GJAKPRISHURIT Kur mendon që anembanë Europës, kombëtarizmi - TopicsExpress



          

GJAKPRISHURIT Kur mendon që anembanë Europës, kombëtarizmi ka më se dy shekuj që ngul këmbë për dobinë e pastërtisë racore dhe të disiplinës në gjak, të duket paradoksale se shumë prej individëve të shquar, që kanë ngritur themelet e kombeve dhe u kanë ushqyer krenarinë, nuk i përmbushin kriteret e rrepta të racës, të gjakut dhe të prejardhjes. Pa folur për prejardhjen frënge të kontit Cavour, që udhëhoqi përpjekjen për bashkimin e Italisë; ose atë korsikane të Napoleonit, që ia ndryshoi historinë botës mbarë në emër të Francës, dukuria është tipike mu për ato kombe, të cilat janë, si me thënë, ende në kërkim të mustaqes së dirsur. Te një libër relativisht i moshuar, Myths and Realities in Eastern Europe (nga Walter Kolarz, Lindsay Drummond LTD, London, 1946) gjej tani një thesar të vogël faktesh që, të mbledhura nën strehën e një kasolleje të vetme, të bëjnë së paku të buzëqeshësh. Kështu, duke filluar nga Hungaria, edhe Janosh Huniadi, edhe biri i tij, Matias Korvini – që të dy të kremtuar si kampionë të Krishterimit në luftë kundër Gjysmëhënës – kanë qenë gjysmë rumunë, për nga prejardhja; dhe, njëlloj në Hungari, poeti kombëtar Petöfi e kish të jatin serb, ndërsa të ëmën slovake; ndërsa kompozitori i mirënjohur Franz Liszt, që thoshte se e ndiente veten hungarez, edhe pse nuk fliste asnjë fjalë hungarisht, ishte me prejardhje gjermane dhe e kish gjermanishten gjuhë të nënës. Duke kaluar nga Hungaria në Rumani, poeti kombëtar rumun, Eminescu, ishte turk-tartar nga prejardhja, me mbiemrin Emin, të cilin më pas e sllavizoi në Eminoviç dhe më pas akoma e rumanizoi. Edhe udhëheqësi i “Gardës së hekurt” rumune në vitet 1930, ultra-nacionalisti Cornelius Codreanu, ishte fëmija e një babai gjysmë hungarez e gjysmë ukrainas nga Bukovina dhe një nëne gjermane; njëlloj si Henelin-i, i njohur edhe si “Führer-i i Sudeteve”, që ishte gjysmë çek (nga e ëma); dhe Hubay, udhëheqësi i organizatës fashiste hungareze “Kryqi me shigjeta”, që i përkiste një familjeje gjermane-shvabe, të ngulitur në Hungari. Në Kroaci, babai i kroatishtes moderne Ljudevit Gaj ishte gjerman nga të dy krahët (njëlloj si Sami Frashëri ynë, që kontribuoi aq shumë për turqishten); ndërsa në Serbi, politikani i njohur Nikolla Pashiç, ndonjëherë i mbiquajtur “Bismarku i Ballkanit”, vinte nga dy prindër bullgarë, dhe fliste në parlament një serbishte të përzier me bullgarishten. Në Greqi, pa folur për rolin e arvanitëve gjatë revolucionit dhe më pas në krijimin dhe mirëmbajtjen e shtetit, institucioneve dhe të kulturës kombëtare greke, vlen të përmendet Marko Boçari, të cilin e mbajnë, sipas rastit, për grek, arvanit, shqiptar, arumun (kucovllah) dhe bullgar. Rumunët thonë se u dhanë grekëve një udhëheqës të kryengritjes anti-osmane, Rigas Feraios (si arumun); por edhe grekët ua kthyen nderin, duke u dhënë rumunëve Apostolos Margaritis-in, krye-propagandistin e kauzës (a)rumune në Maqedoni. Dihet pastaj edhe se Aleksandrin e Madh e pretendojnë si të tyrin jo vetëm grekët dhe shqiptarët, por edhe sllavo-maqedonasit dhe bullgarët (gjendet një letër e gjeneralit Kirkov, komandantit të ushtrisë bullgare gjatë Luftës I Botërore, ku ai u bën thirrje ushtarëve të vet “të ringjallin famën e bullgarit të shquar, Aleksandrit të