Gjuha shqipe - Dhimbja dhe dashuria jonë e përbashkët (sidomos - TopicsExpress



          

Gjuha shqipe - Dhimbja dhe dashuria jonë e përbashkët (sidomos e shqipëruesve, meqe jemi pas ditë-festës së tyre). Gjuha shqipe dhe kontaktet e saj me gjuhët e tjera sot - Seminari Ndërkombetar i Albanologjisë-Tetovë 2013 Kumtesa ime Tema: Kompozitat në krijimtarinë e nobelistes gjermane Herta Müller dhe shqipërimi i tyre Si proces i pandërprerë zhvillimi dhe ndryshimi, gjuha shndërrohet në mjet shumë të rëndësishëm komunikimi përmes kulturave. Ndryshimet dhe evoluimet e saj i hasim veçanërisht në leksik, pasi fjalët u përshtaten nevojave të shoqërisë. Një nga mjetet më të rëndësishme për zgjerimin e leksikut me fjalë dhe emërtime të reja është fjalëformimi. Këtu luan një rol parësor letërsia. Qëllimi i kësaj kumtese është të tregojë mundësinë dhe aftësinë e shqipes në njëjtësimin jo vetëm kuptimor nga gjermanishtja të këtyre fjalëve, por edhe në atë fjalëformues. Nobelistja e gjuhës gjermane, Herta Müller, shquhet për përdorimin e shumtë të kompozitave në krijimtarinë e saj; për krijimin e tyre mbi bazë modelesh, por edhe duke kombinuar dhe bashkuar sipas përfytyrimit fjalë të reja, duke nxjerrë në pah aftësinë e gjuhës gjermane për të formuar fjalë në bazë të rregullave të caktuara sintaksore, morfologjike e semantike, njëkohësisht duke treguar edhe fleksibilitetin e kësaj gjuhe në këtë drejtim. A është e aftë shqipja ta risjellë këtë aftësi, duke përdorur sistemin e saj të modeleve të fjalëformimit dhe si? Kjo çështje do të shtjellohet përmes dy nënndarjeve. Së pari, në nënndarjen krahasimore teorike. Edhe pse shqipja dhe gjermanishtja u përkasin dy degëve të ndryshme të familjes indoeuropiane, në fjalëformim, veçanërisht në formimin e kompozitave, ato dëshmojnë të kenë aty-këtu edhe karakteristika të përbashkëta. Te nënndarja e dytë do të marrë rëndësi të veçantë analiza e kompozitave në fushën e përkthimit konkret. Gjermanishtja njihet si një gjuhë që përdor stilin nominal dhe formon kompozita sintetizuese, ndaj dhe në shumë raste formohen fjalë mjaft të gjata, me shumë përbërës brenda, shqipërimi i të cilave kërkon kompetencë shumë të mirë gjuhësore, njohje të fjalëformimit në përgjithësi, si dhe të dhe modeleve të kompozitave në veçanti. Këtu krahasimi do të jetë i drejtpërdrejtë dhe me shembuj. Në fund të punimit do të evidentohen ngjashmëritë dhe dallimet mes gjermanishtes dhe shqipes në këto çështje. Analizimi dhe përshkrimi i strukturës së kompozitave do të zbulojë mekanizmat e lidhjeve të gjymtyrëve të këtyre strukturave, lidhjen kuptimore mes kompozitës konkrete dhe përbërësve të saj në secilën gjuhë. Gjithashtu, analiza do të hedhë dritë mbi modelet e krijuara për formimin e këtyre fjalëve në të dyja gjuhët, duke nxjerrë në pah produktivitetin dhe aktivitetin e secilës prej tyre, si dhe prirjet gjuhësore për formime modelesh të reja. Metodologjia dhe struktura e punimit Metoda e përdorur është ajo përqasëse-krahasuese. Qasja është bërë duke pasur parasysh fjalimin e Nobelit “Ke shami?” të Herta Müller-it, mbajtur në dhjetor 