Dita e Ashures, urtësia, mirësitë dhe dispozitat e - TopicsExpress



          

Dita e Ashures, urtësia, mirësitë dhe dispozitat e saj Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe mëshira qoftë mbi Muhamedin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, familjen e tij, shokët e tij dhe kush i pason ata me sinqeritet deri në Ditën e Gjykimit. Dita e dhjetë e muajit Muharrem, në vitin e kalendarit të hixhretit, njihet si Dita e Ashures. Në legjislacionin islam ajo ka vlerë dhe rëndësi të veçantë. 1. Është transmetuar nga dy imamët e nderuar, Buhariu dhe Muslimi, në dy koleksionet e tyre të sakta, nga Aishja radijAllahu anha, e cila ka thënë se Ditën e Ashures e agjëronin kurejshët në periudhën e xhahilijetit, para Islamit. Këtë ditë e agjëronte edhe Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, por kur emigroi në Medinë e agjëroi dhe urdhëroi të agjërohet. Kur u bë obligim Ramazani, u liruan nga ky obligim dhe kush donte e agjëronte, e kush donte nuk e agjëronte. Në dy koleksionet e vërteta transmetohet nga Ibën Abbasi radijAllahu anhu, i cili ka thënë: Kur emigroi Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në Medinë, pa që çifutët e agjëronin Ditën e Ashures dhe tha: Çështë kjo? I thanë: Kjo është ditë e mirë, dita kur Allahu shpëtoi Beni Israilët nga armiku i tyre, andaj e agjëroi këtë ditë. U tha: Unë kam më shumë merita se ju tek Musai alejhi selam, kështu që e agjëroi atë ditë dhe urdhëroi të agjërohet. Gjithashtu në dy koleksionet e vërteta transmetohet nga Ebi Musa el Eshariu radijAllahu anhu se ka thënë: Ditën e Ashures çifutët e llogaritnin ditë feste dhe Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tha: Agjërojeni atë.” Në koleksionin e Muslimit transmeton Ibën Abbasi radijAllahu anhu se kur Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e ka agjëruar Ditën e Ashures dhe ka urdhëruar të agjërohet. I thanë: O i Dërguar i Allahut, këtë ditë e madhërojnë çifutët dhe të krishterët. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tha: Nëse do jemi në vitin e ardhshëm, do agjërojmë edhe ditën e nëntë, nëse do Allahu.” Ibën Abbasi tha: Erdhi viti tjetër, por Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem kishte vdekur. Në një transmetimin tjetër në koleksionin e Muslimit thuhet: Sikur të jetoj vitin e ardhshëm, do ta agjëroj të nëntën e këtij muaji”. Tek Tabaraniu 10817 ka edhe një shtojcë: Nga frika që mos të më ikë Dita e Ashures.” (Silsiletu Sahiha 350) Bejhakiu dhe Tahaviu kanë transmetuar nga Ibën Abbasi radijAllahu anhu se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: Agjëroni Ditën e Ashures dhe kundërshtoni çifutët, agjëroni një ditë para ose një ditë mbrapa”. Gjithashtu edhe në dy koleksionet e vërteta transmetohet nga Ibën Abbasi, i cili ka thënë se nuk kam parë të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem duke u munduar dhe madhëruar me agjërim ndonjë ditë pos Ditës së Ashures dhe nga muajt muajin e Ramazanit. Në koleksionin e Muslimit nga Ebi Katadetu radijAllahu anhu transmetohet se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: Agjërimi i Ditës së Ashures i shlyen mëkatet e vitit të kaluar.” 2. Hafidh ibën Haxher el Eskalani Allahu e mëshiroftë, në “Fet’hul Bari” 4/346 thotë: Agjërimi i Ashures është tre llojesh: a. E ulëta, të agjërohet e vetme, d.m.th. vetëm ajo ditë; b. Mbi të është të agjërohet bashkë me të edhe dita e nëntë; c. Mbi të është të agjërohet e nënta dhe e njëmbëdhjeta. 