Gani Thaçi, vëllai i Kryeministrit të vendit Hashim Thaçi, - TopicsExpress



          

Gani Thaçi, vëllai i Kryeministrit të vendit Hashim Thaçi, këtë javë është avancuar në detyrë. Nga pozita e zëvendësdrejtorit të Shoqatës së Kompanive të Sigurimeve ka kaluar si Drejtor Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS). Ky institucion mbikëqyret nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe e përfaqëson Kosovën në byronë ndërkombëtare të kartonit të gjelbër. Ky mekanizëm mundëson kalimin e kufijve pa paguar sigurime kufitare shtesë. Rrahim Pacolli, kryetar bordi i BKS-së, ka thënë të enjten për Gazetën Jeta në Kosovë se “Gani Thaçi i plotësonte më së shumti kriteret për këtë pozitë”. Bordi Drejtues i kësaj byroje në konkursin e hapur më 29 shkurt e të mbyllur më 6 mars të këtij viti kishte vënë si kriter që drejtori të ketë tri vite përvojë menaxheriale. Thaçi, sipas Pacollit, kishte 3 vjet e gjysmë si zv/drejtor në Shoqatën e Kompanive të Sigurimeve. Gjithsej ka pasur dymbëdhjetë kandidatë për këtë pozitë. “Ka pasur edhe kandidatë që kanë pasur më shumë vite përvojë pune. Përvoja e tyre ishte jashtë kompanive të sigurimeve”, ka thënë Pacolli. Nga të gjithë kandidatët, më së shumti përvojë menaxheriale kishte pasur Nuredin Krasniqi, ish-ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv të Postë-Telekomit të Kosovës (PTK). Më parë ai kishte punuar edhe si Drejtor Financiar në PTK si dhe si administrator i Bankës Kreditore të Prishtinës i emëruar nga BQK’ja pasi banka ishte në falimentim e sipër. Krasniqi nuk i kishte pëlqyer komisionit pasi i kishte ndërruar shpesh vendet e punës. I kontaktuar nga gazeta Krasniqi nuk ka dashur të komentojë humbjen e tij në garën për drejtor të Byrosë Kosovare të Sigurimeve. As fituesi në këtë konkurs Gani Thaçi nuk ka dashur të komentojë rreth detyrës së re të tij. Kryetari i Bordit të Byrosë, Pacolli, e ka përshkruar si pozitë me përgjegjësi postin e Drejtorit Ekzekutiv të BKS-së. Paga në këtë vend pune, sipas tij, është afër 4 mijë euro. Rrahim Pacolli që drejton kompaninë e sigurimeve Siguria për një kohë ka drejtuar edhe subjektin politik Aleanca Kosova e Re (AKR) që është në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) që udhëhiqet nga i vëllai i Drejtorit të ri të Byrosë Kosovare të Sigurimeve. “Nuk ka pasur asnjë intervenim nga jashtë. Nuk më ka thënë askush që të emërojë këtë apo atë. Gani Thaçi ka ardhur në intervistë tek unë dhe i ka plotësuar kriteret për këtë pozitë”, ka thënë Pacolli. Byroja Kosovare e Sigurimit u themelua më 1 gusht të vitit 2011. Kompanitë e sigurimit që operojnë në Kosovë kishin nënshkruan marrëveshjen për themelimin e saj. “BQK-ja e konsideron këtë si një hap tepër me rëndësi në procesin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Byrove të Kartonit të Gjelbër”, thuhet në faqen zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës. BQK-ja është autoritet mbikëqyrës i BKS-së.“Qeveria e Republikës së Kosovës i njeh këtij institucioni statusin e Byrosë nacionale të sigurimit me të drejta të pakufizuara në cilësi të Byrosë pagesë dhe Byrosë trajtuese, që garanton përmbushjen e të gjitha detyrimeve nga sistemi i kartonit ndërkombëtar të sigurimit”, thuhet në Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia përkatësisht në kapitullin ku flitet për Byronë Kosovare të Sigurimeve. Ky ligj është miratuar në Kuvendin e Kosovës në muajin qershor të vitit 2011. Byroja po ashtu është përfaqësuese kombëtare në Këshillin e Byrove dhe është përgjegjëse për të gjitha detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në sistemin e kartonit të gjelbër. Kjo organizatë kryen edhe funksionin e Fondit të Kompensimit për pagesën e dëmeve të parashikuara me këtë ligj. /gazetajnk/
Posted on: Mon, 15 Jul 2013 14:19:19 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015