Dudaj promovon librin "Valixhe të humbura"! Këtë të premte, - TopicsExpress



          

Dudaj promovon librin "Valixhe të humbura"! Këtë të premte, Botimet Dudaj ju ftojnë të merrni pjesë në promovimin e librit "Valixhe të humbura", nga Jordi Punti. Me rastin e botimit të librit në shqip, autori dhe përkthyesi, z. Bashkim Shehu do të jenë të pranishëm për të folur për veprën. Ju mirëpresim të premten, datë 27 shtator, në ora 18.00, në ambientet e Kafe-Librari “E për7shme”. Jordi Puntí Valixhe të humbura Roman Përktheu: Bashkim Shehu Faqe: 496 ISBN 978-99943-0-278-9 Çmimi: 1000 lekë Gjashtë vjet mbas librit shumë të lavdëruar me tregime, “Kafshë të trishta”, Jordi Puntí shfaq talentin e tij në gjininë e gjatë të prozës me këtë “roman rruge” të veçantë: një histori tronditëse, e thatë dhe e përshkuar nga një humor i hollë, që thellohet në jetën e një grupi të vogël personazhesh në një Barcelonë të asfiksuar nën mantelin gri të diktaturës dhe të dëshiruar për t’u përfshirë nga moderniteti europian. Kur barcelonezi i rrëshqitshëm Gabriel Delakrus – jetim, shofer kamioni dhe bixhozçi i pashërueshëm – zhduket nga qarkullimi, katër djemtë e tij, “Kristoforët”, që jetojnë të shpërndarë nëpër Europë dhe që nuk dinë për njëri-tjetrin se ekzistojnë dhe se janë vëllezër, njihen më në fund dhe fillojnë të lidhin fijet e historisë së babait të tyre. Dora-dorës që shtjellohet rrëfimi, tabloja komplekse e një jete fiton vazhdimisht thellësi duke i përftuar lexuesit po atë magjepsje që ushtron Gabrieli tek ata që kanë pasur të bëjnë me të, te femrat që e kanë dashur dhe tek të bijtë që kanë tërë jetën që e presin. “Valixhe të humbura” është një pasqyrë besnike e viteve ’60 dhe ’70 të shekullit të kaluar, e një kohe kur Spanja jetonte e izoluar nga një Europë që ziente nga energjia e madhe kulturore, sociale e politike. Me këtë portret jetësor të një figure dredharake dhe komplekse, realizuar me penelata mjershtërore humori, ngrohtësie e tragjedie, Puntí shfaqet si një nga zërat më interesantë në prozën letrare. Jordi Puntí ka lindur në Manlleu (1967) dhe jeton në Barcelonë. Më 1998 botoi përmbledhjen e tij të parë me tregime, “Lëkurë armadili”, e cila, në botimin e saj në katalanisht, mori Çmimin e Kritikës “Serra d’Or”. Libri i tij i dytë me tregime, “Kafshë të trishta”, u ekranizua nga kinoregjisori Ventura Pons, me titullin “Kafshë të plagosura”. Librat e tij janë përkthyer në disa gjuhë të botës. Romani “Valixhe të humbura”, qysh para se të botohej, ka fituar çmimin “Octavi Pellissa”, që jepet nga shtëpia botuese “Empúries” për veprat në proces. Është bashkëpunëtor i rregullt i gazetës “El Periódico”, i revistës “L’Avenç” dhe i Radio-Barcelonës. cl 77news.al
Posted on: Tue, 24 Sep 2013 19:13:56 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015