Historia e Testamenteve nga Konica te Trebeshina Kasëm - TopicsExpress



          

Historia e Testamenteve nga Konica te Trebeshina Kasëm Trebeshina e shkroi testamentin e tij në dy kohë. Ishte i qetë që dorëshkrimet dhe testamentin e kishte lënë në duart e sigurta të mikut të tij Llambi Blido. Mit’hat Frashëri e shkroi testamentin 20 vjet para se të ndahej nga jeta dhe e depozitoi në Gjykatën e shkallës së parë në Tiranë. Testamenti i Konicës për një kohë të gjatë “lundroi” mes dyshimesh nëse ishte trillim apo i vërtetë Historitë e mbijetesës së dorëshkrimeve janë nga më të ndryshmet. Sidomos kur koha që ndan shkrimin nga botimi është e gjatë. Në një moment të tillë shkrimtari nis e mendon për të ardhmen e dorëshkrimeve të tij. Kasëm Trebeshinës iu deshëm afro 35 vjet për këtë. Gjatë viteve kur shkrimtari nuk arrinte të komunikonte me lexuesin për shkak se letërsia e tij shkonte në kahun e kundërt me letërsinë zyrtare të kohës, mendoi të linte dhe testamentin e tij. Pavarësisht arrestimeve dhe burgimeve të njëpasnjëshme, shkrimtari me sa dukej shihte një dritë në fund të tunelit dhe shpresonte që një ditë vepra e tij do të botohej. E mikluar nga kjo ide, ulet dhe shkruan testamentin e trashëgimisë më të vyer për të: dorëshkrimet. Kështu bëri Kasëm Trebeshina. Por si çdo testament duhej gjetur vendi dhe njeriu i duhur për t’ia besuar atë. Ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë, Trebeshina ia besoi ruajtjen e dorëshkrimeve e testamentin e tij mikut më të ngushtë, piktorit Llambi Blido. “Ishin kohë të vështira. Në një moment ku vala e arrestimeve kishte filluar u tremba dhe unë dhe mendova t’i largoja nga shtëpia ime dorëshkrimet dhe testamentin që më kishte besuar Kasëmi”, – kujton Llambi Blido në intervistën e tij për MAPO-n”. Mitrush Kuteli në letër-testamentin e tij të gjatë për bashkëshorten Efterpi shkruan ndër të tjera: “Askush të mos më prekë dorëshkrimet e para se të më rritet djali. I vini në arkë, i mbyllni”. Mit’hat Frashëri ishte vetëm 49 vjeç kur shkroi testamentin e tij 20 vjet para se të vdiste. E depozitoi testamentin më 4 mars të vitit 1929 në Gjykatën e Tiranës. Kopje të testamentit të tij u dorëzoi edhe disa të besuarve miq të tij të ngushtë. Ndër të tjera në testamentin e tij Mit’hat Frashëri shkruante se gjithçka që ai trashëgonte libra, dokumente, dorëshkrime deri dhe mobiliet i linte për krijimin e “Institutit të Albanologjisë”. Kasëm Trebeshina ia dorëzoi testamentin dhe dorëshkrimet mikut më të ngushtë, që i fshehu në shtëpinë e tij për t’ia kthyer ditën që do të dilte nga burgu Llambi Blido: Dorëshkrimet dhe testamentin e Trebeshinës i fsheha në dollap Kasëm Trebeshina e shkroi testamentin e tij në dy kohë. Në vitin 1975, kur shkroi pjesën e parë të testamentit, ai kishte renditur rreth 103 dorëshkrime origjinale të veprave të tij. “Dy ose tre vjet më vonë- kujton piktori Llambi Blido- më solli dhe pjesën e dytë të testamentit dhe disa dorëshkrime të reja”. Në jetën e tij të trazuar Trebeshina ishte i qetë për një gjë, që dorëshkrimet dhe testamentin e tij e kishte lënë në duar të sigurta. Po si dhe ku u ruajtën ato? Rrëfehet në këtë intervistë Llambi Blido. Pse jua besoi