De Biazi: Na mungon një bomber, ja si e dua - TopicsExpress



          

De Biazi: Na mungon një bomber, ja si e dua Shqipërinë Kualifikimi në EURO 2016 nuk është një klauzolë e përcaktuar në kontratë për trajnerin De Biazi. “Është një dëshirë e të gjitha palëve, por jo diçka e përcaktuar në kontratë. Nëse nuk e realizojmë këtë ëndërr të madhe të gjithë shqiptarëve, atëherë do të humbas të drejtën e rinovimit edhe për një edicion tjetër”, – thotë De Biazi për “Panorama Sport” një ditë pasi ka firmosur me Shqipërinë. Ai pohon se kuqezinjtë vuajnë mungesën e një sulmuesi që të bëjë diferencën dhe nuk përjashton mundësinë e ndryshimeve në ekip, ndonëse saktëson se do të jenë shumë të vogla. Një ditë pas kontratës, si ndiheni? Jam shumë mirë. Ndihem i qetë dhe entuziast për të ardhmen. Çfarë ju tha gruaja pasi firmosët? Asgjë, vendimin për të rinovuar me FSHF-në e kisha marrë edhe pasi kisha biseduar me të dhe ajo ishte në dijeni. Çfarë ju tha para se të firmosnit? Mendoje mirë. Tani do kesh më shumë presion dhe do të kërkohet shumë më tepër se sa në edicionin e parë. Çfarë ju tha Duka pas kontratës? Asgjë. Nuk kishim më ç’të bisedonim pasi firmosëm… (qesh). EURO 2016 është klauzolë në kontratë, apo është thjesht dëshirë e juaja dhe e Dukës? Nuk ka klauzolë në kontratë për kualifikimin. Është një dëshirë, një objektiv moral që i kemi vënë vetes, për të cilin si unë ashtu edhe Duka do të luftojmë maksimalisht që ta arrijmë. Duka ua tha se e shkruar është vetëm nëse realizohet ky objektiv, atëherë më rinovohet automatikisht kontrata edhe për një edicion tjetër. Nëse nuk realizohet, atëherë nuk do ketë rinovim tjetër. A do ketë ndryshime në ekip? Nuk besoj. Ndoshta mund të reduktohet disi grupi, sepse do të evitojmë ndonjë eksperiment, të cilin ishte e detyruar ta bënim edicionin e kaluar. Sa lojtarë rrezikojnë të mos grumbullohen më? Nuk besoj se rrezikojnë… hëm (mendohet). Ndoshta ndonjëri edhe rrezikon, por nuk mund ta them me saktësi tani. Mendoj se më të rrezikuarit janë ata që nuk luajnë në ekipet e tyre. Si do luajë Shqipëria edicionin tjetër? Pa diskutim që do luajë pak a shumë me ata lojtarë të ndeshjeve të fundit… Sa të rinj priten të afrohen? Jo shumë. Jo aq sa edicionin e kaluar. Tani kemi një grup me shumë lojtarë dhe duhet të mendojmë ndoshta edhe për seleksionime. A do t’i bëni ftesë tjetër Besart Berishës? Ai e ka derën të hapur, por ka një problem, pasi luan në anën tjetër të botës… Unë e mirëkuptoj kur thotë se është sforco shumë e madhe. Shqipëria shënon pak, si do zgjidhet problemi i sulmit? Duke krijuar më shumë raste për gol dhe duke e çuar topin më shpesh në zonën kundërshtare. Kur do e takoni Januzajn? Së shpejti. Besoj se do të ndodhë së shpejti dhe do jem edhe me zyrtarë të tjerë të federatës. Cili është miku juaj më i mirë në Shqipëri? Kam disa. Nëse përmend vetëm një emër, atëherë do mërziten të tjerët. Nuk po përmend emra. Çfarë ju ka zhgënjyer më shumë në Shqipëri? Fakti që kur gjërat nuk shkojnë mirë nxihet gjithçka, ose luftohet shumë që të gjendet patjetër një fajtor. Por, gjithsesi, dua të them se gjërat që më pëlqejnë në Shqipëri janë më shumë se ato që nuk më pëlqejnë. Çfarë