Blerim Destani u lind më 12 prill 1981 në Stolberg të - TopicsExpress



          

Blerim Destani u lind më 12 prill 1981 në Stolberg të Aachen-it (Gjermani). Fëmijërinë e kaloi në Tetovë, një qytet në Maqedoni në rrezë të maleve të Sharrit (Bozovc). Gjithë familja e tij ka prejardhje shqiptare. Prej dhjetë vitesh, Blerimi jeton dhe punon në Gjermani dhe Maqedoni. Pasionin e tij për aktrimin Blerimi e zbuloi që herët. Me këmbëngulje ka realizuar planin e tij duke u marrë intensivisht me temat e filmit dhe të dramës. Në moshën 14 vjeçare iu dha roli i tij i parë në filmin televiziv shqiptar “Atje ku nuk lind dielli”. Krahas prodhimit të metrazheve të shkurtra dokumentare, filloi të merrte mësim aktrimi në Angli. Në vitin 2004, Blerimi mori ofertën e parë të madhe filmi. Me përfaqësimin e rolit kryesor të “Benit” në filmin televiziv kosovar „Metropolet“ (regji: Sunaj Raça), ai tërhoqi vëmendje të madhe publike në Evropën juglindore. Drama rinore plot aksion “Metropolet” trajton fatin e shqiptarit të ri Beni, i cili shpreson që në Gjermani do të fitojë mirëqenie financiare në rrugën e shpejtë. Për këtë qëllim braktis familjen dhe shokët dhe vëllazërohet me gangsterin Musa. Plani dështon dhe Beni çohet në burg. Ndonëse dënimi disavjeçar me heqje lirie e ka bërë Benin më të pjekur, ai duhet të konstatojë megjithatë se e kaluara e tij nuk e largon aq shpejt ... Bashkëpunimi i suksesshëm me regjisorin e njohur Sunaj Raça vazhdoi në vitin 2005 me filmin e kinemasë „Kosova – Desperate Search“. Filmi tregon pasojat dhe ndikimet e luftës së Kosovës në popullsinë shqiptare. Spastrimet etnike dhe mizori të tjera i kanë shkatërruar njerëzit shpirtërisht dhe fizikisht. Lidhja e fateve individuale dhe familjare – nga rajone të ndryshme dhe shtresa të ndryshme shoqërore – përbën bazën e një gërshëtimi të dendur subjektesh. Familjet nuk kërkojnë vetëm fëmijët e tyre të zhdukur, ato janë edhe në kërkim të shpresës së re dhe perspektivave të reja. Blerimi në këtë film mishëron në mënyrë mbresëlënëse figurën shumë komplekse të një burri i cili duhet të provohet si ushtar, bashkëshort dhe baba familjar.Por Blerimi nuk është vetëm aktor – interesi i tij për fushën e filmit është i gjerë: Kështu ka pasur tashmë mundësinë për të mbledhur përvojat e para në fushën e regjisë dhe produksionit. Për filmin maqedonas kinematografik me sukses ndërkombëtar “The Great Water” (Uji i madh; regji: Ivo Trajkov) nga viti 2004 punoi si ndihmës-producent. „The Great Water“ u shfaq në vitin 2005 në shumë festivale me renome dhe u shpërblye me shumë çmime. Momentalisht Blerimi vazhdon formimin e tij si aktor dhe merr mësime gjuhesh për të përmirësuar më shumë aftësitë e tij dhe për t’u përgatitur për projekte të reja ndërkombëtare filmi. Në kohën e lirë, Blerimit i pëlqen të merret me boks dhe të luajë futboll, pasi shënoi golat e tij në film. I pëlqen të shkojë në kinema dhe udhëton shumë, në qoftë se e lejon koha. Nëse dëshiron të dish më shumë për Blerimin, jetën e tij dhe punën e tij, shkruaji thjesht një e-mail. Atëherë të gjitha pyetjet e tua do t’u përgjigjet!
Posted on: Sat, 22 Jun 2013 21:15:03 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015