ART-POLITIKA, MUZIKA DHE DIKTATURA Nga QAMIL GJYREZI A janë të - TopicsExpress



          

ART-POLITIKA, MUZIKA DHE DIKTATURA Nga QAMIL GJYREZI A janë të nevojshme reforma e madhe dhe një rivlerësim në muzikën shqiptare në këtë 100 vjetor? Real-kritikë empiriko-teorike, muzikologjike, psikologjike, politike dhe gjuhësorë. -Diktatura ish-komuniste e ka dëmtuar thellë artin, muzikën në planin emocional, kreativ dhe komunikativ. -Ish-Sigurimi i shtetit në fushën e artit dhe muzikës ishte më agresiv se Partia e Punës. -Muzika në dikaturë ka bërë dëme mendore, sjellore, kuptimore dhe kognjitive, estetike dhe filozofike. -Reformat në fushën e muzikës duhet të zhvillohen në kontekstin e ri gjeopolitik, Kosovë, Shqiptarë të Maqedonisë dhe ato të Malit të Zi. “Sipas teorisë komuniste sistemi kolektiv pa prone private mund të arrihej duke shkatërruar sistemin ekzistues me anën e revolucionit proletar ose luftës së armatosur. Sipas saj, forca lëvizëse e shoqërisë ishte lufta e klasave e cila ishte e përjetshme. Pas revolucionit, forcimi dhe përjetësimi i pushtetit të ri realizohej me anën e diktaturës se proletariatit që nënkupton vendosjen e dhunës mbi arsyen, komisaret politike mbi specialistet, izolimin mbi lirinë, mungesën e ligjit mbi shtetin ligjor”.(Wikipedia) Hyrje Kanë kaluar mbi 20 vjet tranzicion politik, ekonomik, psikologjik, urban demografik, social dhe kulturor në Shqipëri dhe ka ndryshime shumë të mëdha në të gjitha fushat e jetës. Sot të duket “ndoshta” në pamjen e parë “paradoksale”, jo e kohës të flasish për tema të viteve të ish-diktaturës tek neve dhe vecanërisht në fushën e artit dhe muzikës. Por diktatura tek neve ka qenë aq e egër sa ka bërë dëme në të gjitha planet, e mbi të gjitha në planin shpirtërorë, sidomos ish-sigurimi i shtetit që ka qenë armë në duart e P.P.SH, e që shpesh i ka tejkaluar kompetencat e tij edhe në fushën e artit. Kam besim se ekonomia do të zhvillohet, infrastruktura do të bëhet, integrimi jonë do të realizohet, por dëmi në planin shpirtërorë është vështirë të riparohet shpejt e mbi të gjitha fushën e artit dhe muzikës. Me të vërtetë ka dhe ka patur arritje të mëdha artistike në lëmin e muzikës si në fushën e krijimit dhe në atë të interpretimit, biles krahasuar edhe me vende të zhvilluara në këtë fushë, por që arti të marri kuptim të vërtetë dhe të japi mesazhe të qarta për tema të caktuara që trajton, sidomos muzika që është edhe e ardhmja e mendjes njerëzore, deshifrimi i mendjes, duhet së pari të analizohen dhe studiohen dhe riparohen dëmet mendore dhe arketipiale të thella, të ish-diktaturës, të strukturave të ish-diktaturës në këtë fushë, që shpesh ngrejnë kokë në një formë ose në një tjetër në planin menaxherial, edukues biles edhe ideologjik e gjeokulturorë. Periudha e diktaturës si më e errëta në historinë tonë, ka bërë dëme artistike e psikologjike deri klinike krahas krimeve të pashembullta njerëzore, materiale, urbane dhe ekonomike . Me të vërtetë jo cdo pjesë, vepër e artit serioz muzikorë, këngë e krijuar në atë periudhë dhe vepra arti kanë qenë të “këqija”, pa shije dhe nuk kanë patur vlera. Sipas eksperiencës të vendeve ish-komuniste pas viteve 90-të, këtë lloj arti e kanë futur në muzeume dhe arkiva e D.V.D, vetëm si dëshmi dhe për ta studjuar, pavarësisht se kanë patur sisteme politike-sociale disa here më liberale se tek neve. Sistemet diktatoriale në ish-lindjen komuniste nuk kanë “krijuar” tamam art të vërtetë, muzikë të vërtetë, po sjell një shembull Azebajxhanin ish-republikë e B.S., p.sh. me kompozitorin e madh me njohje ndërkombëtare Gara Garajev që ishin të mbështetur mirë në shkollën e vërtetë ruse dhe kanë kulturë ruse se flasin rusisht, por edhe arti i tyre ka patur kufizime emocionale, shprehëse, dhe domethanse, dhe të identitetit kulturorë, kur dihet se mbas vdekjes së Stalinit filloi liberalizmi në art dhe muzikë nga Nikita Khrushchev në ish-B.S. Vetëm George Enesku dhe ndonjë kompozitor tjetër në Rumani, (kur dihet se rumunët ishin më liberal dhe properëndimorë, pa përmendur emra të tjerë kompozitorësh në ish-lindje) violinist, kompozitor i shekullit të 20-të që studjoi dhe punoi në Francë, la pjesë, vepra me një gjuhë muzikore ndryshe e që kishin kuptim dhe luheshin në perëndim në auditore ku zhvillohej dhe promovohej kjo lloj gjinije. Hungaria dhe Polonia, ish-Cekosllavakia edhe ish-Jugosllavia në periudha dhe rryma artistike të caktuara, kanë qenë gjithmonë “modele” të tjera, pasi kanë qenë më afër ndikimit perëndimorë në fushën e muzikës dhe zhvillimit shoqëror dhe kulturor. Shumë krijues të mirëfilltë të muzikës serioze në ish-lindje, lanë vendet e tyre dhe e zhvilluan aktivitetin e tyre në Sh.B. A. Një shembull shumë tipik është edhe kompozitori dhe pianisti hungarez post-modern me famë botërore Georgy Kurtag. Në fakt në disa vende të ish-lindjes filluan të luheshin dhe krijoheshin një seri rrymash të reja në muzikë që mbas viteve 70-80. Biles edhe tek neve, mbas viteve 80-të patën shkëmbime eksperiencash në fushën e pedagogjisë dhe interpretimit muzikorë me Konservatorin tonë, muzikantë dhe profesorë nga Rumania, që shquheshin për një lojë dhe një mendim krejtë tjetër muzikorë. Po fusha që cenzurohej dhe kishte ndikime më shumë ndikime nga ish-dikatatura, ishte krijimtaria e muzikës, kritika muzikore, muzikologjia dhe kompozimi. Pra si ka mundësi tek neve në diktaturë, të zhvillohej një muzikë e vërtetë serioze dhe e lehtë në planin krijues, që nuk ishte as ruse as perëndimore, as etnike, as moderne, por thjesht në shumë plane vetëm “politiko-urbane”, me disa përjashtime!? Natyrisht muzika e kohës krijohej mbi harmoni të caktuar klasike ose romantike kishte një program dhe gjuhë muzikore të caktuar dhe natyrisht ka gjetur vend në auditoret tona dhe është vlerësuar nga kritika në formë subjektive dhe politike dhe publiku vendas. Ky lloj arti “politiko-urban”, pa shumë