ANALIZË KRITIKE E KUSHTETUTËS SË RE TË BASHKËSISË ISLAME - TopicsExpress



          

ANALIZË KRITIKE E KUSHTETUTËS SË RE TË BASHKËSISË ISLAME NË REPUBLIKËN E KOSOVËS Kushtetuta e Bashkësisë Islame të Kosovës, bazë e pushtetit anarkik Dhuna institucionale në Bashkësinë Islame të Kosovës, e ushtruar nga pushteti anarkik dhe karrierizmi i pakufizuar i Naim Ternavës, kanë mbështetje në këtë akt të turpshëm juridik, i miratuar në muajin shtator të vitit 2013, pak para zgjedhjeve në BIRK. Kjo kushtetutë është ndryshuar dhe aprovuar vetëm për hirë të qejfit të Muftiut Ternava. Të gjitha kompetencat absolute dhe në të gjitha nivelet e organeve dhe institucioneve në BIRK, që nga ato lokale e deri te ato qendrore, kushtetuta i ka centralizuar në kompetencë të Naim Ternavës. Përveç kësaj, ajo është edhe kontradiktore dhe me standarde të dyfishta, e cila nuk përmban asnjë dispozitë me frymë demokratike. Thënë shkurt, kushtetuta e fundit është reflektim i dhunës institucionale kulminante të cilën e përfaqëson kryetari Ternava dhe kukullat e tij, si dhe është përmbysje e qeverisjes demokratike brenda BIRK-ut, për ndërrimin kundërkushtetues të së cilës besimtarët muslimanë fare nuk kanë qenë në dijeni, në asnjë fazë të procedimit të saj. Kushtetuta e re e Bashkësisë Islame, kopje nga kushtetutat e ish Jugosllavisë dhe Mbretërisë Jugosllave Kushtetuta e re e Bashkësisë Islame e vitit 2013 e aprovuar nga Kuvendi i jashtëligjshëm i Bashkësisë Islame të Kosovës dhe e nënshkruar nga kryetari i dhunshëm, prof. Fadil Hasani, nga fsh. Katunishte e Podujevës, madje edhe kushtetuta e vitit 2012 e nënshkruar nga kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Naim Ternava, janë kopjuar nga kushtetutat e ish Jugosllavisë dhe Mbretërisë Jugosllave, më konkretisht nga Kushtetuta e Bashkësisë Islame në RSFJ, të cilën e aprovoi Kuvendi Suprem i Bashkësisë Islame në RSFJ më 12 prill 1990, kurse ajo është ndikuar nga Ustav Islamske zajednice u SFRJ, 5.XI.1969, Glasnik Vrhovnog Islamskog Starjesinstavo u SFRJ, br.1-2/1970; nga Ustav Islamske Vjerske Zajednice u SNRJ, 26.VIII.1947, Glasnik Vrhovnog Islamskog Starjesinstavo, br.1-3/1950; nga Ustav Islamske Vjerske Zajednice Kralevine Jugoslavije, 24.X.1936, Sluzbene novine, br.256-LXIV,5.XI.1936; nga Ustav Islamske Vjerske Zajednice Kralevine Jugoslavije, 9.VII.1930., Sluzbene novine, br. 167-LXIII, 25.VII.1930. (Glasnik, 2/90). Nëse bëhet një paralele në mes Kushtetutës së Bashkësisë Islame në RSFJ e vitit 1990, e përkthyer tërësisht edhe në gjuhën shqipe, në Glasnik nr.2 të vitit1990, dhe Kushtetutave të Bashkësisë Islame të Kosovës të vitit 2002 dhe 2013, do të hetohet se, nga aspekti sasior i neneve të cilat ato i përmbajnë, dallojnë me vetëm 5 nene, (Kushtetuta e Bashkësisë Islame në RSFJ i ka nene 78,për shkak të specifikave që ajo i ka pasur, kurse ato të Bashkësisë Islame në Kosovë i kanë nga 83 nene), ndërsa nga aspekti përmbajtësor pothuaj se janë identike dhe të njejta, me disa dallime për të keq, me të cilat veçohen kushtetutat e Bashkësisë Islame të Kosovës. Këtë kopjim të kushtetutave të Bashkësisë Islame të Kosovës nga Kushtetuta e Bashkësisë Islame në RSFJ e vitit 1990 dhe nga të tjerat, e vërtetoj me deklaratën e Kryetarit të Komisionit Kushtetues, Miftar Hajdini, i cili, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të BI-së të Kosovës më 25 qershor 1994, ka deklaruar se Komisioni Kushtetues të cilin ai e ka kryesuar ...”është mbështetur edhe në përvojën e atyre, të cilët na kanë paraprirë në këtë lëmi, siç është Kushtetuta e BI e ish Jugosllavisë. Pastaj Projektkushtetuta e BI e Maqedonisë, si dhe ajo e Malit të Zi, normalisht duke i marrë parasysh rrethanat tona specifike”, (Dituria Islame, nr.59, faqe 4). Që njeriu t’i merrë përvojat pozitive dhe të arriturat e sferave të caktuara në jetë nga të tjerët, kushdo qofshin ata, është një parim themelor islam dhe një kërkesë sistematike që vazhdimisht kërkohet, mirëpo që imitimi i të tjerëve të bëhet në mënyrë të verbër, pa analiza dhe pa studime të mirëfillta paraprake edhe për çështje vendimtare dhe të rëndësishme në jetë, absolutisht është e papranueshme. Kësaj valljeve, për fat të keq, i kanë prirë edhe krerët momental të Bashkësisë Islame në Republikën e Kosovës, duke filluar nga kryetari i dhunshëm i Kuvendit të BIRK-ut, Fadil Hasani, nga anëtarët e tij, e deri te dirigjenti i tyre, Muftiu Naim Ternava, dhe kukullat e tij. Me kopjimin e kësaj kushtetute nga simotrat paraprake, sikur krerët momental të Bashkësisë Islame të Kosovës në shpirtin e tyre ende e ndjejnë nevojën e varësisë nga ndikimet e mentalitetit të kohës së ish Jugosllavisë dhe Mbretërisë Jugosllave, të cilëve, nga aspekti i qeverisjes karrieriste dhe i pushtetit anarkik, të parët e BIRK-ut atyre ua tejkalojnë për disa shkallë. Prandaj do t’i porosisja të gjithë ata që, nëse rastësisht në shpirtrat e tyre ende e mbajnë ndjenjën e mallëngjimit për sistemin qeverisës të ish Jugosllavisë dhe të tjerëve para tyre, hijen e tij ende do ta gjejnë të pranishme në Bashkësinë Islame të Kosovës, nën udhëheqjen e Naim Ternavës dhe mbështetësve të tij, karrierizmi dhe pushteti absolut i të cilëve ka mbështetje edhe në kushtetutën më të re të vitit 2013. Analizat e mëposhtme do t’i orientoj rreth studimit kritik të dispozitave të Kushtetutës së re të vitit 2013 dhe dimensioneve të tyre negative, duke e bërë ndonjë paralele në mes saj dhe kushtetutës së vitit 2002 të nënshkruar nga Naim Ternava, por jo edhe me kushtetutat tjera paraprake, nga të cilat këto të fundit janë kopjuar, gjithnjë në dispozitat themelore të saj. Jo “Kushtetutë”, por Statut Gabimi më flagrant dhe më skandaloz i këtij akti më të lartë ligjor është shfaqur në emërtimin e tij si “kushtetutë”, e cila dëshmon për nivelin shumë të ulët të dijes së krerëve momental të Bashkësisë Islame. Kopjimi i këtij emërtimi të këtij akti më të lartë juridik, symbyllurazi dhe në mënyrë të verbër nga kushtetutat e vendeve tjera, argumenton faktin se kjo dukuri negative nuk do të ndalet vetëm me kaq, porse do të shtrihet edhe në rrafshet e tjera në jetë, siç është p.sh. rasti me kopjimin e magjistraturës së Ternavës nga disertacioni i doktoraturës së Zija Abdullahut etj. Kështu është, sepse kushtetuta, si ligj themelor i një shteti, përcakton rendin politik dhe ekonomik e shoqëror të tij, sistemimin e zgjedhjeve, organet e larta dhe lokale të pushtetit shtetëror