Gjykata Supreme sot vendos nëse ish komandanti i UÇK-së, Fatmir - TopicsExpress



          

Gjykata Supreme sot vendos nëse ish komandanti i UÇK-së, Fatmir Limaj dhe nëntë ish luftëtarët e tij janë fajtorë për veprat për të cilat akuzohen nga Prokurori Mairizio Salustro ose jo. Avokatët mbrojtës vlerësojnë se nëse do të respektohet drejtësia, atëherë do të jetë vetëm një aktgjykim, ai lirues për Fatmir Limajn dhe të tjerët. Derisa, ekspertë ligjor thonë se duke parë lëndën dhe provat e paraqitura, patjetër se për të akuzuarit e rastit “Kleçka” do të duhej të vinte vetëm aktgjykimi lirues. Tomë Gashi, avokati i Fatmir Limajt, shprehet i bindur se duke i marrë për bazë provat e administruara në rigjykimin e këtij rasti, dhe nëse respektohet drejtësia, atëherë do të jetë vetëm një aktgjykim për Fatmir Limajn dhe nëntë ish bashkëluftëtarëve të tij, e ai është lirues. Gashi thotë se prokurori e ka thënë vet se e gjithë aktakuza është ndërtuar mbi bazën e një dëshmitari dhe deklaratave të tij, duke provuar t’i mbështesë me dëshmitarë të tjerë, por që gjithë i kanë ndërruar deklaratat e tyre, në seancën gjyqësore, nga ato të cilat i kanë dhënë tek prokurori, duke deklaruar se kanë qenë të kërcënuar, të shantazhuar nga prokurori, gjë të cilën e ka thënë edhe vet dëshmitari kryesorë Agim Zogaj. “Ne, përfundimisht, nëse respektohen dispozitat ligjore dhe nëse respektohet drejtësia në parim, po ashtu, edhe provat gjatë këtij rigjykimi, atëherë presim vetëm një lloj të aktgjykimit, dhe përfundimisht do të ishte aktgjykim lirues për Fatmir Limajn, por besoj edhe për nëntë ish bashkëluftëtarët e tij që janë me vite të tëra duke u përballur me këto akuza dhe përfundimisht do të duhej të mbyllej ky kapitull i ndjekjes penale për Fatmir Limajn për krime lufte për të cilat nuk ka asnjë provë që ka mundur të jetë i involvuar për këto çështje për të cilat prokurori është duke e akuzuar permanent”, ka thënë Gashi për Kosovapress. Ndërsa, profesori Riza Smaka, i cili thotë se e ka përcjell me vëmendje këtë proces, shprehet se asnjë vendim tjetër nuk duhet të jetë në këtë proces, përveç atij lirues. “Unë e konsideroj këtë proces juridiko penal të inspiruar politikisht. Unioni Evropian e ka një politikë absolutisht subjektive dhe tendencioze dhe të papranuar. Sepse tenton ta bëjë një barazim mes palës serbiane dhe shqiptare, kosovare, do të thotë ta bëjë një balancë, se ata kanë bërë krime, ne paskemi bërë krime, që absolutisht nuk qëndron. Sepse ne ishim viktimë, populli ishte i paarmatosur, nuk ishte agresor, aq sa ka mundur të mbrohej është mbrojtur në pragun e vet, në trojet e veta, ndërsa Serbia ishte agresori, hegjemoniste, që bënë krime të papara e që për çudi pikërisht Unioni Evropian i mohojnë apo abstrakojnë”, ka thënë Smaka për Kosovapress. Ndërkohë, në fjalën përfundimtare të tij, Prokurori Mairizio Salustro ka këkruar që të akuzuarit të shpallën fajtor për veprën për të cilën akuzohen. Sot, në orën 14:00, trupi Gjykues i përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një gjyqtare vendore, do të shpallin aktgjykimin përfundimtar për të akuzuarit në rastin “Kleçka”, pas rigjykimit që ka zgjatur me shumë se gjashtë muaj dhe mbajtjes dhjetëra seancave gjyqësore.
Posted on: Tue, 17 Sep 2013 07:16:49 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015