100 vjet me pare I.Qemali dhe E.Pashe Toptani... - TopicsExpress



          

100 vjet me pare I.Qemali dhe E.Pashe Toptani... .1913 - Në Vlorë, shpërthen hapur grindja midis Esad Pashë Toptanit dhe Ismail bej Qemalit. Esadi shpall largimin nga Qeveria e Vlorës dhe krijimin e një qeverie të re me veten President me qendër Durrës nën-administrimin e zonës midis lumenjve Mat dhe Shkumbin - me me objektiv për tu vetë-zgjedhur Princ i Shqipërisë (Owen Pearson). Qeveria e re përbëhet nga një Senat me përfaqësues nga Durrësi, Tirana e Kavaja - zona ku Esad Pasha kishte prona të gjëra tokash. Për këtë vendim, Esadi njoftoi Komisionin Ndërkombëtar. Ky Komision ishte krijuar nga Konferenca e Ambasadorëve të 6 Fuqive të Meedha, në Londër në korrik 1913, pas njohjes së pavarësisë së Shqipërisë - për të mbikqyrur krijimin e një administrate shteterore. Në mars 1914, Komisioni Ndërkombëtar ia dorëzoi autoritetin Princ Vidit; por me largimin e tij, më 3 shtator, Komisionit iu desh të merrte përsëri përgjegjësitë e veta. 1927 - Vdes Ceno bej Kryeziu, 32 vjeç, figurë e debatueshme politike, lindur në Gjakovë në një familje nga më të pasurat. Më 1912, gjatë Luftës Ballkanike, ai udhëhoqi forcat shqiptare kundër trupave të Malit te Zi; dhe shërbeu si nënprefekt i Krumës dhe komandant i forcave të kufirit në zone deri më 1914. Pastaj luftoi kundër austro-hungarezëve dhe kapet rob. Kryeziu ishte i ri, i pashëm, i arsimuar, i pasur. Më 1922, ai martohet me Nafijen, princeshë e ardhëshme, motër e Ahmet Zogut, mbreti i ardhshëm. Çifti Kryeziu pati një fëmijë, djalë, Tati (Esad) Kryeziun - princi i ardhshëm i Kosovës, kur daja i tij u bë mbret. Ceno bej Kryeziu shërbeu edhe si kryeashkiak i Gjakovës. Eshtë thënë se ishte filo-jugosllav, por Kryeziu interesohej për kufinj të hapur për qarkullim të lirë mallrash midis dy vendeve - ai ishte edhe tregtar. Në qershor 1924, Ceno bej ndihmoi Zogun të ikte në Jugosllavi. Në dhjetor të atij viti, trupat e tij përleshen me ato të Bajram bej Currit, dhe i ndjekin ato derisa Curri vritet, në mars të vitit tjetër - disa thonë se Bajram Curri u vetëvra, por anti-zogistët e paraqitën si vrajse për të nxitur më tej urrejtjen ndaj Zogut (Jason Tomes). Në janar 1925, Ahmet Zogu bëhet president dhe nga prilli në korrik, Kryeziu shërben si ministër i Brendshëm; për këtë post ai heq dorë nga nënshtetësia jugosllave; për këtë post ai mbahet mend për perndjekjen e atyre që përkrahën revolucionin demokratik borgjez të 1924s; gjithashtu, largimi i papritur pas disa muajsh nga ky post krijon dyshimet e para se midis tij dhe Zogut kishin lindur mosmarrëveshje. Kryeziu ikën në Paris, në dukje i vetë-mërguar. Me ndërhyrjen e nënës së Zogut, ai thirret në Tiranë dhe më 1926 caktohet ambasador i Shqiperise në Beograd - ishte kjo periudhë që zgjoi dyshimet se Kryeziu po komplotonte me jugosllavët kundër Zogut, ndërsa ky kishte filluar të forconte lidhjet me Italinë. Por në korrik 1927, krahas detyrës që mbante, Kryeziu u caktua ambasador në Çekoslovaki. Në tetor ai shkon në Pragë, ku pritet nga presidenti Thomas Masarik në paraqitjen e letrave kredenciale. Pak ditë më vonë, ambasadori Ceno bej Kryeziu vritet në një kafene të Pragës. Eshtë spekulluar se vrasësi ishte një agjent Zogut, por është fakt se që nga ajo ditë e derisa vdiq, Ahmet Zogu u kujdes për djalin e Kryeziut, Tatin, si për birin e vet, Lekën. Vrasësi i Ceno Bej Kryeziut ishte një student shqiptar - ai u arrestua në vendin ngjarjes, në Pragë, dhe vdiq po në Pragë, i vrarë nga një tjetër person në sallën e gjyqit. 1933 - Gjermania naziste tërhiqet nga Lidhja e Kombeve. Në atë kohë Lidhja e Kombeve kishte ndërmarrë nismën për pakësimin e armatimeve mes vendeve anëtare - krejt e kundërta e asaj që Hitleri donte. 1943 - Të burgosurit hebrenj në kampin nazist gjerman të shfarosjes Sobibor në Poloni ngrenë krye, duke vrarë 11 roje dhe plagosur shumë të tjerë. Rreth 300 prej 600 të burgosurve u arratisën, dhe vetëm 50 prej tyre mbijetuan deri në fund të luftës. 300 të burgosurit që mbetën në kamp, u pushkatuan të nesërmen. 1944 - Trupat e ushtrisë britanike hyjnë në Athinën, ndërsa nazistët gjermanë tërhiqen. Kjo i hapi rrugën qeverisë greke në mërgim për tu kthyer në kryeqytet, me George Papandreun si kryeministër. 1944 - Për lidhjet me një komplot për të vrarë Adolf Hitlerin, marshalli Erwin Rommel detyrohet të kryejë vetëvrasje me helm, për të shmangur dalje në gjyq. 1949 - Njëmbëdhjetë udhëheqës të Partisë Komuniste Amerikane dënohen nga një Gjykatë Federale, pas një gjyqi nëntë-mujor, nën akuzat se kishin bërë plane për të nxitur përmbysjen me dhunë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara. 1962 - Një avion amerikan U -2 me pilot fluturon mbi ishullin e Kubës dhe fotografon raketat sovjetike të afta për mbushje bërthamore duke u instaluar në Kubë. 1964 - Personi ndër më të rinjtë në moshë i nderua me çmimin Nobel për Paqe merr shumën prej 54 mijë dollarësh të këtij çmimi dhe e dhuron për të mbështetur të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara. Laureati i ri quhej Martin Luther King, i Riu, 35 vjeçar.
Posted on: Mon, 14 Oct 2013 23:51:42 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015