e të administratës shtetërore, organizimin e mbrojtjes së vendit e të forcave të armatosura, të gjykatave e të prokurorisë, si edhe të drejtat e detyrat themelore të shtetasve. Tani shtrohet pyetja se cilat nga këto sfera i rregullon dhe i garanton “kushtetuta” e BIRK-së, sa për t’u emërtuar kështu? Asnjërën prej tyre, pa farë dyshimi. Përveç kësaj, me këtë emërtim të shpëlarë nga aspekti juridik dhe faktik është krijuar edhe një zbrazdi e rrezikshme në infrastrukturën ligjore të BIRK-ut, sepse në mes këtij akti më të lartë juridik dhe rregulloreve të saj nuk ekzistojnë ligje në Bashkësinë Islame, të hartuara dhe të aprovuara nga ajo, si akte ndërmjetëse në mes tyre. Kjo zbrazdi juridike, e krijuar nga mosdija, e ka shtyrë Ternavën, bashkë me avokatët e tij të autorizuar nga ai, që vazhdimisht të krokasin dhe të pretendojnë në gjykata shtetërore të Republikës së Kosovës se ligjet e shtetit nuk kanë kompetencë ligjore për t’i shqyrtuar dhe administruar vendimet e saj të kundërligjshme, siç kjo po më ndodh mua me rastin e përjashtimit nga marrëdhënia 33 vjeçare e punës, si profesor i Kur’anit në medrese, duke m’i ndërprerë edhe të ardhurat personale mujore, pa farë baze ligjore. Këtë çështje do ta elaboroj hollësisht në një shkrim tjetër. Duke u bazuar në këtë analizë të shkurtë, ky akt juridik më së miri do të duhej që të emërtohej me termin STATUTI I BASHKËSISË ISLAME I REPUBLIKËS SË KOSOVËS, i cili do t’i përmblidhte vetëm parimet, rregullat dhe normat sipas të cilave BIRK-u ndërtohet dhe e zhvillon veprimtarinë e vet. Ky emërtim pra, edhe juridikisht e edhe praktikisht, është shumë më i arsyeshëm dhe më i pranueshëm se sa termi “kushtetutë”, i cili absolutisht nuk ka të bëjë me realitetin faktik dhe as me përfshirjen e të gjitha sferave të shoqërisë të cilat ajo i rregullon. Me këtë emërtim të këtij akti juridik të BIRK-ut, kushtetuta dhe ligjet do të mbeteshin kompetenca vetëm të shtetit dhe askujt tjetër përveç tij, me kusht që ai akt të harmonizohet edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet e tij. Duke u bazuar në mangësitë substanciale të emërtimit të këtij akti juridik të Bashkësisë Islame me “kushtetutë”, vazhdimisht do ta përcjell me thojza, për të zhvlerësuar një emërtim të tillë. Ku është emblema e Republikës së Kosovës dhe data e aprovimit të “kushtetutës”? Analiza e vëmendshme e kësaj broshure të “kushtetutës” dëshmon për papërgjegjësinë absolute të prof. Fadil Hasanit, kryetar i dhunshëm i Kuvendit të BIRK-ut, anëtarëve të Kuvendit dhe të tjerëve që pas tyre qëndrojnë, sepse ata pretendojnë rrejshëm se e kanë ndryshuar këtë “kushtetutë” nga ajo e viti 2002, e cila atëherë kishte vetëm emblemën apo stemën e BIK-ut, duke e riemërtuar tani me Kushtetutën e Bashkësisë Islame në Republikën e Kosovës, ndërsa e kanë injoruar haptazi emblemën e saj. Mosekzistimi i emblemës ose stemës së shtetit në ballinën e këtij akti juridik vërteton faktin e injorimit të saj nga Kuvendi i BIRK-ut. Edhe në këtë “kushtetutë” të vitit 2013, e cila është e një rëndësie historike për të keq, do të duhej që të shënohej se në cilën seancë të Kuvendit të BIRK-ut është bërë ndërrimi i saj, bashkë me datë dhe me muaj, së paku ngjashëm me “kushtetutën” e kaluar, e cila është aprovuar më 27 qershor 2002. Kjo “kushtetutë” është dashur që të emërtohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e Luginës së Preshevës dhe e mbarë rruzullit tokësor Krahasimi i vëmendshëm në mes titullit të kësaj “kushtetute”, në njërën anë, dhe neneve 1.1, 1.8 dhe 2.1, në anën tjetër, do të del në shesh një kontradiktë e sheshtë dhe një manipulim i çuditshëm i Kuvendit të BIRK-ut. Kështu është, sepse ata, duke u bazuar në parimin se feja nuk ka përkufizime gjeografike, kanë krijuar një pështjellim dhe një rrëmujë të paparë në mes titullit të kësaj kushtetute dhe dispozitave të përgjithshme në brendinë e saj. Titulli i saj: Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës-Kushtetuta e Bashkësisë Islame, atë e përkufizon në hapësirën e saj territoriale gjeografike, kurse në nenin 1.1, BIRK-u i përfshinë në gjirin e saj të gjithë pjesëtarët e Bashkësisë Islame në diasporë, dhe të tjerët që atë e njohin si të veten, më konkretisht besimtarët në gjithë rruzullin tokësor, sikur që në nenin 1.8 e ka përfshirë edhe Rajonin e Preshevës, të cilin e përbëjnë: Këshilli i BI-së i Preshevës, i Bujanocit dhe i Medvegjës. Muslimanët kosovarë në diasporë dhe ata të Luginës së Preshevës, si dhe të tjerët, siç thuhet në te, nuk janë të përfshirë në hapësirën territoriale gjeografike dhe administrative në Republikën e Kosovës. Kontradikta edhe më e haptë e gjithë kësaj del në shesh kur ky formulim i kësaj dispozite krahasohet me dispozitën e nenit 2.1 e cila parasheh që BIRK-u, në mes tjerash, vepron edhe në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës, d.m.th. ato zbatohen edhe në të gjitha shtetet e tjera jashtë Kosovës ku jetojnë muslimanët, të cilët BIRK-në e njohin si të veten?! Këtu pra është një krijuar një rrëmujë e vërtetë, jo nga aspekti fetar por nga aspekti juridik dhe faktik, sepse këtu nuk është fjala vetëm për bashkëpunim reciprok në mes muslimanëve të Kosovës dhe të tjerëve jashtë saj në rrafshin e çështjeve të natyrës fetare dhe ndihmesave reciproke humanitare, çështje këto të cilat as që diskutohen, porse fjala është për atë se Ternava dhe puthadorët e tij vetvetën e ndiejnë si udhëheqës të tyre legjitim edhe në rrafshin e të mirave të tyre materiale, të cilat ata domosdoshmërisht duhet t’i derdhin në xhepat e tyre, sikur që pushteti i tyre anarkik duhet të shtrihet edhe në fushën e administrimit të punëve të tyre të përditshme në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës. Më shkurt pra,Ternava dhe veglat e tij, dëshirojnë që fatin e të gjithë muslimanëve në rruzullin tokësor ta kenë në duart e tyre, duke e njohur atë për monark të vetin absolut, kompetencë e tyre kjo e cila është regjistruar dhe garantuar edhe me“kushtetutën” e tyre të fantastike. Në të kundërtën, të gjithë udhëheqësit muslimanë shqiptarë brenda dhe jashtë Kosovës të cilët nuk i binden “sulltanit dhe monarkut të tyre absolut”, Naim Ternavës dhe kukullave të tij, do t’i gjejë fati i shkarkimit të tyre nga detyra, sikur që mua më ka përjashtuar përgjithmon nga marrëdhënia 33 vjeçare e punës, për shkak të mbrojtjes së ligjshmërisë në medrese dhe moralit të nxënëseve, të nëpërkëmbura