ndjenja dhe mendim artistik, ka patur ndonjë gjykim dhe kritikë “empirike” nga studjues të caktuar të huaj të kontrolluar nga ish-diktaura, që nuk kanë qenë shpesh shumë të interesuar të japin vlerësime të sakta. Në fakt muzika shqiptare e ish-dikaturës ka nevojë pë një rivlerësim dhe studim më serioz në të gjitha aspektet, formë, melodi, harmoni, rritëm, tekst muzikorë dhe natyra e saj psikologjike e mbi të gjitha gjuhësore, antropologjike, filozofike, domethanjet, historia dhe mesazhi i saj. 1.Aspekti politik dhe muzikologjik , propagandistik dhe komunikativ. Muzikologjia aplikative dhe muzikologjia tradicionale, metodat në studimin dhe analizimin e muzikës shqiptare. Muzikologjia aplikative studion fusha si semiotika dhe terapia e muzikës. Semiotika e muzikës e studion muzikën si gjuhë, si gjuhë jo-verbale. Studimet gjuhësore për muzikën kanë dhënë përgjigje që e deshifrojnë dhe dritësojnë artin e muzikës, e bëjnë më të prekshëm dhe të kuptueshëm i japin vlerat e vërteta . Nëpërmjet studimeve gjuhësore, semiotike të muzikës do të vërtetohen edhe “vlerat” e artit tonë muzikorë serioz në periudhën e ish-diktaturës, me mjete shkencore analitike gjuhësore, psikologjike dhe antropoligjike dhe kemi mundësi të eleminojmë antivlerat. Studimet gjuhësore për muzikën të Eero Tarasit kanë krijuar mundësi të reja shkencore për studjuesit e muzkologjisë aplikative, e cila i bën “analizën” linguistike, patologjike dhe mendore, kognjitive të muzikës. Por tek neve ka ndodhur shpesh krejt e kundërta në vitet e tranzicionit. Individë, muzikantë, krijues, interpretues, kritikë të interesuar për këtë muzikë, krijimtari, janë shumë “kokëfortë” në ruajtjen e këtyre “vlerave shpesh të diskutueshme” edhe në fushën e muzikës. Me të vërtetë krijuesi, kompozitori, kantautori i këndon atdheut, nënës, natyrës, dashurisë, njerëzve, jetës edhe në diktatura, por mesazhi i këtyre temave dhe teksteve muzikore e letrare nuk mund të ketë të njëjtin efekt në të gjitha periudhat e zhvillimit politik e shoqërorë si pasojë e kufizimeve shpirtërore, emocionale dhe shprehëse që transmetojnë dhe propagandojnë vetë diktaturat. Diktaturat nuk kanë shpirt dhe e eleminojnë botën shpirtërore. Si ka mundësi të mbijetojë një muzikë me kufizime shprehëse dhe shpirtërore, megjithë tentativat e caktuara të disa krijuesve që ishin në vëzhgim të plotë nga institucionet besnike të ish-dikataturës, në “sitën” e saj me vrima shumë të “vogla”. Bota kuptimore për muzikën ka një rëndësi të madhe dhe specialistët, kritikët nuk duhet të ndikohen nga emocionet e krijuara tek publiku në një moment të caktuar dhe të merret si shembull i vërtetë dhe “kryemodel”, artist ose vepër, ose simbol një autor i caktuar ose vepra e tij. Neve me të vërtetë nuk duhet të eleminojmë dhe “hedhim poshtë” cdo gjë nga e kaluara, pasi është pasuri kombëtare dhe individuale, njëlloj seleksionimi është bërë, por kombet e qytetëruara, marrin vendime “elitare” dhe nuk i lejojnë emocionet ose strategji të caktuara në një fushë të caktuara sic është muzika, të kenë hapsira në cdo kohë dhe të ekzistojnë në cdo kohë, së paku në planin teorik dhe kritik. Mgjithëse arti ka natyrën e vetë ekzistencës, por kritika ka mision tjetër më elitarë, selektiv, sistematik, krahasues dhe diferencues. Kritika nuk analizon ose “penalizon” krijuesin, por veprën domethanjet e veprës, të muzikës. Në këtë kontekst kritika ka qenë shpesh subjektive, e paaftë dhe konformiste për vlerat e vërteta të muzikës serioze dhe të lehtë në kohën e diktaturës. Pë hir të shumë lidhjeve dhe “borxheve” të krijuara nga diktatura, individuale ose grupore, (mbasi vetëm diktaturat krijojnë edhe “detyrime njerëzore”), nuk kanë kritikuar artin muzikorë të keq, pa domethanje, si në muzikën serioze dhe në atë të lehtë dhe nuk kanë qenë të “aftë” ta simbolizojnë, “dritësojnë”, promovojnë artin tonë etnik, ta bëjnë të kuptueshëm dhe të prekshëm. Për ta konkretizuar, po sjell një shembull pasi neve kemi një muzikë polifonike të mrekullueshme e që është investuar shumë për të dhe një muzikë folklorike të veriut po mitike, të cilave shpesh ju mungojnë domethanjet, promovimi dhe njohja, e që duhet të punohet shumë në këtë drejtim me metoda të reja dhe ekperiencat e vendeve të zhvilluara në fushën e etnomuzikologjisë. Etnomuzikologjia e jonë duhet të studjojë gjithashtu pasurinë shpirtërore të shqiptarëve kudo që janë, në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi dhe Camëri. Në këtë kontekst është i domosdoshëm studimi i polifonisë antike dhe i artit natyral të veriut. Ndoshta koha bën të vehten dhe kjo pasuri do të fitojë simbolika që transmetojnë mesazhe të qarta të mendjes dhe shpirtit tonë, të japin një kuptim të caktuar artistik, si për studjuesit ashtu edhe për publikun perëndimorë e lindorë. Në diktaturë artit të vërtetë etnik ju bë gjithashu një dëm i madh pasi shpesh u politizue, u kthye në art urban duke i hequr “natyralitetin” dhe “antikitetin”, që ëshë edhe baza e formësimit të tij. Në antikë është krijuar arti natyral, Eko-arti. Shpesh festivalet folklorike të Gjirokastrës dhe aktitvitet për promovimin e folklorit u patën kthyer në tribuna politike se sa skena ku promovohej muzika jonë etnike natyrale biles edhe antike, që ka shumë vlera që përfaqësojnë shpirtin dhe mendjen tonë si komb. Në këto aktivitete cenzurohej folklori dhe muzika etnike e shqiptarëve nga Kosova, e shqiptarëve nga Mali i Zi dhe Maqedonia dhe as që bëhej fjalë për kulturën dhe muzikën came. Edhe në këtë gjini prania e strukturave të ish-sigurimit të shtetit ishte e pranishme, por jo direkt, por me emisarët e saj në komitetin e partisë dhe në atë ekzekutiv. Po përmend gjithashtu, ansamblin e shtetit që promononte kulturën tonë shpirtërore në muzikë dhe valle, me qëllim propagandën për ish-Partinë e Punës dhe në cdo grup që dilte jashtë shtetit, njeriu i ish-sigurimit të shtetit ka qenë