- Vështrim i shkurtër historik për fisin e Kelmendit - Emri - TopicsExpress



          

- Vështrim i shkurtër historik për fisin e Kelmendit - Emri i fisit Emri këtij fisi vjen nga fjala latine clemens-(tis), dmth. i urtë, i thjeshtë, i mirë. Këtë emërtim të natyrës së njeriut, më vonë e gjejmë si emër personal, Clemens. Ndër shkrimet e studiuesve të huaj e gjejmë në forma të ndryshme fonetike Klemnti Klimenti, Clementineretj. kurse në gjuhën shqipe Klmen-Klmente gjegjësisht Kelmendi. Për herë të parë, në kuptimin e sotëm, si emër personal, e takojmë tek zëvendësi i tretë i Shën Pjetrit Papa Klementi e I-rë (90-101), cili duke predikuar fjalën e Krishtit ndër paganë, u martirizua. Kelmendasit këtë e kanë mbajtur për Shenjt, dhe mbrojtës të fisit në tërë historinë e tyre duke ia kushtuar njëherit edhe tempujt e lutjes ndër kisha. Për këtë arësye kelmendasit në menyrë të veçantë i nderonin papët e Romës. Këtë gjë na e dëshmon në një relacion për kelmendasit dërguar Selisë së Shenjte në vitin 1636, nga At Bonaventura. Ai shkruan se kur se serbët e fesë ortodokse, të ardhur në tokat kelmendase për të shpëtuar nga barbarizmat e ushtrisë turke, filluan ta fyenin papën, këta të fundit i kërcënuan se do t´i përzinin nga territori i tyre fisnor. Si toponim, ky emër identifikohet me emrin e kështjellës bizantine Klementiana, të cilën e përmend historiani i epokës Justiniana Prima (527-565), Prokopie i Cezaresë. Sipas historianit serb Vladislav Popoviq, kjo kështjellë duhet të këtë qenë e vendosur ndër viset e Kelmendit, ose në veri të liqenit të Shkodrës. Kurse për Sufflay-n kjo fortesë duhet të këtë qenë në rrugën romake Shkodër - Prizren, tek dogana e Shpëtimit Shenjtë (Svetog Spasa). Origjina Origjina e fisit të Kelmendit, si dhe fiseve të tjera të Malësisë së Madhe, sipas trajtimeve shkencore, deri me sot është ende e paqartë. Por e gjithë kjo nuk do të thotë se nuk duhet të bëhen përpjekje për të plotësuar apo shtjelluar sado pak atë çka albanologët shqiptarë e të huaj, si Selami Pulaha, Rrok Zojzi, Milan Šyfflay, Franz Baron Nopcsa, Georg Stadtmuller, Giuseppe Valentini dhe në kohën e fundit, Peter Bartl-i, kanë shkruar mbi origjinen e fisit në fjalë si dhe për fiset e tjera të Malësisë së Madhe. Albanologët e huaj si dhe ata shqiptarë, në mungesë të dokumenteve të shkruara, prejardhjen e këtij fisi e shpjegojnë sipas koncepteve të gojëdhanave popullore. Kështu, sipas misionarit françeskan Bernardo nga Verona, i cili për shumë vite punoi në mes të këtij fisi, në relacionin e dërguar Kongragates për Ungjillzim në vitin 1663, në mes të tjerash shkruan: nuk është e lehtë të thuhet nga e ka origjinën ky fis, por është bërë zakon me thënë se kjo popullsi është pasardhëse e Kuçasve ose e fqinjëve të tjerë; , kurse Arqipeshkvi i Shkodrës (1656-1677) dhe më vonë i Shkupit (1677-1689) Pjetër Bogdani, në relacionin e vet të vitit 1685 dërguar Selisë së Shenjte, ndër të tjera thotë: sipas gojëdhënës, i pari i kelmendasve ka ardhur nga rrjedha e epërme e lumit Moraça , dmth nga fiset e vjetra shqiptare kodrinore, të cilat, sipas Valentinit janë: Piperri, Kuçi, Vasojeviçi, Bratonoshiqi, Palabardhet - (Bjelopavliqi) ) etj. Më pas, i pari i kelmendasve u martua me një vajzë nga fisi i Kuçit dhe djalit të parë të lindur ia vuri emrin Kelmend. Ndërsa albanologu i shquar Zef (Giuseppe) Valentini, pas shumë versionesh, si më te besueshmin variant mban atë se ky fis rrjedh nga fisi i vjetër Kodrinor shqiptar i Kuçit, e ky i fundit rrjedh nga fisi Berishë, të cilin në dokumente e gjejmë