dorëshkrimet dhe testamentin e tij Kasëm Trebeshina? Ishim miq të ngushtë dhe takoheshim vazhdimisht. Gjatë këtyre takimeve më kishte lënë një pjesë të mirë të krijimtarisë së tij, kryesisht e lidhur dhe e daktilografuar, përfshirë dhe testamentin. Testamentin e Kasëm Trebeshinës e kam patur unë për shumë vite në shtëpinë time. Madje testamentin ma ka lënë në dy kohë, se i bëri një shtesë, me sa kujtoj, dy ose tre vjet pasi ma dha. M’i la në besim shumë vite para se të binte në burg. Po pse, kishte parandjerë ndonjë rrezik? Ai gjithmonë ishte në rrezik. Mendoj se Kasëmi ishte një njeri serioz, që i mendonte gjërat mirë. Arrestimi u bë shumë vite më vonë, kur i shkroi promemorien Enver Hoxhës, dhe e njëjta letër iu dërgua kopje edhe Mehmet Shehut. Refuzonte të votonte. Në kohën ku u arrestua, dorëshkrimet dhe testament ndodheshin në shtëpinë time dhe unë i kam mbajtur aty derisa ai doli nga burgu, kohë dhe kur ia dorëzova të zotit gjithçka që më kishte lënë. Nuk erdhi njeri t’jua kërkonte? Nuk e dinin se i kisha unë, se po ta dinin, do më merrnin mua bashkë me dorëshkrimet. Në atë kohë mund të hyje në burg për gjëra shumë të vogla, e jo më ta dinin se mbaje dorëshkrimet dhe aq më tepër testamentin e një ‘armiku’ siç konsideronin Kasëmin. Ku i mbaje të fshehura? Në një dollap të vjetër rrobash. Po qe se do e merrnin vesh se unë ato dorëshkrime i kisha në shtëpi, nuk do kishin problem për t’i gjetur. Madje ka qenë një moment i vështirë kur unë u tremba vërtet, sepse kishin filluar të bëheshin arrestime njëri pas tjetrit. Në këtë valë arrestimesh vajta dhe trokita te një miku im tjetër, nga ata miq që i beson gjithçka. Ai është Burhan Cami. Ishte një pasdite dimri. “Jam në hall, – i thashë mikut tim, – se kam në shtëpi dorëshkrimet dhe testamentin e Kasëmit. Si t’ia bëjmë, se kam frikë se mos m’i gjejnë… U shqetësua dhe ai por megjithatë vendosëm që t’i sillja në shtëpinë e tij dhe t’i fshihnim në tavan. Ai kishte shtëpi private dhe tavani konsiderohej si vendi më i fshehtë i shtëpisë. Por siç ndodh me çdo njeri, ai momenti i parë i frikës sikur filloi të më dilte dhe nuk i çova dorëshkrimet edhe pse ai u tregua shumë i gatshëm që t’i fshihte. Thatë se testamentin e shkroi në dy kohë. Kur jua solli pjesën e dytë të testamentit? Ka qenë një moment krejt i veçantë. Kasëmi në shenjë proteste reagonte shpesh me greva urie. Zakonisht ai vinte tek unë në fundjavë, por atë ditë erdhi në mesjavë, me sa mbaj mend ka qenë ditë e enjte. Kjo ishte e papritur për mua. Ishte dyllë i verdhë dhe i tensionuar. Me këtë rast solli dhe pjesën e dytë të testamentit. “Llambi, erdha të takohem se ku i dihet, mund të jetë takimi i fundit”, – më tha. U drodha nga fjalët e tij dhe e pyeta se çfarë kishte ngjarë. Më zgjati pjesën e dytë të testamentit dhe më tha: ‘Këtë do t’ia bashkëngjitësh pjesës së parë që të kam lënë”. Kishte bërë ca ndryshime të natyrës që: Në qoftë se familjarët e mi, gruaja, djali, vajza nuk janë të interesuar për të trashëguar veprën time, atëherë unë ia lë nipit tim. Nëse as nipit nuk i intereson, ua lë shokëve të mi të ngushtë. Atij shoku që dëshiron ta ketë veprën time”. Kjo ishte shtesa. Bashkë me këtë më solli