EVAZION SEKSUAL Kur një biznes raporton të ardhurat më pak apo - TopicsExpress



          

EVAZION SEKSUAL Kur një biznes raporton të ardhurat më pak apo shpenzimet më shumë se ç’janë në të vërtetë, e bën diçka të tillë për të ulur sa më shumë nivelin e fitimit, në mënyrë që të paguaj sa më pak tatim mbi fitimin. Ky na është i famshmi evazion fiskal, po ai seksual? Meshkujt dhe femrat të trajtuar në këndvështrimin më popullor i shohim të lidhur midis tyre në një skemë të ngjashme si----mashkulli financues i femres. Nuk ia vlen të ndalemi në vërtetësinë e kësaj skeme pasi qëllimi nuk është të luftuarit për të drejtat e femrave (të “panjohura nga vet ato” në pjesën më të madhe të rasteve), por le të shohim sesi zhvillohen ngjarjet në skemën e rrënjosur. Mashkulli si një financues i femrës në pasqyrat e tij « financiare » e paraqet femrën/at në seksionin e shpenzimeve dhe si rrjedhojë është i prirur të deklarojë gjithnjë e më shumë një numër dhe vlerë sa më të lartë të tyre (vetkuptohet për ato femra të drejtimit seksual). Të jemi të sigurt se për një mashkull kur një tjetër ka shumë të dashura nuk nënkupton paraqitje të bukur fizike mashkullore sesa nënkupton pushtet ekonomik, duke qënë se tashmë është shumë i përhapur opinion se femrat si kriter të parë vlerësimi kanë aspektin ekonomik, (opinion ky mashkullor). Ndaj nuk kemi si ti vëmë “faj” atyre meshkujve që deklarojnë se kanë patur shumë të dashura, madje nëse i sheh rrugës me një femër të bukur pranë dhe ia përmend disa minuta më pas një fakt të tillë, ka shumë të ngjarë që të deklarojë se e ka të dashur, në fakt për të qënë më realist në fjalorin e përditshmën shmanget fjala “I dashur”, veçanërisht “ E dashur”, në të tilla raste pyetjet më të zakonshme zhvillohen në mënyrë jo të drejtpërdrejtë: “Ke gjë me atë bionden/brunen që të pash te kthesa?” ose për ata meshkuj që mbahen si më diplomat pyetja do ishte “Të pash te kthesa” dhe i lihet vet personit të pronocohet më tej nëse ai do. Nëse personi i pyetur nuk do të deklarojë asgjë në lidhje me bionden/brunen atëherë kemi tri opsione të mundshme 1) E ka motër 2) E ka të dashur dhe shumë shpejt do fejohet/martohet 3)Opsioni i tretë: Opsioni i pari pothuajse fare nuk ka shanse të ndodh: Sa meshkujve ia njihni motrat? Pothuajse asnjë (edhe atyre që ia njihni, iu kanë treguar të tjerët, por nuk e ka prezantuar i vëllai te ju) Dhe sa meshkujve ia njihni të dashurat me të cilat ato e kanë “seriozisht”? Vetëm pasi fejohen ose martohen. Ndaj mbetet vetëm opsioni i tretë (po ashtu edhe opsioni im i parapëlqyer), djali në fjalë nuk e ka parë fare vajzën te kthesa, fenomen i rrallë, po ja që edhe ndodh. Në të kundërt nuk do të kishte hezituar ta deklaronte si të « tijën ». Zoti e ndihmoftë nga ndonjë provokim i personit që po e pyet, pasi biondja apo brunia tek kthesa mund të jetë motra e tij. Evazioni seksual mashkullor është shumë i përhapur dhe stimuluar nga shoqëria. Qoftë meshkujt, qoftë femrat, nëse shohim dikë më dikë të seksit të kundërt (duke patur parasysh edhe dy-tre detaje të rëndësishme , si për shembull poziçionimi i trupave kundrejt njëri tjetrit apo vendi ku i pamë) mund të arrijnë shumë shpejt në konkluzionin që janë “bashkë”. Evazioni seksual mashkullor mund të ndryshojë formë të të shprehurit me kalimin e moshës. Në adoloshencë pothuajse « ulërin » me të madhe që i gjithë gjimnazi të informohet për të dashurën tënde, vendosja e kufijve bëhet pak a shumë si edhe tek kafshët, në sensin human të fjalës. Në moshën 30-35 vjeç shoku i ngushtë e merr vesh për të dashurën tënde nëse ti e pyet se ku ka ndonjë motel të mirë, ndërkaq shokët e tjerë e marrin vesh nga shoku i ngushtë. Në moshën 40-45 vjeç kemi një rikthim në adoloshencë, tashmë e dashura( por më shumë dashnorja ) nuk është « zënë » vetëm për qejf, por