KRISMAT E NJË NATE DHJETORI Ishte dimër i ftohtë dhe me borë - TopicsExpress



          

KRISMAT E NJË NATE DHJETORI Ishte dimër i ftohtë dhe me borë në tokën e larë nga lotët dhe gjaku, në tokën e mbushur pëllëmbë për pëllëmbë me varre. Toka jonë peshohej veç me varre: me varre që ua dinim shenjin dhe me varre që shenjin ua dinte veç ajo. Ishte viti 1991. Dy ditët e fundit të tij. Njësoj si fillimi, njësoj si edhe fundi i këtij viti, s’kishin sjellë asnjë ndryshim: ne (shumica e të gjallëve), vazhdonim të bënim jetën mbi varre. Kosova, fund e krye. Ishte dita e parafundit: dita e 30 dhjetorit. Nata e errët pa hënë dhe pa yje, nata mizore i mbulonte fushat, malet, kulmet e shtëpive tona. E mbulonte me një fjalë, jetën tonë. Si një kufomë e mbulonte Kosovën. Shkëlqimi i beftë i borës me një vezullim të angësht dhe të ftohtë që shoqërohej me mjegull dhe acar dimëror, kësaj nate ishte bërë copë e grimë nga do krisma pushkësh. Nuk kishin qenë krisma gëzimi ose krisma feste, siç e kemi traditë të shtimë me armë në evenimente të ndryshme familjare apo publike. Krismat ishin drejtuar kundër mysafirëve të paftuar. Ai kishte shtënë mbi ta: pa një, pa dy. Ata, bashkë kishin shtënë rrufe. Tre-katër burrat e shtëpisë s’u kishin ofruar “mirëseardhje” dhe, as s’ua kishin hapur dyert e pragut të shtëpisë atyre mysafirëve të paftuar, e që në të vërtetë s’kishin qenë mysafirë, por kishin qenë policë. Kishin qenë, policë të shtetit. Kishin qenë bukur shumë, me armë e me teknikë lufte. Thënë më qartë: milicë të Serbisë. Policët kishin shkuar avash-avash në fshatin Prekaz. Kishin shkuar në Prekaz te shtëpia e Shaban Jasharit që ta arrestonin, njërin nga djemtë e tij: Ademin. Ishte vigjilje e ndërrimit të moteve: 30 dhjetor, 1991. Ato krisma pushkësh se s’i ishin shkrepur: një, dy... pesë... dhjetë... njëzetë... tridhjetë…! Mbase njëqind krisma, apo edhe më shumë. Asnjë njëri në këtë botë s’kish mundur ta imagjinonte dhe as ta parashikonte faktin që krismat e asaj nate do të ishin, në fakt, krismat e fillimit të fundit të pakthyeshëm të kryengritjes në Kosovë. Pikë. Se bëheshin gjuajtje gjithandej: krisma ahengjesh, të shtëna të ndryshme për qejf a për zor, por jo edhe krisma të këtilla. Në viset e ndryshme të federatës ish-jugosllave, së fundi në ato vite, kishte shumë gjuajtje kërcënuese me armë, gjuajtje lufte, civile e ushtarake, që shpërthenin andej-këndej dhe krisma të yshtura nga grigja nacionaliste serbomadhe, e cila çmendurisht ishte nisur në një betejë morbide për bërjen e “Serbisë së Madhe”. Në Kosovë ishte më ndryshe. Dhuna ishte e madhe, porse nuk kishte krisma me armë: domethënë krisma lufte. Ishte vendosur një “vijë” e pashkruar (e kuqe) politike dhe e tërë rezistenca jonë sillej rreth konceptit sfidues – jo violent. Prandaj, edhe ata pak njerëz që mund të kishin armë (kishte njerëz që mbanin armë, kuptohet paligjshëm, ngase situata ishte e rrezikshme), nuk i përdornin ato. Ose i përdornin krejt rrallë, ndoshta në ndonjë çast gëzimi të veçantë. Po, ku kishte çast gëzimi se? Adem Jashari kishte qenë në shtëpi asaj nate të ftohtë dhjetori. E, ndonëse i ishte kërkuar të dorëzohej, ai e kishte refuzuar ftesën e arrestimit. Bashkë me tre-katër burra kishte shtënë në ta. Nuk kishte shtënë zbrazët, në ajër. Të gjithë ata