nga Ternava, sikur që ka përmbysur Doc.Dr.Xhabir Hamitin nga kryesimi i Kuvendit të BIRK-së pa respektuar kurrfar procedure paraprake ligjore, sikur që ka larguar Dr.Mustafë Bajramin nga procesi mësimor në medresenë e Gjilanit, që të dytë pa vendime dhe pa të drejtë ankese, sikur që ka përjashtuar dr. Musli Verbanin, Adnan Vishin, Idriz Bilallin, Osman Musliun etj. Unë personalisht kam pasur fatin që këtë tendencë të mbrapsht të pushtetit anarkik të Ternavës ta gjejë të pranishme edhe në Qendrën Shqiptare në Londër ku emisarët e tij i kishte dërguar atje për t’i futur nën administrimin e Prishtinës, jo vetëm në aspektin shpirtëror, por edhe në atë financiar dhe adminstrativo-juridik? Kjo, lexues të nderuar, nuk është vetëm fjalë goje dhe tendencë e shprehur nga Ternava, porse është një realitet i hidhur, i paraparë dhe i aprovuar edhe me këtë “kushtetutë”. Në përmbyllje të kësaj pike do të shtroja pyetjen se, a thua vallë, Ternava dhe suita e tij “e famshme” kanë kompetenca ligjore dhe faktike që edhe jashtë territorit gjeografik të Republikës së Kosovës t’i zbatojnë ligjet e këtij shteti, si në Luginën e Preshevës, në Evropë, në Amerikë, në Australi? Me qenë se ky pretendim faktikisht është paraparë edhe me këtë kushtetutë të re të BIRK-ut, atëherë është dashur që edhe titulli i saj së paku të mos jetë kështu si është, porse të titullohej me elemente gjithëpërfshirëse, siç kam propozuar më sipër, pra Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e Luginës së Preshevës dhe e mbarë rruzullit tokësorë. “Kushtetuta” e re i ka hyrë në hak Rajonit të Prishtinës Këtë pikë, më konkretisht nenin 1.2, posa ta analizojë, shpirti i Ternavës dhe i klanit të tij do ta pranojnë si të vërtetë, pa farë dyshimi, se Rajonit të Prishtinës, si kryeqytet i Republikës së Kosovës, realisht i kanë hyrë në hak, duke i futur në të plotë gjashtë këshilla të Bashkësisë Islame: Këshilli i BI-së i Prishtinës, i Podujevës (Besianës), i Lipjanit, i Drenasit, i Obiliqit (Kastriotit) dhe i Fushë-Kosovës. Në anën tjetër krahasoje këtë p.sh. me nenin 1.9, i cili e shpjegon territorin shumë të ngushtë të Rajonit të Gjakovës, të cilin e përbëjnë: Këshilli i BI-së i Gjakovës, i Rahovecit dhe i Malishevës. Me këtë ndarje territoriale të padrejtë në mes rajoneve të ndryshme të bashkësisë islame Ternava e ka humbur edhe një anëtarë të Kryesisë, i cili sigurisht se edhe ai do t’i shërbente besnikërisht në sigurimin e karrierizmit të tij absolut. Kjo do të realizohej sikur këta gjashtë këshilla po t’i sistemonte në dy grupe të njejta. Megjithatë kështu si është vërtetohet vetëm fakti i mungesës së vizionit largpamës të Kryetarit të Kuvendit të BIRK-së, prof. Fadil Hasani, anëtarëve të tij dhe dirigjentit Ternava, si dhe i punës së tyre shkel e shko, para se të marrin vendime të rëndësishme për të ardhmen e BIRK-ut. Kushtetuta edhe teqetë, rendet e dervishëve dhe shehlerët, i lë nën dirigjimin e BIRK-ut?! Kontradiktat e sheshta në këtë “kushtetutë” nuk kanë fund, të cilat janë të shumta dhe të tmerrshme. Në radhë është analiza e shkurtë e dispozitave që parashohin se edhe “teqetë” janë objekte të Bashkësisë Islame (neni 26.1), përkujdesjen ndaj të cilave e mban Këshilli i Bashkësisë Islame (neni 38.1.3), në të cilat mund të kryhen ceremoni fetare të tarikatit përkatës, në pajtim me normat islame (neni 31.1), kurse rendet e dervishëve, mësimi dhe praktika e të cilëve është në harmoni me normat e sheriatit, në kuadër të Bashkësisë Islame organizohen sipas rregullave të tarikatit përkatës dhe nën mbikëqyrjen e Këshillit të Bashkësisë Islame (neni 31.2 dhe 38.1.18). Ndërsa shehlerët e rendeve të dervishëve mund t’i kryejnë ceremonitë dhe aktivitetet fetare, nëse zgjedhjen e tyre e ka vërtetuar Kryesia e Bashkësisë Islame (neni 31.3). Në këtë pikë fshehen prapaskena të llahtarshme dhe kontradikta të hapta, të cilat nuk pranohen fetarisht dhe as që mund të realizohen praktikisht. Unë nuk kam për synim që në këtë rast të shtjellojë çështjen e rendeve të dervishëve se janë apo nuk janë në harmoni me normat e sheriatit, porse problematikën do ta preku vetëm nga aspekti i synimit “të të jashtëzakonshmit” Ternava dhe puthadorëve të tij që pushtetin e tyre absolut ta shtrijnë edhe tek shehlerët dhe rendet e tyre, të cilat mund t’i ushtrojnë vetëm pasi të kenë marrë leje paraprake nga “i madhi” Naim Ternava, si kryetar i Kryesisë së BIRK-ut. Këtë anarki të tij të garantuar me “kushtetutën” e Fadil Hasanit, e shtrinë deri në atë masë sa që ai edhe rendet e tyre mund t’i vlerësojë se janë apo nuk janë në përputhje me normat e sheriatit? Kjo realisht është vetëm një çmenduri e skajshme dhe një etje e pafundme e Ternavës dhe e kukullave të tij që pushtetin e tyre ta shtrijnë deri në atë shkallë sa t’i qeverisin dhe t’i udhëheqin edhe teqetë, shehlerët dhe rendet e tyre dhe asgjë më tepër se kaq. Mirëpo realiteti faktik e dëshmon të kundërtë e tërë asaj të cilën rreth kësaj çështjeje e parasheh kjo “kushtetutë”, sepse Bashkësia Islame absolutisht nuk ka qasje në teqetë e shehlerëve dhe as në rendet e dervishëve të Kosovës, si dhe as rreth vlerësimit të tyre se janë apo nuk janë në pajtim me normat e sheriatit, e të mos flitet për mosmarrjen e lejes fare as nga Këshilli dhe as nga Kryesia e Bashkësisë Islame për ushtrimin e tyre. Nuk mund ta tejkaloj këtë pikë pa mos e prekur edhe një çështje e cila, në sy të parë, duket se nuk ka ndonjë peshë të theksuar, ndërsa në realitet flet për kulturën e ulët të hartuesve dhe aprovuesve të kësaj “kushtetute”. Fjala është për përdorimin e shprehjes “mund të kryhen”(neni 31.1) përballë teqeve dhe kryerjes së ceremonive fetare të tarikatit përkatës, duke e krijuar përshtypjen se rendet e dervishëve nuk po u kryekan aty? Kjo e vërteton faktin se Ternava dhe klani i tij fare nuk jetojnë në këtë planet, porse po jetuakan diku në qiellin e shtatë, e ndoshta edhe më lartë, sepse ai që jeton në këtë planet të vogël e din se në teqe sigurisht dhe pa farë dyshimi kryhen rendet e dervishëve nga shehlerët e tyre, të cilat i vë në dyshim shprehja “mund të kryhen”. Këtë mëdyshje të kësaj “kushtetute” e vërtetojë edhe me një fakt tjetër, duke bërë paralelen me xhamitë dhe mesxhidet (neni 27.2), në të cilat nuk është thënë se në ato objekte të BI-së “mund të falen namazet”, porse është thënë se: falen namazet (neni 27.2.1) dhe aktivitetet e tjera të cilat i përshkruajnë nenet prej 27.2.2 