mbi të gjitha për ekspozim në ambientin mashkullor. Për shumë madje është kthyer në çështje statusi : Nëse punon në doganë, apo ke ndonjë biznes, apo je drejtor, apo shoqërohesh me të « fortë » atëherë me siguri që plotëson apo « duhet » të plotësosh disa kushte njëherazi. Paçka rëndësisë që mund të ketë pasja e një dashnoreje duket se herë herë përbën kushtin e parë të të paturit të këtij statusi. Në moshën 50-55 vjeç mjafton një telefonatë e zhvilluar në tavolinë për të informuar pjestarët e tjerë të tavolinës se ti si mashkull je akoma shumë i ri. Zëri me të cilin i flet personit tjetër është paksa i hollë, ose edhe me kërkesë llogarie brenda, kihet gjithnjë kujdes të përdoren mbiemra të gjinisë femërore , të tipit « Qënke shumë e qeshur sot » (fundja fundit treçereku i kënaqësisë vjen më shumë kur informohen shokët për seksin që do bësh sesa vjen nga vet kryerja e marrëdhënieve). Ndërsa mbi moshën 55 vjeç mundet vërtet të deklarosh të dashura, por si fillim duhet ti kesh me vete, dhe të zhvillosh skena të përshtatshme minierotike që të mos i lenë askujt mëdyshjen nëse është apo jo e vërtetë ajo që po i shohin sytë. Nëse të dashurën nuk e ke me vete atëherë merr shokët kur të shkosh ta takosh, kjo e fundit është shumë më e arritshme, do ti kesh gati të gjithë, ndoshta do mungojë Tonini, me të cilën ke bërë sherr kohët e fundit, se të tjerët raport te puna do marrin, vetëm që të jenë të pranishëm (duke përjashtuar faktin se mund të jenë në pension). Të mos harrojmë se marrja e shokëve me vete për ti prezantuar me dashnoret mund të ndodh në cfarëdolloj moshe, kjo formë e deklarimit të evazionit seksual muk ka kufizim moshe. Kemi edhe një Evazion Seksual Shoqëror : Nëse shoku më i mirë të merr gruan, atëherë duhet paraprakisht të jesh në dijeni se : “ Po më i keqi, çfarë bën më i keqi?” Normalisht mendohet se do të marrë edhe shtëpinë , edhe makinën. Në fakt problemi qëndron gjetkë: Shoku më i mirë që të ka marrë gruan, të ka dëgjuar me vite me rradhe se si ti deklaron se sa të dashura ke apo ke patur dhe si rrjedhojë ai “i shkreti” është mbushur gjithë komplekse inferioriteti dhe si rrugë më të mirë për tu ndjerë “paralel” apo “mbi ty” është të vihet në vendin tënd. Si rrjedhojë vjen edhe e pashmangshmja, gruaja e “bosit të femrave” shkon me shokun e tij më të ngushtë ( në fakt me shokun më të ngushtë, por që qendron poshtë të gjithë shokëve të tjerë, në aspekte të ndryshme). Pavarësisht se “bosi” është kujdesur vet që në fillim për të marrë një “grua për shtëpi”, pa llafe, me sytë e ulur poshtë, ai gjithsesi ka neglizhuar faktorin “kohë” dhe “telenolevë” (janë pikërisht femra të tilla ato që atë që kur nuk e gjejnë dot veten në jetën reale, shkrihen si akullore duke u futur në botën e telenovelave dhe me kalimin e kohës në jetën e tyre gjen vend shprehja “Në fillim filmi imitoi jetën, tani jeta imiton filmin”). Vijmë tek pasqyrat financiare të femrave: Sikurse është nisur ky muhabet, është evidente se meshkujt pasqyrohen në seksionin e të ardhurave, deklarohen gjithnjë e më pak dhe e bukura është se me kalimin e viteve numri i tyre tek e njëjta femër vjen duke rënë. Një shoqe që ti i dije 7 lidhje, papritur kur ajo martohet , jo vetëm që mundohet të shmang tema të tilla në lidhje me ish të dashurit, por madje për 4 apo 5 prej tyre fillon një tjetër formë e evazionit seksual, shoqja që ka patur një eksperiencë 7-mashkullore deklaron se me to “Vetëm sa është puthur”. Një ditë të bukur ti dëgjon një version krejt “hirushian” të historisë së shoqes tënde , treguar nga goja e vajzës së saj: “Mami ishte 15 vjeç kur njohu babin dhe babi priti sa mami të rritej dhe pastaj u martuan bashku” (në fakt në lidhje me “pritjen e babit” ti nuk duhet të jesh kundër, fundja ai i shkreti nuk ka pritur pak, ka qenë i teti në rradhë). Dhe le të mos bëjmë të paditurin për faktin se ku e mësojnë femrat evazionin seksual, janë pikërisht mamatë e tyre mësueset më të denja ( dy tufa me lule, një për 8 mars, por dhe një për 7 mars). Për meshkujt dihet, e mësojnë nga meshkujt më të rritur dhe se si aplikohet e shohin në televizor. Tani vijmë tek pyetja famoze, për personat e presupozuar si beqar: “A ka ndonjë të re?”