nuk ju pëlqen tjetër? Që hera-herës ka mungesë organizimi të mirëfilltë në disa gjëra. Cili është numri juaj me fat? Është numri 7, sepse më 7 shtator ka lindur vajza ime. Dhe besojeni ose jo, gjithnjë ia kam dalë mirë kur kemi bërë ndeshje më datën 7. Vitin e kaluar fituam kundër Qipros 3-1, ndërsa sivjet, për fat të keq, luajtëm më datë 6 kundër Sllovenisë dhe humbëm. Jam pak supersticioz, nuk e mohoj… (qesh). Nëse do ishit agjent merkatoje, ku mendoni se meritojnë të luajnë Mavraj dhe Kaçe? Mavraj meriton pa diskutim të luajë në një klub të Bundesligës 1, madje në një klub të mirë. Ndërsa Kaçe mendoj se është në një klub të mirë, pasi PAOK-u është i tillë, por aty ka probleme. Kaçe ka mundësi që të luajë në Itali dhe do t’i sugjeroja të shkonte atje nëse i jepet mundësia. Çfarë skuadrash do të donit në grup në eliminatoret e Europianit? Të gjitha ato lloj skuadrash që do të na kualifikonin. Malta, San Marino, Luksemburg… OK, kjo ishte për batutë, sepse nuk mund të kemi një grup me ekipe të tilla. Por, gjithsesi, ne duhet të fokusohemi së pari tek ekipi ynë. Të shohim t’i bëjmë gjërat mirë në shtëpinë tonë, pastaj të bëjmë llogaritë me të tjerët. Kur mund të luajë Shqipëria një miqësore me Italinë? Këtë nuk di ta them. Mendoj se mund të ndodhë gjatë edicionit të ardhshëm, pra ka shanse të mira që të mund të luajmë në dy vitet e ardhshme, por nuk mund ta premtoj. Jeni penduar që nuk ftuat Çanin në dy ndeshjet e fundit? Bogdani tha se ishte befasuar që e latë jashtë? Çani është një lojtar i rëndësishëm për Shqipërinë, por unë e shpjegova motivin pse e lashë jashtë. Ai nuk po kalon një moment të mirë. Vetëm kaq. Cili prej të rinjve që keni afruar mund të luajë titullar në të ardhmen. E kam fjalën për Sadikun dhe Lenjanin…? Ndoshta që të dy. Janë lojtarë me potencialë dhe mund t’i luajnë shanset e tyre pa kurrfarë problemi. Çfarë ka ndodhur me Llullakun, pse nuk e grumbulloni më? Fatkeqësisht unë mund të ftoj vetëm 23 lojtarë, ndërsa Shqipëria tani ka më shumë se 35 lojtarë të gatshëm për t’u thirrur. Kohët e fundit kam marrë ata që kam menduar se mund t’i shërbejnë kauzës më mirë. Gjithsesi, ai mbetet pjesë e Kombëtares. Salihi a duhet të qëndrojë më në Kinë? Këtë e di vetëm ai. Unë si trajner i Kombëtares jam i interesuar që lojtarët të luajnë sa më afër, pra në Europë, sepse kështu evitojnë udhëtime sfilitëse. Gjithsesi, unë nuk mund të ndikoj kurrsesi në zgjedhjet e tyre. Ylli i futbollit që do të donit ta kishit te Shqipëria dhe që mund të na kualifikonte? Mesin ose Ronaldon. Pse? Sepse nëse do të kishim pasur një sulmues që shënon më shumë, ose që e zgjidh një ndeshje edhe i vetëm, duke iu referuar grupit që kishim, atëherë mendoj se mund edhe të ishim kualifikuar edicionin që kaloi. Çfarë ju ka mbetur peng, pra që nuk e keni thënë dot në publik…? Asgjë e veçantë. Ah po, ndoshta diçka që ka të bëjë me përgjegjësitë: në konferencë më pyetët se e kujt ishte përgjegjësia që Shqipëria nuk eci mirë në fazën e dytë të edicionit dhe unë ju thashë se ishte 100 për qind përgjegjësi e imja. Por askush nuk më pyeti se kush e kishte meritën që Shqipëria eci aq mirë në 5 ndeshjet e para… E kujt ishte merita? E