EDI RAMA Kryeministër i SHQIPËRISË SHQIPËRIA NUK ËSHTË NË - TopicsExpress



          

EDI RAMA Kryeministër i SHQIPËRISË SHQIPËRIA NUK ËSHTË NË NDONJË TREN QË SHKON DREJT EVROPËS, POR ËSHTË PJESË NATYRALE E SAJ DHE EVROPA ËSHTË NJË DESTINACION BRENDA NESH Shumë i nderuar zoti Kryetar i Kuvendit, Fort të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë, Zonja kryetare e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit, zonja e zotërinj deputetë, Zonja e zotërinj ministra, Miq e të ftuar, Nëse 20 e kusur vitet e rrugëtimit të Shqipërisë nga izolimi gjakatar drejt demokracisë funksionale, do t’i ndiqnim sot si nëpër shiritin e një filmarkivi, do të vërenim në çdo kuadrat zhvillimi të shumëpritur a ngjarjeje të hidhur, miq e partnerë të pandarë ndërkombëtarë. Mjaft të kthesh pas filmin e shkallëve të kësaj godine, për të parë kryeministrin Blair teksa ngjitet për të mbështetur luftën çlirimtare të Kosovës apo Presidentin Bush teksa zbret për të kumtuar orën e pavarësisë së Kosovës; Kancelarin Vranitzky në ecejaket e tij të pafundme mes hotelit ngjitur dhe Presidencës në anën tjetër të bulevardit, për të gjetur fillin e humbur të arsyes nëpër tymin e vitit ’97, apo Kryeministrin Prodi në kthimin prej gërmadhave të piramidave në Vlorë, për t’i hapur rrugë programit të kooperimit Italian; Sekretaren Klinton për të përshëndetur shqiptarët e bashkuar në vigjiljen e 100 vjetorit të shtetit shqiptar, e me radhë autoritete të larta shtetesh të mëdha e më të vogla, apo vendesh të fqinjësisë së mirë e të miqësive të vjetra në distanca të mëdha gjeografike. Por kuadratet e filmarkivit të pasur të pranisë mbështetëse të miqve e të partnerëve të Shqipërisë, dëshmojnë edhe një të vërtetë tjetër që na bën ne mirënjohës. Kjo është e vërteta se në tërë këto vite lirie të vështirë, ky vend ka pasur fatin të ketë pranë edhe jo pak përfaqësues të këtushëm të botës së atjeshme demokratike ku duam medoemos të integrohemi, ambasadorë vendesh të mëdha e më të vogla, të cilët janë përfshirë emocionalisht në fatet e popullit shqiptar apo edhe individëve të zakonshëm të këtij vendi; Nga William Rayerson tek John Withers, Shtetet e Bashkuara kanë qenë jo vetëm një mbështetës po edhe një mbrojtës i madh i aspiratave demokratike të shqiptarëve; nga Hans Blankenbergu tek Henk Van den Dool, një vend i vogël si Hollanda u është gjendur pranë komuniteteve në përpjekjet për demokraci vendore apo viktimave të diskriminimit social në luftën e tyre krejt të pabarabartë ndaj paragjykimeve të patriarkalizmit tradicional ose politik; nga Carola Holtkemper e të tjerë me radhë që kanë avokuar nevojën e rendit ligjor ekonomik për të çliruar në favor të popullit shqiptar, potenciale të mëdha zhvillimi të marrë peng prej ligjeve të xhunglës klienteliste e korruptive. Të tërë këta kalimtarë të vëmendshëm që kanë lënë gjurmën e tyre në jetën e trazuar të këtij vendi, meritojnë të gjithë mirënjohjen tonë, jo thjesht ndaj tyre po ndaj botës së vlerave e parimeve të shoqërive që ata denjësisht përfaqësuan në Shqipëri. Si qytetar shqiptar që i ka jetuar dhe përjetuar intensivisht këto dy dekada të jashtëzakonshme suksesesh e dështimesh; Si njëri prej 140 përfaqësuesve lirisht të zgjedhur të popullit shqiptar, në zgjedhjet që mbyllën më në fund epokën e votave të vjedhura e të rezultateve të fabrikuara nëpër gjykata; Si kryeministri këtij vendi ku për të dytën herë, pas vitit 1992, u votua jo thjesht për të ndërruar partitë në pushtet po për t’ia kthyer pushtetin qytetarëve; Ju uroj plotpërzemërsisht