gjithmonë i pranishmëm, si në planin artistik ashtu edhe në atë politik. Kështu ka funksionuar me të gjitha grupet artistike të kohës, si në dramë dhe muzikë. Në fakt artistët dhe valltarët kanë bërë të pamundurën me talentin dhe pasionin e tyre, për të tregur vlerat e vërteta e artit dhe valleve tona. Megjithatë ajo që iku iku, duhet ti drejtohemi një paradigme tjetër artistike edhe muzikore, pasi jetojmë në një shekull të ri dhe në një sistem i cili mbështetet në vetëkontrollin, pavarësinë e individit në të gjitha fushat si në planin emocional, krijues dhe artistik. Arti dhe vecanërisht muzika kanë rëndësi të madhe në formimin dhe edukimin njerëzorë të individit. Muzika nuk ka vetëm mision artistik dhe estetik. Ajo ka një mision social, psikologjik, formues të rëndësishëm në një shoqëri njerëzore. Ish-sigurimi në vendet e ish-lindjes në kulturë. Shërbimet sekrete në vendet e ish-lindjes kanë qenë disa herë më liberale dha kanë patur qëndrime ndryshe krahasuar me neve, para viteve 1990. Megjithatë edhe ato kanë qenë institucione që kanë përfaqësuar dhunën dhe partinë në pushtet dhe i kanë bërë dëme botës shpirtërore të këtyre kulturave. Edhe për kulturën dhe artin, muzikën ka patur departamente të vecanta, që kanë vëzhguar artin dhe muzikën, megjithëse në këto vende ato kanë qenë shumë më liberale se tek neve dhe nuk kanë ndikuar “thellë” në të brëndshmen e muzikës, rryma të reja dhe në vlerësimet e specilalistëve të fushës. Në këto vende reformat në këtë fushë janë bërë që në 10-vjecarin e parë mbas viteve 1990-të ose më shpejt, mbasi e kanë pasë më të lehtë, falë liberalizmit në etapa të caktuara. Ka qenë shumë më e moralshme p.sh., për ato që kanë punuar për Stasin, në ish-Gjermaninë lindore që e kanë deklaruar aktivitetin e tyre, në të gjitha fushat, dhe misionin e tyre në Stasin, shërbimi sekret gjerman edhe në propagandë dhe kulturë. Por disa individë të caktuar tek neve, që qëndrojnë të “fshehur” dhe biles komandojnë edhe sektorë jetik si ekonomia e kanë punuar për ish-sigurimin, nuk është e moralshme e sidomos në fushën e artit dhe muzikës që është një fushë shumë e brishtë të kenë pozicione edukuese, menaxheriale dhe artistike. Ka patur shumë individë tek neve që kanë qenë anëtarë të ish-sigurimit të shtetit edhe në fushën e artit dhe muzikës, para viteve 1990. Ky është një fakt i pamohueshëm që e vërteton mënyra e funksionimit të këtyre institucioneve në diktaturë dhe eksperienca. Po sjell një shembull pak ekstrem, më agresiv ne disa raste, (si rezultat i injorancës dhe ideologjizimit të tyre deri në “palcë”), ka qenë ish-sigurimi ynë, karshi vlerave të vërteta tona shpirtërore dhe muzikës, se sa U.D.B-ja që cenzuronte me projekte, forma operative dhe deri klinike, vlerat shpirtërore të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Kurse në R. D. Gjemane, me të vërtetë “Stasi” punonte për ish- sistemin komunist, por kur bëhej fjalë për kulturën shpirtërore gjermane, oficerët e këtij shërbimi nuk bënin lëshime. Ato ruanin me fanatizëm vlerat shpirtërore të kulturës gjermane, muzikën, letërsinë. Në një artikull kam lexuar se ishte “fat” që një krah i “Stasit”, punonte për ruajtjen e identitetit shpirtërorë gjerman, pavarësisht ideologjisë dhe ndikimit dhe censurës ruse në këtë shërbim. Dëmi që i ka bërë ish-sigurimi i shtetit artit dhe muzikës. Ish-sigurimi i shtetit është i njohur për krimet e tija në periudhën e diktaturës në Shqipëri para viteve 90-të. Strategjia e sigurimit të shtetit kishte në objektivat e tij edhe artistët, shkrimtarët, poetët, përkthyesat, piktorët dhe në njëfarë mënyre edhe muzikantët. Strategjitë kriminale të ish-sigurimit ishin më agresive në etapa të caktuara se drejtuesit politik të Partisë së Punës dhe në komitete ekzekutive për dy arësye: E para ishe se P.P.Sh kishte objektiva të qarta për cenzurimin dhe kontrollin e plotë të artistëve pasi i konsideronte si një fushë të rëndësishme, pasi i interesonte të bënte politikën dhe propagandën e saj dhe e ngarkonte ish-sigurimin me misione, të cilat shpesh edhe keqinterpretoheshin nga ky institucion. E dyta ishte se anëtarët e sigurimit të shtetit ishin individë pa formim, edukim dhe qytetari dhe shpesh ndoshta edhe si pasojë e formimit dhe profilit të tyre të ulët kryenin krime karshi artistëve dhe grupeve të tjera, pasi nuk e ndjenin dhe përceptonin artin si gjini. Natyrisht ish-sigurimi i shtetit përdori shumë artistë kundër njëri tjetrit. Sigurimi kishte edhe përfaqësuesit e tij nëpër institucione, të kulturës dhe muzikës, të cilët informonin sistematiksisht për individë të cilët prezantonin element kundërshtarë të rregjimit dhe të sistemit në fushën e muzikës dhe të artit. Në fakt ish-sigurimi dhe institucionet përkatëse, nuk i vinin shumë rëndësi muzikës, pasi për ato, gjuha e shkruar, drama, letërsia, poezia, artikujt e gazetave, media e shkruar kishin ndikim më të madh tek masa e njerëzve. Muzika cenzurohej në planin shprehës, melodi, rritëm dhe mbi të gjitha kontrolloheshin tekstet, mbasi gjuha e shkruar sipas tyre, ndikonte më shumë se ajo e muzikës. Kaq ishte niveli intelektual i disave që nuk ishin në gjendje të kuptonin dëmin që bënte teksti muzikorë, mesazhi i keq që transmetonte muzika e kohës ose nëntekstin e tekstit muzikorë që ironizonte ndonjëherë sistemin diktatorial. Muzika ëshë si gjuha e folur. Duhet të dish kodin dhe të kuptosh mesazhin e kësaj gjuhe. Ky është edhe pretendimi im, në planin komunikativ dhe shijen e muzikës. Shija që kishte muzika e kohës ishte shumë e “keqe”, pothuajse i mungonte krejt dhe nuk jepte mesazhe positive, jo në të gjitha rastet. Në një aspekt tjetër, artistët, muzikantët përdoreshin kundra njëri tjetrit në diktaturë, kështu shprehej një muzikolog para disa vitesh, pasi përdoreshin egot dhe ambiciet artistike muzikore, për realizimin e “karrierës” në art dhe në muzikë, shkurt për arritjen e qëllimeve artistike. Sot