ISLAMOKRACIA DHE ISLAMFOBIA SI DËMTUES TË FESË ISLAME NË - TopicsExpress



          

ISLAMOKRACIA DHE ISLAMFOBIA SI DËMTUES TË FESË ISLAME NË KOSOVË Lartësimi moral, paqja shpirtërore dhe shpëtimi i njeriut, janë produktet e vërteta të fesë islame. Njerëzit duhet të rikthehen në këto mësime e të gjejnë në to kuptimin e jetës së vet. Duhet të rikthehen vetë e të mos presin se dikush me çallmë në kokë do t’ua tregojë rrugën, meqë secili individ është përgjegjës për veten e vet. Milazim KRASNIQI Në Kosovën e pasluftës dhe veçmas në Kosovën e pavarur, (2008 e këndej, feja është bërë tema më e keqkuptuar (për shkak të naivitetit të shumë njerëzve) dhe më e keqinterpretuara, (për shkak të keqdashjes së shumë të tjerëve.) Disa nga debatet më idiote që janë zhvilluar ndonjëherë në këtë vend, kanë pasur të bëjnë veçmas me fenë islame përkatësisht me “rrezikun islamik”, i cili prej injorantëve është shëndërruar në një gogol, me të cilin ata trembin veten e tyre. Këto debate idiote kanë prodhuar “njohës” të çështjeve fetare, që në të vërtetë janë batakçinjë, që nuk kanë as formimin elementar fetar e as intelektual, ndërsa kanë marrë përsipër të interpretojnë çështjet fetare dhe të propozojnë, me një lehtësi tipike që buron nga formimi stalinist, masa represive ndaj muslimanëve e masa restriktive ndaj fesë islame, në një vend ku është në funksion e në zhvillim të sforcuar demokracia liberale, ndërsa në censusin e vitit 2012, mbi 95 për qind e popullsisë janë deklaruar muslimanë! Opinionet e lexuesve që zakonisht shoqërojnë me shumicë këso debatesh e tekstesh dhe që sipas gjasash janë të dirigjuara nga qendra të caktuara, përbëhen nga fyerjet më barbare ndaj fesë islame e ndaj ndjenjave të besimtarëve muslimanë. Egërsi të tillë të fyerjeve nuk bën vaki të hasen për asnjë fushë tjetër të debatit, që do të thotë se islamofobia është në tensione të larta në këtë vend dhe që ajo sponsorizohet nga qarqe të ndryshme. Nuk dihet saktësisht se a janë po ato qendra që e sforcojnë demokracinë liberale, apo janë ato që janë kundër saj. Por, basti më shumë bie në të parat, pra që sponsorizuesit e demokracisë liberale janë porositësit/urdhërdhënësit e restriktioneve ndaj lirive fetare. Kjo gjë paraqet një absurd të llojit të vet, sepse të stimulosh demokracinë liberale dhe në të njëjtën kohë të cënosh të drejtat elementare fetare të shumicës absolute të popullsisë, është një situatë shumë absurde dhe që në instancë të fundit e kërcënon edhe vetë demokracinë. Kosova si shtet fetar- ordodoks! Askush nuk e di saktësisht se si shpërtheu gjithë kjo islamofobi në Kosovë, veçmas pas pavarësimit të vendit, kur shpresohej se të gjithë banorët e tij do të gjenin mirëkuptimin dhe paqen e nevojshme, pas vuajtjeve të jashtëzakonshme nën pushtimin sermomadh. Por, ai mirëkuptim dhe ajo paqe nuk janë arritur ende dhe as që shihen kund në horizont, as në rrethanat e avancimit të demokracisë liberale. Shpërthimi i islamofobisë menjëherë pas pavarësimit të vendit, ishte si shpërthimi i një abscesi që ka mbledhur qelb për një kohë të gjatë dhe që ka akumuluar një virulencë të lartë. Ka disa supozime lidhur me shkaqet që sollën këtë virulencë e të cilat e kanë brenda vetes farën e rezonit logjik. E para, ka të bëjë me bisedimet e Vjenës dhe me mënyrën se si i dizajnua shteti i ri nga akterët ndërkombëtar, të cilët duke e propozuar që Kosova të bëhej e pavarur, e futën brenda një mbikëqyrjeje afatgjatë ndërkombëtare, ushtarake dhe civile në të njëjtën kohë! Pra, formuan njëfarë kreature kuazi shtetërore, e cila më parë do të mund të quhej Ahtisaristan, se sa Kosovë. Në bisedimet e Vjenës përkatësisht me Planin Gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit, Ahtisaristani (Kosova) u konceptua si shtet fetar, me fenë ortodokse serbe si fe shterërore, ose më saktë, me Kishën Ortodokse Serbe, si shtet brenda shtetit. Krijimi i zonave të mbrojtura të kishave dhe manastireve serbe, dhënia e lehtësirave doganore për këtë Kishë dhe një numër i madh i koncesioneve të bëra nga shteti i ri, e ka bërë Kishën Ortodokse Serbe që të jetë tërësisht jashtë juridiksionit të Kosovës. Në këto koncesione bie edhe lejimi i mësimbesimit në shkollat në gjuhën serbe, përderi sa është në fuqi ndalimi i mësimbesimit në shkollat në gjuhën shqipe! Për të evituar çfarëdo kërkese të Bashkësisë Islame të Kosovës për një status më të avansuar në kuadër të shtetit të ri dhe për më shumë liri e të drejta të muslimanëve në këtë shtet, është orkestruar presioni mbi muslimanët, që të minimizohen kërkesat e tyre dhe bile që të mos realizohen as kërkesat minimale.Kështu, nga presioni i madh dhe permanent, është dashur të harrohej statusi i privilegjuar i Kishës Ortodokse Serbe dhe i bashkësisë ortodokse në Kosovë, gjë që tashmë edhe ka ndodhur. Kisha që thërret besimtarët e vet për hakmarrje, (parulla e famshme “Osvetiti Kosovo!”) bën çfarë të dojë, madje u uzurpon edhe pronat fshatarëve, por as shteti e as qytetarët, nuk guxojnë të bëjnë as edhe një deklaratë tamam. Nga ana tjetër, edhe Kisha Katolike i ka realizuar disa favore për veten e saj, gjë që poashtu është parë si diçka “e vetëkuptueshme” në një shtet kukull, ku nuk vendos vullneti i shumicës së popullsisë. Mirëpo, nuk duhet të shmanget nga vëmendja fakti që edhe Kisha Katolike administrohet direkt nga një shtet tjetër, nga Vatikani, prandaj as ajo nuk varet nga humori i institucioneve shtetërore të Kosovës. Meqë katolicizmi nga ana e kuaziintelektalëve islamofobë është patentuar si “tharmi i shqiptarizmit”, kjo ka bërë që kjo kishë të marrë njëfarë statusi të privilegjuar edhe në sytë e institucioneve të shtetit të ri, gjë që e dëshmon më së miri ndërtimi i katedrales në qendër të Prishtinës dhe uzurpimi prej saj edhe i një pjese të territorit, bile pa ua varur fare vendimeve të komunës së Prishtinës. Pra, realisht vetëm Bashkësia Islame e Kosovës dhe fatet e muslimanëve varen nga ligjet e shtetit të ri, prandaj ndaj tyre edhe janë u aplikuar masat restriktive të këtij shteti, i cili vetë është i mbikëqyrur nga të tjerët!. Akterët që provokojnë tjetërsimin e muslimanëve E dyta, adresa e akterëve që ushtrojnë presionin mbi muslimanët në Kosovë, duket si enigmë, meqë luhet si me top të pingpongut ndërmjet institucioneve vendase dhe atyre ndërkombëtare. Kur institucioneve të vendit u duhet të fshehin veprimet e veta islamofobike, lëshojnë fjalë se këto masa po i kërkuakan “miqtë tanë”, kryesisht amerikanë. Dhe ashtu e fshehin dorën e vet, edhe nëse me të e kanë hedhur gurin. E treta, segmentë me ndikim të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, duket se ushtrojnë vërtet presion mbi insititucionet e vendit, për të mbajtur nën presion fenë islame, nga paranoja që kanë se gjoja liria më e madhe e besimtarëve muslimanë mund të prodhojë ekstremizëm. Në një rast të tillë ata konsumojnë përvoja nga vende e kultura të tjera, kryesisht të Azisë e të Afrikës, por që realisht nuk kanë asnjë bazë në zhvillimet në vendin tonë. E katërta, vetë organizimi dhe funksionimi i Bashkësisë Islame të Kosovës nuk ka krijuar kapacitetet e nevojshme që të shihet e të pranohet si partner i besueshëm nga ana e institucioneve shtetërore dhe atyre ndërkombëtare. Modeli i organizimit të saj vazhdon të jetë ai që ka qenë edhe në ish Jugosllavinë komuniste dhe në kohën e okupimit të vendit, pa aplikuar asnjë reformë në