Flijimi ngadhënjyes! Marjan Sebaj-SOPI Ishin ditë e vite të - TopicsExpress



          

Flijimi ngadhënjyes! Marjan Sebaj-SOPI Ishin ditë e vite të vështira të jetës sime, ditë të përcëlluara me dhembje të mëdha shpirtërore dhe trupore. Ishin ditë, kur s’ dëshiroja të komunikoja me askënd, por dëshiroja të qëndroj gjithnjë i mbyllur në vetvete, të mos ndaja asgjë me askënd, as pikëllimin. Edhe në këto momente të vështira, Zoti dërgon njerëz të zgjedhur për të qenë me mua e pranë meje. Kalonin ditë në pikëllim për vëllain tim, gjersa shëndeti im keqësohej gjithnjë e më tepër. Mirëpo, Zoti gjithnjë kujdeset për të përzgjedhurit e vet. Së fundi u hapën dyert e shpresës për shëndetin tim. Pas një vizite që më bëri drejtoresha e Caritasit të Kroacisë znj. Jellena Brajsha (të cilën e kisha mike tani e shumë kohë), vendosëm dhe një ditë u nisa për në Austri. Aty qëndrova për tre muaj dhe në ndërkohë pata edhe një operim të rëndë. Kaluan ditë, larg familjes, por që më mbante shpresa e dashuria për kthim sa më të shpejtë. Tani në Kosovë, gjendja politike, ekonomike, sociale (ishin vitet e nëntëdhjeta), gjithnjë e më tepër rëndohej. Në vendin tim, asgjë më nuk ishte e sigurt. Ishin këto ditë e vite të vështira për të gjithë popujt e kësaj hapësire, ditë rreziku e që i vinte era lufte e me vranësira të errëta. Atëbotë, ne shqiptarët, ishim të mësuar me maltretime, me dhunë e dhunime, me rrahje, burgosje, vrasje. Shumë familje vuanin, punëtorët të përjashtuar nga puna, nxënësit nga shkolla, njerëzit të përjashtuar nga e drejta në jetë. Kah do e kudo, për çdo ditë dëgjonim vetëm lajme të këqija, në të shumtën e rasteve pësonte më së shumti rinia, studentët. Të rinjtë rreheshin, kërkoheshin e dërgoheshin dhunshëm në armatën e këtij shteti, shumë prej tyre ktheheshin në arkivole. Pësonim vetëm pse ishim shqiptarë! Kjo situatë. ishte e padurueshme. prandaj protesta të ndryshme, demonstrata në shenjë të pakënaqësisë ndaj shtypjes dhe planeve shfarosëse të republikës dominuese në atë shtetin e përbashkët artificial. Viktima më të mëdha të gjithë kësaj gjendje, padyshim ishim ne shqiptarët, autoktonët e këtyre trojeve. Duke parë këtë rrezik të shfarosjes kolektive, rinia e jonë me të madhe (edhe shumë bashkëfshatarë të mi, në mesin e tyre një nga një ishin edhe vëllezërit e mi), filloi braktisjen e shtëpive të tyre, vendlindjen, për të gjetur strehim në shtetet perëndimore. Iknin nga më e keqja meqë ajo parandihej, ajo afrohej. Nga kjo gjendje vuanim të gjithë shqiptarët. Por, prapë na mbante shpresa për një të ardhme më të mirë, një ditë të bekuar, një ditë çlirimi, një ditë kur do të shohim edhe ne dritën e diellit. Nga rreziku i jashtëm, e vetmja e mirë e atyre viteve dhe shpresëdhënëse, ishte bashkimi i popullit shqiptar për të tejkaluar dhe përballuar kërcënimet nga armiku i përbetuar shekullor. Ishin këto ditë e vite, kur fillon vetëdijesimi i popullit për bashkim. Sepse, me të drejtë thuhet: bashkimi bënë fuqi. Bashkoheshim në çdo mënyrë, bëheshim më të afërt me njëri-tjetrin, më human dhe emocional, ndihmoheshim dhe hapnim zemrën për nevojtarë, për skamnorë, për të gjithë në nevojë. Sa të vëllazëruar e bashkuar ishim tanimë në kërcënime të rrezikut permanent, të rrezikut dhe pritjes të më së keqes, luftës e cila dukej e pashmangshme. Ajo pritej dhe mund të fillonte pikërisht në Kosovën tonë të stërvuajtur, por, e cila me njerëzit e saj të urtë dëshironte paqe e pajtim. Ishin ditë ngadhënjimi. kur me iniciativën e rinisë. fillon pajtimi i familjeve të hasmuara shqiptare, pajtimi “Mbarë Shqiptarë”. Rinia e jonë, gjatë gjithë këtyre viteve, u tregua e pjekur, e aftë të çojë përpara proceset e lirisë dhe demokracisë, si lëvizje në tërë rajonin dhe ish-shtetet komuniste. Rrënoheshin barrierat, rrënoheshin ideologjitë, binin sistemet. E gjithë kjo jepte shpresë dhe gëzonte, duke sjell një pikë drite që shihej në tunelin e gjatë dhe të errët. Njeriu, në këso lëvizje