të gjithë skuadrës… JETMIR HALILAJ De Biazi rinovonRINOVIMI I KONTRATES De Biazi: Nuk kam superekip, por do ta kapim objektivin Trajneri i Kombëtares, Xhani de Biazi, dje ka rinovuar zyrtarisht kontratën edhe për dy vjet, duke pohuar se objektivin e vënë nga FSHF-ja do e arrijë nëse rreth ekipit do të ketë qetësi, pozitivitet dhe do jetë larg presionit të pikëve dhe rezultateve. Italiani bëri sërish një ekspoze të shkurtër të edicionit të fundit, duke marrë përgjegjësitë për dështimin në pjesën e dytë dhe pohoi se skuadra që ka në dispozicion, ka mundësi që ta përmirësojë vetveten. Më në fund erdhi edhe rinovimi me Shqipërinë… Po. Në radhë të parë dua të falënderoj presidentin Duka dhe federatën për besimin e dhënë duke ma rinovuar kontratën edhe për një tjetër edicion. Sakaq, mund të them se, pas një situate disi të pashpresë në fillim të edicionit, ne arritëm të bënim mirë, sidomos në pjesën e parë. Megjithatë, sikundër e kam analizuar edhe më përpara, shpresat tona për të shkuar në Botëror u thyen në fraksionin e dytë të edicionit. Për edicionin e ri mendoj se do kemi pak a shumë këtë grup lojtarësh, me të cilin do mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme, duke shpresuar në arritjen e objektivave. A beson trajneri se më këtë skuadër mund të shkojmë në “Francë 2016″? Unë mendoj se kjo ide e kualifikimit duhet të qëndrojë brenda nesh dhe të ushqehet vazhdimisht. Gjithashtu mendoj se, që një skuadër të shkojë përpara, duhet të ketë kohë të mjaftueshme në dispozicion, qetësinë e duhur. Një ambient i tillë do t’i japë mundësi të mendojë vetëm për atë objektiv primar dhe për të shkuar gjithnjë përpara. Mendoj se një pushkë pas kurrizit, apo presioni ndaj skuadrës dhe lojtarëve nuk na nevojitet, pasi më shumë dëmton. Mendoj se duhet që të gjithë ne, duke filluar nga media, e cila arrin që ta ndryshojë shumë shpejt atmosferën rreth skuadrës, në momente pozitive dhe negative, të bëjmë të mundur realizimin e kësaj ëndrre. Për çfarë na vlejti kjo periudhë, përtej rinovimit të skuadrës? Kjo periudhë kohore mua vlejti më shumë, për të kuptuar sesi shkojnë gjërat, si dhe se ku duhet të përqendrohemi për arritjen e objektivave. Këtu askush nuk është fenomen dhe askush nuk mund të konsiderohet dështak. Kujtoj mirë komentet në fillim të edicionit kur, për shkak të rezultateve të mira, na ngritët në qiell. Gjithashtu kujtoj dhe kritikat e shumta në fund. Gjithsesi, këto janë pjesë e punës dhe kanë të bëjnë edhe me emocionet e gjithsecilit karshi skuadrës, referuar natyrisht edhe rezultateve. A do të kemi më në fund një edicion tjetër, ose të paktën të thyejmë atë rekord të pikëve të mbajtur nga Brigel? Le të urojmë që do të jetë kështu. Unë tani e njoh më mirë skuadrën. E di se ku janë pikat e forta dhe të dobëta. E di se nuk kam një skuadër supercilësore dhe, thënë këtë, ekipe si Bosnja apo ndonjë tjetër nuk shkojnë në Botëror krejt rastësish, porse realisht kanë elementë cilësorë në organikë. Gjithsesi, ne do nisemi nga forca jonë e grupit, do shikojmë se ku mund të përmirësohemi dhe sesi mund të rritet kjo skuadër nga njëra ndeshje në tjetrën. Nisemi nga vendi i pestë, ka De Biazi një strategji sesi