e deri 27.2.6, për të vërtetuar faktin se në ato abjekte pa farë dyshimi kryhen ato aktivitete fetare. Tani shtroj pyetjen se përse është krijuar dilema se në teqe kryhen apo nuk kryhen rendet e drevishëve nga shehlerët e tyre, lëshim ky i cili nuk është vetëm i natyrës teknike porse është bërë me qëllime të caktuara, të cilat mund t’i kuptojnë vetëm Ternava, Hasani dhe kukullat e tyre. “Kushtetuta” e re i aprovon zgjedhjet e kundërligjshme lokale të para dy viteve Kësaj pike i kam dhënë përparësinë e shqyrtimit të saj kundrejt të tjerave për faktin, sepse zgjedhjet e reja në të gjitha organet e Bashkësisë Islame do të duhej të shpalleshin më së voni prej 30 (tridhjetë) ditësh pas shpalljes së kësaj “kushtetute” (neni 81.1), mirëpo puthadori i Ternavës, Fadil Hasani, kryetar i Kuvendit të BIRK-ut, ka pranuar që kësaj “kushtetute” t’ia shtoj edhe paragrafin 81.4., i cili shprehimisht thotë: ”Ndryshimi dhe plotësimi i pjesërishëm i Kushtetutës së BI-së nuk implikon zhvillimet si në alinenë 1 të këtij neni”, i përmendur më sipër. “Kushtetuta” e vitit 2013 dallon substancialisht nga ajo e vitit 2002, të cilën e ka nënshkruar despoti i tij, Naim Ternava, sepse neni 81 i të dyja “kushtetutave”, bashkë me paragrafët e tyre, kanë edhe ngjashmëri e edhe mospajtime në mes vete, nga aspekti kohor i shpalljes së zgjedhjeve dhe i konstituimit të organeve të Bashkësisë Islame, kurse “kushtetutës” së re i është shtuar edhe paragrafi 81.4. i përshkruar më sipër, dhe i cili nuk ekziston në “kushtetutën” paraprake. Me këtë paragraf është bërë një manipulim i qëllimshëm dhe i haptë, të cilin mund ta bëjnë vetëm të eturit për pushtet absolut, për karrierizëm dhe për anarki të përjetshme, të cilin vështirë se mund ta hetojë gjithkush. Para se ta elaboroj shkurtimisht bërthamën e këtij manipulimi, dua të theksoj lojën dhe dredhinë e përdorimit të fjalës “implikon” në paragrafin e këtij neni, e cila nuk është e brumit të leksikut të shqipes së sotme dhe as që e përfshijnë fjalorët e saj, kuptimin e saktë të të cilës nuk e gjenë askundi, me përjashtim të të nënkuptuarit të saj në kontekst të përgjithshëm ku ajo është përdorur. Mbi këtë bazë fjala “implikon” përafërsisht do të kishte kuptimin se ky paragraf ku ajo është përdorur “nuk i përfshin”, ose “nuk ka të bëjë”, ose “e përjashton” shpalljen e zgjedhjeve të reja në të gjitha nivelet e organeve të Bashkësisë Islame në Kosovë, d.m.th. zgjedhjet lokale të para dy viteve mbesin të paprekshme. Ky është kulminacioni i dhunës dhe i manipulimit të skajshëm me aktin më të lartë juridik, sepse me të po mbrohen haptazi zgjedhjet e kaluara lokale të organeve të BIRK-ut, të zhvilluara pa Rregullore të zgjedhjeve, në kundërshtim edhe me “kushtetutën” paraprake të vitit 2002, sipas paraprafit të parë të nenit 75. Hartimi i Rregullores së zgjedhjeve ka qenë detyrim kushtetutues i Kuvendit të BIRK-së, të cilin, para 11 vitesh e ka udhëhequr Ternava, duke mos i lejuar as dy kryekuvendarët e mëvonshëm, Ragmi Destanin dhe Xhabir Hamitin, që atë ta hartojnë dhe ta aprovojnë. Kurse “kushtetuta” e re, në nenin 75.2, hartimin e Rregullores së zgjedhjeve ia ka besuar Kryesisë së BIRK-ut, miratimin e të cilës e bënë Kuvendi, gjë të cilën nuk e ka bërë as ekzekutivi dhe as legjislativi para zgjedhjeve të fundit. Pranimi i zgjedhjeve të para dy viteve, pa Rregullore të zgjedhjeve dhe në kundërshtim edhe me dy kopjet e këtyre dy “kushtetutave”, është argument i fortë që dëshmon për anarkinë, për pushtetin dhe për karrierizmin e pakufizuar të Ternavës, Hasanit dhe veglave të tyre, garantimi i të cilave vërtetohet me dispozita të kategorisë “kushtetuese” të këtij akti të turpshëm ligjor. Që akti më i lartë juridik t’i nënshtrohet qejfeve të personave të caktuar, flet mjaft për sëmundjen e pashërueshme të krerëve fetar të BIRK-së për të qëndruar në pushtet deri në pafundësi, deri sa t’i kapë vdekja. Në këtë rast dua të vë theksin se futja e këtij paragrafi të ri në fund të nenit 81 vërteton faktin se kjo “kushtetutë” është aprovuar vetëm për qejfin e Ternavës, me qëllim të realizimit të orekseve të pangopura të tij për anarki dhe për pushtet absolut. Këtë e dëshmoj me faktin, sepse me zgjedhjet e kaluara lokale, edhepse të kundërligjshme, që për Ternavën janë normale, ai ka pasur kohë të mjaftueshme për të siguruar trupin zgjedhor i cili do ta votojë për herë të tretë si Mufti dhe Kryetar i Kryesisë së BIRK-së. Prandaj për të është më se e domosdoshme që të mbrohen ato zgjedhje lokale, sepse me shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale do ta vënte në dyshim rizgjedhjen e sërishme të vetvetës në këtë post të rëndësishëm, i cili, atij dhe stafit të tij, po i sjellin përfitime marramendëse materiale. Për të tjerët pastaj nuk është me rëndësi se a e kanë siguruar kafshatën e gojës, siç këtë e dëshmon realiteti në BIRK, apo jo? Të gjitha këtyre manipulimeve kundërthënëse të paragrafit 81.4 ua vë kapakun dispozita e nenit 82.1, i cili shprehimisht e thotë se: Me konstituimin e organeve të zgjedhura në pajtim me këtë kushtetutë, pushon mandati i organeve të deriatëhershme, si dhe dispozitat e neneve 81.3 dhe 68.3 të cilat parashohin mbajtjen e zgjedhjeve në afat prej 30 (tridhjet) ditësh nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, pa dallim në mes zgjedhjeve lokale dhe atyre qëndrore, siç po vepron Ternava dhe kukullat e tij të dirigjuara nga ai. Neni kontestues 49 në dy “kushtetutat” e fundit, 2002 dhe 2013 I vetmi nen i “kushtetutës” së vitit 2002, i nënshkruar nga Naim Ternava, i cili nuk ka qenë kontradiktor me parimet e përgjithshme të cilat ajo i ka aprovuar, ishte neni 49, ndyshimi i të cilit, përveç kundërthënies me ato parime, ka qenë në kundërshtim të plotë edhe me procedurën kushtetuese të cilën ajo e ka paraparë. Sa i përket kufizimit të mandatit të Muftiut në vetëm dy mandate, sipas paragrafit të dytë të nenit 49, kjo dispozitë e këtij neni ishte në harmoni të plotë me dispozitën e nenit 9 të asaj kushtetute, e cila parashihte se Bashkësia Islame në punën e vet do t’i përmbahet, në mes tjerash, edhe parimit të ndërrimit “të funksionarëve”. Mirëpo neni 49 i asaj kushtetute, i hartuar dhe i aprovuar në vitin 2002 nga Ternava, pas dhjetë vitesh atij më nuk i pëlqente, prandaj edhe ka vendosur që, në prag të zgjedhjeve, me dinakëri dhe në emër të disa ndryshimeve fare të parëndësishme e kozmetike të kushtetutës, ta fsheh edhe