edhe harronte shëndetin, pikëllimet e përjetimet personale, por jepej me mish e me shpirt, për të mirën e përbashkët. Mua, pranë të gjithave që përjetova, deri këto vite në jetën time, ku pata operime të ndryshme në trupin tim, kur humba vëllain e dashur, atë kohë më mbante populli im i dashur, sepse është ky popull që përjeton dhembje, vuajtje, ishte populli me të cilin mundohesha të isha i pandarë në çdo aktivitet. Harroja dhembjet e mia, sepse më të mëdha tanimë ishin dhembjet shpirtërore, vuajtjet e popullit tim, këtij populli që më mbajti e më mban gjallë e në jetë. Dhe nga e gjithë historia e popullit, më duket se shumë të vërteta e të sakta ishin fjalët e “Plakut të Kosovës”, siç e quanin ipeshkvin e ndjerë Imzot Nikë Prela, se: “vuajtja përforcon karakterin e njeriut!”. Pikërisht nga ky personalitet i madh, hasa në përkrahje e mbështetje të përhershme, i cili ishte zëri i popullit, zëri i ndërgjegjes, zëri i të pambrojturave, të vuajturve, i të persekutimeve, të sëmurëve, minatorëve, studentëve, zëri i nënave dhe baballarëve tanë, zëri i fëmijëve dhe rinisë së pafajshme, i shqiptarëve në Kosovë, në Dardaninë e lashtë martire, fjalë të cilat i përsëriste shpeshherë; Ditët më të vështira të jetës sime i ndaja me familjen time, me famullitarin don Ndue Gjergjin dhe kapelanët e tij (ndihmësit e tij), me meshtarë e motrat e nderit, me studentë, me rininë tonë të mrekullueshme, i ndava me miq e dashamirë anembanë Kosovës e gjetiu. Mirëpo, njëri ndër ta e që më pranoi menjëherë, sikur të isha vëlla i tij nga gjaku, ai që më pranoi menjëherë pas vdekjes së vëllait tim, ai që ma ktheu buzëqeshjen, gëzimin, deponimin dhe vullnetin për jetë e me të cilin kaloja ditë të tëra, javë e muaj atje ku vepronte ai, ishte meshtari don Viktor Sopi. Ky personalitet i spikatur, i lindur në një familje të lashtë patriotike, me vlera të larta fetare e kombëtare, është një punëtor i zellshëm në vreshtën e Zotit, një bari i kujdesshëm për grigjën e tij, një meshtar shembull i bamirësisë, bujarisë, mikpritjes, një njeri i përkushtuar me mish e shpirt për të mirën e vëllait njeri, një njeri që shkriu jetën për Zot e atdhe, një meshtar vizionar e që e donë popullin e tij pamasë, për të cilin u sakrifikua dhe gjithnjë sakrifikohet, për të mirën e fesë dhe kombit. Ky njeri spirituoz, predikatar i dalluar i fjalës dhe porosisë së Zotit, fjalët e të cilit shërojnë shpirtin e njeriut më qëndroi pranë, duke më ndihmuar në tejkalimin e vështirësive të mia jetësore. Ky meshtar, i pranuar dhe shumë i dashur, i urtë, bujar, human dinte vajin tim ta kthente në gëzim, vuajtjes sime t’ia gjente kuptimin, të ma lehtësonte kryqin e barrën e jetës. Në të takova njeriun e paqes dhe mirëkuptimit, të harmonisë dhe kultivuesin e shpallësin e dashurisë hyjnore mes njerëzve. Në të, hasa njeriun këshillëdhënës dhe dashamirës të njerëzimit, mbrojtësin e të varfërve, të persekutuarve. Ai, më frymëzoi dhe mahniti me ndërtime të tempujve të Zotit në shpirtra dhe fshatra të Kosovës. Është i madh, plotë mirësi e dashuri, plotë zemër e mirëkuptim, për njeriun dhe ata që kanë nevojë, për një fjalë të mirë. Për këtë, të gjithë kemi nevojë. Ai, është shpresëdhënës, ndërsa në të njeriu merr guxim, merr zemër, frymëzohet për jetë nga parimet e Ungjillit, se jeta është dhuratë e Zotit dhe atë duhet pranuar si të tillë dhe njeriu që beson nuk guxon të dorëzohet kurrë… I forcuar dhe përgatitur për sfidat e reja që sjell jeta… Ditët, javët, muajt e vitet kalonin. Jeta sjelltë të mirat dhe sprovat e saja të njëpasnjëshme, përvoja e çaste të hidhura e të lumtura. Në të vërtetë, mirë është që nuk e dimë se çka sjellë ajo në të ardhmen, por, gjithsesi se neve duhet të jemi të përgatitur për të gjitha sfidat me të cilat ballafaqohemi në jetë. Pas angazhimeve të mia të mëdha, të treguar dhe një vullneti të fortë dhe të pathyeshëm, erdhën ditët që unë të vendosëm në hapësirën e shtëpisë famullitare. Ky ishte një