Madh.” Kolarz sjell edhe shembuj të tjerë, njëlloj pikantë, për popuj të tjerë të Lindjes, që kushedi na interesojnë më pak. Sa u përket shqiptarëve dhe Shqipërisë, historianët tanë dhe njerëzit e kulturës kanë vënë në dukje me të madhe kontributin e tyre në Perandorinë Osmane, Itali, Austro-Hungari dhe Greqi; më pak është folur për kontributin e të tjerëve, jo shqiptarëve, në çështjen tonë kombëtare. Këtu vlen të përmendet ndonjë figurë si Dora d’Istria, me prejardhje të përzier shqiptare-rumune (Gjika), por që luajti rol të dorës së parë në promovimin e çështjes kombëtare shqiptare, pa çka se vetë nuk dinte asnjë fjalë shqip; sikurse vlejnë të përmenden vllehët që mbajtën peshë kritike në organizimin dhe lulëzimin e Rilindjes sonë kombëtare; dhe më në fund, poeti më i madh shqiptar i viteve 1930, Migjeni, të cilit disa biografë i kanë gjetur prejardhje sllave. E gjithë kjo, pa zbritur në Mesjetë dhe pa u ndalur në çështjen aq kontroversiale të nënës së Skënderbeut, Vojsavës, e cila mund të ketë pasur edhe ajo prejardhje sllave (bullgare). Këto të dhëna biografike, kurioze në vetvete, nuk kanë ndonjë rëndësi, përveçse në sytë e atyre që e konsiderojnë gjakun si përcaktues, për rolin dhe misionin social të individit – ose kombëtaristëve. Që këtej edhe ironia e faktit që, disa prej heronjve, themeluesve dhe kontributorëve më të mëdhenj në historinë e kombeve në mos të kombëtarizmave, kanë qenë vetë me prejardhje të përzier. Arsyet pse ndodh kështu nuk mund t’i analizojmë siç do të dëshironim; mund të veprojë ajo që në statistikë e quajnë selection bias, çka do të thotë se ne vërejmë më lehtë shmangiet nga norma, sesa përkimet; por mundet edhe që, në kushtet kur një komb është i nënshtruar, ose ende pa historinë dhe elitat e veta, të parët që i dalin zot janë pinjojtë e pakicave ose të familjeve të përziera, të cilët falë prejardhjes dhe gradimit social që u jep krahu tjetër i familjes, i ekspozohen më shumë dhe duke rrezikuar më pak emancipimit. Mund të jetë edhe që trashëgimia e përzier u jep këtyre individëve mundësi të reja, për ta parë botën më kthjellët dhe lirshëm; ndërsa statusi i tyre në zgrip t’i bëjë më të vetëdijshëm për nevojën e ndryshimit. Sa i përket jetës shqiptare sot, ne përjetojmë një fazë aq të ulët dhe aq primitive të diskursit publik, sa përcaktime si “serb,” “shkije” ose “grek” për këtë apo atë figurë, zakonisht politikan, ende përdoren për të poshtëruar; dhe ku liderëve të ndryshëm u kanë gjetur, sipas rastit, elemente joshqiptare në biografi: herë greke, herë turke, herë çerkeze, herë vllahe, herë evgjite, herë shule. Një nga akuzat “shkatërruese” për kombëtaristin skenik Kreshnik Spahiu ishte se këtij i dilte në pemën e familjes një degë “etnike turke” nga Prizreni; dhe akuza të ngjashme kemi dëgjuar edhe për Thaçin dhe Kurtin në Kosovë, Nanon dhe Moisiun në Shqipëri, e kështu me radhë. Vetëm pak ditë më parë, “serbi” Berisha iu drejtua në greqishte “vllahut” Rama në parlament… E megjithatë, asgjë nuk do t’ua priste dot më mirë hovin detraktorëve, sesa konfirmimi që ky apo ai politikan, i përkushtuar me sukses ndaj çështjes publike dhe, drejtpërdrejt ose tërthorazi, edhe zhvillimit të kombit, të rezultonte me prejardhje “joshqiptare”, të plotë a të përzier.
Posted on: Tue, 22 Oct 2013 08:10:08 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015