Ata nuk e kishin shumë të qartë se çfarë do të bënin kur - TopicsExpress



          

Ata nuk e kishin shumë të qartë se çfarë do të bënin kur të mbërrinin në qytetin e Korçës, por në të vërtetë kjo gjë as u interesonte dhe as donin ta dinin përse shkonin atje. Komandantët grekë u kishin thënë ushtarëve që kishin mbledhur nëpër Greqi se po shkonin në Korçë që të vendosnin “rendin” dhe “qetësinë”, por kjo fjalë nga një vesh u kishte hyrë dhe nga tjetri u kishte dalë. Të vetmen pyetje që i kishin bërë njëri-tjetrit kishte qenë për çupat e këtij qyteti. Donin të dinin nëse ishin të bukura ose jo dhe cilës fe i përkisnin. Kur morën vesh se gjysma e qytetit ishte e besimit mysliman dhe gjysma tjetër e besimit të krishterë, kureshtja e tyre u bë edhe më e madhe. Myslimankat do t’i përdhunonin dhe do t’i hiqnin zvarrë nëpër rrugë, kurse me vajzat e krishtera do të bënin ahengje dhe orgji gjer në pikën e mëngjesit. Për vajzat, kundërshtimi do të ishte mision i pamundur. Ata ishin të sigurt se të gjitha vajzat dhe gratë do t’u dorëzoheshin pa më të voglin kundërshtim, madje me buzëqeshje dhe kënaqësi, sepse ato e dinin mirë se çfarë mund të ndodhte nëse thoshin jo. Nuk kishte kaluar shumë kohë kur ushtarët e Venizellos kishin hyrë në Korçë dhe ishin shndërruar në një tmerr të vërtetë për këtë qytet. Banorët e Korçës nuk duhet ta kenë marrë veten akoma, mendonin ushtarët që po niseshin drejt Korçës. Edhe kjo lukuni ushtarësh kishte vendosur të hynte në qytet me gjithë tmerrin e mundshëm për të përhapur frikë dhe panik, që më pas ta kishin më të lehtë për të realizuar ëndrrën e tyre me çupat e Korçës. Shumë ngjarje të vitit 1914 kanë mbetur të shkruara nga dora e korrespondentit të Korçës që shkruante për gazetën “Koha”. Nisja drejt Korçës Më në fund, kjo lukuni njerëzish e ngjashme me bishën ishte nisur drejt Korçës. Rolin e udhërrëfyesit do të luante një oficer që do të ndiqej nga 5 kalorës. Pas tyre do të vinte ushtria, e cila duhej ta kishte rrugën e hapur dhe të mos përballej me ndonjë të papritur. Lanë pas tokën greke dhe tashmë po hynin në trojet shqiptare. Pesë kalorësit dhe oficeri që udhëhiqte grupin, pas një udhëtimi të lodhshëm do të shfaqeshin në orët e para të mëngjesit diku aty mes Mborjes dhe Drenovës. Pas tyre vinte ushtria. Deri më tani nuk kishin gjetur asnjë civil në rrugë që t’i derdheshin sipër dhe ta masakronin sepse vetëm kështu lajmi që grekët po vinin përsëri në Korçë do të përhapej me shpejtësi gjithandej. Nuk u kishte zënë syri as ndonjë çupë që të shkonte nëpër ato udhë. Aventurën e parë po e prisnin me padurim dhe ankth. Ishin kureshtarë të dinin nëse vajza e parë që do të shihnin do të ishte myslimankë apo e krishterkë. Si do të sillej vallë ajo kur t’i thoshin se ata ishin kapedanët që po vinin nga Greqia? Sigurisht, ato do t’u luteshin që të mos i preknin, por ata do t’i zhvishnin dhe do t’ua grisnin rrobat teksa u luteshin dhe u përgjëroheshin që t’i linin të lira. Zhveshja mes lutjeve dhe lotëve do ta ishte për ta një çast i vërtetë ekstaze. Aventura e parë Oficeri dhe pesë kalorësit që vinin pas tij, tashmë kishin filluar të zbrisnin malet e të binin në fushë. Korça kishte filluar të tregonte kurmin e saj. Ende nuk e dinte se grekët po i turreshin përsëri. U duhej edhe pak kohë për të hyrë në qytet. Për ta mbetej çasti më i shumëpritur. Befas, para oficerit doli një grumbull njerëzish. Diçka kishte ngjarë me ta. Nga sa u kuptua ishin një grup druvarësh. Dikush prej tyre, gjysëm shqip e gjysëm greqisht, duke