mund ta ndryshojë këtë skuadër që të mos dështojmë sërish? Të gjitha skuadrat e nisin nga zero, ndaj edhe ne do jemi të barabartë mes të barabartëve. Do mundohemi të bëjmë më të mirën me këtë grup lojtarësh, i cili besoj se tani është ravijëzuar dhe, hiq këtu ndonjë dëmtim apo pezullim, nuk do të ketë shumë ndryshime në këto kualifikime. Në pamje të parë ne kemi një Kombëtare që bën mirë në pjesën e parë të edicionit dhe më pas bie totalisht, përse? E kuptoj pyetjen dhe mund t’ju them se të paktën është gjë e mirë që ne i nisim mirë kualifikimet, por ishte pikërisht kjo gjë që më pas na dëmtoi, pasi pati paksa presion ndaj lojtarëve dhe pritshmëritë ishin më të mëdha nga sa parashikoheshin në fillim. Ju keni bërë shumë ndryshime në formacion, thuajse në çdo ndeshje, kur do kemi një 11-she të konsoliduar? Them se ne kemi një formacion pak a shumë të konsoliduar, natyrisht kjo në varësi edhe të dëmtimeve dhe pezullimeve që kemi pasur. Mbrojtja ka qenë thuajse e njëjtë me Berishën, Canën, Lilën, Mavrajn dhe Agollin, gjithnjë kur këta kanë qenë në dispozicion. Në mesfushë kemi bërë ndryshime edhe sepse kemi pasur prurje, por mendoj se me afrimin e Kaçes dhe Abrashit kemi gjetur një lloj qetësie. Valdet Rama është një lojtar i afruar në qershor, i cili ka bërë shumë mirë dhe natyrisht do jetë në formacion. Z.Duka tha se ua ka bërë ofertën e rinovimit që në gusht. Pse u zgjat kaq shumë zyrtarizimi? Në fakt desha që ta lodhja pak presidentin, por vërejta se ai është një maratonomak dhe i palodhshëm (qesh). Ndërkohë dua t’u them se unë u pata pohuar lojtarëve se do vazhdoja të isha në drejtim të skuadrës, ndaj kjo zgjatje e zyrtarizimit nuk ka ndikuar fare në atmosferën në Kombëtare dhe natyrisht as në rezultatet që morëm në fund të këtij edicioni. Sa është përgjegjësia juaj si trajner në dështimin e Kombëtares në pjesën e dytë të sezonit? Sa i përket pjesës së dytë, mund të them se 100 për qind është përgjegjësia ime. Batutat Nuk kanë munguar as batutat gjatë zyrtarizmit të djeshëm të kontratës së re të De Biazit me Dukën në FSHF. I pyetur se pse ishte zgjatur kaq shumë kohë çështja e rinovimit, italiani tha: “Provova ta lodhja njëherë Dukën, por nuk ia arrita”. Ndërsa në fund, kur përfundoi konferenca, Duka u largua para De Biazit, teksa ky i fundit, duke mbajtur nën sqetull kontratën e re, lëshoi një tjetër batutë: “Po e mbaj fort se kam frikë se mos i prishet mendja Dukës dhe ma gris kontratën”. Duka-De Biazi, ja ndasitë Ajo që bëri dje përshtypje gjatë konferencës për shtyp ishte fakti se, nëse presidenti Duka ishte tejet bindës nga ato çka deklaronte, më së shumti në lidhje me objektivin primar, atë të kualifikimit për në Europianin e 2016-ës, trajneri italian për asnjë moment nuk shprehu qartazi fjalën “kualifikim në Europian”. “Do të bëjmë më të mirën e mundshme, duke nisur nga zeroja, dhe do jemi të barabartë mes të barabartëve”, – tha De Biazi, porse nuk konfirmoi për asnjë çast, si në rastin e deklaratave pas ndeshjes me Norvegjinë, fjalën kualifikim në EURO 2016. Duka dhe De BiaziKushti i Dukës: Dua EURO 2016 Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, si asnjëherë tjetër më parë, ka qenë i