këto personazhe, të cilët shpesh u përdorën nga diktatura si krijues dhe interpretues, na shiten si liberalë dhe “kërcënojnë” me qëndrimin e tyre, duke treguar paaftësinë e tyre në planin profesional dhe shpirtërorë në marëdhënjet që kanë patur me ish sitemin komunist dhe me artin dhe muzikën e kohës. Por dëmet e tyre kanë qenë të barabarta me krimet kundër individit se nëpërmjet artit, muzikës dhe letërsisë individit i shkaktohet një dëm klinik, pasi muzika dhe letërsia ndikojnë tek mendja dhe shpirti i njeriut. Unë jam studjues i muzikës dhe sot më intereson që muzika, të gjykohet në planin profesional, gjuha muzikore, teksti muzikorë, që ka patur ndikim negativ në botën shpirtërore të individit, në ritëm harmoni dhe melodi dhe domethanje se sa politikisht. Por edhe politika ka rrolin e saj në muzikë dhe art, sidomos në diktaturë, por jo gjithmonë. Muzika dhe roli i saj në periudha të caktuara në diktaturë. Diktatura komuniste e ka përdorur artin muzikorë në etapa të caktuara për qëllimet e vehta politike. Në 10-20 vitet e para deri në vitet 70-të, muzika e kohës ishte në shërbim të dikaturës dhe në fillimet e saja ishte e ndikuar nga muzika sovjetike me qëllime politike, revolucionare dhe fshatare shumë denigruese për individin. Pas viteve 70-72 vërehen disa linja të reja si në planin shprehës, rritmik dhe mesazhit muzikorë të cilave ju erdhi fundi me festivalin e 11-të që penalizoi shumë artistë dhe këngëtarë. Po citoj gazetarin Celo Hoxha që shkruan tek gazeta Standard për disa tituj këngësh të botuara në vitin 1946 për të kuptuar strategjinë që kishte diktatura në fillimet e saj në fushën e muzikës. Sipas artikullit del qartë qëllimi i propagandës së kohës për të ndikuar thellë tek mendja e njerëzve:” Titujt e këngëve, përcjellin një imazh dhune: britma, të vdekur (dëshmorët), funerale. Në 15 titujt nuk ka asnjë që përcjell dashuri, paqe, ose ndjenja të tjera më njerëzore”. Në fakt kjo logjikë dhe kjo gjuhë muzikore përdorej në vitet 1946, por edhe më vonë pavarësisht liberalizimit në fushën e muzikës, gjuha muzikore dhe teksti letrarë duhej ti përgjigjej sistemit komunist. Po citoj edhe njëherë gazetarin Celo Hoxha cfarë shkruan në gazetën Standard më poshtë: Në “Historinë e letërsisë shqiptare të realizmit socialist”, 1978 përmendeshin disa tekste të këngëve të mësipërme. Në këngët dhe në vjershat e pjesmarrësve të luftës shprehej hidhërimi për atdheun e robëruar dhe më poshtë këto këngë dhe të tjera ky tekst , i konsideronte si fondin e “letërsisë së revolucionarëve”. Tashti ky përkufizim duhet përshtatur pak si fondi i letërsisë së barbarëve.” Muzika si të gjithë artet e tjera e ka ndjerë mbi kurrizin e saj cenzurën e diktaturës në Shqipëri. Kompozitorët, krijuesit, instrumentistët dhe këngëtarët kanë qenë të vëzhguar nga institucionet e kohës dhe sidomos ish-sigurimi i shtetit që ka bërë kërdinë tek neve. Në fakt diktatura ka patur më tepër frigë fjalën, por edhe muzika e ka shqetësuar prandaj ka qenë shumë e interesuar që ta kontrollonte, “vëzhgonte” me levat e saja shpesh kriminale. Vitet 1946 deri në vitet 1970 kanë qenë vitet e dëmëve të mëdha në fushën e muzikës. Mbas festivalit të 11-të, filloi një histori tjetër e trishtë si në planin shprehës dhe emocional ritëm domethanje në fushën e muzikës. Në vite 80-të pati ndonjë lëvizje liberale të caktuar, por që ngelën të cekta. Ish diktatura krahas të gjitha fushave të jetës edhe në muzikë e kontrollonte situatën në cdo qelizë të shoqërisë. Ishin të ndaluara muzika me rritëm, orkestracionet me ngjyra dhe instrumenat të tillë si kitarra elektrike dhe saksi e tromba, harmonia dizonante dhe muzika intelektuale sic është ajo Jazz. Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve, “levë” e “Partisë së Punës” dhe e ish-sigurimit të shtetit. Para disa muajsh u hap një debat në media për bëmat e këtij institucioni të ish-diktaturës, i cili në përgjithësi ka luajtur një rol negative, jo vetën në nivelin artistik dhe shpirtëror të artit, por ka ndihmuar institiucionet e cenzurës për misionin e tyre. Prandaj është shumë i rëndësishëm rishikimi i të gjithë bëmave të ish-sigurimit në art, muzikë dhe kulturë, me qëllimin e mirë, pastrimin dhe dhënien vendin që meriton gjithsejcili dhe lidhjen që ka patur ish-sigurimi i shtetit me ish-lidhjen e shkrimtarëve me drejtuesat e saj dhe muzikantët dhe artistët që kanë punuar për ish-sigurimin. Integrimi i Shqipërisë në B.E, nuk mund të realizohet pa dekomunistizimin plotë të shoqërisë shqiptare si në planin moral dhe në atë shpirtërorë. Cështë më e keqja falë dashamirësisë njerëzore ose kontekstit ku jetojmë dhe sistemit demokratik dhe kulturës dhe lidhjeve tona, këto individë duan që me të gjitha mjetet të jenë edhe sot “dikushi” dhe të kenë edhe rrole të caktuara lideri si në planin shoqërorë, artistik, edukues, kritik në fushën e muzikës. Nga një përfundim i përciptë, edhe sot më rezultojnë individët më të paaftë, më të patalentuar dhe nganjëherë pa dipllomat përkatëse, të cilët përdorin format dhe lidhjet e ish-sigurimi për të “mbijetuar” në art dhe muzikë dhe kulturë. Po sjell një shembull shumë domethanës kur një prej kompozitorëve tonë më të shquar dhe të talentuar Prenkë Jakovës, i bënte presion sigurimi i shtetit, biles me njerëz që konsideroheshin të afërt të tij. Sot këto individë kanë gjetur mënyra pë të qenë “mbrojtësit” më të mëdhenj të artit të Jakovës, po harrojnë arti Jakovian nuk ka nevojë pë ndihmë, ai ekziston, ky është edhe mendimi i specilalistëve të huaj. Asht eko-art, art natyral ndër të paktët që na jep kuptim qënies dhe identitetit tonë si komb dhe Shkodrës si qytet. Kur dihet që kompozitorë me emër, në fushën e tyre, biles edhe të talentuar dhe nganjëherë mjaft profesionistë në fushën e muzikës ose ishin leva të partisë miq të afërt të Ramiz Alisë ose Enver Hoxhës, biles Nexhmije Hoxhës në Frontin Demokratik. Nuk është