gëzim i madh i imi, gëzim ngase kisha mundësi të vazhdoja me studimin e ndërprerë, gëzim se tani më tepër jam i lidhur me besimtarët tanë, me fëmijët, me rininë, pleq e plaka nga rrethi ynë. Unë isha i lidhur me popullin tim nga e dija se tani mund t’i shërbeja më drejtpërdrejt dhe në një mënyrë, sadopak t’ia ktheja gjithë ato të mira që bëri për mua gjatë viteve e dekadave, t’ia ktheja sadopak, sa një pikë uji, dashurinë, përkrahjen, mbështetjen që ma jepte, t’ia ktheja mirësinë, bujarinë, gëzimin vetit dhe atyre të cilët më kuptuan dhe ndihmuan të jam vetvetja, t’i pranoja dhe tejkaloja gjitha vështirësitë e peripecitë e jetës. Ishte gëzimi tjetër edhe më i madh se qëndrimi im në shtëpinë famullitare, pranë së cilës isha lindur, rritur dhe edukuar, isha bëre vetvetja, aty ku gjithnjë gjeta ngushëllimin, përmes shumë meshtarëve e motrave të nderit, e tani ndihmës famullitarit don Marjan Demaj, ku gjeta fenë, shpresën dhe dashurinë. Me një fjalë jetën, isha i lumtur të isha pranë tyre e pranë një njeriu të madh të popullit dhe Zotit. Isha tejet i lumtur dhe i privilegjuar të isha nxënës i tij, asistent i tij, të isha nën mbikëqyrjen e atit shpirtëror, pra, të isha pranë e me dr. don Lush Gjergjin, biografit të madh, të njohur dhe të pranuar nga mbarë bota, të jetës dhe veprës së Nënës Tereze. Në të, zbulova jetën dhe veprën e Nënës së Madhe, Nënës së lutjes dhe meditimit, Nënës së faljes dhe pajtimit, Nënës së botës së vuajtur, Nënës së mirësisë dhe bujarisë, Nënës e të përndjekurve, skamnorëve, të braktisurve, Nënës së dashurisë. Në të, zbulova birin e saj, të një gjaku, gjuhe, dhe tradite i cili e shpallë dhe jeton shembullin e jetës dhe veprës së Nënës shenjtëreshe të ditëve tona, të bijës sonë Nënës Tereze. Jeta e tij, ishte plotësisht në përkim, përputhshmëri, dhe shembullin e Jezu Krishtit dhe Bijës së madhe shqiptare, në të ishte mishëruar jeta e saj, jeta për të bërë mirë, për të ndihmuar çdo njeri që ka nevojë, për ta përkrahur dhe dashur çdo qenie Hyjnore pa kurrfarë dallimi moshe, qenie, race e feje. Për atë, të gjithë ishin dhe janë bijtë dhe bijat e Hyjit dhe si të tillë, vëllezër e motra. Në të, unë gjeta freskinë dhe vullnetin për punë, veprimtari fetare e kombëtare. Edhe pse s’mund të ecja me këmbët e mija, ai më dha “krahë” për të fluturuar. Për mua, ky njeri ishte, shpresa, dashuria, paqja, me një fjalë ishte vet institucion arsimor dhe shkollë e jetës sime, dhe prandaj gjithnjë thosha dhe them: me të dhe nën mbikëqyrjen e tij përfundova shumë fakultete, por edhe atë më të rëndësishmin, më të mirin, më të dobishmin, Fakultetin e Jetës. Ai, ishte frymëzimi im, ishte ngushëllimi im, ishte inspirimi im, ishte mbështetja e pa rezervë dhe krenaria ime, siç është krenaria e mbarë popullit shqiptar, njeri i Zotit, njeri i paqes dhe mirësisë, njeri i dashurisë! Kur jam larg tij fizikisht, ndjej ende aromën e mirësisë dhe dashurisë së tij, butësinë dhe urtësinë, bujarinë, ndjejë afërsinë e tij në shpirt dhe zemër, praninë e tij në jetën time. Unë jetoj, duke i kujtuar me mallëngjim nëntë vitet e kaluara me të, dhe gjithnjë e me padurim, duke pritur takimin e radhës, për t’u përforcuar, për të marrë energji të reja, për jetë dhe veprimtari, për tu freskuar sikur tek burimi i freskët i ujit të gjallë. Me të dhe mbarë popullin tim shqiptarë, mbarë rininë gjeta “këmbët e mia” për të ecur pandalshëm drejt së ardhmes. Ishin ata, që në momentet më të vështira të jetës sime, mu gjinden, i dërgoi vetë Zoti të më janë pranë, të ishin pranë meje gjithnjë, familja, të ishin pranë meje, në çdo moment e të pandashëm, shumë persona dhe populli im i dashur shqiptar, kudo isha e u paraqita, të ishin pranë meje rinia e jonë e mrekullueshme e të ndanin me mua të mirën e vështirësitë, një rini aq e afërt, e dashur dhe e gatshme dhe e përgatitur për të ndihmuar njeriun në nevojë, njeriu në vuajtje. Po mos të ishte populli im, e në veçanti rinia, unë do e kisha