qartë në objektivat e vëna karshi trajnerit për edicionin e radhës. Gjatë rinovimit të kontratës me De Biazin, ai ka pohuar se është vënë kusht kualifikimi në Europianin “Francë 2016″ dhe se një arritje e tillë do të shoqërohet jo vetëm me bonuset e vendosura në këtë rast nga federata, por edhe me rinovim automatik të kontratës edhe për kualifikimet e Botërorit 2018. Më në fund edhe rinovimi i kontratës me De Biazin… | Po, jam këtu për të zyrtarizuar rinovimin e kontratës me trajnerin Xhani De Biazi edhe për dy vite të tjera. Në fakt, ne si federatë ia kishim ofruar rinovimin teknikut që në muajin gusht dhe tani thjesht po e zyrtarizojmë, natyrisht duke vlerësuar me nota pozitive punën e tij dhe të stafit gjatë kësaj kohe në drejtim të skuadrës sonë përfaqësuese. Ne kemi një bindje se De Biazi është njeriu i duhur për të arritur me këtë skuadër objektivat e vendosur, si dhe ëndrrën e kualifikimit në Europianin “Francë 2016″. Mund të në thoni ndonjë detaj mbi kontratën? Kontrata, siç e thashë edhe më lart, është dyvjeçare me të drejtë rinovimi automatikisht edhe për dy vite, në rast të një kualifikimi në Europianin 2016, pra edhe për Botërorin e 2018-ës. Kontrata është pak a shumë me të njëjtat terma financiarë, me një rritje të vogël simbolike do të thosha, kjo më së shumti për t’i treguar De Biazit dhe stafit të tij se ne si federatë e kemi vlerësuar punën e tij gjatë kësaj kohe. Natyrisht, ne jemi një federatë me buxhet të vogël dhe nuk mund të shkonim përtej shifrave të vendosura në këtë kontratë. Për të sqaruar më mirë pjesën e shtesës, ju vë në dijeni se rritja e rrogës në këtë kontratë do shkojë ekskluzivisht për stafin e trajnerit dhe jo për De Biazin në veçanti. Këtë gjë ma pat kërkuar vetë trajneri gjatë bisedimeve për rinovimin e kontratës dhe gjithë kjo bëhet natyrisht për t’i stimuluar edhe më shumë njerëzit që ndihmojnë De Biazin në mbarëvajtjen e punëve në drejtim të skuadrës. Në ndryshim nga herët e tjera, vërehet se karshi De Biazit keni më shumë besim, e vërtetë? Unë e theksova edhe më lart se ne e kemi vlerësuar punën e De Biazit dhe të stafit të tij dhe se besojmë që ai mund të na çojë në Europian. Nëse nuk do e besonim këtë gjë, nuk do ishim këtu duke firmosur rinovimin, pasi ju siguroj se nuk na detyron askush që të bëjmë gjërat që s’duam t’i bëjmë. Cili është objektivi primar i De Biazit për këto kualifikime, pasi asnjëherë nuk është përcaktuar një gjë e tillë që në fillim të edicionit? Objektivi këtë herë është shumë i qartë: kualifikimi për në EURO 2016. Madje, po ju them se nga arritja ose jo e këtij objektivi varet edhe rinovimi më pas i kontratës tjetër me De Biazin, për Botërorin 2018. A ka vënë federata klauzola në kontratën e trajnerit që, në rast dështimi, të mbajë një pjesë të parave? Kontratat janë tipike dhe thuajse të njëjtat. Në to është vendosur shuma që do t’i paguhet trajnerit si dhe bonuset, të cilat në rast dështimi nuk merren dhe në rast arritje të rezultateve, natyrisht do paguhen nga federata. Z.Duka a rrezikojmë të shkojmë në EURO 2016 dhe të jemi i vetmi vend në Europë pa stadium? Rrezikojmë, por uroj që kjo gjë të mos ndodhë. Deri në 2016-ën, nëse nuk do të