u deklaruar si grek, i tha oficerit: “Atje poshtë kanë dalë ca njerëz porsi të çmendur e s’na lanë gjë pa marrë, na zbrazën qeset, sahatët, kutitë e duhanit dhe na shqepën së rrahuri”. Pas kësaj, ai priti të shihte reagimin e oficerit, por ai po e vështronte po me të njëjtën mënyrë sikur të mos kishte dëgjuar asgjë. “Ata (që kishin bërë grabitjen) ishin kalorësit- vizitorë, shokët e oficerit, shpjegon korrespondenti i gazetës “Koha”. Oficeri e kuptoi mirë se çfarë kishte ndodhur, por asnjë fjalë e thënë prej shqiptarve nuk i bëri ndonjë përshtypje të veçantë. Përgjigjja e tij ishte e thjeshtë: “Jemi në luftë e sipër”. Më këtë donte të thoshte se në luftë gjithçka mund të ndodhte. Ua bëri me shenjë druvarëve që të largoheshin dhe të mos i rrinin më aty përpara se i kishin zënë udhën. Njeriu që ishte prezantuar si grek, i bindur se oficeri nuk e kishte kuptuar çfarë i kishte thënë, përsëriti: “Ime Elinas”, por për këtë njeri fatzi do të ndodhte ajo që nuk e kishte pandehur kurrë. Ndërsa përpiqej t’i mbushte mendjen oficerit se ai ishte grek, ushtarët iu hodhën sipër dhe i grabitën gjithçka që kishte patur me vete. Pas kësaj ai u largua për të mos u parë më, por duke tundur kokën sikur donte të thoshte: “Do të më shihni tani e tutje!” Mbërritja në Korçë “Ata pesë kalorësit, si ca ujqër që hyjnë në vathë, s’lanë rrugë të qytetit pa shëtitur, s’lanë xhepa pa kërkuar duke u marrë ato gjëra më të vyera dhe kujtimet e trashëguara nga gjyshrit, shkruan korrespondenti i gazetës “Koha”. Nuk qenë vizitorë, ishim gënjyer, se pas një ore po vinin ca zëra Zito! Zito! Pas pak minutash të shkuara, zunë të gjëmojnë ushtimet e pushkëve që zbrazeshin ndër erë, prej Varoshit (lagjet ku jetojnë të krishterët e Korçës) mbajti pothua tri orë… Përveç kalorësve dhe oficerit, pa hyrë tjetër vizitor, kur shikojmë një tokicë njerëz; kapardisur me hutat në dorë, sikur kishin marrë kokën e krajlit, duke kënduar greqisht, u përhapën ndër qytet porsi të marrosur. Këta ishin andartët, mohonjësit e shtëpive të tyre, pas këtyre erdhi një tabor me ushtarë të rregullt, të cilët u përndanë në mëhallat e myslimanëve për të mbrojtur nderin e tyre gjoja…” Fillimisht u ndalën te pazari, që të bastisnin dyqanet dhe të grabisnin të hollat e tregtarve e më pas të merreshin me aventurat që kishin ëndërruar gjatë gjithë udhës. Por Pazari i Korçës kishte mbetur i shkretë. Gjendja ishte dëshpëruese. Ushtarët grek që kishin qenë në Korçë kohë më parë, kishin shkatërruar gjithçka, tregtarët myslimanë ishin detyruar të merrnin arratinë. Dyqanet e tyre u vodhën dhe tashmë ishin të boshatisur, të heshtur dhe të shkretë. Sipas kronikanit “Tregtia në Korçë ishte shumë e pakët, pazari nuk luan fare, tërë tregtarët dhe ditën e së shtunës rrinë me duartë kryq dhe po hanë para të azërta me që myslimanët u prishën fare (u shkatërruan) dhe me që të holla prej Amerike vijnë fort të pakta, tregtia sot e Korçës po qan dhe çarshia po gjendet në hall të madh. Po edhe ata bukuroshë korçarë që rrëmbyen këtë behar sa plasën, rrinë dhe po u sosen të hollat dhe po mendohen se nuk kanë nga të zënë, dhe nuk gjejnë më të rrëmbejnë se u mësuan liksht pa punë. Pandehin se po ta zaptojë përsëri Greqia Korçën do të derdhë thasët me florinj, por tani tregtarët zunë e hapën sytë duke i rënë mendjes prapa. Një shtrenjtësirë e madhe që nuk tregohet, vetëm mishi shitet më lirë, sepse kasapët kanë edhe lopë edhe dhen (dele) të rrëmbyera. Nga këto shkaqe, tregtarët i kanë rënë mendjes prapa dhe janë penduar