etike të përdorësh emra, pasi njerëzit e fushës së muzikës i njohin kush janë, por këto individë me qëllim ecjen në art, muzikë ishin të afërt të strukturave më të larta të ish-Komitetit Qëndrorë dhe natyrisht kanë patur një mision dhe ndikim shumë të rëndësishëm në atë periudhë në fushën e muzikës. Prandaj studjuesit e vërtetë duhet të studjojnë gjuhën muzikore të muzikës serioze dhe të lehtë të kohës së dikaturës, të përdorur në atë kohë, pasi kjo gjuhë e cila nuk ka domethanje ka ndikim të keq edhe sot. Gjithmonë kjo kritikë duhet të jetë profesionale dhe pa tendenca pa u futur në planin politik, personal, vetëm në atë profesional. Ramiz Alia në vitin 1988-1990 kërkoi të antarësojë anëtarë partie muzikantë dhe shkrimtarë dhe artistë. Në fakt disa e patën pranuar këtë propozim se sic duket ja kishin “borxh” atij dhe sistemit për një arësye dhe një tjetër. Jo vetëm në Tiranë por edhe nëpër rethe Ramiz Alija kërkoi që të bënte anëtarë partie nga rradhët e muzikantëve dhe shkrimtarëve. Nuk ishte e rastit që një muzikant nga Shkodra bëhët anëtarë i Komitetit Qendrorë në 1991 dhe një kompozitor dhe një shkrimtarë nga Shkodra kandidohen për deputetë në vitin 1991, për Frontin Demokartik të Ramiz Alisë. Eshtë e cuditshme më vonë ato drejtuan institucione artistike si “demokratë” dhe “liberalë” në Shkodër ose janë të preferuarit e ndonjë politikani të lartë sot. Para disa ditësh në gazetën Standard u botuan disa materiale, ku lexova për dëmet që i kanë shkaktuar kulturës shqiptare dy pseudo artistë, Dhimitër Shuteriqi dhe Janaq Paco e më vonë ndonjë tjetër. Më vjen turp që ju përmendi emrat këtyre pseudoartistëve, pasi nuk është mirë të kthehemi prapa, por kur lexon dokumentat në arkiva që vertetojnë dëmet që i kanë bërë artit e kulturës në periudhën e diktaturës, në fillimet e saj në vitet e tmerrshme 46-48, e në vazhdim, së paku një reagim për të kujtuar bëmat dhe dëmet e tyre, shpresoj se do ti bëjë së paku të skuqen ato, nëse jetojnë ose fëmijët e tyre. Ato ndoshta jo shumë të ndërgjegjshëm i kanë bërë dëme të mëdha në planin shpirtërorë dhe material artit e kulturës. Dhe më qesharake është kur na janë ofruar si intelektualë dhe akademikë. Së paku fëmijët e tyre, që sot mbajnë edhe pozicione edukuese dhe elitare në nivele të larta në fushën e muzikës, kritikës, artit biles edhe politikës, duhet të skuqen për dëmet në fushën shpirtërore që i kanë bërë këtij vendi e jo të krekosen si të ditur e të formuar intelektualisht se akoma ekzistojnë me hijen e këtyre prindërve që kanë bërë dëme fushës së kulturore dhe shpirtërore këtij kombi. Por sic duket në Shqipëri është pak e vështirë të kontestosh punën dhe veprën e prindit tënd, biles edhe të kushëririt. Në historinë botërore ka patur shembuj ku fëmijë, nipa dhe mbesa së paku janë distancuar nga dëmet që kanë bërë prindërit e tyre kombit dhe njerëzimit në diktatura të ndryshme. Letërsia, poezia drama, kishin më shumë rëndësi për propagandën se muzika dhe piktura. Ish-sigurimi i shtetit dhe sektori i propagandës dhe kulturës në komitetet e partisë dhe në atë ekzekutiv ishte shumë i interesuar për cenzurimin e krijimtarisë në letërsi, dramë se sa në muzikë dhe pikturë. Sic duket gjuha e shkruar dhe e folur kishte më tepër ndikim se ajo jo-verbale sic është muzika dhe piktura. Në fakt sot në botën post-moderne, ka më tepër forcë muzika se letërsia. Kujto këngëtaret e dënuara ruse të grupit Pussy Riot nga sistemi autoritarë i Putinit, se e kritikuan me muzikën e tyre në një kishë për mungesën e demokracisë atë dhe për keqpërdorimin e opozitës ruse. Reagimi politik opozitarë me artin muzikorë në këtë shekull tregon qartë simbolikën që ka muzika në planin social, politik dhe kuptimorë, ndikimkin që ka ajo sot mbi subjektin individin dhe shoqërinë. Muzika në të ardhmen do ja kalojë edhe gjuhës dhe letërsisë në planin shprehës, komunikativ, dhënien e mesazhitdhe kurues. Kjo hipotezë është e lidhur me “prioritetin” e muzikës edhe mbi gjuhën e folur dhe të shkruar, sic pretendon Middliton, shkencëtarë i gjuhës. “Ka argumente të fortë, që muzika zë një botë semiologjike, (shkenca e shenjave), e cila në të dyja, nivelin ontogjenetik (zhvillimi) dhe filogjenetik, ka një prioritet mbi gjuhën verbale” (Middliton,1990) . Po ju sjell një shembull intersant ku fituesi i cmimit Nobel Tomas Transtromer përdori terapinë e muzikës për të ndikuar tek gjuha e shkruar e tij, romani i tij. Muzika ka një ndikim të madh edhe tek poezia, gjuha dhe letërsia Ish diktatura duke mos i vënë shumë “rëndësi” muzikës, ishin të interesuar të cenzuronin vetëm këngët që vinin nga perëndimi, Italia, Amerika, Anglia dhe ish-Jugosllavia. Sektorët e propagandës dhe kulturës në komitetin ekzekutiv kontrollonin me imtësi cdo tendencë në planin ekspresiv, rritëm dhe orkestracione të cilat nuk i interesonin diktaturës rryma të reja në muzikë si Rock and Rroll dhe Jazz. Natyrisht “reprezaljet” më të mëdha në muzikë u bënë në festivalin e 11-të dhe më pas me masat e marra nuk patën nevojë të godisnin ndonjë etapë tjetër. Kujto dënimin e Sherif Merdanit dhe Francesk Radit dhe burgosjen e baritonit Luk Kacaj dhe dirigjentit të korit Milto Vako , etj, pa asnjë arësye, me akuza fallso, për ti ba shembuj, në fushën e muzikës. Megjithatë në fushën e muzikës nuk tentuan të godasin më tepër pasi nuk mund të konstatohet ndonjë rast esktrem tjetër. Muzika nuk i “shqetësonte” shumë diktaturën. Muzika serioze përdorte një gjuhë shumë realiste gadi urbane kurse në muzikën e lehtë nuk konstatohej ndonjë reagim opozitarë, të mirëfilltë dezident. Po sjell një shembull ku në muzikën serioze mbas viteve 70-të, vetëm në ish-Jugosllavi shkruhej muzika moderne “minimaliste” e Philip Glass dhe e kompozitorëve post-modernist, biles edhe në Kosovën e shtypur e të përdhnuar politikisht, etnikisht dhe kulturalisht, biles edhe në nivelin klinik e mendorë. Kurse tek neve vepra