3. Dijetari Shah Velijullah ed Dehlevi në “ Huxhetullahi el Baligatu” 2//532 thotë: “Fshehtësia e legjitimit të agjërimit të Ditës së Ashures është se ajo ditë është koha kur Allahu i dha triumfin Musait alejhi salatu ve sel-lem përballë Faraonit dhe popullit të tij. E agjëroi Musai atë ditë si falënderim për Allahun, e pastaj mbeti sunnet tek pasuesit e librave të mëhershëm dhe tek arabët, të cilin gjithashtu e aprovoi edhe Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Fjala e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: Unë kam më merita tek Musai se ju” do të thotë se jam më afër pasimit të Musait sesa ju, ngase ne bashkohemi me të në bazat e fesë, duke i besuar edhe librit të tij, ndërsa ju e kundërshtoni atë ngase keni ndryshuar dhe komentuar gabimisht librin e tij”, ashtu siç ka thënë El Adhim Abadi në “Avnil Meabud” 7/109. 4. A lejohet shfaqja e gëzimit në Ditën e Ashures, domethënë zbukurimi, shpërndarja e ëmbëlsirave dhe gjëra të tilla? Në “Mexhmu’ el Fetava” 25/ 299 shkurtimisht thuhet: Është pyetur hoxha i Islamit mbi atë që bëjnë disa njerëz Ditën e Ashures me lyerjen e syve, larjen dhe lyerjen e flokëve, përshëndetjen për dore, përgatitjen e ushqimeve, shfaqjen e gëzimit si dhe gjëra të tjera si këto, se a është transmetuar ndonjë hadith i saktë nga Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem apo jo? E nëse është transmetuar diçka e vërtetë nga Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, a është përgatitja e këtyre gjërave bidat? Apo e kundërta, disa nga grupimet e tjera mbajnë ditë zie, ditë mërzie, ditë vajtimi dhe shqyerje të rrobave etj., të gjitha këto a kanë bazë në Islam apo jo? U përgjigj: Falënderimi i takon Zotit të botëve. Nuk është cekur diçka nga Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, e as nga shokët e tij, e as nuk e kanë pëlqyer një gjë të tillë askush nga dijetarët e muslimanëve, as katër imamët e askush pos tyre. Gjithashtu nuk është transmetuar askund në librat që bazohemi në to, as nga Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e as nga sahabët e as nga tabiinët, qoftë ajo e vërtetë apo e dobët. Nuk është transmetuar as në librat e vërteta të haditheve, as në sunenet dhe as në musenedatet dhe hadithe të tilla nuk janë njohur në kohën e gjeneratave të arta. Mirëpo kanë transmetuar një hadith të rrejshëm dhe të shpikur, që kinse e ka thënë Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: Kush ia zgjeron familjes së tij Ditën e Ashures, Allahu ia zgjeron atij gjithë vitin” , d.m.th. kush kremton dhe feston me familjen e tij. Ndërsa mbi pjesën e pyetjes mbi shfaqjen e hidhërimit, pikëllimit dhe mërzisë, që e shohim të shfaqur edhe në ditët tona, Imam Hafidh ibën Kethiri në “Bidajeti ve Nihajeti” 4/204 thotë: E tepruan rafiditë nga shteti Beni Buvejh me këtë festë rreth viteve 400 apo afër tyre duke dhënë sinjale përmes rënies së defeve nëpër rrugët e Bagdadit në Ditën e Ashureve, duke hedhur rërë nëpër rrugë, duke ngjitur gjëra nëpër dyqane, duke shfaqur mërzi, pikëllim dhe vajtim, e shumë prej tyre duke mos pirë ujë, që të ndajnë dhembjen me Husejnin ngase sipas tyre, kur u vra ishte shumë i etur, pastaj shfaqja e grave nëpër tregje dhe rrugë duke shfaqur edhe ato dhembjen apo pikëllimin e tyre, madje duke e rrahur veten dhe duke dalë këmbëzbathur nëpër tregje, e shumë e shumë nga bidatet e tyre të urryera dhe tekat e fëlliqura. Dijetari Ali el Karij në “El Esrar el Merfuah fil Ehadith el Mevduah”, faqe 475 thotë: Janë bërë të njohura tek rafiditë e vendeve joarabe, nga Horasani, Iraku dhe shtetet përtej lumit (është për qëllim shtetet islame të Rusisë dhe ato afër tyre) shumë bidate të urryera, si veshja e ngjyrave të zeza, sjellja rreth e qark qytetit, rrahja dhe gjakosja e kokave dhe trupave të tyre me lloj-lloj lëndimi, duke pretenduar se e duan familjen e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, e pa dyshim se ata janë të pastër nga këto fëlliqësira”. 