Historia e mësuar “mbrapsht” Dafina Kabashi Foto: Laura - TopicsExpress



          

Historia e mësuar “mbrapsht” Dafina Kabashi Foto: Laura Hasani Evropa Juglindore, në mendjen e shumë njerëzve, vazhdon të jetë e lidhur edhe sot kryesisht me lufta dhe konflikte etnike. Megjithatë,situata në rajon, siç thuhet, është një marrëveshje e madhe ‘shumëngjyrëshe”. Në Kosovë ekzistojnë disa komunitete, derisa kemi tri gjuhë zyrtare, andaj, mësimet në shkolla bëhen në tri gjuhë të ndryshme. Në këtë kontekst Instituti Georg Eckert është duke eksploruar paraqitjen e historisë në tekstet në gjuhën shqipe dhe kurrikulat në të gjitha rajonet ku mësohet në gjuhën shqipe, në Shqipëri, Kosovë, në një grup të popullsisë relevante në Maqedoni, dhe në një grup minoritar në Serbi dhe në Mal të Zi . Konferenca që u mbajt nga gjashtë deri më tetë nëntor, në Prishtinë, është ndjekur nga studiues, publicistë dhe akademikë, të cilët kanë reflektuar mbi statusin aktual të sfidave me të cilat përballet mësimi në shqip në rajon. Projekti, thuhet se do të zgjasë për tri vjet, dhe synon të nxisë debat dhe diskutim në mesin e politikave arsimore, autorëve të teksteve mësimore dhe profesionistëve të fushës. Historia ndërmjet Kosovës e Serbisë në librat shkollorë Shkelzen Gashi, publicist, në referencën e tij me titull “Kosova 1912 – 2000 in the history textbooks of Kosova and Serbia”, ka folur për historinë si paraqitet në librat shkollorë në Kosovë dhe ata në Serbi. Ai ka thënë se qasja që u japin teksteve, dallon, edhe pse shkruhet për të njëjtën periudhë kohore. Duke shtuar se shumë ngjarje nuk janë të shënuara, në historinë e asnjërit vend. “Tekstet shkollore të palëve i zbulojnë vetëm krimet e palës tjetër, duke e paraqitur veten viktimë, kurse tjetrin agresor”, ka thënë Gashi. Sipas tij, nga tetori i viti 1912, deri në marsin e vitit 2013, forcat serbe kanë kryer krime të tmerrshme mbi popullatën shqiptare. Krahas pronësisë dhe synimit ndaj territorit, dhe njëanshmërisë së prezantimit të palës tjetër, Gashi ka trajtuar edhe një tjetër problem në referencën e tij, që janë bashkëpunimet e heshtura në mes palës shqiptare dhe asaj serbe. “Në tekstet e të dy vendeve nuk përmenden askund bashkëpunimi i disa prej liderëve kryesorë, kryengritës shqiptarë në vitin 1912 me përfaqësuesit serbë në Prishtinë për të luftuar kundër Perandorisë Osmane. Isa Boletini merr armë nga konsuli serb për të luftuar Perandorinë Osmane. Takimi i udhëheqësve të Lëvizjes së Kaçakëve, të shqiptarëve të mbetur në Jugosllavi, pas Luftës së Parë Botërore me autoritetet lokale serbe. Azem Bejta takohet me serbë, madje edhe bashkëpunon me serbë dhe i lufton trupat austriake bashkë me serbë”, ka thënë më tej Shkelzen Gashi, i cili më tej ka thënë se edhe përkthyesit, librat për Kosovën, qëllimisht i përkthejnë keq. “Për shembull kërkesa e Azem Bejtës në luftën e tij që e bën pas Luftës së Parë Botërore, kërkesa e tij kryesore politike është vetëqeverisje, ku përkthyesi nuk e përkthyen si vetëqeverisje, por si vetëvendosje”, ka treguar Gashi. Derisa ka thënë se në tekstet e Kosovës mungojnë edhe tri koncepte politike ushtarake. Sipas tij kur e lexon një tekst të historisë, qoftë të shkollës fillore ose të mesme, të krijohet përshtypja se në Kosovë ka pasur veç UÇK. “Kemi pasur Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Mungesa e këtyre koncepteve për tri rrymat nënkupton edhe mungesën e të dhënave mbi përleshjet, fërkimet dhe vrasjet mes këtyre tri grupacioneve”, ka thënë ai. Ndriçim Mehmeti, profesor nga Universiteti i Tiranës është paraqitur me referencën me titull “Minoritete dhe trajtimi i tyre në tekstet e historisë”, ka folur për trajtimin që u bëhet pakicave shqiptare në vende të ndryshme por edhe për pakicat në Kosovë e Shqipëri. Me këtë rast ai ka thënë se në Kosovë ushtrohet presion jashtëzakonisht i madh për të krijuar të ashtuquajturën shoqëri multietnike. “Unë personalisht nuk jam dakord që Kosova është shtet multietnik. Kosova është një shtet i shqiptarëve që ka pakica të cilat sipas standardeve të tyre t’i respektojmë”, është shprehur Mehmeti. Rishikimi i historisë- komunizmi dhe mesjeta Në kumtesën e tij me titull ““Rishkrimi i historisë së periudhës osmane në tekstet shkollore”, studiuesi nga Shqipëria Artan Puto, profesor në universitetin “Marin Barleti”, i është referuar periudhës pas rënies së komunizmit, kur është kërkuar rishkrimi i historisë, sepse ky sistem e kishte shtrembëruar shumë atë që quhet e vërteta historike. “Për mendimin tim problemi është shumë më i thellë, sepse nuk duhet të shikojmë vetëm rishkrimin e historisë, por ne duhet ta rikonceptojmë historinë, funksionin e saj, si dije dhe funksionin e saj shoqëror”, ka thënë ati duke shtuar se stimulimi i ndjenjës së krenarisë kombëtare, është një problem shumë i madh, sepse siç thotë ai, historia si lëndë nuk duhet të jetë një lëndë që do të duhej të ndikonte në ngritjen e krenarisë kombëtare, por si mundësi për të pasur më shumë dije për veten tonë dhe historinë tonë. Qerim Dalipi, nga Universiteti i Tetovës, në kumtesën e tij me titull “Periudha e mesjetës në librat e historisë të arsimit të mesëm në Republikën e Maqedonisë”, është shprehur se çështja e periodizimit në tekstet shkollore të Republikës së Maqedonisë ndryshon nga vendet e tjera, duke shtuar se nxënësve në shkolla duhet t’u servohen të dhëna të sakta që janë të njohura në historiografi. “Kemi marrë disa tekste të historisë edhe atë dy tekste të viteve 1978 të Gjimnazit të përgjithshëm, kur Maqedonia ishte republikë në kuadër të Jugosllavisë, pastaj një tekst tjetër të vitit 1989 kur ndaj shqiptarëve u bë një diskriminim i madh”, ka thënë Dalipi. Ndërkaq, Bujar Dugolli në referencën e tij ka treguar se si janë shkruar tekste shkollore, duke thënë se mësimi dhe studimi i historisë duhet t’i nënshtrohet një lloj regjimi, sepse sipas tij shkrimet e teksteve historike janë të ndjeshme prandaj duhet tu kushtohet rëndësi veçantë. “Librat shkollorë janë mbështetur fare pak në kritere ndërkombëtare që parashihen për shkrimin e historisë, prandaj edhe ka ngecje në këtë drejtim” tha Dugolli, i cili shtoi se pabarazia gjinore dhe hapësinore, ka bërë që nxënësve t’u krijohet një dije e pabalancuar
Posted on: Sat, 09 Nov 2013 17:27:05 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015