më “moderne” e luajtur në Dekadën e Majit në fillim të viteve 80-të, ishte “Kasollja e Galigatit”, e që i kushtohej Enver Hoxhës, me një gjuhë muzikore disi ndryshe, por me tekst dhe nëntekst muzikorë muzikorë që i bënte lavde, udhëheqësit të partisë. Kishte vetëm ndonjë tentativë “liberale”, që kontrolloheshin dhe lejoheshin vetë nga propaganda, me përfaqësuesat e saj në komitetin e partisë, atë ekzekutiv dhe në ish- sigurimin e shtetit. Po ju sjell një shembull të kohëve të fundit me krijuesin Florent Boshnajku dhe Rona Nishliu, më këngën Suus, treguan superioritetin artistik, kuptimorë dhe emocional të muzikës, (kur e dimë që kanë jetuar në një republikë të ish-Jugosllavisë ku përdoreshin metoda represive nga serbët kundër shqiptarëve nga Kosova për ti larguar nga tabani kombëtarë), me këngët tona të prezantuara në festivalet e mëparshme Europiane, të cilat nuk kanë patur vlerësim artistik pozitiv dhe kuptimorë nga specialistët e fushës në kë aktivitet. Përjashto këngën e Anjeza Shahinit dhe ndonjë tjetër. Krahasime mund të bëhen edhe me krijues të muzikës serioze nga Kosova që nuk kishin ndikimet tona ideologjike dhe artistike para viteve 90-të, po mënyra e të konceptuarit e muzikës së tyre është më domethanse në disa plane se muzika serioze tek neve që u krijua në diktaturë dhe ishte e ndikuar nga modelet dhe nivlet më të ulta në ish B.S., mgjithëse nuk duhet hedhur e gjitha poshtë, mbasi ka modele dhe nivele të mira. Periudha e dikaturës ishte ndër më të errëtat në historinë tonë. Ajo ndikoi thellë si në planin shoqërorë dha të material e moral. Pror dëmi më i madh ju bë mendjes dhe shpirtit, nëpërmjet artit dhe muzikës së kohës. Do të ishte e moralshme, logjike, kohore dhe profesionale që studjuesit, media e shkruar dhe vizuale të përshkruanin, analizonin, por mbi të gjithë studjuesit dhe kritikët e rinj të muzikës, të të studjonin, analizonin dhe krahasonin me shembuj konkretë atë muzikë e cila ka ndikuar për të keq në planin psikik dhe artistik tek individët në kohën e diktaturës. Ky studim nuk duhet të ketë qëllime denigruese, për artistë dhe individë të caktuar ose këngë e vepra të caktuara të muzikës serioze. Studimi duhet të analizojë me mjete dhe metoda shkencore, biles edhe virtuale dëmin që arti, muzika dhe kultura e para 90-tës i ka bërë njeriut, mendjes dhe shoqërisë tek neve. Studiuesit dhe media e kanë për detyrë që të gjejnë dokumenta të cilat vertetojnë dëmet e ish-diktaturës dhe të levave të saj, ish-sigurimi i shtetit dhe lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve, për tiu treguar brezit të ri ndikim që kanë pasë në muzikë dhe art para viteve 90-të. Ky debat do ti shërbejë të vërtetës dhe ndërtimit të politikave të reja për edukimin muzikorë dhe shijet muzikore, në këtë 100 vjetorë të pavarësisë dhe në prag të integrimit tonë në Europën e lirisë, muzikës, ekonomisë dhe artit. Në fushën e muzikës dhe letësisë në diktaturë nuk kemi patur modelet e piktorëve si Ibrahim Kodra dhe Lin Delia që u edukuan në perëndim. Fatëkeqësisht në periudhën e diktaturës tek neve në fushën e muzikës dhe letërsisë nuk kemi patur modelet e Ibrahim Kodrës dhe Lin Delisë, dhe të ndonjë krijuesi dhe studjuesi në Kosovë, që kanë krijuar dhe janë formuar totalisht në një botë tjetër politike dhe shoqërore, në një sistem tjetër vlerash, për të bërë krahasime. Vepra e këtyre artistëve tregon qartë nivelin artistik, botën shpirtërore, emocionale, imagjinare dhe komunikative të artit të tyre, thelbin e artit të tyre krahasuar me pikturën tonë para viteve 90-të. Edhe në këtë plan ish-sigurimi i shtetit dhe ish regjimi komunist, me levat e tyre, kanë paguar shuma të mëdha që të mos kishte artistë të larguar shqiptarë të letërsisë dhe muzikës me nivel të lartë në perëndim, se i bënin dëm të madh rregjimit. Në fushën e muzikës dhe letërsisë kemi patur modele dhe artistë të formuar vetëm në ish B.S, biles shpesh edhe me rezultate dhe arritje të dyshimata, pavarësisht artit të tyre, kontributit, muzikës dhe letërsië më vonë në diktaturë, që ja vlerësonte diktatura vetëm për qëllimet e saja, por që në realitet kanë patur edhe një nivel të caktuar artistik. Në muzikë edhe në letërsi në diktaturë vepra e artistëve tonë konkurronte vetëm me vehten dhe i shërbente sistemit politik të kohës. Vetëm mbas viteve 80-të disa studentë të muzikës studiuan në Rumani dhe shumë më vonë ndonjë në Itali rreth viteve 1987. Ky fakt mund të jetë një argument që duhet marrë në konsideratë, për studjuesit dhe muzikologët aktualë për një analizë më të hollësishme dhe më shkencore. 3.Aspekti psikologjik muzikorë Muzika në dikaturë ka bërë dëme mendore, sjellore, kuptimore dhe kognjitive, estetike dhe filozofike. Një pjesë e konsiderueshme e muzikës serioze dhe të “lehtë”, asaj etnike (popullore), në ish-dikaturë krahas dëmit artistik, psikologjik, edukativ dhe formues, ka bërë dëme mendore, sjellore, kuptimore dhe kognjitive, kreative, estetike dhe filozofike. Muzika e kohës ndikoi thellë në planin mendorë, duke mos e lënë individin të mendojë dhe meditojë për të krijuar individualitetin dhe personalitetin, shpesh duke e shqetësuar, me ritmin, harmoninë dhe meloditë e saj pa shumë kuptim dhe me një “optimizëm” fallco jo natyral. Melodia, harmonia, rritmi, që do të thotë muzika vihej në shërbim të qëllimit politik dhe shprehte mungesën e lirisë personale dhe individuale. Ky lloj arti pa emocione ka ndikuar thellë tek mendja njerëzore dhe natyrisht ka ndikuar edhe tek sjelljet. Muzika marciale p.sh. e organizon individët e grupeve të caktuara, shtresave, moshave dhe gjendjeve të caktuara sociale, për të krijuar idenë e rregullit dhe uniformitetin në planin mendorë e sjellorë. Marshet kanë qëllime artistike, por edhe psikologjike e mendore dhe sociale. Marshi është një zhanër muzikorë, me rritëm të fortë të rregullt që luhet nga banda muzikore. Në muzikën serioze kanë shkruar