shumë vështirë të jetoja, vështirë kisha për ta konceptuar jetën time, vështirë do të pranoja gjithçka erdhi në jetën time, vështirë do të pajtohesha me atë, vështirë do të jetoja e veproja… Prandaj, i gëzohem fatit që linda në mesin e një populli, që kupton të vuajturin, që kupton dhembjet dhe ato i përjeton dhe pranon, por, edhe i ndanë me të vuajturin. Kështu që nga populli im i stërvuajtur, por edhe krenar, mësova dhe kuptova jetën, mësova ta pranoj dhe të dua atë. Andaj, edhe unë sikur edhe apostulli i trojeve ilire i shekullit parë, Shën Pali, mund të them: “Ne mburremi edhe për vuajtjet, sepse e dimë mirë se vuajtja sjell qëndresën, qëndresa na bën besnikë të sprovuar e besnikëria e sprovuar sjell shpresën, e shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona…” (Rom 5, 3-5). Ditë të vështira por edhe shpresëdhënëse… Kalonin vitet, ndërsa unë gjithnjë e më tepër forcohesha në fe, shpresë dhe dashuri. Punoja e veproja në të gjitha limitë, pa pushuar, kisha aq vullnet për punë, saqë edhe gjumi mendoja se ishte i tepërt. Por, ajo që më mundonte dhe shqetësonte shpirtin tim ishte gjendja gjithnjë e më e rëndë politike në Kosovë. Më mundonte shumë dhe më dhimbsej edhe nëna ime, e cila, tani e disa vite e kishte humbur të pamurit. Lotët e saja, tanimë ia kishin zënë syve të saj dritën e ditës. Edhe vëllezërit tanimë ishin larguar e strehuar në perëndim, ku jetonin e punonin, kurse me prindër, babën tim e nënën e verbër qëndronte vetëm vëllai i vogël. Mirëpo, edhe në këtë gjendje, atë e gëzonte fati që më kishte mua pranë. Unë, e vizitoja për çdo ditë, ku bisedonim e çmalleshim. Ajo, ishte mësuar ta dëgjonte zërin tim, e në mungesë të të pamurit, gjithnjë më thërriste, që së paku, të më prekte fytyrën time për të cilën tani e disa vite nuk e kishte parë, ajo më thoshte: biri im, më duket se ta kam harruar fytyrën, pamjen, por eja që ta preku së paku mjekrën që e bartë. O sa të ëmbël e të ngrohta, ishin ato duar që më rritën, sa qetësi e përkëdhelje, pushim, gjeja në prekjen e darëve të saja. Pranë gjithave që përjetoi si nënë e birit të aksidentuar, si nënë e katër fëmijëve që i humbi, si një nënë që tanimë nga lotët e saj, nga lindja, humbi edhe të pamurit. Ajo, prapë jetën e këtë gjendje e pranonte dhe pranoi si vullnet të Zotit, të cilit i lutej për çdo ditë. Rruzaren e lutjet nuk i hiqte nga dora e goja. Kjo fatkeqësi, që i ndodhi nënën sime, më mundonte shumë. Vuaja bashkë me të, sepse vërtet ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, por e gëzonte fakti siç thoshte gjithnjë, t’ju “shoh” juve mirë, të dëgjoj për ju që jeni mirë. Për këtë, thoshte faleminderit Zotit, tani jeni mirë të gjithë. Iu gëzonte jetës pranë të gjithave, iu gëzonte fatit se unë biri i saj, tanimë gjendem pranë don Lushit, tezakut të saj, me të cilin ishin rritur së bashku, pasi kjo kishte mbetur qysh si foshnjë bonjake dhe të shumtën e kohës e kishte kaluar te tezja e saj, pra, nëna e këtij meshtari e atdhedashësi shembullor. Don Lushi, nënën time nuk e kishte njohur ndryshe, pos si motër të veten, dhe si të tillë e njihte, pranonte, dhe motër e thërriste. Shpesh, e vizitonte me dëshirë e dashuri, siç i vizitonte edhe të gjithë të sëmurët tjerë në famulli, ku të gjithë me dashuri e pranonin, e ky nga dashuria ata i quante “engjëjt e mi”! Nënës, në këtë gjendje iu gjendeshin shumë baba im dhe vëllai i vogël, por, edhe gjithë familja dhe fqinjët, të cilët e vizitonin pandërprerë, sa ishte u mundur, nuk e lënin të vetmuar as për një çast. Ajo, kishte dëshirë të dalë, t’i vizitonte fqinjët, të bisedonte e ta kalonte kohën me ta, dhe sa të afërm ishin ata kuptohet nga ajo, se me ta parë nënë time, e cila mbante një shkop për t’u orientuar, menjëherë me të parë atë se doli nga shtëpia vraponte i madh e i vogël, për ta marrë për dorë apo krahu dhe përcjellur deri në vendin e dëshiruar nga ajo. Brengoseshim të gjithë për shëndetin e saj, brengoseshim për situatën