“DOMINUS VOBISCUM” – “ZOTI QOFTË ME TY” PËR LULZIM - TopicsExpress



          

“DOMINUS VOBISCUM” – “ZOTI QOFTË ME TY” PËR LULZIM BASHËN Fitorja meritore e Lulzim Bashës për kreun e Partisë Demokratike erdhi, si i vetmi ngushëllim për të gjithë demokratët e vërtetë, fisnikë e kurajozë të Shqipërisë. Për shumë arsye, të cilat ne demokratët i dimë mirë dhe s’është e nevojshme as t’i rreshtoj dhe as t’i komentoj, më 23 qershor u zhgënjyem, u dekurajuam, u stepëm... Rëndesës së madhe shpirtërore demokrate i rëndoi edhe dorëheqja e Sali Berishës, tek i cili për shumë arsye, brenda dhe jashtë personalitetit të tij, ne kishim inkorporuar shpresa sistematike pa limite. Garimi i Z.Basha dhe triumfi i tij treguan dukshëm dhe hapur inteligjencen masive të demokratëve, të shprehur në votë, si dhe faktin se humbja e rëndë s’ka forcën të na kalamendë, por përkundrazi, na inkurajon të përballemi me fuqi e strategji të reja, me një pushtet i cili pa asnjë dyshim, që nga dita e parë në të fundmen s’do ketë mundësi të realizojë asnjë premtim. Dhe ja pra sot, në çdo familje e individ demokrat shqiptar lindi një shpresë tjetër reale me emrin Lulzim Basha, shpresë e cila, para së gjithash, për ne nuk përkthehet vetëm premtim për rikthim dinjiteti. Këtë e dinë jo vetëm demokratët, por edhe kundërshtarët tanë. Në mbi 8 vite karrierë intensive politike, Lulzim Basha ka dëshmuar çdo sekondë se përbën jo tipin egoist që dominohet nga dëshira për pushtet, por një fenomen racional të kultivuar e shumëdimensional, posedues virtytesh e qëndrimesh, që i qasen e i konvenojnë kohëve moderne. E thënë troç e shqip, siç e kam zakon, Lulzim Basha me ardhjen në krye të lidershipit tonë përbën me të vërtetë një fat. Është e rrallë, deri në papërsëritje, të bashkosh në vetvete në një moshë kaq të re, seriozitetin dhe maturinë, kualitetin intelektual dhe thjeshtësinë, pragmatizmin politik dhe vendosmërinë. Duke iu bashkuar edhe unë ansamblit demokrat, i cili më 24 korrik rifitoi dimensionet e ç’gardhuara të entuziazmit, do të kisha shprehur urimin tim me një mesazh të thjeshtë në celularin e Z.Basha, pasi gjatë gjithë fushatës 20-ditore nuk kam nguruar aspak të jem hapur në anën e tij, për njohje e preferencialitet, sesa për bindje të ndërgjegjshme, të cilën vota disa dhjetëramijëshe e demokratëve ma bëri realitet. Mirëpo ndërkohë që po formuloja mesazhin tim të urimit për Z.Basha, nga një sallë mbledhjesh e Ministrisë së Transporteve, pa logot që e shoqëruan në fushatë me ngjyrat e sloganin e tij, madje dhe pa kravatën blu që s’mungoi ta vinte çdo ditë të fushatës, shfaqet Z.Olldashi me një fjalim të parapërgatitur shpotitës, deri në cinizëm me çdo fjalë e fjali nënkuptuese dashakeqe, duke tentuar të njollosë këtë proces, i cili ndonëse me shpejtësi i realizuar, rezultoi të ishte i shkëlqyer, i pa të dytë në 23 vite postdiktaturë, i cili ne demokratëve na bëri krenarë. Ndoshta i përkas atyre pak demokratëve që jo vetëm nuk më çuditi qëndrimi “made in Olldashi”. Ishte një qëndrim i parapërgatitur në ndonjë redaksi e tek ndonjë tutor i Kolit, që vjell vrer për PD-në, Berishën e qeverinë, prej disa vitesh. Por tek ndonjë skeptik që dashamirësisht më ka sugjeruar se po e rëndoja mediatikisht Olldashin në fushatë, tani besoj se çdo gjë është e qartë. Partia Demokratike kurrë nuk ka pasur as edhe një nevojë për Olldashin, përkundrazi, ai qëndron në këmbë në sajë te skeletit e skeleve tona. Nëse ne i heqim skeletin e skelet, jo veç Olldashi, por edhe miqtë e tij suflerë bien dhe kthehen në butakë, që kurrë më nuk kanë fuqi të ecin, por zvarriten. Kohën le ta kem dëshmitare. Sokoli foli! Ai përzgjodhi fjalët, kohën dhe vendin e gabuar. Them edhe vendin e gabuar, sepse nuk mund të shfrytëzosh institucionin e shtetit për prononcime partiake. Ai institucion nuk është as studio private, as hotel, prandaj kryeministri i Shqipërisë Z.Berisha duhet automatikisht ta shkarkonte. Sokol Olldashi, të paktën në respekt të 8 mijë demokratëve që i besuan votën, duhet të përpinte helmin që tentoi pa sukses ta injektonte. Një proverb i vjetër latin na këshillon: “Kur nuk ke ndonjë gjë më të vyer sesa heshtja për të folur, atëherë më mirë hesht...”. Mirëpo Olldashi nuk është vetëm, dhe për më tepër ata që e ndërsyen në këtë garë, natyrisht që s’e lënë të heshtë. Por Partia Demokratike në mbi dy dekada ka dëshmuar të jetë stërvitur me të tilla skena dhe ato tani nuk përbëjnë lajm, as për kundërshtarët. Sa për demokratët, ata janë në festë, nuk intrigohen aspak, e përveç festës janë rinisur për udhë, për udhë të mbarë të ringritjes me një guidë tepër të besueshme, e ky është Lulzim Basha. I bashkohem urimit qidra mijëra demokratësh për të: “Dominus Vobiscum!” (Zoti qoftë me ty). Azgan HAKLAJ Anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike 1Shpërndaje
Posted on: Fri, 09 Aug 2013 19:46:13 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015