Deklaratë publike për rezultatin tonë Zyra e Shtypit e - TopicsExpress



          

Deklaratë publike për rezultatin tonë Zyra e Shtypit e kandidatit Arben Malaj -- Vlorë, 25 Qershor 2013 Në ndjekje të rezultateve të marra deri tani nga procesi i numërimit, ne vlerësojmë se nuk ka përputhje të tyre me pritshmëritë tona dhe të votuesve tanë. Shpresojmë shumë që procesi i numërimit të mos cënojë certifikimin e zgjedhjeve, si kushti përcaktues në kredibilitetin e fituesit dhe në cilësinë e integrimit të vendit. Zhgënjimi më i madh në këto zgjedhje nuk është rezultati ynë, por frika që konstatuam gjatë fushatës elektorale. Frikë nga pasiguria për të ardhmen, frikë nga presionet e administratës, frikë nga presionet për vendin e punës apo biznesin. Asnjë popull nuk mund të përparojë dhe zhvillohet pa vrarë frikën. Frika dhe populizmi me taksat e shpenzimet buxhetore, do të jenë dy pengesat më të mëdha pas zgjedhjeve. Fushata negative, presionet ndaj kandidatëve të pavarur, ndjekur nga hezitimi për mbrojtjen e votës janë ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë rezultat të kandidatëve të pavarur dhe partive jashtë koalicioneve. Pavarësisht rezultatit, gjejmë rastin të falenderojmë edhe njëherë me mirënjohje të veçantë të gjithë votuesit dhe mbështetësit tanë, të cilët në këtë fushatë elektorale me mesazhe vetem pozitive janë përkushtuar maksimalisht dhe vetem pozitivisht për të percjellë mesazhin e domosdoshmërisë për demokratizimin dhe modernizimin e politikës dhe shoqërisë civile. Ne i përmbahemi me forcë analizës dhe mesazhit tonë se modeli ynë politik, me përqëndrim të pushtetit politik dhe ekonomik në duart e pak individëve, e gërryen demokracinë dhe vret të ardhmen tonë. Jemi të bindur se gjithnjë e më shumë, do të bëhet akoma më e qartë se ky model politik prodhon më shumë ngërce, korrupsion e kriza, sesa përgjegjësi dhe bashkëpunim për sfidat e vendit Vendi ynë ka nevojë për reforma të thella politike dhe ekonomike që duhen ndërmarrë sa më parë. Në të kundërt, rrezikohet të kalojmë kriza të rënda sociale dhe ekonomike. Të rinjtë meritojnë një model inspirimi dhe promovimi mbi bazën e meritokracisë, për të ndërtuar një karrierë të suksesshme. Vendi ynë ka përpara sfida të vështira. Ne shpresojmë që qeveria e re të krijohet sa më pare, sepse ekonomia e vendit gjendet përballë një krize gjithnjë e më të rëndë buxhetore. Kredibiliteti i zgjedhjeve dhe i qeverisë së ardhshme do të jenë themelore për mbështetjen e reformave të domosdoshme që i nevojiten vendit për të kthyer stabilitetin e financave publike, për të luftuar papunësinë dhe varfërinë. Urojmë fituesit e Aleancës për Shqipërinë Europiane për fitoren e arritur duke shpresuar shumë, që kjo fitore të jetë përgjegjësia maksimale ndaj sfidave të vështira të vendit tonë. Urimet më të mira deputetëve të qarkut të Vlorës duke shpresuar se do t’a përfaqësojnë dhe do t’i shërbejnë sa më mire qarkut tonë. Urimet më të mira për 140 deputetët e vendit tim duke shpresuar shumë në përkushtimin e tyre të përbashkët për reformat e nevojshme në vend, për të ndalur krizën e rëndë ekonomike që kërcënon të ardhmen tonë dhe për mbështetjen e tyre të pa kushtëzuar për integrimin europian të vendit. Në përfundim, një falenderim thellësisht mirënjohës për familjarët e mi që më kanë mbështetur në angazhimet e mia publike e politike, për t’i shërbyer gjithmonë me dashuri dhe përkushtim Vlorës dhe vendit tim të dashur. Një mirënjohje e veçantë për kontributet e veçanta të të rinjve, stafit të mrekullueshëm që më kanë inspiruar dhe mbështetur në çdo hap të fushatës për të demokratizuar dhe modernizuar politikën shqiptare, sfidë që do të bëhet gjithnjë e më e nevojshme dhe e dobishme për çdo shqiptar. Përkushtimi profesional dhe politik ndaj sfidave të vendit tim do të jetë i përhershëm dhe mirënjohës. ---###---
Posted on: Tue, 25 Jun 2013 16:43:12 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015