gjithnjë e më të vështirë në Kosovë, situatë e gjendje para lufte. Në disa pjesë të Kosovës, edhe luftohej mes bijve e bijave tona çlirimtare dhe liridashëse dhe vrastarëve të ardhur nga Serbia, luftohej për ta mbrojtur pragun e shtëpisë, për ta mbrojtur nderin, moralin, jetën, luftohej në shumë pjesë të Kosovës tonë të dashur, derdhej shumë gjak i pafaj. Thuajse, në rrethana të këtilla, të gjithë ishim të “humbur”, të pikëlluar dhe trishtuar, sepse, na arrinin për çdo ditë, orë, minutë, lajme nga më të rëndat, për bastisje, braktisje të shtëpive, rrahje, vrasje të individëve, të burrave, grave e fëmijëve, vrasje e të tërë familjeve, lajme të tmerrshme për çdo ditë por në anën tjetër edhe lajme shirëseje, lajme vetëbesimi, lajme se do ja dalim e do të çlirohemi, lajme se do t’na ndihmojë edhe bashkësia ndërkombëtare, lajme se u flijuam, po flijohemi, por, do të ngadhënjejmë, meqë jemi të drejtë, jemi dhe mbrojmë shtëpitë, trojet tona, të cilat për të satën here po përgjakën, po lahen me gjak të pafaj. Vërtetë, ishte bërë vështirë e rrezik të jetohej në Kosovën tonë. Gjithkund përndjekje e vrasje, gjithkund e gjithkah ushtarë e paramilitarë, hajna e banditë, kriminel të ndryshëm që bënin kërdi në popullin e pafaj dhe të pambrojtur. Pra, gjendja e filluar dikur në Kosovë, pakënaqësitë dhe parashikimet e shumëve se gjithçka filloi në këto troje për liri dhe demokraci, do të përfundoj këtu. Parashikimet dhe situate aktuale, flisnin për një gjenocid të mundshëm në këtë popull liridashës. Ngadhënjimi përfundimtar Ditët e luftës në Kosovë ishin ditë të rënda. Përjetuam tmerrin e kohës. Shumë familje braktisën shtëpitë e tyre, shumë familje humbën më të dashuritë e tyre, shumë familje u shukën të tërat. Kosova e luftës dhe pas luftës, ishte një shkrumb, një “oaze e mjerimit”, por, edhe vend shprese, vend i bekuar dhe i shenjtë, vend i martirizimit i larë me gjak të pafaj, vend i shumë dëshmorëve të kombit, i njerëzve që flijuan veten e tyre për të mirën tonë, të mirën e ardhmërisë dhe prosperiteti. Pranë të gjithave, ku ishte rrënuar e shkatërruar gjithçka, prapë qëndronte shpresa dhe besimi, vullneti për jetë, për jetë të re! Unë, pas një muaj e gjysmë qëndrimi gjatë kohës së luftës në Kosovë, u tërhoqa shkaku i një varre (plage) për në Shkup-Maqedoni, me babën e nënën time (vëllai ishte tërheq po atë ditë pak para fillimit të bombardimeve të aleancës veri atlantike-Natos kundër caqeve ushtarake serbe) dhe pikërisht këtu edhe u ndamë. Ata, shkuan për në Zvicër tek motra e më pas për Gjermani, ku do ishin të gjithë së bashku, pra me vëllezërit tjerë, e unë vendosa të shkoja në Kroaci, me shpresë se pas ndonjë intervenimi kirurgjik, do kthehem menjëherë në Kosovën time të dashur, pranë njerëzve ti mijë. Por, e gjitha nuk shkoi siç mendova e planifikova unë, por siç deshi vetë Zoti. Kuptohet, se e gjitha ishte vullnesa e tij dhe këtë e pranoja si të tillë. Pas disa intervenimeve kirurgjike (gjithsej tre) në Zagreb të Kroacisë e kurimit të stërzgjatur në këtë shtet, në ndërkohë përfundoi edhe Lufta në Kosovë, luftë kjo që zgjati gati tre muaj apo lirisht mund të themi për një shekull radhazi. Gëzimi ishte i madh, gëzim të madh më dhanë edhe lajmet që nëna tanimë pas një operimi të rënd (tumor në kokë) kishte shpëtuar dhe ngadalë merrte veten. Gëzim e pikëllim në shumë anë, gëzim sepse se së fundi u çliruam, e realizuam ëndrrën e shumë e shumë gjeneratave, por, të pikëlluar sepse humbëm shumë popull (rreth 15. 000 persona të vrarë dhe 5000 të zhdukur), shumë të rinj e të reja e fëmijë në moshë të njomë. Humbëm shumë, por, falë gjakut të derdhur të tyre, fituam edhe më shumë, fituam lirinë e pritur me qindra vite e shekuj, fituam shpresën për një jetë më të mirë, të lirë e në paqe, u flijuam, por ngadhënjyem. Me ne, ishte Zoti, me ne ishin miqtë e shumtë tanë ndërkombëtarë, ne ishim të bashkuar dhe vëllazëruar mes veti…, dhe tani gjithnjë mu kujtonin fjalët e Mësuesit tonë i cili na mëson; “Mos grumbulloni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit birojnë muret e vjedhin!