nuk kishin shtënë bosh, porse kishin shtënë direkt mbi ta. E, ata, ishin përfaqësuesit e shtetit. E çuditshme, apo jo? Në kohën kur asgjë s’dukej dhe s’ishte më në vend të vet, në kohën kur rrëmuja politike dhe përçarjet e kombeve dhe të komuniteteve që e përbënin federatën jugosllave në shkatërrim e sipër, po përplaseshin në log konfliktesh e fillimluftërash, Jasharajt e Prekazit ia kishin krisur plumb shtetit. Policia ishte tërhequr meqë krismat kishin ardhur jo vetëm nga burrat e Jasharajve, por nga të katër anët. Ehu...! Në fshat, pastaj kishte rënë një qetësi e makthët. Fshati prej tri-katër lagjesh, shtrihej gjithandej nëpër një fushëgropë në formë govate, i humbur dhe i harruar krejtësisht në zallahinë e ngjarjeve të pafundme që po ndodhnin në Kosovë, në rajon dhe më gjerë. Disa shtëpi të tjera, ngriheshin maje bregoreve. Fshati mezi mund të gjendej në ndonjë hartë shkollore, a në ndonjë hartë topografike-ushtarake. Për më shumë, ky fshat ishte me kohë i braktisur, si shumë fshatra të tjerë shqiptarë, në sferën sociale, urbane dhe në çdo kuptim tjetër. Asnjë pushtet a shtet i çfarëdoshëm, kish qindra vjet që s’ishte interesuar dhe as s’ishte kujdesur për jetën e këtyre njerëzve në këto anë, dhe aq më pak për mirëqenien e tyre etj. Po ky fshat, ky rajon me një emër të lehtë dhe të bukur artistik “Drenica”, nuk ishte harruar asnjëherë nga Beogradi. Jo për ndonjë formë përkrahëse-zhvilluese, porse s’ishte harruar nga pikëpamjet dhe këndvështrimet e mbikëqyrjes politike, administrative dhe policore-ushtarake. Pse? Zona konsiderohej të ishte delikate, një zonë që s’ishte përkulur kurrë, s’ishte nënshtruar përpara asnjë lloj okupimi dhe pushteti të huaj. Pra, s’ishte përkulur as përballë okupimit dhe pushtetit serbo-jugosllav. Zona e gjerë në formë rrafshnalte, e denjë për t’u shfrytëzuar nga pikëpamja gjeo-strategjike, qëndronte denbabaden si një kështjellë, dhe dukej sikur të ishte “zemra” e Ballkanit. Prej këtu, udhët tokësore kishin dalje në jug-perëndim të gadishullit, nëpër luginën e Drinit dhe në jug-lindje, përmes luginës së Kaçanikut. Gjithashtu, dalje të mirë zona kishte edhe për në veri, përmes luginës së Rashkes. Rajoni kishte edhe dalje dytësore rrugësh, meqë kishte një shtrirje të hapur gjeografike. Drenica ishte në një mënyrë, edhe zemra e Kosovës. Kjo pozitë gjeostrategjike e këtij territori, përkonte edhe me rëndësinë e veçantë historike-gjeopolitike qysh prej kohës së Dardanisë, të perandorisë romake, asaj bizantine dhe ngjante si me një “stacion ballkanik”, prej të cilit mund të udhëtoje në drejtime të ndryshme: lindje-perëndim, veri-jug. Sipas fakteve dhe dokumenteve, jo rastësisht, rajoni jo vetëm që ka qenë i banuar qysh nga kohët e lashta, por edhe ka përjetuar zhvillime të caktuara, dhe kësisoj, ka pasur edhe trajtim: është konsideruar si zonë me rëndësi gjeostrategjike, ushtarake, politike etj. Si për koincidencë të gjithçkaje që lidhej me armët dhe ndoshta edhe me krismat, shteti e kishte ndërtuar në këtë anë një fabrikë municioni, madje, ndanë fshatit Prekaz. Njerëzit e këtij rajoni kosovar njiheshin për adhurimin e pa fshehur të armëve dhe të krismave. A kishte dashur shteti që t’ua shtonte, apo kishte dashur që t’ua relativizonte njerëzve të kësaj ane dashurinë për armët dhe për