si qeni nga frika se mos mbetet Greqia ndër ato vise përgjithnjë, i cili pak nga pak po i zhvesh lakuriq dhe po u thith gjakun. Tani tregtarët po thonë se kishin të drejtën nacionalistët shqiptarë kur thoshin që me grekët neve nuk rrojmë dot”. Në rrugët e Kasabasë Pasi kishin grabitur gjithçka që kishin mundur në tregun e Korçës, u kthyen sërish nëpër rrugët e Kasabasë ku jetonin myslimanët. Kasabaja ishte e heshtur. Nuk lëvizte asgjë. Dyer e dritare ishin të zëna. Heshtja të jepte përshtypjen e një varreze të frikshme. Dukej sikur nga çasti në çast të vdekurit do të ngriheshin nga varret e do të ecnin nëpër rrugë. Nuk ishte çudi të ndodhte edhe ashtu. Gjendja e rënduar e bënte të vërtetë çdo mendim fantazmagorik që lindte papritur. Aty pranë ishin edhe varet e myslimanëve. Që prej shumë shekujsh kishin qenë aty. Ushtarët grekë nuk po vendosnin dot se çfarë duhej të bënin. Jo gjithnjë kishin mundur t’ia dilnin mbanë me banorët e këtij qyteti. Edhe më dy prill të vitit 1914 kishte qenë një ditë tersi për grekët. Ja si e përshkruan Sejfi Vllamasi në kujtimet e tij: “Grekët në Korçë filluan të vënë në zbatim planin e kryengritjes që kishin përgatitur më parë, dhe, më 2 prill 1914, në Korçë plasi kryengritja e organizuar nga agjenti grek Jakovi, dhespot i Korçës, dhe nga këshilli i Metropolisë. Ky plan u vu në zbatim nga vullnetarët grekomanë të qytetit e të fushës, nën komandën e kapedan Sulios, si edhe prej ushtarëve grekë të fshehur në Korçë, të cilët zunë pozitat më me rëndësi të qytetit. Përnjëherësh u dha kushtrimi ndër fshatra, në të cilat patriotët filluan të grumbulloheshin e të organizoheshin. Forcat e Kajo Kapedanit u vendosën nën vreshtat e Korçës, ku shpartalluan fuqitë e Jorgji Bushos, ish-deputeti i Serfixhës në parlamentin otoman, të cilat po marshonin për në qytet. Nga ana tjetër, fshatarët e Mborjes, në Grykën e Mborjes, shkatërruan fuqinë e doktor Harisjadhit (korçar) të përbërë prej 400 vetash. Kështu qyteti u çlirua dhe dhespoti me këshillin e Metropolisë u transferuan në Elbasan”. Kështu e kishte pësuar edhe Kapedan Varda që kishte ëndërruar nënshtrimin e Korçës, por edhe shumë të tjerë. Terror Ushtarët grek nuk donin të tërhiqeshin nga dëshirat e tyre. Ata nisën të qëllonin me armë në drejtim të shtëpive, diku hynin e diku dilnin. Dëgjoheshin zëra grash të llahtarisura… shkrehje armësh… ulërima… askush nuk e dinte se çfarë po ndodhte… Çupat e Kasabasë nuk mund të dorëzoheshin veçse të vdekura… ndoshta edhe për këtë arsye, ata do të hakmerreshin edhe me mënyra të tjera. Hynë në xhamitë dhe teqetë e qyteti dhe morën prej andej çdo gjë që gjeten dhe prishën gjithçka të shenjtë. Ja si përshkruhet nga gazetari i gazetës “Koha”: “…vodhën e prishën xhami dhe teqe, dhe më pas vunë minaret në nishan dyfeku, këta që mos u mbiftë fara! S’guxonte të dilte hoxha në minare nga plumbat që dërgoheshin. Pa shikoni sa bukur dhe sa i do muhamedanët qeveria greke, si prushi në gji… T’i lëmë fjalët, u sollën aq mirë dhe aq të qytetëruar sa më s’ka ku të vejë. Kështu që vizitorët liridashës, shumë grave myslimane u zbulonin surratin; pasandaj si mund të na ngrohet ky barbar!” Në lagjet e Varoshit “Pastaj shkuan edhe në shtëpitë e vëllezërve të krishterë dhe të bëjnë ato më të mëdhatë, të cilëve si u zinin nga 10-15 ushtarë shtëpinë, u kërkonin përveç të tjerave dhe vezë të pjekura në hell duke u thënë që u liruam. Kaq u mërzitën, por nuk kishin ç’të bënin të mjerët”, shkruan gazeta “Koha”. Por edhe me vajzat e krishtera nuk po ia