mirëseardhjen në këtë sallë që sot e përurojmë të ripërtërirë në përmbajtje e dukje, si shenjë respekti për vlerat arkitektonike që kjo hapësirë përmban dhe për mysafirët e kësaj godine që këtu do t’i mikpresim siç u takon. E dua para së gjithash t’ju falenderoj sinqerisht; Për çdo ndihmë të madhe a të vogël për Shqipërinë e këtyre viteve në qëndrime, dije njerëzore a burime financiare; Padyshim, për të gjitha orët tuaja të mira në ditët tona më të vështira përgjatë njëzetë vitesh që kanë kaluar shumë shpejt, po që shpesh janë dukur pafundësisht të gjata; Dhe sidomos, dua të falenderoj të gjithë ata ndër ju që nuk kanë reshtur së besuari tek shqiptarët si pjesë e familjes evropiane, edhe kur Shqipëria nuk ka ditur të jetë para botës e denjë për ëndrrat, shpresat dhe vlerat e popullit të saj. Unë e kam marrë këtë detyrë me vetëdije të plotë për arsyet e 1 milionë votave që Aleanca për Shqipërinë Evropiane mori në këto zgjedhje, të cilat janë ndër të tjera një thirrje e fortë ndaj të gjithë klasës politike shqiptare, qeverisë në radhë të parë, për të nxjerrë mësime nga e djeshmja; Për t’u kthyer shqiptarëve besimin tek politika, ligji, shteti; Për të ndërtuar një model të ri qeverisjeje e komunikimi me ta; Për t’i përfaqësuar ata denjësisht përpara botës dhe për t’i dhënë Shqipërisë normalitetin e botës ku duam të integrohemi. Ne duam të integrohemi në Bashkimin Evropian. Po për ne Shqipëria nuk është në ndonjë tren që shkon drejt Evropës, por është pjesë natyrale e saj dhe Evropa është një destinacion brenda nesh; Ku mbërrihet jo vetëm duke përafruar legjislacionin me Bashkimin Evropian, po dhe duke e bërë, njëkohësisht e në radhën më të parë, zbatueshmërinë e ligjit rregull të bashkëjetesës sonë në Shqipëri. Më shumë Evropë nuk do të thotë më pak Amerikë për Shqipërinë. E po njësoj, anëtarësia në NATO do të thotë qeverisje e këtij vendi me vetëdijen se nuk jemi thjeshtë pjesë e aleancës më të madhe ushtarake të botës së sotme. Po jemi njëkohësisht edhe anëtarë të një koalicioni vlerash e parimesh për të cilat, s’jemi veç gati të çojmë rrezikojmë jetë njerëzish në fronte lufte nëpër botë, por edhe të luftojmë përditë për të zhvilluar cilësisht jetën demokratike të vendit tonë. Për mua s’ka iluzione. Integrimi evropian është mjaft i lehtë të thuhet, po tejet i vështirë të bëhet. Bëhet edhe më i vështirë kur vetëm thuhet dhe bëhet i pamundur kur tjetër thuhet e tjetër bëhet. Siç fatkeqësisht ka ndodhur vitet e fundit. Po sidoqoftë unë mbetem dakord me paraardhësin tim, kur thoshte Shqipëria nuk kërkon çfarë nuk meriton. Dua të shtoj vetëm se ne do të bëjmë gjithçka për ta merituar atë që kërkojmë nga Bashkimi Evropian: Statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim. Zgjedhjet e 23 qershorit kanë përmbushur edhe një kusht themelor të paplotësuar deri para tyre, shqiptarët e bënë të tyren në mënyrën më spektakolare atë ditë. Por ne e mirëkuptojmë këdo që kërkon të shohë qeverinë e tyre të re në veprim, përpara se të ngrejë dorën e miratimit në Këshillin Evropian. Krejt normale kur mendon se sa të mbingopur me fjalë të pambajtura e me ligje të mira po të pazbatuara, janë prej vitesh miqtë tanë evropianë. Qeveria e re s’ka mbushur njëzetë ditë dhe kjo e sotmja ka qenë vetëm dita e dytë e plotë e imja në zyrë, pas vizitave në Bruksel e New York. Lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, thellësia dhe efektshmëria e saj, do të jetë sprova jonë e pandryshuar deri në ditën e anëtarësimit në BE. Por ne jemi tanimë në lëvizje dhe lëvizja jonë do të