….Sepse, ku është thesari yt, aty do të jetë edhe zemra jote.” (Mt 6, 19, 21) Dalëngadalë filluam t’i kthehemi Kosovës tonë të dashur, t’i kthehemi punës, prosperitetit e jetës. U kthyem në vendlindjen tonë, vendin e lavdisë dhe krenarisë e ku më nuk e gjetëm armikun tonë të përbetuar shumëshekullor, ai ishte dëbuar turpshëm njëherë e përgjithmonë… ‘’…Shpirti, vërtet, është i gatshëm, por trupi është i ligshtë.”(Mt, 26, 41-42) Pas një viti qëndrimi në Kroaci, pas disa intervenimeve kirurgjike e kurimi, atë që e pritja me padurim erdhi, erdhi dita ta shoh Kosovën e lirë. Erdhën edhe prindërit e mijë, nanë e babë nga Gjermania, pasi që nëna ime nuk dëshironte assesi të qëndronte atje. Tani më dukej se vendi im, vendlindja ime, Kosova e populli im kishin edhe më tepër nevojë për mua, për përvojën time jetësore. Isha i pa përtesë dhe plotë vrull për jetë, plotë shpresë e besim në shërimin e plagëve të pasluftës ngadhënjyese. Punoja natë e ditë, isha me njerëz i pandarë. Ky popull liridashës e paqedashës, ky popull “biblik” edhe më tepër kuptonte të vuajturin, sepse vetëm para një viti, kishte kaluar “Rrugën e Kalvarit”, por nuk u dorëzua. Përkundrazi, ai ngadhënjeu meqë e vërteta dhe e drejta gjithmonë ngadhënjejnë. Dhe kur një ditë të bukur kisha një vizitë mjekësore në Prishtinë, në të kthyer nga spitali, ja papritmas sapo dola nga oborri i spitalit, si nga qielli edhe një sprovë për mua e për nënën e babë timin, për vëllezër e motër, për familjar, miqtë e dashamirët e mijë. Pësova fatkeqësi të rëndë komunikacioni me disa fraktura të rënda në këmbë, një lëndim në veshkë e disa lëndime tjera më të lehta. Në gjendje të rëndë shëndetësore qëndrova në Klinikën Universitare për dhjetë ditë, nën mbikëqyrje të mrekullueshme dhe shumë të ndërgjegjshme të personelit mjekësor. Unë i kuptoja kushtet e rënda në përgjithësi në mjekësinë kosovare. Kuptohet se mbi fatkeqësinë time morën lajmin të gjithë. Ndërsa, këtë nuk dinte nëna, të cilës i thoshin se është ndalur për disa kontrollime mjekësore, e këtë e kuptoi vetëm pasi shkova personalisht në shtëpi e i tregova vetë se çka ka ndodhur. Edhe një plagë e rëndë për zemrën e saj. Pas qëndrimit tim në spital, u ktheva në gjendje edhe më të rëndë shëndetësore në gjirin familjar. Për këtë fatkeqësi mendoj se dëgjoi e tërë Kosova dhe me dhembje pranoi këtë lajm të pësimit tim. Mirëpo, tani duke parë se gjendja ime gjithnjë shkon duke u rënduar, vëllezërit e mijë, kushtimisht dëshiruan që sa më shpejt të tërhiqem për mjekim në Gjermani. Thënë të vërtetën, edhe unë nuk shihja rrugëdalje tjetër për shpëtim të jetës sime me mendim se duhet të shërohem, i bindur se populli ende kishte nevojë për mua. Kaluan një muaj ku isha nën sedative të forta, shkaku i dhembjeve gjithnjë e më të mëdha. Dhe meqë nuk shihja as unë e as familja, as të afërmit, rrugëdalje tjetër, vendosa të iku për Gjermani, me shpresë se së shpejti do kthehesha pas ndonjë intervenimi kirurgjik të cilin e dija se më pret e që ishte evident. Ndoshta, tani familja, miqtë e dashamirët, duke parë gjendjen time dhe se kah shkon e tëra, për herë të parë, ishin të lumtur të dalja jashtë për shërim. Ndodhi ashtu, dhe një ditë shkurti të vitit 2003, në gjendje të rëndë shëndetësore, thuajse i tëri në gjips e me dhembje të mëdha, fluturova për në shtetin demokratik, Gjermani, shtet e shtëpi e dytë për shumë bashkatdhetarë tanë, shtet, në të cilën shumë anëtarë tanë, shumë familje tona gjetën kafshatën e gojës, gjetën mbështetjen e përkrahjen, gjetën strehimin, bujari e dashuri, gjetën shpresën dhe besimin për jetë më të mirë për vete dhe anëtarë të tjerë në vendlindje. Pikërisht kur mendoja si t’ia dal kësaj radhe, ja prapë rrugëdalja, ja prapë shpresa e pritja për shërim, për kurim dhe përmirësim të shëndetit që tanimë më kishte lodhur pamasë fizikisht, vërtet shpirti ishte i fortë por trupi ishte i ligshtë, dhe duke parë të gjithë kujdesin e familjes, miqve dhe dashamirëve, duke parë kujdesin e mjekëve dhe motrave medicinale të shtetit gjerman, të institucioneve të këtij vendi. Janë të vërteta, fjalët nga Shkrimi Shenjtë: “Prandaj po ju them: mos u brengosni për jetën tuaj se çka do të hani dhe çka do të pini, as për trupin tuaj se çka do të vishni: vallë a nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku?” (Mt 6. 