2009 në Stokholm, dhe botimin e plotë të përkthimit në revistën kulturore “Mehr Licht”, nr.37. Tiranë, mars 2010. f.270 Synohet që në fund të punimit të përftohet një ide mbi të dyja botimet krahasuese për këtë temë; kjo mund të jetë edhe një ndihmesë për të gjithë të interesuarit në fushën e gjuhësisë krahasuese, të letërsisë krahasuese, dhe të atyre që shqipërojnë nga gjermanishtja në shqip. “Fjalëformimi është formimi i fjalëve të reja në një gjuhë.” . Një gjuhë i formon fjalët e reja mbi bazën e fjalëve ekzistuese. Kryesisht përmes mjeteve gramatikore. Në rastin kur kjo rrënjë përbëhet nga dy ose më shumë tema, fjalët janë të përbëra. Ky shpjegim haset shpesh jo vetëm në gramatikat shqipe, por edhe në gramatikat gjermane. Sipas DUDEN-it “Unter Zusammensetzungen verstehen wir die Woerter, die ohne zusaetzliche Abteilungsmittel aus zwei oder mehreren selbststaendig vorkommenden Woertern gebildet sind ”/ “Me fjalë të përbëra ne kuptojmë fjalë që janë formuar pa mjete ndajshtesore nga dy ose më shumë fjalë që përdoren edhe më vete”. Teorikisht shpjegohet pothuaj e njëjta gjë, ndërsa praktikisht realiteti gjuhësor paraqitet shumë i ndryshëm. Në shkrimin “Ke shami?” të Herta Müller-it bie dukshëm në sy përdorimi i shumë kompozitave emërore dhe i shumë më pak kompozitave mbiemërore, foljore apo ndajfoljore. Dimensioni gjuhësor i këtyre kompozitave, si element i rëndësishëm për të përftuar shprehësi letrare, në krijimin Müller-it lidhet jo vetëm me njohjen e thellë të traditës fjalëformuese të gjermanishtes, por ai është shndërruar një mjet të rëndësishëm stilistik të krijimtarisë së kësaj shkrimtareje. Sipas mendimit tim kjo do të jetë pa dyshim për një kohë të gjatë në vëmendjen e shkencës së letërsisë dhe linguistikës. Ose, thënë më mire, të shkencës ndërdisiplinore të gjuhës në letërsinë artistike. Përmes kompozitave që autorja përdor, ne mund të bëjmë një analizë më të thellë të tekstit në aspektin gjuhësor, por edhe në vlerësimin letrar të tij. Nga 3787 fjalë gjithsej te teksti “Ke shami?”, 174 janë kompozita njëpërdorimshme, dhe prej tyre vetëm kompozita në përbëje të titullit shami/“Taschentuch”, që vjen nga përngjitja emër+emër: Tasche/çantë+n (element lidhës) + Tuch/cohë është përdorur gjithsej 42 herë në tekst; dhe 9 herë të tjera është përdorur si fjalë rrënjë për krijimin e kompozitave të reja: Taschentuchschublade/sirtar shamish; Taschentuchformat/format shamie; Taschentuchsorten/lloje shamie; Kindertaschentuch/shami fëmijësh; Männertaschentücher/shami burrash; Frauentaschentücher/shami grash; Werktagstaschentücher/shami për ditët e punes; Sonntagstaschentücher/shami të diele: Handtuch/shami dore. Duke llogaritur këtu edhe kompozitat e tjera, që përdoren më shumë se një herë, në këtë tekst prej 10 faqesh gjenden mesatarisht rreth 23 kompozita në çdo faqe. Edhe pse është fakt i pranuar se kompozimi është një nga mënyrat më prodhimtare fjalëformuese të shqipes, dhe një nga mënyrat për të pasuruar leksikun e saj, krahasuar me tendencën e gjuhës gjermane për të krijuar kompozita, shqipja është më pak e aftë për ta bërë këtë. Sipas Migena Sejdinit, në Fjalorin e Shqipes së Sotme, viti 2002, ekzistojnë gjithsej 3384 kompozita, ose 10% e fjalëve të këtij fjalori, ku pjesën më të madhe e përbëjnë mbiemrat 50. 