ndryshimin e paparalajmëruar të dispozitës së paragrafit të dytë të këtij neni. Procedura kushtetuese për ndryshimin e tërësishëm apo edhe të amandamenteve kushtetuese, është shumë e qartë, në të dyja kushtetutat e vitit 2002 dhe 2013, të cilat paraprakisht i parashohin dy hapa veprimi; hapi i parë ka të bëjë me dhënien “e arsyetimit përkatës me shkrim” për cilindo ndryshim, konform nenit 76.4, si dhe “diskutimin publik” në pajtim me nenin 77.2. Asnjëra nga këto dy procedura kushtetuese nuk janë plotësuar, madje as në seancën e fundit të (jashtë)ligjshme të Kuvendit më 29 gusht 2013, kur përfundimisht është ndërruar “kushtetuta”. Këtë e vërtetoj me Draftin për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së BIK-ut të paraqitur në atë seancë, në të cilin fare nuk ekziston ky nen, ku kalohet prej nenit 48 në faqe 6 te neni 56 në faqe 7. Ky Draft e qet në shesh gënjeshtrën e Ternavës në media publike se edhe neni 49 ka qenë në “diskutim publik” që nga viti 2010, si dhe të Kryetarit të Komisionit Kushtetues, Mr. Xhavit Qerimi, i cili ka pretenduar rrejshëm se kjo proceduar kushtetuese ka filluar në vitin 2011. Edhe termin “diskutim publik” që Ternava dhe klani juaj e keqpërdorin, do t’i porosisja që t’i referohen fjalorit të shqipes së sotme dhe atyre juridik, për të parë se çfarë kuptimi ka ai, sepse ka raste kur ky Draft, në nivel komune, në emër të diskutimit publik është zhvilluar vetëm me dy-tre njerëz, pa mos u publikuar nëpër xhamia dhe as në media informative. Prandaj për këto ndryshime kozmetike dhe jopërmbajtësore nuk e kanë marrë pajtimin e muslimanëve të Republikës së Kosovës, e të mos flitet për nenin 49, i cili, përveçse nuk ka qenë në diskutim public, është shumë i rëndësishëm dhe i rrezikshëm. Pastaj, përse nuk bëheni të sinqert, z.Kryetar, siç i ka hije muslimanit të vërtetë, që të pranoni publikisht se ndryshimi i atij neni ndërlidhet drejtpërdrejt vetëm me juve dhe me lakminë tuaj të pangopur për pushtet absolut dhe të pakufizuar, e jo siç keni deklaruar në media se ndryshimi i kushtetutës, më konkretisht i këtij neni, nuk lidhet me emrat e individëve dhe as me emrin tuaj?! Kjo, pëveçse është gënjeshtra juaj e radhës, është edhe çmenduri, e cila dëshmon për çrregullimin e thellë të karakterit tuaj vlerësues, sepse ndryshimi i nenit 49 ju ka konvenuar vetëm juve, personalisht, përderisa për të tjerët realisht nuk paraqet kurrfar pengese ligjore për t’u kandiduar për këtë post. Se kjo dispozitë është ndërruar vetëm për hatrin tënd, u vërtetua me rimarrjen për herë të tretë të postit të Muftiut në BIRK, të cilin post mund ta përsëritni sa here të doni, deri në vdekjen tuaj, sipas “kushtetutës” së re e cila thotë: 49.2. Pozita e kryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës i nështrohet parimit të zgjedhjes çdo 5 vjet nga Trupi Zgjedhor”. Me këtë ndërrim të dispozitës së këtij neni është krijuar një kontradiktë e haptë me dispozitën e nenit 9 të po kësaj kushtetute, e cila parasheh që Bashkësia Islame në punën e vet do t’i përmbahet, në mes tjerash, edhe parimit të ndërrimit “të funksionarëve”, i cili më nuk përfillet. Kushtetuta parasheh që ekzekutivi i BIRK-ut t’i udhëheq zgjedhjet në të gjitha nivelet Zgjedhjet brenda organeve dhe institucioneve të BIRK-ut janë kundërkushtetuese, të cilat, fillim e mbarim zhvillohen nën dirigjimin direkt të ekzekutivit të cilin e udhëheq Ternava, e jo nga një Komision qendror i pavarur i zgjedhjeve, siç ndodh kjo në të gjitha vendet dhe institucionet e lira dhe demokratike në botë. Për t’u kuptuar mirë kjo që e thash, më poshtë shkurtimisht do t’i argumentoj që të gjithat, duke u bazuar në aktin më të lartë juridik të BIRK-ut. Me qenë se organet e BIRK-ut, sipas nenit 33.1 janë të renditura si vijon: 33.1.1. Këshillat e Bashkësisë Islame, 33.1.2. Kryesia e Bashkësisë Islame, dhe 33.1.3. Kuvendi i Bashkësisë Islame, sipas kompetencave që ato i kanë, trajtimin e kësaj pike unë do ta bëjë në kundërshtim me këtë renditje, pra atë do ta bëjë mbi bazë të rreshtimit të tyre në zgjedhje. Zgjedhjet lokale Zgjedhjet lokale kanë një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse nga ato, në mënyrë direkte, varet edhe zgjedhja e Kuvendit të ardhshëm legjislativ të BIRK-ut, delegatët e të cilit, bashkë me kryetarët e këshillave lokale dhe udhëheqësit e institucioneve, sipas nenit 44.3, e zgjedhin Kryetarin e BIRK-ut. Ternava, i prirur për karrierizëm dhe për pushtet absolut, si dhe duke u frikësuar se mos veten po e hedh në rrezik për të mos u rizgjedhur për herë të tretë, me këtë ”kushtetutë” ka bërë klasifikimin në dysh të organeve të cilat duhet të rizgjedhen, në bazë të neneve 81.1, 81.2, 81.3 dhe 82.1, dhe të atyre të cilat duhet të mos rizgjedhen, në pajtim me nenet 81.4. Sipas kësaj logjike të mbrapsht të despotit Ternava dhe kukullave të tij të dirigjuara nga ai, e aprovuar madje edhe me aktin më të lartë juridik, zgjedhjet lokale mbesin të paprekshme, edhepse para disa vitesh janë zhvilluar pa Rregullore të zgjedhjeve, në kundërshtim të hapët me të dyja kushtetutat, sipas nenit 75.1, kurse procesit të zgjedhjeve i nënshtrohet vetëm formimi i Kuvendit, i Kryetarit dhe i Kryesisë së BIRK-së. Kështu ka vepruar Ternava, qejfin e të cilit e ka aprovuar edhe “kushtetuta e re”, sepse me mosmbajtjen e zgjedhjeve në nivel lokal, për vetveten që moti i ka siguruar votat e të gjithë kryetarëve të Bashkësisë lokale Islame, të cilët tani ia sigurojnë edhe delegatët e sigurt të Kuvendit të ri të ardhshëm të BIRK-ut, nga votat e të cilëve varet rizgjedhja e tij e sërishme, sa herë që t’i teket. Zgjedhjet e mëhershme lokale, të kundërligjshme Sa i përket bazës ligjore mbi bazë të cilës janë zhvilluar zgjedhjet e kaluara lokale të para dy viteve, të cilat nuk do t’i prek “kushtetuta” e re, janë zhvilluar sipas “kushtetutës” së nënshkruar nga Ternava në vitin 2012. Ai, duke u treguar monark i paprekshëm dhe karrierist i pangopur, kompetencën e tij të jashtëzakonshme e ka regjistruar në të dyja “kushtetutat” edhe sa i përket udhëheqjes së zgjedhjeve dhe mbikëqyrjes së tyre. Për të mos e rrezikuar vetvetën dhe fatin e karrierizmit të tij dhe të kukullave të tij, në kompetencat e veta e ka lënë fatin e udhëheqjes së zgjedhjeve, nën mbikëqyrjen e komisionit kryesor të cilin ai vetë e cakton, në pajtim me nenin 67.1 dhe 67.4. Edhe datën e shpalljes së zgjedhjeve e cakton vetëm Kryesia të cilën ai e udhëheq, sipas