dhe disa dorëshkrime të tjera që unë nuk i kisha. Pas insistimit tim për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur, mësova se ai kishte dëgjuar nga dhoma që i shërbente si studio në shtëpi një bisedë mes familjarëve të tij, dhe ndonjëri me fjalët që ka thënë do e ketë fyer etj. Nga ai moment pa u thënë asgjë familjarëve ai kishte vendosur të priste ushqimin. Kur erdhi tek unë për të më sjellë pjesën e fundit të testamentit duhet të kishte kohë pa ngrënë. U përpoqa t’i ndërroja mendim, por kur ai merrte vendim ishte i patundur. Shkova të takoja bashkëshorten që punonte financiere në fermën ‘Gjergj Dimitrov’. Ajo më shpjegoi gjendjen dhe nuk gjente dot rrugëdalje. U ndamë pa asnjë zgjidhje. I vajta dhe një herë të dytë në shtëpi pas disa ditësh dhe gjendja e tij ishte rënduar shumë. Papritur një ditë filloi të hante. Çfarë kishte ndodhur? Nipi i vogël kishte shkuar ta ushqente me lugën e tij dhe ai kishte filluar të hante nga dora e të nipit. Nga ky gjest i të voglit ishte prekur aq shumë, sa kishte hequr dorë nga greva e tij e urisë. Kasëm Trebeshina ishte karakter i vështirë në përgjithësi. Testamenti i Kasëm Trebeshinës “Përpiluar nga unë, Kasëm Trebeshina, sot, më datë 6. 11 .1975, me qëllim që pas vdekjes sime të gjitha të drejtat mbi dorëshkrimet e mia t’i kenë gruaja ime, Zydie, dy fëmijët e mi, Tatjana dhe Artani, dhe, kur të arrijë moshën madhore, nipi im, Ariel Zarshati. Vullneti im është si më poshtë: Do të jepet për botim, në çdo kohë që të kërkohet, vetëm romani “Kënga Shqiptare” dhe pas botimit të tij, “Fshati mbi shtatë kodrinat”. Gjë tjetër nuk do të jepet, cilido që të jetë ai që e kërkon. Kjo rezervë do të mbahet gjersa në Shqipëri të hartohet një program i vërtetë arsimor me një thellim të domosdoshëm në letërsi, gjë që do ta bëjë të kuptueshme veprën time në tërësi. “Kënga Shqiptare” dhe “Fshati mbi shtatë kodrinat” mund të jepet sipas radhës që tregova më sipër, vetëm duke marrë garanci të plotë se nuk do të preket as edhe një gërmë. Ai që e do veprën time, do ta marrë pa vënë dorë në të. Kësaj porosie trashëgimtarët e mi do t’i përmbahen duke hedhur poshtë çdo leverdi ekonomike. Korrektura mund të bëhet në bazë të rotografisë që do të jetë në zbatim në kohën e botimit të veprës. Nuk do të preken në asnjë mënyrë shenjat e pikësimit dhe do të ruhet distance midis fjalëve, vendosur prej meje. Trashëgimtarët e mi, të përmendur më sipër, si dhe gjithë nipërit dhe mbesat që do të vijnë më vonë, gëzojnë të gjitha të drejtat e honorareve të veprave të mia dhe nga ana e pagesës janë të lirë të vënë kushtet që do t’u duken më të leverdisshme për veten e tyre. Bashkëngjitur me këtë testament janë dhe listat e veprave si dhe shtojcat që kanë të bëjnë me to. Listat janë në tri faqe të sigluara në fund. Në pamundësi dëshmitarësh, lutem të merret parasysh me besim të plotë firma ime”. Shënim plotësues “Sot, më 26.08.1976, deklaroj ndryshimet si më poshtë: “Planetiada” do të jetë me pesë vëllime. Vëllimi i katërt do të jetë “Zhurma e madhe pa vetmi”, e shkruar në dy vitet e fundit. Renditja do të bëhet si më poshtë: Vëllimi I: “Mjegullia”. Vëllimi II: “Meteoritet e kotvanit”. Vëllimi III: “Meteoritet