• Bien kullat e Bashës, leje vetëm Xhamisë së - TopicsExpress



          

• Bien kullat e Bashës, leje vetëm Xhamisë së Namazgjasë. Rama: “I hapim rrugë ndërtimit të objektit të kultit, por kemi këputur bishtin godinë me kate”. Reagon kryebashkiaku Basha: “De jure” nuk ka më xhami. -Këshilli Kombëtar i Territorit në mbledhjen e tij të parë nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, bllokoi lejet për qendrat funksionale në plan për t’u ndërtuar së bashku me Xhaminë e Namazgjasë në kryqëzimin e Bulevardit të Dëshmorëve të Kombit me Rrugën e Elbasanit. Gjithashtu u vendos rishikimi i planit të zgjatjes së Bulevardit të Tiranës në mbledhjet e ardhshme të KKT-së. Menjëherë ka reaguar kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha. Në një dalje për mediat, Basha u shpreh se me anulimin e pjesës së dytë të objektit, kryeministri Rama ka anuluar ‘de jure’ gjithë projektin për Xhaminë e re. “Ky është “de jure” anulimi i Xhamisë së madhe. Duke anuluar këtë pjesë të zhvillimit, ligjërisht është anuluar leja e ndërtimit të Xhamisë së madhe dhe është anuluar kështu projekti i Xhamisë së madhe”. Vendimi Kryeministri Edi Rama bëri publik vendimin e marrë dje në të cilin anulohen godinat polifunksionale3,4,6,8 kate si dhe 3 kate nëntokë, ndërsa do të lejohet ndërtimi i xhamisë ku besimtarët do të kenë mundësi që të falen në një godinë krejtësisht të re. Pas rotacionit politik, Këshilli Kombëtar i Territorit ka rrëzuar vendimin marrë më parë nga qeveria”Berisha’ dhe kryebashkiaku Lulzim Basha ku parashikohej që përveç xhamisë së Namazgjasë, të ndërtoheshin edhe kulla në një nga zonat më të çmuara të kryeqytetit. “Leja ndërtimore komplekse Ngjallimi i Namazgjasë dhe ndërtimi i ndërtesës 3, 4, 6 apo 3 kate nëntokë, KKT konfirmon pjesën e parë të kësaj leje, ndërkohë që anulon pjesën e dytë të lejes. Pra, i hapim rrugë përfundimisht ndërtimit të objektit të kultit, por kemi këputur bishtin godinë me kate që ka shërbyer për të transformuar atë zonë historike të kryeqytetit me një tjetër arsye për të refuzuar këtë mënyrë të të kuptuarit të zhvillimit në kryeqytet. Aty nuk do të ndërtohet gjë veç objektit të kultit”, theksoi Rama pas mbledhjes. Brenda ambienteve të xhamisë së Namazgjasë do të gjendet edhe selia e Komunitetit Mysliman, zyrat qendrore. Sipas projektit të studios së projektimit "Hassa", është parashikuar që të ketë katër minare. Lartësia e tyre do të jetë 50 metra, ndërsa kupola qendrore do të jetë 30 metra e lartë. Ndërtimet pa leje Kryeministri Rama theksoi se domosdoshmërinë e ndërprerjes së ndërtimeve pa leje në gjithë territorin, ndërsa nuk ka lënë pa bërë përgjegjëse qeveritë e mëparshme qofshin të majta apo të djathta, për atë që ai e cilësoi barbari ndaj territorit. “Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit ka pasur zhvillime urbane shumë të konsiderueshme dhe një pjesë e rëndësishme e këtyre zhvillimeve ka qenë të lidhura me lëvizje të mëdha demografike sikurse edhe me procese që herë me leje, herë pa leje janë zhvilluar nën një rrjedhë që duhet të ndërpritet. Një nga pikat kyçe të zhvillimit tonë strategjik dhe afatgjatë janë të shumëllojshme. Kemi ndotje e konsiderueshme lumenjve, lagunave, ujërave të bregut, mbetje të ngurta të pakontrolluara, shkarkime të konsiderueshme në lumenj apo dhe direkt në det në segmente të rëndësishme, shkurtime të furnizimit me ujë për shkak të ndërhyrjeve në rrjet, ndërhyrje në diga, që kanë ndryshuar rrjedhën dhe volumin, shpyllëzime të jashtëzakonshme për përmasën e gjelbër të Shqipërisë, shkaktuar nga zjarre dhe në kullota që ndikojnë në cilësinë e tokës”. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se, si “rrjedhojë e një urbanizimi të shpejtë, të pakontrolluar dhe kaotik, kemi pasoja si: humbjen e biodiversitetit, gjueti me peshkim të paligjshëm, tejkalim në përdorimin e burimeve ujore, nxjerrje të pakontrolluar” nënvizoi Kryeministri. Mbrojtja e qyteteve muzeale Një tjetër vendim i KKT-së ishte shpallja si emergjencë marrja në mbrojtje të tre qyteteve me vlera kulturore dhe historike për vendin tonë dhe më gjerë, Beratin, Gjirokastrën dhe Krujën. Kryeministri Rama paralajmëroi se në tre këto qytete të trashëgimisë kulturore nuk do të jepet asnjë leje ndërtimi për projekte individuale. “Trashëgimia kulturore është në rrezik shumë të madh. Kemi vendosur praktikisht të bllokojmë çdo proces për leje të reja për objekte individuale apo grup objektesh për Beratin, Gjirokastrën dhe Krujën. Berati dhe Gjirokastra janë shembuj të rrallë dhe pjesë e thesarit të trashëgimisë kulturore jo vetëm shqiptare, por dhe botërore. Por paraqesin sot shëmbëlltyrën më kuptimplotë të rrënimit. Gjirokastra sot gjendet në listën e kuqe të UNESCO-s. Do të thotë 18 muaj kohë për t’u rikthyer në listën e vlerave të trashëgimisë botërore apo për të dalë përfundimisht jashtë”, tha Rama. Ambientalistët u ankuan në gjykatë Gjykata e Tiranës rrëzoi pak kohë më parë kërkesën e ambjentalistëve për të ndërprerë punimet e Xhamisë së Namazgjasë. Padia e ambjentalistëve kishte si objekt: "Pezullimin e vendimit administrativ të Këshillit Kombëtar të Territorit, Nr. 2 datë 29.05.2013 për lejë zhvillimore komplekse për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë dhe godinës polifunksionale (3,4, 6, 8 kate dhe 3 kate nëntokë) në kryqëzimin e rrugës George W. Bush dhe bulevardit “Zhan D’Ark”, Tiranë”, si dhe të “leje zhvillimore komplekse me nr. 3306 prot., datë 14.06.2013, lëshuar nga ministri i Turizmit Kulturës Rinise dhe Sporteve Tiranë, miratuar në zbatim të vendimit Nr.2 të KKT . Hekurudha Në ditët në vijim pritet edhe lirimi i trasesë Tiranë-Durrës nga ndërtimet pa leje me qëllim rritjen e sigurisë rrugore.“Jo vetëm qeveria, por drejtësia. Shqiptarëve iu është cenuar siguria e jetës si qytetarë, iu është kërcënuar haptazi ekonomia e tyre si popull, duke iu grabitur territore në rrugët kombëtare. Duhet lirimi i rrugëve kombëtare, të cilat i kanë bërë të pazhvilluara në mënyrë të qëllimshme dhe burim rreziqesh dhe aksidentesh. Do të bëhet lirimi i trasesë Tiranë-Durrës ku po ndodhin gjëra të paimagjinueshme” u shpreh Rama Bllokohet 16-katëshi Policia e Shtetit bllokoi dje vijimin e ndërtimit të 16-katëshit që ndodhet pranë Kryesisë së Kuvendit. Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se, bllokimi i këtij ndërtimi është bërë pasi, nuk ka dorëzuar dokumentet e kërkuara nga Inspektorati Urbanistik Ndërtimor Kombëtar. Sipas ministrisë, “Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar i mbështetur nga Policia e Shtetit ka bërë dje paradite bllokimin e punimeve në një ndërtesë 16-katëshe në rrugën “Donika Kastrioti”, në kryeqytet.”. Legalizimi Kreu i qeverisë, Rama premtoi legalizimin e shtëpive të ndërtuara në zonat informale. “Ne do të legalizojmë shtëpitë në zonat informale, që kanë ardhur për të ndërtuar një jetë më të mirë kur shteti nuk ishte në gjendje të bënte gjë për ta. Nga ana tjetër do të ndërhyjmë me të gjithë forcën e ligjit, atë që është marrë me forcë, për t’u kthyer brigjeve të deteve tona atë që u është shkëputur me forcë. Ky aksion do të shtrihet deri kur rendi mbi territorin të jetë vendosur”, tha Rama.
Posted on: Wed, 09 Oct 2013 07:11:01 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015