bëhet përditë dhe më e dukshme në këtë drejtim në muajt në vijim. Populli ynë thotë, nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë. Kapërcimi i detit mes Shqipërisë së dalë nga bunkeri i komunizmit në vitin ’90 dhe Shqipërisë së ulur në tryezën e familjes evropiane, ka kohë që ka nisur. Progresi i bërë në këto dy dekada në bashkëpunim me vendet anëtare, me Parlamentin Evropian e sigurisht, me vetë Komisionin Evropian është i madh. Por më anë tjetër, ky bashkëpunim mbetet ende një “tough love”, siç e quante i nderuari ambasador i Danimarkës, Karsten Ankjar Jensen. Do të mund të thuheshin shumë gjëra për një “tough love”, po me siguri është një dashuri ku të vërtetat që thuhen mes palëve janë vërtet të hidhura. Ajo e korrupsionit dhe krimit të organizuar, është njëra prej tyre në këtë “tough love” të gjatë mes nesh, mes jush, evropianëve të Bashkimit Evropian, dhe nesh, evropianëve që jetojmë mu në mes të Evropës së Bashkuar. Por një “tough love” është me siguri edhe një dashuri ku të vërtetat e thëna, nxisin forcimin e bashkëpunimit. E ne synojmë ta intensifikojmë bashkëpunimin që tanimë ka hyrë në një stad të ri me shprehjen e gatishmërisë së palëve, Shqipërisë dhe SHBA, për ngritjen e njësive të përbashkëta hetimore dhe mbështetjen për Prokurorinë e Përgjithshme në luftë kundër korrupsionit. Po ashtu, është lajmëruar tanimë edhe nisja projekteve të përbashkëta me BE si PAMEKA 4, ndërtimi i pikave kufitare apo binjakëzimet në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërkohë, brenda Nëntorit, do të organizojmë një Konferencë Ndërkombëtare për Antikorrupsionin dhe jam shumë i gëzuar të ndaj me ju bashkëpunimin e nisur, jo vetëm për këtë konferencë po edhe për përvijimin e një projekti inovativ antikorrupsion me BERZH-in dhe IDLO-on. Lejomëni ta ndaj me ju edhe këtu sot bindjen time se sidoqoftë në luftën kundër korrupsionit arma e drejtësisë janë të pazëvendësueshme, por ama në thelbin e vet kjo luftë ka modernizimin e shtetit, demokratizimin e institucioneve e të ekonomisë, efektshmërinë dhe transparencën e shërbimeve për qytetarin. Korrupsioni bëhet epidemik jo thjesht aty ku drejtësia është e dobët, po në radhë të parë aty ku shteti është anemik e i pafuqishëm për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve dhe për t’iu kundërpërgjigjur korrupsionit. Në një vend të qeverisur padrejtësisht ku sundon klani, klientela, farefisi e tarafi, rruga e kërkimit të drejtësisë në dyert e organeve të drejtësisë është iluzore për shumicën e pambrojtur. Ja pse ne jemi të përgatitur për reforma të thella e jo vetëm në letër, dhe jemi vendosmërisht të përcaktuar për ndërtimin dita-ditës të një kulture të re qeverisëse - antikorrupsion në mendësi e në veprim. Në këtë “tough love” e vërteta e hidhur e pasigurisë së shkaktuar nga kriminaliteti, është ana tjetër e medaljes së pasigurisë së shkaktuar nga korrupsioni. I mirëkuptojmë të gjitha kritikat tuaja të dhimbshme dhe rëniet e pajustifikueshme ndër renditje ndërkombëtare lidhur me korrupsionin e me kriminalitetin, të cilat janë shënuar progresivisht vitet e fundit. Po ashtu e çmojmë lart mbështetjen e pakursyer të gjithkujt prej jush që është investuar në fushën e sigurisë, veçanërisht atë të Italisë e të Britanisë së Madhe. E me bindjen se nuk i falet një qeverie shqiptare të shpërdorojë apo dobësojë për shkak të paaftësisë së vet, efektin e asnjë partneriteti në të mirën e popullit, ju siguroj se tek qeveria e re do të gjeni partnerin e dëshiruar për çdo program e projekt - pavarësisht