rrethanat e reja të lirisë së tij. Edhe zhvillimet e fundit në këtë bashkësi, lidhur me ndërrimin e termave të dokumentit bazë të organizimit, për ta cimentuar mosndryshimin, janë një zhvillim që e rritë dyshimin dhe mosbesimin në qëllimet e krerëve të saj. Prandaj, në këtë sfond të muzgët, ku statusi i prvilegjuar i ortodoksëve serbë duhet të maskohet, i katolikëve afirmohet si “patriotik”, ndërsa organizimi i institucionit përfaqësues të muslimanëve është shndërruar në një front të luftës për pushtet, ku përdoren edhe elementë ekstremistë, liritë dhe të drejtat fetare të shumicës së besimtarëve, duken potencialisht të cënuara. Në këtë ambient psikologjikisht represiv, është lancuar ideja se kjo shkallë e lirive dhe e të drejtave fetare që i gëzojnë muslimanët në këtë shtet, është dhuratë nga zemërgjerësia e jomuslimanëve, e nuk janë liri dhe të drejta që atyre u takojnë në mënyrë të patjertërsueshme nga Kushtetuta e vendit dhe ligjet e tjera të këtij shteti. Kjo është mënyra e menduar nga strategët islamofobë, për ta imponuar tjetërsimin e muslimanëve, për t’ua imponuar kompleksin e inferioritetit dhe prej andej për ta hapur ndonjë kapitull të ri të konvertimit të tyre. “Islami politik”- një sfidë e panevojshme Injorimi institucional i statusit dhe i nevojave të shumicës së besimtarëve, në këtë rast të besimtarëve muslimanë, pati filluar të prodhojë frustrimet e para lidhur me ndërtimin e Katedrales në oborrin e gjimnazit “ Xhevdet Doda”, por u bë më dramatik për shkak të mosdhënies së një trualli për një xhami në qendër të kryeqytetit dhe lidhur me bartjen e shamisë nga nxënëset në shkollat e mesme. Protestat për shaminë dhe për truallin e xhamisë, hodhën edhe farën për daljen në skenë të të ashtuquajturit “Islam politik”. Kësisoj, injorimi i disa kërkesave elementare të besimtarëve, prodhoi një konflikt nga i cili tashmë ka lindur edhe ideja e përdorimit të fesë islame në terrenin politik. Po të ishin zgjidhur me kohë e në partneritet më Bashkësinë Islame të Kosovës çështja e shamisë, e edukimti fetar në shkollat publike dhe e truallit të xhamisë së re të Prishtinës, në vendin tonë nuk do të kishte kurrfarë agjende për të ashtuquajturin “Islam politik”. Por, tashmë ai ka lindur, sigurisht edhe falë ambicieve politike e pushtetore të personave të caktuar, por që ato ambicie i kanë legjitimuar në sytë e një pjese të publikut, duke u mbështetur në injorimin që u është bërë kërkesave elementare dhe minimale të besimtarëve muslimanë në këtë vend. Tash jemi në këtë pikë, ku do të testohet edhe energjia e të ashtuquajturit Islam politik. Ka qenë e panevojshme dhe është e padobishme gjithë kjo sfidë. Mund të jetë krejt e parëndësishme se çfarë mendoj unë për këtë punë, por gjej rastin të konfirmoj se personalisht, jam kundër përdorimit të fesë Islame në sferën partiake, pra, jam kundër të ashtuquajturit “Islam politik.” (Arsyet besimore dhe teorike të këtij qëndrimi shpresoj t’i eksplikoj në ndonjë rast tjetër.) Por, këtu dëshiroj të bëj një shpjegim të shpejtë lidhur me keqpërdorimin e këtyre zhvillimeve nga injorantët e shumtë të cilët këto zhvillime i paraqesin, qoftë nga naiviteti, qoftë nga keqdashja, si zhvillime të vetë fesë islame. Ndërsa, e vërteta është se këto zhvillime, që nga lojërat me truallin e xhamisë së re, bartja e shamisë nga vajzat adoleshente në shkolla e deri te formimi i partive me cilësimin “Islame”, nuk kanë të bëjnë esencialisht me vetë fenë islame. Këto janë lojëra dhe politika të subjekteve konkrete, të njerëzve konkretë, (qoftë të atyre të veshur me pelerina e çallma, qoftë të atyre me kollare) që fenë e përdorin për arritjen e qëllimeve të veta profesionale, materiale ose