Arti, një kompensim apo një surrogato… … Njëherë e një - TopicsExpress



          

Arti, një kompensim apo një surrogato… … Njëherë e një kohë njeriu besohej të ishte etalon i të gjitha gjërave, më vonë vijuan ta besojnë etalon të ndonjë gjëje, kurse sot s’besojnë se është etalon i kurrgjëje. Sidoqoftë, mundësitë e thneglave njerëzore rriten në përpjesëtim të zhdrejtë me besimin (me humbjen e besimit) që njeriu ka te vetja. Ka nga ata që gëzohen e nga ata që hidhërohen. Kam parë të realizohen fitore të mëdha të mendimit njerëzor: të mrekullishme, por ndoshta më të papesha nga ç’kujtojmë; kam pjekur heronj të pavetëdijshëm dhe shenjtë të paregjistruar në ndonjë zyrë të gjendjes fetare; kam parë të zhduken plot plagë e mjerime, por edhe të ndrashen boll, forma të servilizmit kolektiv. Dhe më ngjau se zbulova vetëm një ligj të përgjithshëm: çdo fitim, çdo hap përpara i njeriut, nivelohet prej humbjesh të barasvlershme në drejtime të tjera duke e lënë të pandryshuar shumën e çdo lumturie të mundshme njerëzore… …Ka vite që artistët më të mirë në pikturë, muzikë, poezi, e ngrenë artin e tyre mbi pamundësinë e fjalës. Ata që flasin janë artistët më të këqij, artistët e rremë. Ka pak gjasa që në kushte të këtilla memecërie të mund të këshillohen ilaçe të sërës shoqërore apo disiplinave të reja neohumanistike…. … Duket ashiqare se shndërrimi i dyshimtë i njeriut në një kafshë tjetër do të anulonte përgjithmonë atë kuptimin antropocentrist të jetës, që jo vetëm qëndron në themelet e qytetërimit tonë, por është edhe substancë e fundme e mënyrës sonë të qenshmërisë dhe të jetuarit. Dikush e ka përkufizuar sëmundjen e njeriut të sotëm pikërisht si një humbje progresive të qendrës. E drejtë, por edhe shumë e kollajshme. Ta dënosh ndodhinë, s’do të thotë ta shpjegosh atë… …Njeriu, vepra e njeriut, është një shkëndijë e energjisë krijuese dhe, meqë energjia s’është as hapësinore e as kohore, historia nuk shpjegon ndonjë gjë kush’dí sa të madhe e interesante, sepse merr parasysh vetëm jetën e vdekur. Porse, të zgjedhësh energjinë në vend të arsyes idealiste, apo Zotit të panjohur, nuk i sheshon mosmarrëveshjet: është thjesht një ndërrim etikete… … Izolimi i artistit (që shpesh merr forma ekzibicionizmi të paturpshëm publicitar) është i pashmangshëm në një kohë kur veprimi dhe njohja përparojnë pa u njohur ose takohen në mënyrë të rastësishme. Vulgarizimi, në kuptimin etimologjik, i arteve përkon me mosbesimin te gjuha dhe me bindjen se tashmë të gjitha urat janë prerë. Pjesëmarrja në një britmë kolektive, në një jo universale, duket se është e vetmja ambicie e artistit të sotëm… Përktheu nga origjinali italisht, Ilirjana Stringa|►Poeteka :)
Posted on: Sun, 29 Sep 2013 22:19:07 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015