Akademikët grekë me origjinë shqiptare! Për krijimin e - TopicsExpress



          

Akademikët grekë me origjinë shqiptare! Për krijimin e shtetit të ri grek, shqiptarët ose arvanitët kanë kontribuar në të gjitha drejtimet për ecurinë përpara të Greqisë. Arvanitët ishin profesorët e parë që themeluan Akademinë e Athinës. Dhe investuesi i ndërtesës së Akademisë së Athinës ishte shqiptar. Që në vitet e para të Revolucionit të 1821, luftëtarët e lirisë kishin dëshirë të themelonin Akademinë, sepse besonin se arma më e fuqishme ndër të gjitha ishte ndriçimi i trurit, pra Universiteti, Akademia, me pak fjalë arsimimi. U bënë shumë përpjekje për të hapur Akademinë, por dështuan. Vetëm në vitin 1926 ministri i atëhershëm i arsimit Dhimitër Egjiniti, arvanitas nga Egjina, raportoi dhe u botuan Urdhëresat Kryesore më 18 mars 1925 ku bëhej realitet Akademia e Athinës me pamjen e brendëshme dhe misionin e sotëm. Ndërtesa ku strehohet Akademia ka një histori interesante sepse u financua nga një shqiptar prej Voskopoje. Më 1856 tregtari tepër i pasur nga Voskopoja e Korçës në Vjenë të Austrisë, Simon Sina, dëshironte t´i bënte një dhuratë të madhe Greqisë, brenda në Athinë. Simon Sina ishte djali i Gjergj Sinës, ish-Konsull i Përgjithshëm në vitin 1834 i qeverisë greke në Austri. Familja Sina ishte me origjinë nga Vithkuqi (sot Vithkuq) i Korçës, por që andej ishin ngulur në Voskopojë dhe më vonë u vendosën në Vjenë. Sinajt u morën në fillim me zhvillimin e tregtisë midis Austrisë dhe Perandorisë Otomane. Më vonë themeluan fabrikën e penjëve dhe të stofrave të pambukta. Themeluan Bankën Kombëtare të Austrisë. Familja Sina bënë shumë dhurata bamirëse, midis së cilave urën e varur të Budapestit e cila kushtoi atëhere 500 mijë stërlina angleze. Gjergj Sina ishte nënpresident i Bankës Austriake, president i shoqërisë së hekurudhave në Austri, pronar tokash në Austri, Bohem, Moldavi, Rumani, Serbi etj. Sinajt janë dekoruar nga qeveritë Ruse, Turke, Greke për bamirësitë e tyre në këto vende. Gjergj Sina vdiq më 18 maj 1856. Djali tij, Simon Sina, ndoqi gjurmët e të atit, duke bërë edhe ky dhurata të mëdha bamirëse. Sinajt nuk harruan kurrë atdheun e tyre, Shqipërinë. Ata dërguan shumë bijë shqiptarësh me bursa në Universitetet e Europës. Më 1859 filluan punimet e para. Më 15 prill 1876 Simon Sina vdes, duke lënë trashëgimtar vetëm dy vajza dhe, në bazë të testamentit të tij, e vazhdoi dhe e mbaroi veprën gruaja e tij Ifigjenia Sina, më 1885. Kështu hapja e Akademisë së Athinës u dedikohet, pra, dy arvanitasve të vërtetë, Teodor Pangallo, që ishte atëhere në brendësi të punimeve, dhe arvanitasi tjetër Dhimitri Egjiniti, që ishte atëherë ministër i Arsimit. Disa nga akademikët me origjinë aravanitase janë: Dhimitër Egjiniti, Angjelo Gjini, Sotiri Shqipi, Spiridon Doda, Vasil Egjiniti, Gjergj Sotiriu, Kostandin Horemi, Aleksandër Diomidhi, Maksim Miçopulos, Vasil Malamo, Dhimitri Kaburoglu, Teofil Vorea etj. Kontributi i arvanitasve në kulturën artistike greke Mënyra e jetesës dhe veshja arvanitase ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve të huaj, që kanë vizituar ballkanin në shekujt e mëparëshëm. Shumë piktorë të huaj, të frymëzuar nga lloji i mënyrës së jetesës dhe veshjes arvanitase ose shqiptare, mbushën tablotë e tyre me këto tema. Shumë tablo me portretin e luftëtarit arvanit gjenden nëpër muzetë e mëdha të Europës dhe kanë tërhequr vëmendjes e vizitorëve të shumtë. Por nuk ishin vetëm piktorët e huaj që u frymëzuan nga mënyra e jetesës, veshja dhe figura e luftëtarit arvanitas ose shqiptar. Nga fara arvanitase dolën shumë piktorë dhe disa prej tyre u bënë me famë botërore. Temat frymëzuese të këtyre piktorëve të mëdhenj arvanitas ishin betejat fitimtare të princit të Arbërisë dhe Epirit, Skënderbeut, i njohur nga Papa Piu i 2-të, mbret