(në dialektin verior fjala “ e re” nënkupton” nuse”, gjetje me vend apo jo?) Të jesh 50-55 vjeç, si fillim nuk të bëhet kjo pyetje edhe nëse ke ndërmend të thuash që nuk je i/e martuar, do detyrosh shumë prej atyre që e cungojnë fantazinë të nënkuptojnë që je edhe i/e virgjër. Pra je pak a shumë si shitësi i farave të lulediellit apo bananeve që një inspektor i tatimeve nuk do denjonte ta pyeste se sa të ardhura bën, në një fare mënyre je i përjashtuar nga “GDP-ja” e vendit. Ndërkaq për ata që janë të mirinformuar me statistikat e fushës së tradhëtisë e dinë shumë mirë që kjo moshë “nuk të fal”. Nuk para ndodh që një 50-vjeçar të prononcohet për beqarinë e tij/saj, pasi personat që e njohin janë shumë të kujdesshëm në të tilla raste, të informojnë ata të parët “Ai/ajo është beqar/e” (ndonjëherë dëgjon ose thua edhe një “gjynah” në fund të prezantimit të shkurtër). Ajo që të bën gjithnjë përshtypje është se asnjëherë nuk do të gjesh një kurvë apo kurvar ( do të ndalemi në një tjetër artikull për përdorimin e këtyre termave) beqar në atë moshë, në fakt thellë thellë më e habithme është të kërkosh të gjesh një të tillë. Të jesh 40-45 vjeç dhe të thuash se nuk je i lidhur, atëherë shtrohen dy pista hetimi: -Je i/e martuar , por nuk e deklaron. Pak a shumë si një biznes i zhvilluar në kushte shtëpie, nuk ka rëndësi sa mirë të shkojnë punët, rëndësi ka ti deklarosh ato sa më keq të jetë e mundur. Çfarë ndodh nëse partneri i seksit me të cilin je lidhur kohët e fundit merr vesh që je i/e martuar? Me siguri që hyn në fuqi deklarata se me gruan/burrin do ndahesh së shpejti, është çështje ditësh ose çështje minutash në rastin kur sheh një inat të fuqishëm në sytë e personit që ke përballë. Pak a shumë të njëjtën gjë bëjnë edhe bizneset e reja kur i vjen për herë të parë inspektori i tatimeve: ose deklarojnë që sapo e kanë hapur biznesin ose që do ta mbyllin së shpejti pasi nuk po i ecën aq sa duhet. -Por një 40-vjeçar/e mund të jetë realisht beqar/e. Aahh kësaj rradhe nuk i shpëton dot atij shikimit që të thotë “Hidhu se të iku mosha” apo “Pa të mendohem pak se mos njoh ndonjë dhe të rregulloj ndonjë gjë”(këto mendime përgjithësisht i kalojnë nëpër mend grave të fisit, ato që mbahen si rregullatore edhe aty ku asgjë nuk duket si e prishur). Pasi ke deklaruar beqarinë tënde në këtë moshë ndjen se si të tjerët të shohin gjithë keqardhje, sikur sapo i ke thënë që pjesën e mbetur të jetës ka shumë mundësi ta kalosh i papunë. Të jesh 30-35 vjeç dhe thua “Nuk kam të dashur” është sikur të deklarosh tek njoftime që askush nuk ju ka telefonuar për makinën që keni 10 vjet që e keni nxjerrë në shitje. Jo se një deklaratë e tillë nuk mund të bëhet, por si fillim duhet të jemi të sigurt që pas një deklarate të tillë ju duhet të ndryshoni tematikën e njoftimit, do të ishte e llogjikshme “Një makinë dhurohet “(për të mos thënë “Një makinë falet”, duke patur kujdes që të mos i ulet më tej vlera e makinës). Dhe vijmë tek mosha 20-25 vjeç, ku deklarata se nuk je i/e lidhur është një formë e zbutur e përgjigjes “Jam dakort të lidhem me ty” apo “Njeh ndonjë që do të lidhet me mua?”. Në këtë artikull jam kufizuar në përdormin e fjalës “dashnor/e”, paçka se kjo ka qenë fjala e duhur për temën e trajtuar, për çështje “estetike”në të shprehur kam zgjedhur të aplikoj evazionin verbal.
Posted on: Thu, 11 Jul 2013 07:38:18 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015