përmasave. Aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Evropian, kërkojnë prej nesh jo vetëm ligje të mira e fjalë bindëse, po edhe rezultate dhe ne do të flasim vijimësisht me gjuhën e rezultateve. Kemi një qeveri të re në moshë të re, plot talent e ambicie, dhe një qeveri me një ekuilibër gjinor të admirueshëm në raport me të djeshmen, po edhe në kuadrin e rajonit tonë. Për këtë kemi marrë jo vetëm komplimentat e merituara prej të gjithëve ju, për të cilat ju falenderojmë përulësisht, po edhe një vlerësim të veçantë nga Banka Botërore që na ka përfshirë në projektin e vet inovativ të qeverisjes së orientuar nga rezultatet. Së bashku me Tony Blair, udhërrëfyesin e madh që e nxori të majtën nga llogorja ideologjike e shekullit të shkuar dhe e orientoi drejt qeverisjes përmes rezultateve, si edhe me Presidentin e Bankës Botërore Jim Kim, kemi dakordësuar për ngritjen në këtë godinë të një Delivery Unit – një njësi speciale e kthimit të prioriteteve në rezultate. Ishte ky një nga momentet frymëzuese dhe inkurajuese, të vizitës së delegacionit tonë në Shtetet e Bashkuara. Gjatë asaj vizite patëm rastin të asistonim dhe në një moment të pazakonshëm për diplomacinë e për bashkëpunimin ndërkombëtar të kësaj kohe të trazuar për mbarë botën; Atë të votimit unanim në Këshillin e Sigurisë së Rezolutës 2118 Për Shkatërrimin e Armëve Kimike në Siri. Diplomacia është aq e fuqishme sa nëpërmjet paqes çaktivizon armët më të rrezikshme të luftës, do të thoshte Sekretari i Shtetit John Kerry. Qëndrimi ynë ndaj regjimit të Asadit dhe masakrës kundër popullit në Siri, është i njohur e identik me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të cilave, siç e sigurova Presidentin Obama, do t’u jemi gjithnjë në krah. Ne jemi shumë të vegjël për të vendosur cilindo fat tjetër përveç tonit në këtë botë të madhe, por fati ynë është diçka shumë e madhe për të mos qenë krah për krah Shteteve të Bashkuara me kontributin tonë të vogël. Pa Shtetet e Bashkuara në krah të shqiptarëve në luftën e tyre të drejtë për lirinë e pavarësinë e Kosovës, sot nuk do të ishte këtu edhe përfaqësuesi i nderuar i shtetit të Kosovës, si pjesë e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri. Pa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të mëdhenj të NATO-s që u vendosën në krahun e duhur të historisë duke luftuar për të drejtën e vjetër të shqiptarëve, sot nuk do të ishim as dëshmitarë të një historie të re paqeje dhe stabiliteti në rajon. Por pa mbërritur deri këtu, s’do ta kishim kaq të prekshme edhe provën e madhe të një të vërtete të thjeshtë e të kahershme, se lufta e armatosur për të çliruar popullin shqiptar të Kosovës nga regjimi barbar i Beogradit, do të sillte jo vetëm lirinë e vetëvendosjen e shqiptarëve në Kosovë po edhe paqe shumë më të qëndrueshme për rajonin. Falë marrëveshjes së madhe mes Kosovës e Serbisë dhe lidershipit të kryeministrave Thaçi e Daçiç, sot rajoni ynë ka hyrë në një faqe të re të historisë së tij. Sfida jonë e përbashkët, e të gjithëve bashkë, në Tiranë, Prishtinë, Beograd, Podgoricë, Shkup, Sarajevë, natyrisht Zagreb e Bruksel po ashtu, është që kësaj hapësire të madhe paqeje t’i japim përmbajtjen e zhvillimit ekonomik e social rajonal. Nisma Bordo, -me të cilën Franca rimerr largpamësisht angazhimin e saj historikisht shumë të rëndësishëm për paqen e stabilitetin në rajon-, përbën një hap kuptimplotë në leximin e kësaj sfide si një sfidë jo thjesht ballkanike po evropiane. Duke nënvizuar perspektivën evropiane të Ballkanit për një Evropë që nuk mund të