e tjerë”. Vëllimi IV: “Zhurma e madhe pa vetmi” (e padaktilografuar). Vëllimi V: “Kohët para kohëve”. Të shtohen gjithashtu pjesët teatrale që vijojnë: “Froni”, “Gjyqi i fundit”, Komedia “Udhëtime fantastike”nuk është mbaruar. Duke qenë se jam para vdekjes dhe dihen arsyet që më bëjnë të pafuqishëm për të përfunduar dhe plotësuar veprën time, kam bindjen se miqtë e mi që marrin vesh nga punët e artit do të dinë t’i përmbushin detyrimet që rrjedhin nga trashëgimia që lë. Po qe se disa nga trashëgimtarët e mi nuk e pranojnë trashëgiminë që lë ose nuk duan të identifikohen me të, të gjitha të drejtat u kalojnë trashëgimtarëve të tjerë. Po qe se tërhiqen të gjithë, atëherë të gjitha të drejtat u jepen atyre që i marrin përsipër. Ky është vullneti im. E firmos si dhe faqet e tjera dhe ua lë njerëzve që do ta zbatojnë”. Boxe Mit’hat Frashëri: Dua që nga biblioteka ime të mos ç’këputetë gjë “Me shëndet trupor të plotë, po bënj këtë testament..”- shkruante 20 vjet para se të ndahej nga jeta Mit’hat Frashëri. Në 12 pikat e testamentit të tij, ai shkruan dëshirat e tij që kryesisht lidhen me fatin e librave dhe dorëshkrimeve të tij. “Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj i lë për krijimin e një “Institut Albanologjie” që të jetë një qëndër e studimeve shqipëtare të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë.”- thuhet në pikën e parë të testamentin I cili vijon: “Dua që nga biblioteka private ime të mis ç’këputetë gjë; të gjitha librat të rrinë tok. Librarija ime dëshironj që të shitet ashtu si është, e tëra bashkë, jo copa copa, dhe, në qoftë e mundurë të mbanjë emërin që i kam dhënë unë” etj. Testamenti i trilluar i Faik Konicës Ndodh që për një arsye madhore ose jo të trillohet një testament. Aq më shumë kur bëhet fjalë për një figurë poliglote si Faik Konica. Në fillim të viteve ’90 u botua për herë të parë “Testament”, deri vonë i besuar se ishte shkruar nga Faik Konica. Por shumë vite më vonë vetë autori i atij zbulimi, shkrimtari Nasho Jorgaqi do të botonte shkrimin “Testamenti i Faik Konicës, trillimi dhe e vërteta”, ku zbulonte të vërtetën e hidhur se nuk ekzistonte asnjë testament. “Nga komunikimi me miqtë e mi shqiptaro-amerikanë si A. Athanas, A. Liolin, P. Prifti etj., e për më tepër nga njohja me burimet arkivore do të më rezultonte se F. Konica nuk kish lënë ndonjë testament me shkrim, veç amanetit gojor shprehur Nolit që, kur të vdiste, të kujdesej që trupin e tij ta dërgonin në Shqipëri. Nga të dhënat që mblodha dhe nga hulumtimet e drejtpërdrejta në SHBA m’u bë e qartë se një dokument i tillë nuk ekzistonte…”- shkruan shkrimtari dhe studiuesi Nasho Jorgaqi. Më vonë ai kishte mësuar se ish-studenti që i kishte “shitur” testamentin si të Faik Konicës, i kishte rrëfyer se atë ia kish dhënë një gazetar nga Përmeti, që, sipas arsyetimit të tij, e kish bërë që të sensibilizonte opinionin publik për të sjellë eshtrat e F. Konicës në Shqipëri në kuadrin e proceseve demokratike.
Posted on: Sat, 20 Jul 2013 13:58:43 +0000

Trending Topics



sttext" style="margin-left:0px; min-height:30px;"> No skills needed No recruiting No cold calling No emailing No

Recently Viewed Topics




© 2015