43% dhe pastaj emrat 45. 38%. Në “Deutsches Universalwoerterbuch”/Fjalori universal i gjermanishtes, po i vitit 2002, gjenden 52 071 kompozita, të cilat përbëjnë 37% të fjalëve. Nga këto 86.3% janë emërore dhe 8% janë mbiemërore. Kjo tregon rëndësinë e madhe që kanë kompozitat në gjuhën gjermane, përballë shqipes. Nëse i referohemi tekstit shqip të përkthyer, aty janë 4043 fjalë, pra 256 fjalë më shumë. Aftësia sintetizuese e gjermanishtes për të grupuar 2 ose më shumë tema rreth një teme motivuese sjell edhe këtë diferencë të madhe të fjalëve. Në tekstin shqip gjenden gjithsej 35 kompozita të mirëfillta, nga të cilat disa kanë përputhje të plotë me origjinalin nga pikëpamja kuptimore, p.sh: ndërkohë, ditëlindje, mbiemri, bashkëmoshatarë, bashkëpunoj, nënshkruaj, bashkëlidh, të vetëkuptuarit, fjalëtingëllimi, përshkallëzim, e njëvlershme, e dyfishtë, të dykuptimta, anti-semitiste, vëtëshprehem, i tejngopur. Shqipja tregon aftësinë e saj edhe në lidhje me disa kompozita me efekte stilistike apo edhe krijime të vetë autores, si: bishtdallandyshe, qafëmjellmë, vida-mëmë, brinjëgjembaçë, qafëgjilpërë, bojëqielli, buzërruge. Por në tekstin shqip hasen edhe kompozita, te cilave u përket një fjalë e vetme në origjinal, p.sh: njëri-tjetrit, shtatlartë, kockëgjerë, farefis, thashetheme, paralajmërim, ecejake. Sipas Androkli Kostallarit “Fjalë e përbërë ose kompozitë e mirëfilltë në shqipen e sotme është ajo fjalë dygjymtyrëshe që formohet nga bashkimi i dy ose më shumë temave në një fjalë të vetme, në një njësi të vetme leksiko-semantike strukturalisht të mbyllur, e cila formësohet si një tërësi e pavarur fonetiko-morfologjike, ka kategoritë e veta potenciale fjalëformonjëse, zhvillohet semantikisht dhe kryen funksionet e veta sintaktike gjithnjë si një tërësi-fjalë, pavarësisht nga veçoritë fonetike dhe leksiko-gramatikore të komponentëve të saj. ” Duke u nisur nga ky përkufizim, vlen të theksohet se shumica e kompozitave të tekstit origjinal përkthehen nga dy ose më shumë fjalë në shqip. Kjo shpjegon edhe diferencën e madhe të fjalëve nga teksti hyrës në atë dalës. P.sh: Blumenvaze, që në gjermanisht është një fjalë e vetme, në shqip e përkthejmë me dy fjalë: vazo lulesh; ndërsa kompozitën: Maschinenbaufabrik, në shqip e përkthejmë: fabrika e prodhimit të makinave. Por kjo çështje mund të diskutohet edhe ndryshe, pasi ka gjuhëtarë që mendojnë se edhe togfjalësha të formuar nga dy emra, por që funksionojnë si një gjymtyrë e vetme sintaksore, mund të trajtohen si kompozita “sui generis” . Nëse do të arsyetonim në këtë drejtim, të gjitha kompozitat përcaktore, të cilat janë një grup shumë më i madh në krahasim me ato këpujoret në këtë tekst, do të përktheheshin nga togfjalësha: emër +emër. P.sh: Haustür/dera e shtëpisë; Schreibtisch/makinë shkrimi, të cilat mund të vështrohen si kompozita për nga vetitë e tyre sintaksore që shfaqin në tekst. Siç shihet, me gjithë