rindërtohet pa Ballkanin si pjesë përbërëse e saj, Presidenti François Hollande ka përcaktuar më së mirë gjerësinë e sfidës që rajoni po edhe Brukseli kanë përpara. Ashtu siç ka padyshim forca që jetojnë mbi hartat e prodhuara në punishtet e nacionalizmit të një të shkuare që bëhet përditë e më e shkuar, ka edhe forca e zëra që nga jashtë kufijve të Ballkanit i friken ndryshimit të kufijve brenda tij. Të parët duhet të mos i harrojmë, të dytët duhet t’i ndihmojmë të harrojnë. Të mos harrojmë të parët do të thotë të integrojmë rajonin mesveti përmes rrugësh të përbashkëta zhvillimi dhe të integrohemi duke ecur më shpejt drejt Bashkimit Evropian. Të ndihmojmë të dytët të harrojnë do të thotë të provojmë përmes rrugëve të reja të bashkëpunimit e të zhvillimit rajonal, se kufijtë nuk janë mure që duhen shembur po vija të padukshme ku qarkullojnë njerëzit, idetë, mallrat. Por ne, evropianët e Ballkanit të mbetur ende jashtë derës së Bashkimit Evropian, nuk mund ta bëjmë vetëm as të parën as të dytën. Sepse kjo paqe është shumë e madhe për të qëndruar gjatë në këmbë vetëm me forcat e brendshme ekonomike e sociale të rajonit. Në rrjedhën e bashkëpunimit rajonal në Ballkan, ne e çmojmë shumë nismën kineze të thellimit të kooperimit ekonomik me vendet e Evropës Lindore në kuadër të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian. Është një nisëm unike dhe përbën një mundësi unike, të cilën do të bëjmë të pamundurën ta kthejmë në rezultate konkrete për Shqipërinë po edhe për rajonin. Po përgatitemi shumë seriozisht jo vetëm brenda nesh, po edhe me të tjerë në rajon për një qasje sa më tërheqëse nga ana jonë në drejtim të kësaj nisme shumë premtuese për rritjen ekonomike të Shqipërisë e të vetë rajonit. Në kuadrin e qeverisjes për rritje, që është një aspekt themelor i strategjisë Evropa Juglindore 2020, një prioritet strategjik yni është çelja e një ere të re në Investimet e Huaja të Drejtpërdrejta (FDI). Padyshim ky prioritet është i lidhur pazgjidhshmërisht në radhën më të parë me masat e menjëhershme për të ndalur rrënimin financiar të vendit, i cili është mbërthyer nga një krizë që duhet ndalur urgjentisht. Le ta themi hapur këtu në këtë sallë ku janë propaganduar shumë suksese imagjinare, se as Shqipëria nuk është ekonomia e dytë më e qëndrueshme në botë pas Gjermanisë, as qeveria e Shqipërisë nuk mund të vazhdojë t’u thotë qoftë shqiptarëve qoftë ndërkombëtarëve, të shohin gishtin teksa gishti tregon hënën. Shqipëria sot ka një ekonomi në krizë të thellë dhe shqiptarët sot nuk kanë nevojë për mjaltin e ëmbël të gënjeshtrave po për ilaçin e hidhur të të vërtetave. Tamam si në një “tough love”. Kush e do Shqipërinë dhe kush do rritje ekonomike, punësim, zhvillim të pagënjeshtërt e të qëndrueshëm, sot duhet ta shohë të vërtetën në sy. Ekonomia është e mbërthyer nga një ngërç i madh që ka kapur buxhetin e shtetit, arka praktikisht është bosh; që ka kapur sipërmarrjen, biznesi praktikisht është i lidhur pas një zinxhiri borxhesh që shteti u ka kompanive - qoftë në formën e punëve të papaguara, qoftë në formën e TVSH-së së parimbursuar, qoftë në formën e detyrimeve të tjera të papaguara ku spikasin frikshëm detyrimet ndaj sektorit energjitik; kësisoj ngërçi ka kapur edhe bankat që kanë para po nuk japin dot më kredi, në kushtet kur kreditë e këqija kanë prekur nivelin e 25%. Por as jemi në gjendje të pashpresë dhe as na mungojnë zgjidhjet për ta ndalur rrënimin, për ta çliruar ekonominë nga ngërçi dhe për të rimarrë rrugën e rritjes ekonomike. Përkundrazi, çdo