që në vitin 1242. Sidoqoftë, një mbiemër të dokumentuar të këtij fisi ne e gjejmë në vitin 1353 me emrin, Gjergji, i biri Gjergj Kelmendit nga (vendi) Spasë, (dominus Georgius fulius Georgii Clementi de Spasso) tek fortesa e lartpërmendur Clementiana, kurse si fis të organizuar mirë, e takojmë në vitin 1497. Megjithatë, kur themi se zanafilla e fiseve sipas konceptit shkencor dhe atij popullor zakonisht lidhet me emrin e toponimit, ose me emrin e një antroponimi në patronim (mbiemër njeriu), më vonë në emër vllaznie dhe së fundi në emër fisi, dhe se, mbeturinat e rendit fisnor në Shqipëri janë të trashëguara nga kohët më të lashta të historise sonë, d. m. th. nga trungu ilir, e kur në anën tjetër mësojmë se sa i lashtë qenka prejardhja e këtij emri, në mënyrë të natyrshme i bëjmë vehtes pyetjen: Vallë, a mund të na tregojnë gjë fjalët e enciklopedisë gjermane, të botuar në Altenburg në vitin 1824, e cila këtij fisi i kushtoi 22 rreshta, e ku ndër të tjera thotë: Kelmendasit, Arnautët, janë nga fiset e vjetra ilire. Pra, ndoshta kemi të bëjmë me një fis të lashtë, i cili gjatë invazioneve barbare sllavo-avare në trojet tona mbeti krejtësisht nëndhe deri në shekullin e XI-të (sikurse vetë emri i popullit shqiptar dhe historia e kishës shqiptare), sepse, siç e dimë, ky fis në rrjedhen e historisë kombëtare shqiptare, luajti një rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe atij fetar në Shqipërinë e Veriut, me çka shkurtimisht do te njihemi në vazhdim. Mbi historinë e fisit Siç shihet në regjistrimet e hollësishme të Defterit të Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1497, kelmendasit para pushtimit turk jetonin në dy fshatra: fshatin Selçisha ku ishte vendosur katundi Liçeni dhe fshati Çpaja-Spai-Ishpaja ku ishin vendosur katër katunde dhe kishte 152 shtëpi. Truallishta e përbashkët quhej Petersjan-Petershban-Bishtan, dhe gjendet një orë larg Selcës, në veri të Podgoricës. Fakti se në vitin 1582 në Kelmend shënoheshin vetëm 70 shtepi, tregon qartë se me ardhjen e pushtuesit aziatik ky fis u detyrua të bëjë lëvizje brënda Malësisë dhe të shpërngulet në viset e Anamalit, fshatrat Muriq, Shestan dhe Goljemadhë në Mal të Zi . Kurse sipas relacionit të providurit Marin Bolica, procesi i organizimit territorial i këtij fisi si dhe fiseve Hot, Piper, Kuç etj, në fund të shekullit të XVI kishte përfunduar dhe ishte formuar tashme teritori bazë i Kelmendit. Në relacionin e tij të vitit 1638 dërguar Selisë së Shenjtë, ipeshkvi i Sapes Frang Bardhi, thotë: Kelmendasit banojnë ndër male shumë të mëdha dhe me pozita të forta ndërmjet Bosnjës dhe Shqipërisë. Ata janë me kombësi shqiptare, flasin shqip dhe janë të përfshirë ndër kufijtë e Shqipërisë, ushtrojnë besimin tonë të shenjtë katolik romak Përndryshe, sipas dokumenteve, që në vitin 1671 këtë fis e gjejmë të ndarë në tri vllazní: Selcë, Vukel, Nikç dhe në vitin 1688 edhe vllaun e katërt Bogë që në fakt paraqitnin katër degët e fisit të shpërndarë nëpër katër lugina. Sipas ipeshkvit te Sapes, Gjergj Bardhit, i cili më 8 korrik 1634 beri një vizitë baritore në malet e Dukagjinit, Pultit e Kelmendit, në këtë vit, ky fis kishte 300 shtëpi me 3200 shpirtëra. Banorët e këtij fisi, banojnë kryesisht rreth dy burimeve të lumit Cem, Vuklit dhe Selcës dhe lumit të Vermoshit. Komuna e Kelmendit sot ka 6344 banorë, të përqëndruar në fshatrat: Vermosh, Lëpushë, Selcë, Tamarë, Brojë, Kozhnja, Nikç, dhe Vukël. Adm. B.SH.
Posted on: Fri, 29 Nov 2013 21:10:34 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015