i Albanisë dhe Maqedonisë më 1458. Lufta shekullore e kombit të Arbërit për liri, shpërnguljet me dhunë nga trojet tona shekullore etj. Disa nga këta piktorë me famë botërore janë: Polikron Lebeshi, Eleni Bukura, Jani Altamura Bukura, Niko Voko, Niko Engonopulos, Alqi Gjini, Jani Kuçi, Taso Haxhi, Stamati Lazeru, Thanasi Çinko, Andrea Kryezi, Niko (Gjika)Haxhiqiriako, Buzani, Gizi, Biskini etj. Të gjithë këta piktorë të mëdhenj me famë botërore janë me prejardhje shqiptare, kanë deklaruar vetë që janë arvanitas nga zonat e banuara me shumicë dërrmuese me arvanitë, si ishulli i Hidrës, Eubea, Atikia, etj. që janë zemra e Greqisë së lashtë, dhe janë banuar dhe banohen edhe sot nga kjo racë. Arvanitasit kanë ndërtuar dhe teatrin e parë prej guri të Greqisë. Pas revolucionit të 1821, arvanitasi Jani Bukura ndërtoi teatrin e parë prej guri të Greqisë së Re në Athinë. Jani Bukura ishte një detar, luftëtar i zoti, por mbi të gjitha kishte një shpirt të pasur prej artisti. Jani Bukura është babai i piktores së madhe greke Eleni Bukura-Altamura dhe djali i kryeplakut të fundit të ishullit të Specas, Gjergj Bukura. Detari Jani Bukura, një luftëtar i guximshëm, kishte edhe një dashuri të veçantë për artin, për arsimin. Vdiq më 1861, në krahët e vajzës së tij Eleni Bukura, piktores së parë femër në Greqi, e cila krijoi parakushtet për emancipimin e gruas. Zhdukja e gjuhës, kulturës dhe elementit arvanitas në Greqi Me kalimin e dhjetravjeçarëve arvanitasit u ‘’bindën’’ ose u detyruan të binden se duhet të braktisin gjuhën e tyre, nëse dëshiroheshin të bëheshin qytetarë të denjë të shtetit të ri grek. Numri i saktë i arvanitasve ose shqiptarëve në Greqi nuk dihet, por nga biseda fundit që kam pasur me studiuesin, historianin dhe shkrimtarin e njohur arvanitas Aristidh Kolia, që vdiq në vitin 2000, kam mësuar se ‘’Në Greqi pak njerës nuk e kanë gjyshen apo gjyshin arvanitas’’. Sot burimet historike, gjuhësore, muzikore janë shumë të kufizuara, ose mungojnë plotësisht, në drejtim të arvanitasve të Greqisë. Në vitin 1983 arvanitasi Jorgo Maruga do formonte ‘’Lidhja e Arvanitasve të Greqisë’’. Por në këtë vit, Jorgo Maruga vdes, duke u zgjedhur studiuesi i njohur Aristidh Kola kryetar, që me punën e tij madhore, mund të quhet me të drejtë, “De Rada” i arvanitasve të Greqisë. “Lidhja e Arvanitasve të Greqisë”, me në krye Aristidhin dhe pasuesit e tij, Jorgo Miha dhe Jorgo Gjeru, do të ngrinte në një farë mënyre lartë figurën e arvanitit që luftoi dhe krijoi shtetin e ri Grek. Lidhja do të botonte revistën “Besa” dhe broshura të ndryshme për historinë shqiptare. Në vitin 1986, do të bëhej koncerti i parë me këngë dhe valle arvanitase. Kënga arvanitase ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve dhe muzikologëve grekë dhe të të huajve të tjerë. Këngët arvanite i përkasin teksteve të këngëve dhe poezisë të lirikave të vjetra arvanitase. Këngë për lirinë, dashurinë dhe të tipit kaçak, pra të njeriut të lirë prej një shpirti të pathyeshëm dhe të ndjenjës popullore. Këngët arbërore janë ruajtur me fanatizëm nga populli arvanit deri më sot dhe këndohen shpesh nëpër dasma. Mënyra se si është ruajtur kënga arvanitase është interesante, për faktin se gjuha arvanitase, ose shqipe, nuk shkruhej më parë, nuk e lanë të tjerët që të shkruhej! Kështu populli arvanit zgjodhi rrugën e të kënduarit për të ruajtur gjuhën e tij arvanitase. Mënyrë tjetër nuk kishte, kur osmanët turq të pritnin kokën po të flisje shqip, ndërsa injorantët priftërinj të helmonin edhe me bukë po të dëgjonin të kuvendoje në gjuhën e mëmës shqipe. Një dëshmi që kemi nga P.Joti, i cili shkruajti”Historinë e Shtatë Ishujve” të vitit 1866, na vërteton se “Suljotët që ishin në Korfuz, kur pastronin armët e tyre, këndonin këngët arvanitase të heronjve të tyre. Në këngët arvanitase të