krizë është edhe një shans për të dalë më i fortë dhe unë jam i bindur se ne nuk do ta humbim këtë shans. Jemi në konsulta intensive me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, me një rreth ekspertësh ndërkombëtarë të rangut më të lartë botëror, si edhe me ekspertët e Fondit Monetar e të Bankës Botërore. Do të hapim edhe konsultimet me sipërmarrjen vendase dhe të huaj këtu në Shqipëri e, mu siç jemi zotuar do të ngremë shumë shpejt Këshillin Ekonomik Kombëtar. I cili do të funksionojë rregullisht si një institucion i dialogut për strategjinë ekonomike e financiare të vendit, mes qeverisë, sipërmarrjes, bankave, institucioneve financiare ndërkombëtare, si edhe një përfaqësie të rrethit të ekspertizës sonë të spikatur ndërkombëtare. Shpejt do të nisë edhe Auditi Ndërkombëtar i financave të vendit për të marrë pasqyrën objektive të një gjendjeje që e kemi gjetur më keq se ç’e prisnim, por që gjasat janë të jetë edhe më keq se ç’e lexojmë ne në këtë fazë shumë fillestare të qeverisjes. Në këtë mënyrë do të shkojmë drejt projekt-buxhetit të vitit tjetër dhe do të çelim rrugën e rikthimit të ekonomisë në normalitet më herët se sa vonë. Edhe shërbimi ynë diplomatik, i cili do të kalojë në një reformë racionalizuese në funksion të përmbushjes së prioriteteve strategjike të politikës sonë të jashtme, do të vihet qenësisht në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit. Puna e lavdërueshme e bërë në kuadër të TAP nga qeveria paraardhëse, do të çohet më tutje nga qeveria e re, duke synuar të sigurojmë kalimin e një degëzimi të tij në Kosovë. E ndërsa përmend këtë detaj të rëndësishëm të bashkëpunimit strategjik në fushën e energjisë me Kosovë, e ndjej detyrim reflektimin para Gjermanisë dhe Austrisë, për sjelljen jodinjitoze të shtetit shqiptar në kuadrin e linjës së intekonjeksionit me Kosovën. Projekti i financuar nga banka gjermane KFË, hyri në një hulli të errët dhe të papranueshëm. Gjermania është donatori numër një në vendin tonë me një rol unik në shumë fusha që ndikojnë drejtpërdrejtë jo thjesht në ekonomi, po në konsolidimin e demokracisë. Prania gjermane në rajon është një faktor kyç në ndërtimin e mirëqenies rajonale. Dhe qeveria e re është vendosur t’u përgjigjet ndjeshmërive të partnerëve tanë, veçanërisht përsa i përket sundimit të ligjit dhe transparencës në çdo fushë. E mirëkuptoj plotësisht zhgënjimin dhe kërkesën insistuese për siguri ekonomike për investimet e huaja nga ana e partnerëve tanë, dhe ju siguroj të gjithëve se do të jemi absolutisht të vendosur në imponimin e rendit ligjor në ekonomi. Duhej bërë shumë më tepër për të merituar mbështetjen e Gjermanisë në projektin e linjës së intekonjeksionit me Kosovën. Ky mësim e pësim fort i hidhur i së djeshmes është para nesh tashmë. Jo veç për të mos u përsëritur, por dhe për të rikuperuar sa më me efektivitet kohën e humbur si edhe respektin e cënuar. Në fakt e shkuara e afërt na mëson se si në çdo hap të politikës sonë të jashtme e iniciativave brenda vendit duhet të jemi të vetëdijshëm, përpos çdo ekuacioni të politikës vendase, për përgjegjësinë para miqve e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Pjesë e kësaj përgjegjësie kornizon dhe politikën tonë të jashtme, e cila tashmë i ka të hedhura qartësisht hapat e saj në ndërtimin e trekëndëshit të partneritetit strategjik me Italinë, Turqinë e Greqinë. Të treja këto vende me lidhje të hershme historike, kulturore, politike e ekonomike me vendin tonë. Për shkak të këtyre lidhjeve; interesit reciprok të përhershëm që ka