nenit 68.1 dhe askush tjetër përveç tij. Deklaroj me përgjegjësi se askundi në botë nuk do të gjesh organ ekzekutiv që tërësisht, si i pavaruar, vetëm ai do t’i mbikëqyrë zgjedhjet si dhe vetëm ai do të formoj komisionin kryesor të zgjedhjeve, me përjashtim të Ternavës dhe Kryesisë së BIRK-ut të cilin ai e udhëheq. Në këtë rast, shtrohet pyetja, a mund të mendohet se ato zgjedhje janë të lira dhe demokratike, siç pretendon ai, si dhe të pandikuara nga ekzekutivi? Kjo, padyshim, është një çmenduri e vërtetë. Zgjedhjet e kaluara lokale, të cilat Ternava nuk don t’i prek, edhepse ato, në bazë “kushtetutës së re”, domosdoshmërisht do të duhej të mbaheshin, janë zhvilluar sipas një udhëzimi administrativ, të cilin nuk e ka paraparë as Kushtetuta e kaluar, i cili e ka lejuar këshillin e vjetër që t’i udhëheq zgjedhjet e reja deri në formimin e kuvendit lokal, për të rizgjedhur vetvetën. Ankesat eventuale i ka pas në kompetencë Komisioni Kryesor i Zgjedhjeve në Prishtinë I caktuar nga ai, ku në atë udhëzim thuhej: “nëse nuk ka përgjigje në ankesë vlerësohet se zgjedhjet kanë qenë të rregullta”, pasus ky i cili ka lejuar hudhjen në shportë e të gjitha ankesave, edhe nëse janë të argumentuara, nëse vlerësohet se Ternavës ia prishin planet e parapërcaktuara. Kushtetuta e shkel votën e lirë Me qenë se kryetarët e këshillave lokale janë në mesin e atyre që e vulosin fatin e rizgjedhjes sa herë t’i teket “të madhit” Ternava, ai ka vendosur që zgjedhjen e tyre të mos e bëjë vetëm me një kut dhe mbi bazë të një parimi, porse me dy standarde kundërthënëse në mes vete; nëse vegla e Ternavës i fiton shumicën e votave, për do të vlente parimi mbi bazë “të zgjedhjeve”, në pajtim me nenin 9, siç është rasti i Shemsi Rrahimit në Vushtrri dhe i shumë të tjerëve në Republikën e Kosovës. Mirëpo nëse vlerësohet se kandidati që ka fituar më së shumti vota nuk është kukull e tij, për të më nuk vlen standardi i parë, porse do të zbatohej standardi i dytë rezervë, i kundërt me të parin, i cili parasheh zgjedhjen e kryetarit “nga radha e anëtarëve të zgjedhur”, sipas nenit 39.5, edhe nëse ka më pakë vota, siç ka ndodhur rasti në Mitrovicë me Hoxhë Bajram Feratin, imam në xhaminë e fsh.Bare, i cili i ka fituar votat absolute, në krahasim me të tjerët, porse nuk e ka gëzuar edhe postin e kryetarit të këshillit lokal. Raste të tilla ka edhe në shumë këshilla të tjera të Bashkësisë Islame në Kosovë. Manipulimi i Ternavës me funksionin e kryetarit të këshillit lokal në emër të kryetarit të Kuvendit të BIRK-ut Të dy kushtetutat e fundit të BIRK-ut, në nenin 41.1, funksionin e kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame e vlerësojnë si funksion nderi. Mirëpo kryetari Ternava, kur është pyetur në media rreth ligjshmërisë së shkarkimit të Xhabir Hamitit, kryetarit legjitim të Kuvendit të BIRK-ut, është përgjigjur se funksioni i tij ka qenë funksion nderi, përçka, sipas tij, nuk ka pasur nevojë që t’i nënshtrohet procedurës së paraparë ligjore dhe as lëshimit të vendimit me shkrim. Mirëpo, i përkujtoj Ternavës se funksioni i nderit është kufizuar vetëm për kryetarin e këshillit lokal, por jo edhe për kryetarin e Kuvendit, siç ka manipuluar ai. Kjo mënyrë e interpretimit të dispozitës së atij neni, jo vetëm se është e paligjshme, porse për të është e pandershme dhe e pamoralshme në të njëjtën kohë. Sherri i mandatit katërvjeçar të këshillave lokale të Bashkësisë Islame Muftiu Ternava tregohet tepër i shkathtë kur është fjala për ruajtjen e pushtetit të tij anarkik, në shërbim të të cilit e ka hartuar dhe aprovuar “kushtetutën” e vet të para 11 vjetëve, nga e cila është kopjuar edhe kjo e vitit 2013, kur aty është përcaktuar kohëzgjatja e mandatit të këshillave lokale në katër vjet, sipas nenit 39.7. Kurse mandatin e Kuvendit dhe të Kryesisë së BIK-së e ka ngritur në pesë vjet, në pajtim me nenin 58.4, dhe me nenin 44.5, me qëllim që të ketë në dispozicion një vit të plotë për përzgjedhjen e kryetarëve të këshillave lokale dhe delegatëve të rinj për Kuvendin e ardhshëm të BIK-ut sipas qejfit të tij, të cilët atë do ta votojnë në të ardhmen. “Kushtetuta” e injoron Kuvendin e BIRK-ut Kuvendi i BIRK-ut formohet nga një delegat i dërguar nga secili këshill i Bashkësisë Islame në Kosovë, sipas nenit 58.1 të të dyja “kushtetutave”. Momentalisht Kuvendi është organi i parë në BIRK, i cili i nënshtrohet zgjedhjeve, pas shpalljes së “kushtetutës” së re, edhepse do të duhej që të shpalleshin edhe zgjedhjet lokale. Organi ligjdhënës i BIRK-ut dirigjohet drejtpërdrejt nga Ternava, sepse delegatët e Kuvendit atij i përgjigjen drejtpërdrejt në vendet e punës nëpër këshillat lokale prej nga delegohen. Kjo vërtetohet me dispozitën e nenit 58.1 në të dyja “kushtetutat”, ku thuhet se “Kuvendi ka aq anëtarë, sa është numri i Këshillave të Bashkësisë Islame”, të cilët i përgjigjen ekzekutivit të BIRK-së. Me një fjalë pra Ternava nuk ka lejuar që Kuvendi i BIRK-ut të formohet me delegatë të pavarur dhe të pandikuar nga ai, sepse do ta rrezikonte karrierizmin e tij. Për të mos iu kanosur ky rrezik, atë e ka amandamentuar edhe me dispozitë kushtetuese. “Kushtetuta” nuk i lejon Legjislativit buxhet të mëvetësishëm Për të qenë organi ligjdhënës nën ndikimin sistematik dhe të vazhdueshëm ndaj ekzekutivit, të cilin e udhëheq Ternava, ai, me dispozita kushtetuese, ka vendosur që Kuvendi i BIRK-ut të mos ketë buxhet të mëvetësishëm, në mënyrë që veprimtaria e tij të kushtëzohet nga mjetet të cilat ai ia ndan, nëse një gjë të tillë e sheh të nevojshme. Kuvendi pra, sipas këtyre “kushtetutave” është e detyruar që ta aprovojë vetëm buxhetin e Kryesisë, të cilin e udhëheq Ternava, në pajtim me nenin 59.1.9, por jo edhe buxhetin e Kuvendit. Përveç kësaj, Kuvendi nuk ka as administratë të pavarur, as objekte dhe as hapësirë të veçantë nga Kryesia, për të ushtruar veprimtarinë e vet. Tani, në mungesë të buxhetit, të adminstratës, dhe të objekteve, të cilat janë nën mëshirën e “demokratit” Ternava, a mund të mendohet se ky organ shumë i rëndësishëm është i pavarur dhe i pandikuar në punën e vet nga Naim Ternava? As fëmijtë dhe të marrët këtë nuk mund ta besojnë, e lëre më të pjekurit dhe me fuqi gjykuese. I njëjti sekretar edhe për ekzekutivin e edhe për legjislativin, konflikt i haptë interesi Kulminacioni i pushtetit absolut të ekzekutivit të Ternavës ndaj legjislativit të BIRK-ut dhe kontrollimit të tij në mënyrë