5. Ajo që duhet të përmendim në këtë vend është se dita më e mirë për tu agjëruar nëse përkon me ditën që ndalohet kryerja e kësaj vepre në të, bazë është të merret ndalesa. Për shembull, sikur të bjerë dita e Fitër Bajramit apo Kurban Bajramit në ditën e hënë apo të enjte, që këto dy ditë janë të lavdëruara të agjërohen, por atëherë kjo ditë nuk agjërohet edhe pse është me vlerë të madhe ngase ka transmetime që e ndalojnë agjërimin e ditës së Bajrameve, sepse i jepet përparësi ndalesës ndaj lejimit. Të tillë kemi edhe hadithin e vërtetë që është transmetuar nga Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, që e ndalon agjërimin e ditës së shtunë, që është fjala e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: Mos e agjëroni ditën e shtunë, pos asaj që e keni obligim. E nëse nuk gjen ndokush nga ju pos lëvore të degëve apo rrënjë të rrushit, atëherë ta përtypë atë. (“Irvail Galil” 960) E nuk thuhet kurrsesi në këtë ndalesë ajo çfarë kanë thënë dijetarët për sa i përket agjërimit të ditës së xhuma, ngase është transmetuar forma e ndalesës në ditën e xhuma në disa hadithe të posaçme, e cila kufizohet me një përjashtim të qartë, siç është fjala e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: ...përveç nëse ajo ditë përkon me ditën që personi ka pasur zakon ta agjërojë.” Transmeton Muslimi. Kjo gjë nuk ekziston assesi tek agjërimi i ditës së shtunë pos gjatë Ramazanit. 6. Këtu është mirë të ndalemi në dy vërejtje. E para: Muslimani që është i kujdesshëm ti agjërojë këto ditë të vlefshme, nëse ndalohet nga agjërimi i ndonjë dite të tillë për shkak të ndonjë arsyeje, siç është ndalesa që ka ardhur për agjërimin e ditës së shtunë dhe jo për shkak të neglizhencës apo pakujdesisë, atëherë shpërblimi i mos agjërimit është shumë më i madh me lejen e Allahut sesa ta agjëronte duke e ditur se një gjë është e ndaluar! Argument për këtë është fjala e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: Kush largohet nga ndonjë gjë për hir të Allahut, Allahu atij ia kompenson me diçka më të mirë se ajo.” (Transmeton Ahmedi me zinxhir të vërtetë). Gjithashtu, fjala e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: Veprat shpërblehen sipas qëllimit dhe çdokujt i takon ajo që ka pasur për qëllim.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi) E dyta: Nuk duhet që kjo çështje shkencore të bëhet shkaktare që muslimanët të ndahen apo të polemizojnë, ashtu sikurse mund të ndodhë tek injorantët, ngase kjo është në agjërim nafile në rend të parë, pastaj së dyti kjo çështje është një çështje mospajtimi mes dijetarëve. Atëherë trajtimi i kësaj çështjeje le të jetë studim shkencor, vëllazëror, mëshirëdashës, me zemër të butë duke kërkuar çdoherë kënaqësinë e Allahut dhe çdoherë të kihet për qëllim njohja e së vërtetës. Andaj të mos bjerë dikush prej nesh në rangun e shembullit, siç thuhet: Deshi të shërojë gripin, por shkaktoi lebrën. A është mendore dhe logjike që për kryerjen e një sunneti, edhe pse është vepër e pëlqyer dhe e mirë, të shkaktohen përçarje dhe sprova? Pa dyshim që kjo e fundit është vepër negative dhe shumë e urryer. Kërkojmë nga Allahu i Madhërishëm që ti pranojë namazet tona, agjërimet tona, të na furnizojë me dituri të dobishme dhe vepër të mirë. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij, mbi familjen e tij dhe të gjithë shokët e tij. Lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon Zotit të botëve. Broshurë nga Qendra Imam Albani Nr. 26 Aman-Jordani (përshtati): Unejs MURATI (revista “Këshilla” nr:42)
Posted on: Tue, 05 Nov 2013 12:51:52 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015