marshe p.sh. Wagneri në shekulli 19-të, “Marshi i simfonisë heroike” të Bethowenit, marshet e Shubertit, “Marshi i vdekjes së Saulit” nga Georg Handel, etj. A mund të krahasohen këto kryevepra të literatures botërore si strukturë, formë dhe mesazh muzikorë me marshet partizane të kompozitorëve të ish-luftës nacional clirimtare dhe marshet e ushtrisë sovjetike dhe kineze të kohës, pa ndjenja njerëzore, me ritme të cilat i kanë bërë dëm psikikës mendjes njerëzore dhe kanë luajtur rolin e kundërt të rregullit dhe interpretimit të emocioneve marciale?! Marshet muzikore tek neve në periudha të caktuara nuk patën të njëjtin rrol dhe ndikim si marshi klasik tradicional në historinë e e muzikës. Ato ja ndrydhën sjelljen dhe ndjenjat idividit, biles ndikuan në të kundërtën e rregullit në kaos. Ato edukuan një “rregull të detyruar” jo natural, që më vonë në liri u kthyen në “kaos” sjellorë e mendorë total, krahas elementëve shoqërorë, psikologjik dhe sistemit politik. Sipas studjuesve të natyrës patologjike dhe klinike të muzikës, muzika ndikon njëlloj si seksi dhe ushqimi mbi sitemin neuro-vegjeativ. Këtë teori e mbrojnë teoricientët e terapisë muzikore. Duke ndikuar në sistemin neuro-vegjeativ, muzika ndikon direkt tek mendja dhe sjellja sikurse ushqimi dhe seksi. Muzika serioze dhe ajo urbane ndikoi shumë në përgjithësi në ish diktaturë, edhe tek bota emocionale dhe kuptimore e individit. Dëmet kognjitive janë demet direkt të mendjes, dhe procesit mendorë si përceptimi, memoria, gjykimi, arsyetimi që kontrastojnë me proceset emocionale dhe volitive, dëshirore. Në këtë plan përvec se muzika e keqe e kohës ndikonte tek mendja, ajo ndikonte tek përceptimi i fenomeneve shoqërore dhe sjellore, veshja dhe krijimi i raporteve, gjykimi i fenomeneve, emocionet e individit, dëshirat dhe komunikimi e tij. Po ku bëhej fjalë për të bukurën në art!? Muzika e kohës kishte si simbol dhe qëllim partinë dhe ish dikatatorin dhe grupin “kriminal të ish-byrosë politike. Muzika e kohës ishte shumë larg me natyrën së bukurës, shijes së mirë e të kultivuar dhe intelektuale sic e ka muzika klasike apo Jazz, krjimit të muzikës të vërtetë të bukur, ku të prezantoheshin gjykimi, arsyetmi, ndjenjat e individit dhe shija e tij. Muzikës së kohës i mungonte totalisht filozofia, realiteti, ekzsistenca, dija, vlerat arësyeja mendja dhe gjuha. As që bëhej fjalë për mesazhe filozofike, përvec dialektikës marksiste. Ku mund të ketë filozofi një këngë për traktoristin, minatorin, partizanin, grurin, fabrikën, “vdekjen”, fitoret e socializmit, etj, Si përfundim si mund të quhet art muzikë e mirëfilltë, një art të cilit i kanë munguar të gjitë këto elemtë shumë rë rëndësishëm, të cilat kanë një rrol të madh për dhënjen e mesazhit muzikorë. Pos sjell një shembull kur në vite 89-90-të u luajt opera “Borana” me temë nga lufta nacional-clirimtare, e një kompozitori të njohur që ishte një katastrofë artsitike, muzikore, mendore dhe politike. Si përfundim ky lloj arti muzikorë ka qenë i pranishëm deri në “grahmat e fundit” të sistemit, e që nuk janë shumë vite vetëm rreth 20 vjetë. Melodia, Ritmi dhe Harmonia në muzikën e ish-diktaturës. Muzika e kohës së ish-diktaturës si të gjithë arti muzikorë në përgjithësi, përdorte një rritëm, melodi, harmoni të caktuar për të krijuar muzikën e kohës. Ritmi është përcaktuar si lëvizje me elemetë të fortë dhe të dobët. Ritmi pretendojnë antropologët e ka cuar individin, njeriun primitiv në këmbë. Ritmi ndikon në planin psikik, mendorë dhe në frymëmarrje. Ritmi i pjesëve muzikore në ish-dikataurë ishte i thatë, pa sinkopa, pa thyerje, statik pa jetë, i keqinterpretuar dhe pa ndjenja, jo me vazhdimsi. Ritmet popullore ishin të cenzuruara dhe lejoheshin vetëm ato rritme që i shkonin përshtat diktaturës, që nuk jepnin mesazhe dhe kishin “frekuenca” të cilat nuk tarnsmetonin lëvizje dhe zhvillim mendorë, shpirtërorë e jetësorë. Harmonia në muzikë është përdorimi i akordeve, toneve, ngjyrave, notave. Studimi i saj përfshin akordet dhe principet e lidhjeve të tyre. Harmonia i referohet shpesh aspektit “vertikal” në muzikë. Harmonia e muzikës e përdorur në periudhën e dikaturës, ishte e thatë pa ngjyra, pa kontraste, pa imagjinatë e fantazi, jo naturale, jo “inteligjente”. Harmonia e kohës nuk përdorte dizonanca për muzikën moderne, biles as që mund të bëhej fjalë për hamoninë a-tonale, për të krijuar edhe një mendim hamonik të vërtetë tek dëgjuesit, ngacmues dhe artistik. Harmonia e shoqëron melodinë duke i dhënë kuptim asaj. Harmonia e kohës shpesh ndikonte për të keq tek bota kuptimore dhe përceptimi i muzikës. Melodia është linjë, zë, që kombinohet me rritmin dhe harmoninë me frazat muzikore, motivet muzikore dhe ngjyrat e tingullit. Melodia e pjesëve muzikore në ish-kohën e dikaturës, ka qenë pa fantazi, ndjenja dhe shumë strikte. Nuk mund të hidhen poshtë melodi të krijuara nga kompozitorë të ndryshëm të talentuar si në muzikën e lehtë, atë urbane dhe serioze, por cenzura e ndrydhi melodinë e kohës në planin shprehës dhe emocional. Linjat melodike shesh shprehnin dhe thonin shumë pak. Melodia kombinohej pa shije me harmoninë, nuk ishte e menduar mirë, kishte shumë pak mendim, frazat muzikore ishin të thata, përdorej një ngjyrë tingulli pa jetë. 4. Aspekti reformë në planin gjeokulturorë dhe gjithë-shqiptarë. A është e nevojshme rivlerësimi dhe reforma e madhe në muzikën shqiptare në këtë 100 vjetorë? Pratella dhe “Manifesti futurist i muzikës” Mendoj se muzika shqiptare ka nevojë për një reformë të mirëfilltë dhe studime të mirëfillta në të gjitha planet, krijuese dhe përceptuese. Reforma duhet të fillojë me edukimin dhe formimin muzikorë, duke filluar që nga nivele më të ulta moshat e vogla dhe duke përfunduar në nivelet më të larta në Akademitë e arteve, në Tiranë e Shkodër, në rikonceptimin e programeve dhe metodikave dhe në dhënien e një rëndësie të vecantë