edhe politike. Disa politikanë duan të ngrisin profilin e tyre të varfër moral, intelektualë e politik, duke sulmuar aspekte të jetës fetare islame. Ndërsa, disa hoxhallarë poashtu duan të ngrisin profilin e vet modest intelektual e politik, duke luajtur rolin e viktimës, ose duke kërcënuar se do të bëjnë hatanë me të ashtuquajturin “Islami politik”. Këtyre u bashkohet me një iso banale edhe një grup i të vetëquajturve analistë, që poashtu duan të fitojnë poena politikë ose grante nga angazhimi i tyre kundër “gogolit islamik”. Çka është esenciale në mësimet e fesë islame? Shtrohet pyetja më e thjeshtë në botë: çka në të vërtetë mbrojnë këta hoxhallarë “trima” dhe çka sulmojnë këtë politikanë e analistë poashtu “trima”? Nga sa unë kuptoj, të parët mbrojnë interesat e veta materiale, vendet e punës, duke përfshirë këtu edhe të ardhurat që i marrin nga këndimi i mevludeve, nga përgatitja e xhenazeve, nga qelimet dhe nga aktivitetet komerciale me kaseta, me disketa e me plasime në fb e në you Tube. Brenda këtij spektri të angazhimeve, bien edhe lokacionet për xhamia (ndodhë që i nisin pa leje, ose rrënojnë edhe objekte të trashëgimisë kulturore) për të ngritur xhami me dugaja! Dhe flasin me zë të lartë se si ata janë mbrojtës të fesë islame, se si janë mbrojtës të paepur të lirive të muslimanëve në këtë vend. Por, ata mbrojnë ato liri, të cilat realisht nuk janë të cënuara fare. Të cënuara realisht dhe tragjikisht në këtë vend nuk janë adetet që paketohen si “fe islame”. Bëj sa të duash mevlude e qelime dhe askush në këtë vend ato nuk i ndalon. Por, në këtë vend janë të cënuara e të rrezikuara seriozisht vlerat themelore të njeriut, të cilat mund t’i mbrojë feja islame. Është i cënuar e shumëkund edhe i rrënuar morali. Po rrënohen vlerat e familjes, nuk ka drejtësi shoqërore, njerëzit e kanë humbur paqen shpirtërore, e kanë humbur shpresën, nuk arrijnë të kuptojnë ndërlidhninë e kësaj jete me jetën tjetër, (për shkak të diskontinuitetit të mësimeve të mirëfillta islame që nga pushtimi sllavë i fillimshekullit e veçmas nga periudha e sundimit komunist.) Me një fjalë, mungojnë mësimet e vërteta, me stil e me metoda moderne të prezentimit, për fenë islame si fe e shpëtimit të njeriut nga vuajtja në këtë botë dhe në botën tjetër, si fe e lartësimit moral dhe si fe e paqes. Mungon mësimi esencial që feja islame është fe universale, që integron brenda vetes edhe judaizmin e krishterimin (si shpallja e fundit që është) se këto tri fe e kanë të njëjtin burim, për çka quhen fe abtrahamike dhe se e ardhmja është në përafrim, bashkëpunim, mirëkuptim e paqe universale. Mungon mësimi esencial që do t’u shpjegonte njerëzve të këtij vendi se feja islame nuk ka asgjë të bëjë me terrorizmin, me ekstremizmin ose me çfarëdo forme të intolerancës dhe të dhunës. Zoti ka shpallur qartë në Kur’an se në fe nuk ka dhunë. Kjo është një aksiomë që do të duhej t’u mësohej edhe fëmijëve. Mungon mësimi i vërtetë i fesë islame, në kontekstin tonë kohor, të shekullit XXI dhe të kontekstit gjeografik, në zemër të Evropës. Mungon mësimi esencial që feja islame i ofron besimtarit mundësinë e çlirimit nga frika, për faktin se ai është nën mbrojtjen e Krijuesit të vet. Pra, mungon mësimi aq i nevojshëm islam sipas të cilit feja nuk e mban besimtarin në ankth permanent, në frikë permanente, po e mban më stabilitet e shpresë permanente. Njeriu i kohës sonë ka nevojë për këto mësime e udhëzime. Lartësimi moral, paqja shpirtërore dhe shpëtimi i njeriut Ndërsa, interpretimet e bazuara në dije të tejkaluara, në konkludime të dijetarëve të para shumë shekujve, të sjella nga zona që përjetojnë dekadencë të gjatë kulturore, si Jemeni, Sudani, Arabia