dallimet në mënyrat fjalëformuese të të dyja gjuhëve, kompozitat mbeten një nga më të rëndësishmet në pasurimin e fjalorit. Po e mbyll këtë kumtesë duke cituar disa rreshta nga vetë fjala e Müller-it, që tregon se sa i rëndësishëm është fjalëformimi në aspektin gjuhësor, por edhe përtej tij. Shkrimtarja e ka shumë të qartë këtë, jo vetëm përmes përdorimit dhe rikrijimit të kompozitave të reja, por edhe përmes mesazhit që na jep ne të gjithëve: “Mua më duket se sendet nuk e njohin lëndën nga janë bërë; gjestet nuk i njohin ndjenjat e tyre dhe fjalët nuk e njohin mirë gojën që flet. Por, për të siguruar praninë tonë, ne kemi nevojë për sendet, për gjestet, për fjalët. Sa më shumë fjalë t’i lejojmë vetes, aq më të lirë jemi. ” Fragmente për lexim: Herta Müller... “Unë reagoja ndaj frikës nga vdekja me urinë për jetën. Kjo ishte një uri fjalësh. Vetëm vorbulla e fjalëve mund të përshkruante gjendjen time. Ajo germëzonte atë çka nuk mund të flitej. Në rrethin vicioz të fjalëve unë i përqasesha të jetuarës, derisa të shfaqej diçka që nuk e kisha njohur më parë në atë formë. Pantomima e fjalëve hyn në aksion paralelisht me realitetin. Ajo nuk respekton asnjë përmasë reale: rrëgjon thelbësoren dhe zmadhon rastësoren. Rrethi vicioz i fjalëve bën çdo gjë lëmsh dhe e sjell të jetuarën në gjendjen e një logjike të magjepsur. Si “ironi e fatit” isha po aq e vetmuar sa atëherë, fëmijë, kur kullosja lopët në lëndinë. Haja lule dhe gjethe, që t’u ngjaja atyre; sepse lopët e dinin si jetohej, unë jo. U flisja luleve me emra. Emri gjembaç qumështi duhet të lidhej vërtet me një bimë që të shponte dhe me qumësht nëpër gjemba. Por ndaj emrit gjembaç qumështi bima s’reagonte fare. Provova ta thërras me emra të sajuar: Brinjëgjembaçe, Qafëgjilpërë, në të cilat nuk përmendej as qumështi dhe as ferrat. Në këtë mashtrim me të gjithë emrat e gënjeshtërt, mes meje dhe bimës së vërtetë ishte një hendek i tërë: turpi që flisja me zë të lartë me veten dhe jo me bimën. Por ky turp më bëri mirë. Unë ruaja lopët, ndërsa tingujt e fjalëve më ruanin mua. Dhe e ndjeja... ...Fjalëtingëllimi e di që duhet të mashtrojë, sepse sendet na mashtrojnë me lëndën e tyre, madje dhe ndjenjat me shenjat e tyre. Në pikën ku bashkëlidhen mashtrimi i lëndës dhe i shenjave, aty prehet tingulli me të vërtetën e tij të shpikur. Në shkrim nuk bëhet fjalë për besueshmëri, por më tepër për një ndershmëri të mashtrimit.” Nga gjermanishtja Anrila SPAHIJA Bibliografia A. Kostallari, Mbi disa veçori të fjalës së përbërë në gjuhën shqipe: Studime mbi leksikun dhe formimin e fjalëve në gjuhën shqipe, I, Tiranë, 1972, f.83 Duden, Die Gramatik, Band 4, Mannheim, 1998, f.432 Fjalor i shqipes së sotme, Tiranë, 2002, f.340 K. Cipo, Gramatika shqipe, Tiranë, 1949, f.43 “Mehr Licht”, nr.37. Triranë, mars 2010. f.270 Sejdini Migena: doktoratura.unitir.edu.al/wp-content/uploads/2013/06/Doktoratura-Migena-Sejdini-Fakulteti-i-Gjuheve-te-Huaja- faz.net/aktuell/feuilleton/buecher/autoren/herta-muellers-nobelvorlesung
Posted on: Tue, 01 Oct 2013 12:17:11 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015