ekzistuar mes nesh; pozicionit kyç të secilit prej nesh në pellgun mesdhetar dhe ndjeshmërive e përgjegjshmërive të përbashkëta euro-atlantike, besoj se bashkëpunimi strategjik në këtë trekëndësh të politikës së jashtme, sjell një dinamikë të re sigurie, zhvillimi e kooperimi në Ballkan e më tej. Në tërësinë e mundësive të krijuara nga kjo politikë e jashtme dinamike, ne padyshim qëndrojmë bashkë me Kosovën. E cila është partnere kryesore dhe një burim frymëzimi për ne e të gjithë rajonin. Jo vetëm për si ka adresuar me sukses, pas eksperiencash fort të dhimbshme, çështje si ajo e sigurisë apo dhe pakicave, por veçanërisht për pjekurinë e treguar në marrëveshjen me Serbinë. Të ardhmen ne e shohim veçse të përbashkët në Bashkimin Evropian, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e me Bashkimin Evropian, të dy aleatë strategjikë, partnerë kryesorë, të përhershëm e të pazëvendësueshëm të Shqipërisë. Aleatë që dhe nëpërmjet ambasadorëve i kanë dhënë Shqipërisë miq të vyer, si Ambasadori Sequi dhe Ambasadori Arvizu; të dy shembuj mbresëlënës të mënyrës se si e kanë zhvilluar bashkëpunimin me vendin tonë e me ne shqiptarët, përmes atij “tough love” që jo vetëm për ne, po edhe për vetë ata do të mbetet në kujtesë si një eksperiencë unikale. Në ditët e fundit të mandatit të Ambasadorit Arvizu në vendin tonë, gjej mundësinë ta përshëndes posaçërisht me respekt e me shumë mirënjohje, si qytetar e tanimë si kryeministër i vendit tim. Dua ta falenderoj për gjithçka bëri me ndershmëri intelektuale përveçse me përkushtim miqësor e profesional për Shqipërinë e shqiptarët, që nga dita e parë e mandatit të tij. Por dua ta falenderoj edhe jo vetëm për shumë ditët e mira që kemi kaluar bashkë po dhe për orët e vështira mes nesh, ku nuk m’i ka fshehur mendimet e tij të ndryshme nga të miat. Jam i bindur se në orë të atilla miqësitë e vërteta marrin formën e tyre të qëndrueshme për gjithë jetën. Kam pas lexuar dikur në kujtimet e një diplomati të fillim viteve 90’ të gëzimin e tij tek shpëtoi për pak veten prej së rëni në një nga ato netët e dimrit pa drita, mu në gropën e lënë pas nga shtatorja e rrëzuar e Stalinit këtu në kryeqytet. Ai mendonte se përveç thumbave të kolegëve, ajo rënie në gropën e Stalinit do t’i kishte kushtuar në gazetat vendase edhe një shkrim me titull “Diplomati i huaj në kërkim të së kaluarës”. Me siguri gjithkush që ka kaluar këtyre anëve ka anekdotën e vet për t’u mbajtur mend, edhe pse shtatorja e Stalinit ka kohë që duket sikur s’ka qenë kurrë buzë bulevardit Dëshmorët e Kombit. Por me siguri gjithkush nga ju është edhe dëshmitari më i besueshëm se Shqipëria është një vend që vlen jo vetëm të vizitohet po edhe të besohet. Dhe që Shqipëria ka plot për të treguar në tërë këto vite për kontribute që sot, më shumë se për historitë e të djeshmes, na flasin për ato që Thommas Jefferson thotë se janë shumë më të pëlqyeshme, ëndrrat e së ardhmes. E pra, faleminderit për gjithçka ju dhe vendet tuaja bëni për ëndrrat e së ardhmes së këtij vendi, si pjesë e një bote ku tashmë, njëherë e përgjithmonë, mirëqenia e secilit është e ndërvarur me mirëqenien e tjetrit dhe paqja e secilit është e ndërlidhur me paqen e tjetrit. Faleminderit. * Kryeministri Edi Rama ka ftuar me rastin e marrjes së detyrës, në selinë e qeverisë, trupin diplomatik të akredituar në Tiranës. Këtë ceremoni e ka hapur Dekani i Trupit Diplomatik Nunci Apostolik Archibishop Ramiro Moliner Ingels.
Posted on: Thu, 03 Oct 2013 04:35:04 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015