edukimit muzikorë dhe në përgjithësi kësaj fushe. Kjo reformë kërkohet të bëhet së pari në planin profesional, studimorë, shpirtërorë dhe konceptual dhe së dyti është e domosdoshme mbasi ka patur në vitet e diktaturës shumë cenzurë nga institucionet përkatëse sic ishte ish-sigurimi i shtetit dhe leva të tjera të Partisë së Punës që kanë ndikuar shumë në botën emocionale të krijuesve dhe interpretuesve, duke mos anashkaluar rezultatet e larta, në fushën e interpretimit dhe në kanto që individë të caktuar i kanë arritur me punë dhe talentin e tyre. Edhe në periudhën tranzitive me uljet dhe ngritjet e saja në planin social, politik dhe emocional, institucionet përkatëse nuk arritën ta bëjnë reformën e vërtetë muzikë, megjithë tentativat e caktuara dhe hapjen e shoqërisë shqiptare me vendet e zhvilluara në fushën e muzikës. Kjo reformë nuk duhet të kursejë gjithashtu më emra dhe vepra të vecanta të cilat nuk kanë domethanje dhe mesazhe të qarta artistike, pra që kanë shumë pak “lidhje” me nocionin art dhe muzikë e vërtetë. Kur lexon që Pratella tek “Manifesti futurist” nuk kursente emra të mëdhenj si Puccini dhe biles Maskagni dhe nivelin e ultë në konservatoret italine, për hir të zhvillimit të muzikës, ndërrimt të gjuhës dhe mjeteve shprehëse të muzikës, koncetimit të saj, refomës në muzikën italiane të kohës. Imagjinoje që tek neve që ka me dhjetra shembuj, krijues të muzikës që e meritojnë të sudjohet dhe analizohet arti tyre pa vlera muzikore dhe ti jipet vendi që i takon, me argumeta shkencorë, që ti shërbejë të ardhmes së fushës. Sot ka shumë studjues të rinj të muzikologjisë që kanë studjuar në perëndim dhe mund dhe duhet ta bëjnë një analizë dhe studim të tillë, kruesisht në planin psikologjik, që do ti shërbejë artit muzikor në Shqipëri. Italia e ka filluar reformën në muzikë 100 vjet përpara, me Francesko Balilla Pratellën, me dokumentin e quajtur: “Manifesti i futurizmit”. Pratella deklarone në atë kohë se muzika italiane ishte inferiore me muzikën jashtë Italisë. Ai vlerësone gjeninë “sublime” të Wagnerit dhe shikonte disa vlera tek punët Richard Strauss, Debussy, Elgar, Mussorgsky, Glazunov dhe Sibelius. Në kontrast muzika italiane e kohës ishte dominuar nga opera në një formë absurde dhe “anti-muzikore”. Sipas Pratellës në konservatoret e kohës në Itali, inkurarjohej prapambetja dhe mediokriteti. Dhe kur mendon se Italianët, nuk kanë kaluar periudha diktatoriale dhe meskine si tek neve në komunizëm dhe nuk kanë patur “ish-sigurim shteti” dhe organe të cenzurës për cënimin e botës shpirtërore dhe që muzika e arti kanë lindur në Itali. Unë nuk pretendoj që muzikën tonë ta krahasoj me atë italiane që është shkollë dhe kulturë arketipiale, e thellë, por edhe neve kemi modele shumë të mira në fushën e muzikës. Pratella iu bashkua lëvizjes futuriste dhe kompozoi një numur veprash moderniste për orkestër dhe ansamble dhome. Ai është autori i “Manifsetit futurist” të muzikës në 1910, tamam 112 vjet përpara. Botuesat e kohës përjetësonin mediokritetin dhe dominimin e muzikës me paqëndrueshmërinë dhe vulgarizëm të operave të Puccinit dhe Umberto Giordanos. Italiani të cilin e vlerësonte Pratella ishte ish-mësuesi i tij Mascagni, se ai ishte rebeluar kundër botuesve dhe provonte shpikjen dhe inovacione në opera, megjithëse edhe Mascagni, ishte shumë tradicional për shijet e Pratellës. E solla pikërisht këtë shembull se mendoj se ka ardhur koha një “Pratellë shqiptarë ose një grup studjuesish”, për fillimin e një reforme të madhe të vërtetë në muzikën shqiptare, por në një shekull tjetër, në një botë post-moderne, ku muzika jo vetëm në Itali por në te gjithë botën ka një zhvillim marramendës. Koha e dhe vetë muzika e kërkojnë një reformë të tillë, megjithëse nuk duhet kurrë të mohohen arritjet në këtë fushë edhe ndonjë “tentativë”, por që kanë qenë gjysmake. Reformat dhe rivlerësimi në muzikë shqiptare dhe konteksti ri gjeopolitik në rajonin tonë, Kosova, Shqiptarët e Maqedonisë dhe ato të Malit të Zi. Reformat në fushën e muzikës duhet të zhvillohen në kontekstin e ri gjeopolitik, Kosovën, Shqiptarët e Maqedonisë dhe ato të Malit të Zi, për vetë realitetin gjeopolitik dhe rëndësinë që ka marrë ceshtja shqiptare. Studimi dhe kërkimi në fushën e muzikës si në fushën e edukimt dhe në atë të krijimit dhe interpretimit duhet të shikohet në këtë plan që është një realitet i ri. Ashtu sic është unifikue abetarja për të mësuar gjuhën e folur, ashtu duhet të unifikohen edhe tekstet për studimin në fushën e muzikës. Duke zhvilluar një metodë krahasuese shkencore dhe të studjohet gjuha muzikore në muzikën e lehtë, atë serioze dhe në atë etnike e përdorur në këto hapsira shqiptare në kontekstin kohë dhe hapsirë, që do të thotë muzikë e krijiuar para viteve 90-të dhe mbas realiteteve të reja politike në Kosovë dhe kudo që janë shqiptarët. Edhe në këtë fushë diktatura dhe ish-sigurimi i shtetit kanë qenë shumë të kujdeshëm dhe ka patur qëllime politike kur lektorët tonë jepnin mësim në Kosovë dhe me shkëmbimet kulturore ndërmjet nesh. Unifikimi i metodikave të mësimdhënjes, interpretimit, krijimit dhe studimit të kulturës etnike është i domosdoshëm. Shkrimi i një historie të muzikës të përbashkët është gjithashtu shumë i nevojshëm në këtë 100 vjetorë. Po sjell një shembull Bethoveni studimet i ka mbarue në Austri, po është gjerman, ka lindur në Bon. Ai ësht një mit dhe figurë globale e simbolike, por studjohet edhe si pjesë e kulturës gjermanike, pasi në realitet i përket kësaj kulture, gjuhe dhe arketipi. Me të vërtetë muzika është gjuhë simbolike, por gjuha e folur në rastin tonë shqipja, ka ndikim tek gjithsejcili muzikant, krijues, studjues që flet dhe mendon në shqip. Ia kemi të gjithë për “borxh” muzikës, kombit dhe publikut tonë! Jemi “pak” vonë, por ma mirë vonë se kurrë thotë populli! QAMIL GJYREZI
Posted on: Sun, 25 Aug 2013 09:52:07 +0000

© 2015