permanente, përveç formave të përmendura më parë, sipas kësaj kushtetute realizohet edhe nëpërmjet sekretarit të tij, Resul Rexhepi, i cili njëkohësisht është sekretar edhe për punët administrativo-teknike të Kuvendit, sipas nenit 58.9. Ky është një konflikt i haptë interesi kur i njejti person dhe në të njëjtën kohë është sekretar i ekzekutivit e edhe i legjislativit, i rregulluar si kategori koshtetuese. Jam i bindur thellë se askundi në rruzullin tokësor nuk mund të gjesh shembull të mbrapshtë që punët administrative të organit ligjdhënës dhe të ekzekutivit t’i kryej në të njëjtën kohë dhe me nder i njejti njeri, duke pretenduar rrejshëm mëpastaj se Kuvendi i BIRK-ut është i pavarur dhe i pandikuar nga ekzekutivi në punët e tij. Këtë ka mundur ta bëjë vetëm “i gjithëpushtetshmi” Naim Ternava dhe kukullat e tij, të cilin veprim ai e quan demokraci të avansuar, shembullin e të cilit madje do të duhej ta ndiqnin edhe të tjerët?! Kryesia e Bashkësisë Islame Kryesia e Bashkësisë Islame është organ ekzekutiv i Bashkësisë Islame, sipas nenit 43.1 të “kushtetutës”, të cilën, në bazë të nenit 44.1, e përbëjnë kryetari dhe 8 anëtarë, zgjedhjen e të cilëve e bënë Trupi Zgjedhor, të cilin, në mbështetje të nenit 44.3, e përbëjnë anëtarët e Kuvendit të Bashkësisë Islame, ktyetarët e këshillave të Bashkësisë Islame dhe udhëheqësit e institucioneve të Bashkësisë Islame, pas propozimit të kryetarit të Kryesisë, konform nenit 44.4. Mandati pesëvjeçar i Kuvendit dhe i Kryesisë, në pajtim me nenet 58.4 dhe 44.5, në kundërshtim me mandatin katërvjeçar të këshillave lokale, sipas nenit 39.7, janë përcaktuar qëllimisht, në mënyrë që rizgjedhja e vazhdueshme e Ternavës asnjëherë të mos vehet në dyshim, sepse hapësira kohore në mes zgjedhjes së organeve të mëvonshme qendrore dhe atyre të mëhershme lokale, është shumë e përshtatshme për eliminimin e pengesave, sidomos kur ekziston edhe baza kushtetuese për veprime të tilla të kundërligjshme. Shpjegimet e mësipërme qartazi dëshmojnë për lëmshin e madh të cilin e ka krijuar Ternava rreth të gjitha çështjeve të rëndësishme në BIRK. Mitrovica dhunohet edhe nga Ternava Sipas shpjegimit të mësipërm rezulton e dhëna se 8 (tetë) anëtarët e Kryesisë së BIRK-së janë në përputhshmëri me tetë rajonet e përmendura më parë, të përshkruara nga neni 1.2. e deri te neni 1.9. Sipas nenit 1.4. Rajonin e Mitrovicës e përbëjnë: Këshilli i BI-së i Mitrovicës, i Vushtrrisë dhe i Skenderajt. Mirëpo Ternava gjatë dy mandateve të kaluara skajshmërisht e ka injoruar atë rajon, duke mos marrë nga atje anëtarë të Kryesisë. Ai, pa të drejtë morale dhe ligjore, tri herë i ka zgjedhur anëtarët e Rajonit të Mitrovicës vetëm nga dy satelitët e tij, nga Vushtrria, Shemsi Rrahimin, në mandatin e parë, dhe nga Skenderaj, Nexhmi Maksutin, në mandatin e dytë dhe të tretë. Përveç këtij injorimi të haptë ndaj rajonit të Mitrovicës, Këshilli i Bashkësisë Islame atje nuk është i konstituuar as pas dy viteve të përfundimit të zgjedhjeve lokale të kaluara, duke tentuar që në mënyrë të kundërligjshme t’i vë në krye të tij ata që nuk i kanë fituar zgjedhjet. E keqja arrinë kulminacionin kur Ternava fare nuk ka lejuar që Kuvendi i ri në Prishtinë, edhepse i kundërligjshëm, të ketë përfaqësuesin e vet legjitim, e drejtë kushtetuese kjo e cila Këshillit të BI-së në Mitrovicë i është mohuar para formimit të legjislativit të fundit, pa kurrfar baze ligjore. Në këtë mënyrë Ternava, si dhe shumë të tjerë, Mitrovicës i kanë hipur në qafë, të cilën mund ta ruaj vetëm Zoti i Lartëmadhërishëm. Marre i qoftë! Kushtetuta lejon kompetenca kontradiktore për Kryesinë e BIRK-ut “Kushtetuta” e re, si dhe e vjetra, parasheh se Kryesia e Bashkësisë Islame kryen edhe këtë detyrë, sipas nenit 45.1.18: “emëron, sistemon dhe shkarkon kuadrot e Kryesisë dhe, me propozimin e këshillave e të institucioneve të Bashkësisë Islame, edhe kuadrin e tyre”. Kjo dispozitë kushtetuese rezulton me të dhënën se edhe medresetë, në pajtim me nenin 34.1.3, janë institucione të Bashkësisë Islame, të cilat, në mbështetje të nenit 56.1, gëzojnë autonomi mësimore...administrative dhe financiare, kuadrin e të cilave mund ta shkarkoj vetëm pasi të ketë marrë paraprakisht propozimin me shkrim prej komisioneve të tyre, në pajtim me nenin 45.1.18, kategori kushtetuese kjo e cila, në rastin tim, fare nuk është respektuar nga Ternava, duke e autorizuar për procedimin e saj Komisionin disiplinor të Kryesisë. Me dispozitën e këtij neni ishte në pajtim edhe Departamenti i Inspekcionit të MASHT-it, i cili, në Procesverbalin nr.502/10 të datës 18.06.2010, me rekomandimin nr.11, e ka urdhëruar drejtorin e Medresesë që brenda afatit 8 ditor nga dita e marrjes së rekomandimeve, të formoj një komision disiplinor prej tre anëtarësh, me mandat trevjeçar, me detyrë që deri më 20 gusht 2010 të marr vendim për përcaktimin e masave disiplinore ndaj të apostrofuarëve në ankesën time drejtuar atje. Mirëpo Kushtetuta, si gjithëherë, ka hartuar edhe një dispozitë tjetër reservë, kontradiktore me të parën, e cila shprehimisht thotë: 45.1.8. (Kryesia e Bashkësisë Islame) “emëron komisionin disiplinor për shqyrtim dhe vendosje të lëndëve disiplinore në shkallë të parë për të gjithë të punësuarit në territorin e vet”, duke mos e përjashtuar as institucionin e medresesë.Ternava dhe komisioni i tij, duke u bazuar në këtë dispozitë kontradiktore me të parën, publikisht e ka injoruar kompetencën ligjore të komisionit disiplinor të medresesë, ndërsa lëndën time, në kundërshtim me dispozitën e nenit 45.1.18 dhe me rekomandimet e Departamentit të MASHT-it, ia ka besuar komisionit të vet disiplinor. Kryesia me “kushtetutë” i uzurpon kompetencat e Kuvendit Absurditeti i ndërhyrjeve direkte të Kryesisë në punën e Kuvendit është vërtetuar edhe me dispozitën e nenit 60.3 e cila, për herë të parë është regjistruar në “kushtetutën” e vitit 2013, e nënshkruar nga puthadori i Ternavës, Fadil Hasani, por jo edhe në kushtetutën e vitit 2002, të cilën e ka nënshkruar Naim Ternava. Dispozita e këtij neni thotë: ”Mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit konvokohet kurdo që shfaqet nevoja, në bazë të kërkesës së arsyetuar me shkrim të së paku 1/3 të anëtarëve të Kuvendit ose të Kryesisë. Kryetari obligohet të konvokoj mbledhjen brenda 7 ditëve në vijim nga data e dorëzimit të kërkesës me shkrim në administratën e Kryesisë. Në të kundërtën, inicohet marrja e masave