Suljotëve nuk kishte asnjë fjalë greke. Dy këngë që këndoheshin nga arvanitët Suljotë, gjenden në librin me titull “Bleta Shqiptare”, me autor Thimi Mitko, botuar në vitin 1878 në Aleksandri. Në vitin 1891, gjermani Arthur Milchkofer, në veprën e tij me titull “Attika und seine Heutigen”, ndër të tjera shkruan. “Nga ç’di unë, këngët popullore greke, i janë përshtatur këngëve të vjetra arvanite të dashurisë, lirisë dhe kaçake”. Përgjegjësia e institucioneve mbarëshqiptare Shumë këngë arvanite janë shkruajtur në gjuhën greke, kështu kanë humbur indentitetin e tyre të vërtetë shqiptar. Këto 15 vjetët e fundit, falë vullnetit dhe ambicjes të studiuesit arvanitas Aristidh Kolia, Dhimitri Leka dhe këngëtarit Thanasi Moraiti, u bë e mundur që të prodhohen dy CD me këngët arvanitase, me titull “Këngët Arvanitase” dhe “Trëndafilat e Shkëmbit”, që kanë përmbledhjen e disa këngëve arbëreshe të Italisë së jugut dhe të arvanitasve të Greqisë. Këto dy CD janë të vetmit që janë prodhuar në historinë mbarëshqiptare në gjuhën tonë arbëreshe. Orkestra që shoqëron Thanasi Moraitin mbështetet tek instrumentet e traditës së lashtë arbëreshe, që krijon një botë interesante dhe të këndeshme muzikale. Veglat kryesore që përdorin muzikantët arvanitas janë, pipëza, daullja, fyelli, zilja, lahuta, mandolina etj. Vitet kalojnë, gjuha shqipe që flasin arvanitasit e Greqisë, traditat, zakonet dhe doket e bukura shqiptare po harrohen dhe humbasin. Ndoshta, brezi i fundit që flet gjuhën dhe ruan karakteristikat e arvanitasve sa vjen e zhduket. Është, pra, përgjegjësi e madhe që institucionet kulturore mbarëshqiptare, të ruajnë dhe të regjistrojnë të dhënat kulturore të arbëreshëve, kudo që ndodhen ata sot, larg zemrës të mëmës Shqipni. Në mënyrë që brezat që vijnë të njohin qytetrimin e gjerë dhe kontributin e racës shqiptare për formimin dhe zhvillimin e shteteve të popujve të tjerë ku raca shqiptare jetonte dhe jeton bashkë me ta. Të gjithë, dashamirë dhe dashakëqinjë, duhet ta kuptojnë se asnjë e keqe nuk vjen ndokujt nga vetënjohja dhe krenaria e ligjëshme për ruajtjen e vlerave tradicionale të kulturës dhe gjuhës shqipe të arvanitëve. Pa arvanitët Greqia mbetet pa histori Shteti grek duhet të kujdeset më shumë për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës të arvanitëve në Greqi, sepse pa ruajtjen e elementit arvanitas, Greqia nuk mundë të ketë histori të re. Arvanitasit në Greqi janë një bazë e fortë dhe e patundme, që tregon për lidhjen e ngushtë që ka ekzistuar, ekziston dhe duhet të ekzistojë midis Greqisë dhe Shqipërisë. Ata janë një tregues i vlerave të larta dhe të pastërta që ka shqiptari të ruajtur me fanatizëm ndërshekuj. Shqiptarët dhe grekët i lidhin shumë gjëra të përbashkëta, traditat dhe zakonet, i ndërlidhin ngushtë dy popujt më të lashtë të Europës, prandaj sot nuk duhet të mendojmë se si mund të ngremë pengesa dhe kurthe njëri-tjetrit, por se si mund të ndihmojmë njëri-tjetrin për kapërcimin e vështirësive që sjellin vitet. Për këtë studim janë shfrytëzuar revista “Besa” dhe arkivi i shoqatës “Lidhja e Arvanitasve të Greqisë”. Revista “Arvanon” dhe librat “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, “Gjuha e Zotit”, të autorit Aristidh Kolia. Librat “Fjalori dy gjuhësh i Marko Boçarit” dhe “Arvaniti dhe arvanitica e ishullit të Andros”, të autorit Tito Johala. Libri “Enigma” i autorit francez Robert D’Angly. Libri “Shqiptarët” i autorit Edwin E. Jacquen. Libri “Arvanitët”, i autorit Irakli Koçollari. Libri “Revolucioni grek 1821 dhe kontributi shqiptar”, i autorit Koli Xoxi. Biblioteka dhe revista greko-italiane-shqiptare “Lidhja”, e priftit arbëresh Antonio Bellushi. “Problemi i ndërgjegjies se arvanatisve”, i Tolkë Xhillari. CL
Posted on: Mon, 29 Jul 2013 09:06:30 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015