Saudite, Egjipti ose cilido vend tjetër arab, krijojnë huti, prodhojnë frustrime e potencialisht edhe konflikte, fillimisht brenda vetë komunitetit musliman. Por, hierarkët e institucioneve fetare rrezikun nga dija e tejkaluar dhe që vjen nga vende kulturalisht të prapambetura, nuk e vërejnë, sepse formimi i shumicës prej tyre është i kufizuar. Përderi sa të parët, në fakt shumica e hoxhallarëve, mbrojnë interesat e veta të profesionit e të punës, atakuesit ndaj fesë islame, një dorë politikanësh e një dorë analisësh dhe një mizëri “opinionistësh të portaleve”, sulmojnë këto veprime e bëma, por duke mos pasur njohuri të duhura, i identifikojnë me fenë islame. Vërtet, duhet të jetë njeriu fort injorant, nëse një veprim të një hoxhe ose nëse doni edhe të një bashkësie fetare të tërë, e paraqet si “fe islame.” Sjelljet dhe veprimet e njerëzve, pra edhe të njerëzve të fesë, janë vepër e vetë atyre, e jo elementë i Shpalljes Hyjnore, (edhe nëse ata duan ta maskojnë si të tillë, gjë që e bëjnë shpesh.) Por, Shpallja Hyjnore, fjala e Zotit, mbetet përjetësisht e pacënuar nga veprimet njerëzve, kushdoqofshin ata. Fjala vjen, kur terroristët ulërijnë “Allahu ekber” (Allahu është i madh), ata keqpërdorin një formulë besimi, lutjeje, meditimi, ndërsa vetë formula mbetet e pacënuar nga krimi i tyre, ajo mbetet e pastër, mbetet gjithmonë një thirrje e besimit dhe e meditimit të besimtarit paqësor. Ulërima e askujt që bën krim nuk mund të fshihet pas kësaj formule ose të amnestohet prej saj dhe të asnjë tjetre. Për këtë arsye, politikanë, analistë e opinionistë islamofobë do të bënin mirë të çliroheshjin nga ankthi se feja islame paraqet rrezik për stabilitetin e shoqërisë. Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë. Nëse ndodhin probleme, trazira, ose çkadoqoftë, ato mund të jenë vepra të njerëzve që duan ta përdorin fenë për qëllimet e veta materiale, politike ose çfarëdoqofshin ato. Por, feja islame si Shpallje Hyjnore nuk do të ketë të bëjë aspak me ta. Ajo do të vazhdojë të ofrojë shpresë, siguri e paqe për njeriun në këtë botë dhe shpëtim për botën tjetër. Lartësimi moral, paqja shpirtërore dhe shpëtimi i njeriut, janë produktet e vërteta të fesë islame. Njerëzit duhet të rikthehen në këto mësime e të gjejnë në to kuptimin e jetës së vet. Duhet të rikthehen vetë e të mos presin se dikush me çallmë në kokë t’ua tregojë rrugën, meqë secili individ është përgjegjës për veten e vet. Por, as nuk duhet të stepen nga ebulehebët e sotëm, që duan t’u vënë ferra në rrugë. Ndërsa, shumësia e individëve- besimtarëve të ndriçuar nga besimi esencial, pra, të shkëputur nga adetet që shiten si “fe islame” dhe nga lojërat politikaneske që paketohen si “mbrojtje nga gogoli islamik”do të çarmatosnin edhe islamokratët e edhe islamofobët. Nëse nuk ndodhë kjo përtëritje, që na distancon nga klerokracia dhe nga islamofobia, ekziston rreziku që islamokratët dhe islamofobët të luftojnë kundër njëri-tjetrit deri në muslimanin e fundit të këtij vendi. Ky edhe mund të jetë objektivi i strategëve të vërtetë të islamofobisë. Për fatkeqësinë e tyre e për fatin e mirë tonin e të njerëzimit mbarë, ky objektiv është i parealizueshëm, as në Kosovë e as në botë. Por, dëmet mund të jenë të konsiderueshme, nëse nuk kuptohet me kohë dhe drejt hileja e hileqarëve, që luajnë lojën me hile në të dyja anët. Kosova pas vitit 1999 e veçmas pas vitit 2008, kur u bë e pavarur, (ndonëse mbeti e mbikëqyrur, ndoshta pikërisht për këtë shkak) është poligon i kësaj loje. Na pëlqen a s’na pëlqen, kështu del rezultati. Pikë muhabeti. 16 shtator 2013
Posted on: Sun, 06 Oct 2013 20:10:30 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015