25-26). Dhe vërtet nga e gjithë kjo për të satën herë u dëshmua se nuk jam i vetëm, se dikush më përcjell dhe ka plane me mua, kjo u dëshmua tani e gjatë gjithë rrugës sime jetësore deri më sot. Kalova një vit nëpër spitale të ndryshme. Gjatë asaj kohe, pata pesë operime të rënda, sepse tani zbuloheshin problemet e mbledhura shëndetësore vit pas viti në trupin tim. Ishin momente të vështira, larg vendlindjes, larg prindërve të cilët i lashë në Kosovë me shpresë se tani do të përmirësohet njëherë e përgjithmonë shëndeti im. Kaluan ditë, javë e muaj në shërim e kurim, nën mbikëqyrje të këtyre njerëzve zemërgjerë e human. Më mbante besimi, shpresa dhe dashuria e të gjithëve për rreth meje dhe e atyre që gjendeshin shpirtërisht e fizikisht si gjithmonë pranë e me mua. Dhe atëherë kur pritja shërimin tim, ku dita-ditës merrja veten, një ditë saktësisht me datën 6 shkurt 2004, herët në mëngjes, më cingëroi telefoni. Ishin orët e hershme të mëngjesit kur hapa telefonin, dëgjova zërin e dridhur dhe të pikëlluar të vëllait tim të madh. Më shkoi mendja menjëherë që paska ndodhur diçka, meqë e dija se askush nuk më shqetëson në orët e hershme. Po e them se këtë natë as gjumë nuk kisha mund të bëjë, isha i shqetësuar tej mase. Pikërisht në orët e hershme të mëngjesit, kotesha, por nuk bëja gjumë. Por, nuk e dija pse dhe çka ka ndodhur! Dalëngadalë më tregoi vëllai lajmin e hidhur dhe shumë të pikëlluar, më tha: vëlla, duhet të bëhemi të fortë, tani ka ndërruar jetë nëna, mbaju sepse kështu deshi Zoti dhe e mori pranë vete! Oh more Zot, nuk munda të çelja më gojën e të thosha asnjë fjalë. Mu duk se e tërë godina, në të cilën gjendesha, më ra mbi mua! Ndërroi jetë, ajo e cila që nga lindja derdhi lot, e cila pësoi shumë në jetë, ajo e cila duket se jetën nuk e kishte aleat të mirë. Ndërroi jetë, një zemër e madhe dhe bujare, një zemër për të satën herë e shporuar në jetën e saj, por që askurrë nuk u dorëzua para asnjë kryqi të rëndë që përjetoi, si me vdekjen e tre fëmijëve qysh foshnje, madje nuk u dorëzua edhe pse zemër thyer me fatkeqësinë time, e as me vdekjen e birit të saj Augustinit. Nuk u dorëzua, as kur humbi të pamurit e syve të saj, atyre syve që të shumtën e jetës derdhën aq shumë lot sa të “mbushët një liqe”. Nuk u dorëzua. deri sa tani nuk e thirri Ati krijues, atij që iu mbështet të tërë jetën, atë të cilin e deshi më shumë se të gjithë ne. Ajo u kthye tek Ai. Kthehet për t’u takuar me bijtë dhe bijat e saj në parajsë, kthehet aty ku sheh dritën e lumnisë së pasosur, dritën e amshimit. Kthehet aty, ku nuk do të ketë vajë as lot, por gëzim e lumturi, dritë të përjetshme. Deri në çastet e fundit të jetës pranë saj qëndroi besnik “Benjamini” i saj, biri i dëshirit, Leonardi, i cili, nëse ka qenë i vogël dhe jo i vetëdijshëm kur humbi vëllain e tij më të madh Augustinin. Ai, atëherë u takua me pikëllim dhe humbjen tjetër të madhe, të nënës së tij. Qanë, e shikon e përkëdhelë, e lut që të mos ndahet nga ai, nga ne, por asgjë nuk i ndihmoi. Ajo, vetëm e kishte shikuar, pa çelë gojë e pa fol asnjë fjalë të vetme, por sikur kishte dëshiruar e tentuar t’i thotë në heshtje: bir, mos u mërzitni, mos qani e vajtoni se nëna e juaj ngadhënjeu, fitoi lumturinë e pasusur, dritën e amshuar, u bashkova me atë për të cilin jetova, Jezusin! Shkoi nëna ime e dashur, me mall e mallëngjim për të gjithë ne, shkoi pa më parë mua të shëruar e në këmbët e mia, e që tërë jetën shpresonte e