Firmos Bratiç: Dua titullin te Kukësi Kukësi zyrtarizoi dje - TopicsExpress



          

Firmos Bratiç: Dua titullin te Kukësi Kukësi zyrtarizoi dje edhe afrimin e mesfushorit kroat, Davor Bratiç. 26-vjeçari ka firmosur një kontratë 1-vjeçare me të drejtë rinovimi edhe për një sezon. Ashtu siç është bërë traditë tashmë, klubi kuksian prezantoi lojtarin para mediave, teksa të pranishëm ishin presidenti Safet Gjici dhe drejtori teknik Sulejman Starova. Lojtari që mbylli sezonin te Flamurtari shton tashmë rivalitetin në mesin e fushës, duke e bërë këtë repart mjaft të konsoliduar. Bratiç është shprehur i kënaqur për këtë kontratë, duke shpresuar se do të jetë kampion me Kukësin. Megjithatë, për të arritur deri te firma nuk ka qenë e lehtë. Pas shumë diskutimesh, u ra dakord që lojtari të mos penalizohet në rast se klubi nuk fiton titullin kampion. Për sezonin e ri drejtuesit kanë aplikuar mbajtje 20% të kontratës në rast se s’arrihet objektivi, që sigurisht është fitimi i titullit. Megjithatë, kontrata e Bratiçit ka edhe një bonus prej 10 mijë eurosh, gjithnjë nëse Kukësi do të realizojë synimet. Deklarata Pas hedhjes së firmës për klubin verilindor, kroati dha deklaratën e tij të parë si lojtar i Kukësit. Tashmë ai kërkon të shpallet për herë të tretë kampion në Shqipëri, teksa në dy herët e para e ka bërë si pjesë e Skënderbeut. “Vij me kënaqësi nga Flamurtari te Kukësi. Jam i lumtur që kam arritur të firmos këtë kontratë. Falënderoj presidentin Gjici, drejtorin teknik Starova dhe gjithë stafin. E kam ndjekur ekipin në këtë periudhë dhe mund të them se ka bërë një lojë të shkëlqyer. I uroj Kukësit suksese në Ligën e Europës, ndërkohë që unë nuk mund të luaj ndaj Trabzonsporit për shkak të federimit. Shpresoj që sfida me turqit të fitohet nga skuadra jonë. Nga ana tjetër, besoj se do i arrijmë të gjithë objektivat, duke marrë në konsideratë atë më madhorin, që është fitimi i titullit”, – është shprehur kroati.
Posted on: Fri, 16 Aug 2013 12:57:08 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015