dilnin dot mbanë. Gjithnjë kishin menduar se me myslimankat do ta kishin të vështirë, pasi atyre vetëm pse po u zbuloje fytyrën, mund të bëheshe me ta hasmë për tërë jetën, ndërsa të merrje guximin për të bërë diçka më shumë, nuk paskësh qenë aq e lehtë sa e kishin menduar gjatë udhës duke ardhur për në Korçë. Por ja që edhe me të krishterkat puna kishte qenë po kaq e vështirë. Kur dikush prej ushtarve kishte dashur të tërhiqte zvarrë një vajzë të krishterë, befas vunë re se gjithë banorët e Varoshit ishin bërë si bisha. “Jooo…! kishin, thënë ata. Kishte qenë një jo e fortë e stërgjatur si jehonë, e frikshme siç ndodh me një gjëmim dhe pas këtij çasti ushtarët kishin mbetur ngrirë që të gjithë si statuja. Si ishte e mundur të ndodhte kështu? Në të vërtetë nuk kishte sit ë ndodhte ndryshe. Ata që u kishin hapur derën kishin qenë vetëm grekomanët. Gazeta “Koha” e shpjegon kështu këtë situatë: “Në Korçë po ngjasin turpe të papëlqyera dhe na vjen shumë keq që gjenden akoma ca korçarë, të cilët edhe s’kanë kuptuar sa zurarë dhe njerëz pa turp janë oficerët e Greqisë. Në Selanik, në Dramë, në Seres, në Karaferje, Follorinë dhe gjetkë e kuptuan karakterin e ulët dhe të sjellat e liga të oficerëve grek dhe sot nëpër të gjitha këto qytete, jo që nuk i qasin t’u kapërcejnë pragun e shtëpive të tyre, po asnjë (kalimera), mirëmëngjes, nuk këmbejnë me ata. Kaq u janë mërzitur sa u janë bërë halë në sy. Fatkeqësisht në Korçë gjenden ca familje që u kanë hapur të dy kanatat e portës dhe i mbajnë në shtëpi me të ngrënë e me të pirë, me të shtruar e me të mbuluar. Edhe këto shtëpi së shpejti do të kuptojnë lajthimin që bëjnë dhe nuk ka dyshim që do të pendohen, por është frika se atëherë mos jetë vonë”. Zhgënjimi Tashmë ushtarët e ardhur nga Greqia po bindeshin se nuk ishin edhe aq trima sa ç’e kishin menduar veten në fillim. Ëndrra për të bërë orgji nga mbrëmja deri në mëngjes me çupat e Korçës nuk kishte qenë gjë tjetër veçse një ëndërr më sy hapur. Të habitur nga mosmikpritja që po u bënin njerëzit e Varoshit, një komandant i vogël i ushtrisë greke i kishte shprehur habinë korrespondentit të gazetë “Koha” duke iu drejtuar në këtë mënyrë: “Ç njerëz këta të Varoshit, nuk kanë as fare liri, këta si myslimanë më duken!” “Jo mor zot, jo i ishte përgjigjur korrespondenti i “Kohës”, s’janë myslimanë, por janë zakonet e shqiptarit ato”. I mbetur i çuditur nga ato që po dëgjonte i tha: “Po si do të bëjmë me këtë njerëz!” Me sa duket Korçën e kishin menduar si një fushë me lule ku mund të këpusnin të gjitha burbuqet pa i shqetësuar askush. Të vërtetën e trimërisë së tyre do ta kuptonin edhe më mirë kur komanda i nisi për të hapur udhën e Kolonjës që ushtria greke të zinte Janinën. “Ushtarët vinin deri në Kolonjë, më tej ishte mbjellë urof; shkruante gazeta, se më një anë cikma e dimrit dhe më anën tjetër trimëria e Sali Butkës me shokët i shoi dhe i farosi dhe aq kishin marrë frikë, sa çdo ushtar kur kthehej pe Kolonjës në Korçë, gojë e tij s’thoshte gjë tjetër përveçse O Sali Butkas… Sali Butkas… Dukeshin shumë të trembur dhe burrëria greke u shqua dhe u peshua se kush ishin, por ç’t’i bësh fatit të lik, nuk na gjeti të tërëve bashkë”. Erdhi një ditë dhe ushtarët grekë ikën për të mos u kthyer më, por në mendjen e tyre mbetën fjalët e korrespodentit të “Kohës”: “Jo mor zot, jo, s’janë myslimanë, por janë zakonet e shqiptarit ato. /nga Vepror Hasani/Standard/
Posted on: Wed, 11 Sep 2013 19:10:54 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015