besonte se një ditë do të më sheh të ngritur në këmbë. Shkoi, pa më thënë lamtumirë, shkoi pa ma dhënë mundësinë që ta përqafoj e puthë, pa ma dhënë mundësinë t’ia them fjalët e fundit faleminderit e më falë, faleminderit që më mësove se çka është jeta dhe se si duhet pranuar, nderuar dhe çmuar atë; pa i thënë, më falë për dhembjet e vuajtjet që t’i shkaktova gjatë jetës; pa i thënë, më falë për netët e pagjumë që i kalove me vite të tëra pranë meje e dhimbjeve të mija, duke më përkëdhelur pikërisht ato pjesë ku më së shumti ndieja dhimbje. Shkoi pa fjalë e pa qenë e vetëdijshme se sa pikëllim solli në zemrën time, në zemrën e bashkëshortit të saj, në zemrën e bijve e bijës së saj, në zemrën e mbesave e nipërve të shumtë që i deshi dhe e donin pamasë. Shkoi, duke na lënë të gjithëve në pikëllim dhe kujtime të paharrueshme për të! Por, shkoi e pajtua me Zotin, e lumtur që të gjithë i la mirë, që e përjetoi dhe shijoi Kosovën e lirë. Unë, nuk pata mundësi (shkaku i shëndetit, kushteve dhe rrethanave në të cilat isha), të shkoj e t’i them për herë të fundit lamtumirë e tani shihe dritën e lumnisë së përjetshme. Ajo ngadhënjeu sepse me vullnet, besim, shpresë e dashuri ndaj Zotit i barti të gjitha kryqet e jetës. Ngadhënjeu mbi errësirën, e cila e kisha kapluar (me humbjen e të pamurit), më tepër se nëntë vite. Ngadhënjeu, ndaj të gjitha dhembjeve që kishte në trup e shpirt. Ngadhënjeu, sepse besoi e besimi i saj shpresoj të jetë shpërblyer me jetë të pasosur. Edhe tani kur jetoj në Gjermani, me vite të tëra, kur përjetoj dhe jetoj ditët e mërgimtarit si shumë bashkëkombës tanë, më duket se ajo gjithnjë më përcjell, është prezentë në jetën time, ajo lutet për mua, më jep forcë e kuraje për jetë, më jep qetësinë e shpirtit dhe trupit, më jep guxim e vullnet të mos trembëm e të mos lëkundëm në jetë, por të eci i lumtur dhe hareshëm shtigjeve të jetës. Dhe kështu, të jam i lumtur dhe i qetë, i hareshëm, i pajtuar njëherë e përgjithmonë me Zotin që më dha jetën, me vetveten, me popullin tim. Ngadhënjeu ajo mbi errësirën që ia kishte kapluar të pamurit. Ngadhënjeu Kosova mbi errësirën e të keqen, ngadhënjeva unë mbi sëmundjen. Pësova e pësuam, vuajtëm, bartëm dhembje të mëdha trupore e shpirtërore, u flijuam por ngadhënjyem. “Kjo është rruga jonë, rruga ime, rruga e popullit tim, rrugë e pësimit, vuajtjes, dhembjes, por edhe rrugë e shpresës, dashurisë. Rrugë e flijimit dhe ngadhënjimit!” Prandaj, edhe tani, pas dy dekada e gjysmë në “djepin tim të dytë” në karrocën time që jam, përkundër të gjithave që kalova, u binda nga përvoja ime jetësore dhe them: -Jeta ka kuptim, -Atje ku ti nuk dëshiron, dëshiron Zoti, sepse Ai është -Rruga jonë, e kur nganjëherë na duket se jeta është -Lojë, luaje atë, mos u dorëzo sepse ti -Ekziston, prandaj mendo mbi jetën, -Zgjohu, e qëndro zgjuar sepse -Nuk ka gjë të pamundshme për Hyjin, vetëm Atij -Besoj, dhe thuaj -Të faleminderit dhe më falë, sepse, edhe kur mund të mendosh se -Vështirë mund të shpëtosh, është Ai që -Plagët shëron, e shpirtin forcon, e kur shpeshherë mendojmë e pyesim; -Quo vadis Domine, Ai të thotë, ec pas meje e gjithmonë do të ngadhënjesh! Pra, meqë është kështu, unë tani me gëzim them: “Jam përsëri në këmbë”! Lus Zotin, për popullin tim, të cilit i jam përjetësisht mirënjohës, që diti të bartë bashkë me mua dhe njëri-tjetrin vuajtjet, e që askurrë nuk u dorëzua para vështirësive, para sfidave të jetës. Lus Zotin, t’i ruajë e t’i shpërblejë me dhuratat e hiret e tij të mirësisë e dashurisë, të gjithë ata njerëz që takova gjatë jetës sime, gjatë rrugëtimit tim deri më sot. Dhe në shenjë falënderimi, ndaj të gjithëve galdoj e brohorisë: “…po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtët, e ua zbulove të vegjëlve” (Mt 11, 25)/gazetaditore The post Flijimi ngadhënjyes! appeared on Gazeta Ditore. bit.ly/14Lmw0g
Posted on: Fri, 26 Jul 2013 23:29:03 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015