jetë baza e një ideologjie afatgjate. Përkundër kësaj, konceptimi filozofik i botës mbështetet në të vërteta të qarta kurse konceptimi fetar, në shpalljen hyjnore dhe në profetësinë. Ngase shkon përtej kornizave të këtij libri, këtu do ta përfundojmë diskutimin në lidhje me natyrën e lindur njerëzore, që është ndër temat më të rëndësishme të shkencave islame. Po kështu, edhe çështjen e ndryshimeve shoqërore nuk mund ta përpunojmë më tej. Këtë temë do ta diskutojmë më tej kur të flasim për historinë dhe për ndryshimet shoqërore. 5. Tani do të diskutojmë në u bindet vetë ideologjia, principeve të vazhdueshmërisë dhe të ndryshimit. Në pjesën e kaluar diskutuam në lidhje me pyetjen në është një ideologji humane e ndryshme në periudha dhe në vende të ndryshme. Aty flisnim në lidhje me pyetjen në mundet ideologjia të shpallet e pavlefshme dhe të anulohet krejtësisht. Tani do të merremi me një pyetje tjetër dhe do të flasim në lidhje me zhvillimin e një ideologjie. Pa dallim në është absolute ose relative, në është e përgjithshme ose specifike, një ideologji është një fenomen. Ngase çdo fenomen tjetër pëson ndryshime, zhvillime dhe evolucion, parashtrohet pyetja në mund edhe ideologjia t`i pësojë të njejtat? A është realiteti i ideologjisë në kohën e lindjes së saj, i ndryshëm nga realiteti i saj në periudhën e pjekurisë? Me fjalë të tjera, a ka nevojë ideologjia që të kontrollohet vazhdimisht, të përparohet dhe të modernizohet nga prijësit e saj dhe nga ideologët, siç është rasti me ideologjitë materialiste të epokës sonë? Kur ideologjitë moderne nuk modifikohen gjithë kohës, ato shpesh e humbasin freskinë e tyre dhe bëhen të prapambetura. Pyetja e vërtetë është: A ka mundësi të kemi një ideologji, e cila do të ishte në harmoni të plotë me zhvillimin e njeriut dhe të shoqërisë, në mënyrë që nuk do të kishim nevojë ta kontrollonim dhe ta modifikonim vazhdimisht? Në një ideologji të tillë, roli i prijësve dhe i ideologëve do të ishte i kufizuar me interpretimin e kuptimit dhe të përmbajtjes. Në këtë rast, zhvillimi ideologjik nuk do të ishte në përmbajtjen e vetë ideologjisë por në interpretimin e saj.
Posted on: Wed, 04 Dec 2013 16:55:12 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015