disiplinore”. Kështu pra fati i kryetarit të Kuvendit në mënyrë të padiskutueshme është vetëm në dorën dhe në mëshirën e Ternavës, tek administrata e të cilit dorëzohet kërkesa për mbledhje të jashtëzakonshme të organit ligjdhënës, e jo në administratën e Kuvendit, e cila fare nuk ekziston. Ky është kulminacioni i injorimit të haptë që Kuvendit i bëhet nga Kryesia e BIRK-së, dhunë institucionale kjo e regjistruar edhe në kushtetutën e re të muajit shtator 2013. Kjo dispozitë parasheh që edhe Kryesia, përveç së paku 1/3 të anëtarëve të Kuvendit, ka të drejtë kushtetuese që të paraqes kërkesën për mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit. Kjo parimisht është e ligjshme, porse ajo që të bënë për të qeshur pandalshëm është fakti se Kryesia kërkesën e vet duhet t’ia paraqes administratës së vet, për të vendosur mëpastaj për kërkesën e vet?!, sepse kushtetuta nuk thotë se kërkesa për mbledhje të jashtëzakonshme përcillet nga administrata e Kryesisë për në administratën e Kuvendit, e cila është kompetente për të vendosur rreth kërkesave të tilla. Institucionet e Bashkësisë Islame Medreseja Analizën rreth medresesë do ta përqëndroj vetëm rreth statusit juridik të këtij institucioni, në raport me Bashkësinë Islame dhe me Ministrinë e Arsimit të Shkencës dhe të Teknologjisë (MASHT), e cila është konfuze dhe e paqartë. Ajo, sipas dy kushtetutave të fundit, është institucion i BIRK-së, sipas nenit 34.1.3, e cila gëzon autonomi mësimore, administrative dhe financiare, në bazë të nenit 56.1. Në anën tjetër, sipas vendimit nr.0021025-1 të MASHT-it, “Medreseja është shkollë e mesme e lartë”, numri i shkollës është 23395/1, kodi i institucionit është 23305, kurse dëftesat kanë numrin 597/02-1, me emblemë apo stemë, me administrim dhe me financim të Ministrisë së Arsimit të Shkencës e të Teknologjisë, në dokumentacionin zyrtar të të cilës nuk figuron fare BIRK-u. Edhe Ditari I punës,planprogrami mësimor, pushimet, rregulloret dhe gjithçka tjetër janë në harmoni me udhëzimet e MASHT-it dhe me organet e tij. Kurse Statuti i Medresesë dhe rregulloret e saj të brendshme janë në shpërputhje me “kushtetutën” e Bashkësisë Islame, me të vjetrën dhe me të renë, dhe me Ligjin për arsim fillor dhe të mesëm të Kosovës. Hartimi dhe aprovimi i ngutshëm i”kushtetutës” së re dëshmon për shkurtpamësinë vizionare të Kuvendit të Bashkësisë Islame dhe të tjerëve që pas tij qëndrojnë, duke vërtetuar faktin se ata nuk i përcjellin fare zhvillimet e kohës dhe as nevojat e saj. Duke u bazuar në këtë fakt është dashur që medreseja të kishte status të qartë dhe të prerë, e jo që në njërën skaj të litarit ajo të kapet me MASHT-in, kurse në skajin tjetër të kapet me BIRK-un, duke pasur që të dyja organet kompetenca të njëjta kundrejt saj, ose, së paku të përcaktohen qartë kompetencat e njërës dhe tjetrës. Sigurisht se Ternavës dhe rrethit të tij të ngushtë nuk i kanë interesuar këto çështje “të imta”, porse atyre u kanë interesuar vetëm çështjet madhore të pushtetit anarkik dhe karrierizmit të tyre të paskajshëm. Fakulteti i Studimeve Islame Edhe Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë ka të njëjtin status juridik brenda në BIRK, posi Medreseja, kompetencat kushtetuese të të cilit shkelen pamëshirshëm nga Ternava. Unë dhe shumë shokë të tjerë që nuk na ka munguar guximi qytetar për të shprehur opinionin tonë rreth ecurive negative në organet dhe në institucionet e Bashkësisë Islame, si dhe për të kundërshtuar Muftiun për dhunimin që edhe këtij institucioni ia bënte, na ka larguar nga puna në mënyrë të kundërligjshme. Manipulimet që në fakultetTernava i bënte janë të llahtarshme e të kundërligjshme, zgjidhjen e të cilave më në fund ia kemi besuar gjykatës rregullt. Mjafton që për të keq të përmendi vetëm faktin se atë institucion, për tre vite rresht, e udhëheq Dr. Qazim Qazimi, një pensionist i dëgjueshëm i Ternavës, sikur që ligjëruesit në të i japin vetvetës nga një e dy thirrje shkencore përnjëherë, pa meritë dhe pa bazë ligjore. Kuadrot e Bashkësisë Islame Sabri Bajgorës i është bërë padrejtësi kushtetuese Këtë herë për analizë do t’i marrë vetëm dy kuadro të Bashkësisë Islame; kryeimamin në nivel këshilli dhe atë në nivel të Kryesisë së BIRK-së. Sa i përket kryeimamit në kuadër të këshillave të Bashkësisë Islame, në pajtim me nenin 61.1.1 statusi i tij juridik nuk ka ndryshuar nga ai të cilin e ka paraparë kushtetuta e kaluar, kurse statusi juridik i referentit fetaro-arsimor i Kryesisë së BIK-ut, sipas nenit 47.4. është ndryshuar në kryeimam. Unë, sa ishte në fuqi kushtetuta e kaluar, vazhdimisht e kundërshtoja referentin fetaro-arsimor, Sabri Bajgora, për emërtimin e vetvetës si kryeimam, në kundërshtim me aktin më të lartë juridik në fuqi, kurse tani mendoj se me emërtimin e tij të ri si kryeimam, paralel me nivelin e kryeimamëve në nivel lokal, atij i është bërë padrejtësi kushtetuese, sepse nuk është e arsyeshme dhe as e ligjshme që kuadrot në dy nivele të ndryshme dhe me përgjegjësi të ndryshme të emërtohem me një emërtim. Në këtë rast propozoj që ai do të duhej të emërtohej Mufti, për të mbetur Muftiu momental vetëm Kryetar i Kryesisë së BIRK-së. Në përmbyllje të kësaj analize e them edhe ate se ky akt juridik, me dispozita kontradiktore dhe centraliste, u sjell përfitime të mëdha materiale, pushtet anarkik dhe karrierizëm absolut, vetëm Muftiut Ternava, Fadil Hasanit, i cili nuk e pati fatin që të trashëgoj postin e kryetarit të Kuvendit më shumë se dy muaj, dhe kukullave të tyre anë e mbanë Kosovës, i cili, për Bashkësinë Islame është një turp i madh, kurse për muslimanët është një injorim i haptë, i padëshmuar ndonjëherë më parë në këtë hapësirë. Do ta ndjeja vetvetën shumë të lumtur sikur dikush prej hartuesve dhe aprovuesve të kësaj “kushtetute”, ose edhe të tjerët jashtë tyre, që të argumentonin të kundërtën e asaj që unë e kam thënë në këtë analizë të shkurtë rreth saj. Në të kundërtën, çdokush që vetvetën e ndjenë muslimanë e ka për detyrim moral që të kundërshtoj këtë akt juridik qesharak, me të gjitha mjetet e mundshme ligjore. Heshtja kundrejt kësaj dhune institucionale brenda Bashkësisë Islame, e ushtruar nga krerët e saj, është edhe paburrëri e madhe. Shkruar Emin Behrami, ish profesor i Kur’anit në Medrese dhe në Fakutetin e Studimve Islame në Prishtinë
Posted on: Sat, 09 Nov 2013 19:56:54 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015