Ancelotti, njeriu i duhur për trofeun e 10 të - TopicsExpress



          

Ancelotti, njeriu i duhur për trofeun e 10 të Championsit? Tashmë nuk ka më pikëpyetje, Carlo Ancelotti është personi të cilit i besohet një detyrë e vështirë, ajo e ringritjes së Realit të Madridit që me largimin e Jose Mourinhos kërkon të largojë edhe krizën që pllakosi gjatë sezonit të fundit në “Bernabeu”. Por, cili është profili i italianit që stazhin për të siguruar biletën e futbollit prestigjoz, e ka bërë në skuadra luksi në Itali dhe jo vetëm. Ndoshta ky është kulmi i karrierës së 54-vjeçarit që gjithsesi ka njohur rritje graduale, të bazuar në punën dhe filozofinë personale të ngjizur në shkollën italiane të futbollit. Karriera e tij në pankinë nisi nën hijen e mentorit të tij , Arrigo Sacchi, por një ndikim të madh në skemat që ai ndërton ka edhe trajneri i tij te Roma, Nils Liedholm, me të cilin arriti një numër të madh suksesesh. Në mesin e viteve ’90, ishte skuadra e Parmas ku Carlo aplikoi idetë e tij, ndërsa më pas në derën e tij trokiti Juventusi, një test delikat që do të vendoste në provë kapacitetin e Ancelottit për të vërtetuar nëse ai kishte vërtet stofin e një tekniku me vizion.Edhe pse në dy sezone si bardhezi ai nuk fitoi asgjë, ekipi torinez ra në sy për aplikimin e një futbolli modern të bazuar në këmbët e Zinedine Zidane, një emër me të cilin Ancelotti do të bashkëpunojë në pozita të ndryshme edhe tani që ai ndodhet në stolin e Realit. Gjithsesi, deri në këtë pikë të karrierës dallimi mes tij dhe trajnerëve të tjerë në Itali nuk ishte i dukshëm sepse ishte Milani ai që i siguroi luksin të drejtonte një skuadër të aftë për të shtypur çdo kundërshtar. Nën drejtimin e kuqezinjve ai fitoi 2 Champions League në vitet 2003 dhe 2007, por nga ana tjetër, një prej pengjeve të karrierës së tij do të mbetet edhe finalja e vitit 2005 e humbur ndaj Liverpoolit në mënyrë të pabesueshme edhe pse Milani e kryesonte pjesën e parë me rezultatin 3-0. Ancelotti është një trajner diskret që duket i padepërtueshëm nga kritikat pasi stili i tij elegant u bëri ballë edhe sulmeve të presidentit Berlusconi që gjithsesi në vitin 2009 arriti ta largonte nga stoli kuqezi. Por largimi nga Milani bëri që Chelsea të hidhej në sulm për ta afruar në “Stamford Bridge”. Karriera e tij në Londër kulmoi me titullin kampion në vitin 2010 ku përveç trofeut ai mori me vete edhe rekordin e 103 golave të shënuar nga skuadra në një sezon, ndërsa emri i tij u gdhend me gërma të arta në kampionatin ishullor si trajneri i parë italian që arriti të triumfonte në Premier League. Në vitin 2011, Carlo u akomodua në Paris ku vazhdoi projektin e Antoine Kombouare. Gjatë këtij sezoni nuk arriti ta kolaudonte skuadrën kryeqytetase, por një sezon më vonë ai fitoi gati gati me arrogancë titullin që në “Parc de Princes” mungonte prej pothuajse 19 vjetësh. Reali i Madridit është ndoshta testi më i vështirë i karrierës së tij. A do t’i plotësojë pritshmëritë e shoqërisë merengues dhe ato personale Carlo Ancelotti? Kjo mbetet për t’u parë sepse basti merengues mund të kthehet edhe një bumerang për italianin që ka ndjekur një kurbë të qëndrueshme për të ndërtuar suksesin e tij.
Posted on: Wed, 26 Jun 2013 16:18:34 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015