ketë pengesa rrugës, ka kohë të mjaftueshme për ta përfunduar projektin. Ka pengesa aktualisht? Zyrtarisht për momentin nuk ka. Ne po vazhdojmë procedurat dhe brenda 22 nëntorit, i cili është edhe afati i fundit, do të bëjmë përzgjedhjen e kompanisë që do merret me ndërtimin e stadiumit. Ne si federatë nuk kemi asnjë problem, pasi e kemi të ngrirë buxhetin, paratë, që janë për këtë impiant dhe do presim që edhe qeveria të bëjë të njëjtën gjë, pra të japë pjesën që asaj i takon. Një koment për kualifikimin e U-17… Jam shumë i kënaqur për emocionet që na dha ajo skuadër. Bëmë një lojë të mirë dhe arritëm një rezultat shumë të mirë. Sigurisht U- 17, ashtu sikundër edhe U- 19 dhe U-21, janë për të furnizuar ekipin Kombëtar A me lojtarë, por kur ke edhe rezultate, atëherë akoma më mirë. Nëse do u kërkohej një vlerësim me notë, cilës kombëtareje do t’i jepnit notën më të lartë? Mendoj U-17, kjo edhe për faktin se suksesin e kësaj skuadre e kemi më të freskët. Një rezultat të tillë kjo skuadër e pat arritur edhe më parë, çka tregon se aty po bëhet një punë e mirë. Sakaq, edhe U- 19 mendoj se ka një organikë të mirë, ndaj mundet që edhe ajo të kualifikohet në ndeshjet që do luajë në nëntor, pasi kam vërejtur se kemi një grup të mirë lojtarësh. Duka: Ja strategjia për Adnan Januzajn Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, nuk ka lënë pa përmendur edhe rekrutimin e talentit 18-vjeçar Adnan Januzaj. I pyetur nga “Panorama Sport”, kreu i FSHF-së ka treguar strategjinë për t’iu afruar lojtarit kosovar të Mançester Junajtid. “Ka pasur, ka dhe do të ketë edhe në të ardhmen një strategji për Adnan Januzajn. Përtej debateve të ditëve të fundit, me të cilat nuk dua të merrem, Januzaj është një talent që është ndjekur nga të gjithë pa përjashtim dhe natyrshëm nuk ka kuptim që t’i shpëtonte vëzhgimit të federatës. Ne po bëjmë punën tonë dhe tani mund t’ju them se po mendojmë që të ndjekim hapat e tjera për të folur me menaxherët e lojtarit, madje duke u paraqitur edhe me anë të një studioje ligjore”, – ka theksuar Duka. Ndërkohë për Januzajn ka folur edhe De Biazi. “Kam thënë që do shkoj ta takoj dhe, në kësi rastesh, do të ravijëzojmë punën edhe me federatën për të bërë më të mirën e mundshme, pastaj do jetë në dorë të vetë lojtarit nëse do pranojë të luajë për Shqipërinë apo jo. Neve nuk na mbetet veçse të bëjmë çka kemi mundësi për ta afruar”, – ka pohuar trajneri italian i Kombëtares shqiptare. “Ja bisedimet për miqësoren e nëntorit” Kreu i FSHF-së ka prekur dje edhe idenë e një përballjeje në mes të nëntorit me një skuadër, në datat e lëna të lira nga FIFA dhe UEFA, për zhvillim të ndeshjeve ndërkombëtare. Sipas Dukës, opsion mbetet Bjellorusia ose San Marino. “Nuk e kemi vendosur ende se me cilin ekip do përballemi, pasi koha ka qenë e shkurtër për të menduar për këtë gjë. Gjithsesi, do kemi një miqësore në mesin e nëntorit dhe jemi duke negociuar me Bjellorusinë, me të cilën mund të luajmë këtu, me San Marinon, ndoshta në San Marino, por mund të jetë edhe një skuadër nga jashtë Europës”, – ka thënë Duka. ADM:Egli
Posted on: Sat, 26 Oct 2013 08:45:26 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015