plumbat, s’dihej mirë, veçse një fabrikë që prodhonte plumba dhe jo bonbone, ishte e denjë ta ‘provokonte’ dashurinë për armët tek njerëzit, dhe sidomos ndjenjën që e krijojnë krismat. Jo. Në këtë rast, duhej të ishte e kundërta. Kam përshtypjen që shteti, me idenë për ndërtimin e kësaj fabrike këtu, e kishte synuar të dytën: relativizimin dhe zbehtësinë e idesë dhe të dashurisë së vendorëve për armët. Krahas relativizmit, “fabrika” duhej të ishte edhe një kreaturë kërcënuese, një gogol që reflektonte frikë, fuqi. Shteti, meqë rajoni njihej edhe si shumë sfidues, në fakt njihej historikisht si kundërshtues dhe kokëfortë në raport me shtetin dhe me mekanizmat e tij, me politikat e tij; kjo fabrikë do të ishte përfaqësuesja ose, do të ishte hija e përhershme e shtetit mbi kokat e njerëzve, mbi kulmet e shtëpive dhe mbi gjithçka tjetër. Fabrika, prandaj, do të ishte aty, si një gogol frike i gjithmonshëm i shtetit mbi njerëzit, rrethin e gjerë. Megjithatë, shteti serb, në angazhimet e tij historike, agresive dhe të dhunshme ndaj shqiptarëve dhe Kosovës, këtë çështje esenciale nuk e ka llogaritur qysh duhet asnjëherë: pikërisht, çështjen e frikës. Pse? Edhe pse frika dhe frikësimi kanë qenë pjesë e dhunës serbe, pjesë e planeve kundër shqiptareve, kjo politikë s’ka prodhuar efektet e paragjykuara ose të dëshiruara serbe, sepse shqiptarët as nuk janë frikësuar prej Serbisë dhe as nuk janë dorëzuar para saj. Aq më pak, politika serbe e frikësimit dhe e dhunës ka gjetur shprehje në Drenicë, në rajonin e Prekazit etj. As kjo fabrikë apo objekt gjysmëushtarak për prodhimin e municionit, s’pati asnjë efekt lidhur me kërcënimet apo frikën. Ky shtet, apo më saktë Beorgadi, e kishte pagëzuar administrativisht rajonin (komunën) ku shtrihej edhe Prekazi, me një emër tipik sllavo-serb: Serbicë. Shtjella asimiluese-shpopulluese serbe në Kosovë, nuk ishte vetëm një botë imagjinative. Shiheni çudinë! I gjithë rajoni, që domethënë komuna, ndonëse ishte pothuajse etnike (s’kishte veçse nja dy-tri fshatra me serbë), ishte pagëzuar me këtë emër të nxjerrë nga zhgani etimologjik kulturo-nacional serb. Pa ndonjë matematikë të komplikuar, mund të kuptohej hapur politika diskriminuese dhe serbizuese në Kosovë, jo vetëm në vitet e nëntëdhjeta, por shumë e shumë vite më përpara. Megjithatë, as ky implikim i qëllimshëm politiko-administrativ, s’kishte pasur asnjëherë asnjë efekt të theksuar, mbytës. Fjala në formë lajmi, në formë gjysmërrëfimi të angësht dhe të pëshpëritur vesh më vesh, si shenjë a mesazh, erdhi disi edhe deri në fshatin tim. Erdhi edhe tek unë. Kështu, disi: “Në një fshat të Drenicës, në Prekaz, kishte pasur të shtëna. Dikush (një a më shumë), kishte shtënë kundër policisë. Po, pse…? Qysh…? Policia paska shkuar te një mëhallë a shtëpi në Prekaz, dhe njerëzit ua kishin kthyer pushkën atyre. S’dihet se çka ka ndodhur më shumë… S’dihet as nëse ka të vrarë, të arrestuar…etj.”. Këtë formë lajmi apo rrëfimi, ndoshta një paragraf të vetëm të tij, e solli dikush nëpër errësirë dhe acar dimri. Mbase, e solli dikush në të gdhirë të ditës së parë të vitit të ri, ndoshta ditën e dytë, s’më kujtohet. Por, unë dëgjova për ngjarjen. Ose: më ra të dëgjoja disi edhe pse disa informacione ose ngjarje as s’thuheshin të plota për shkak të frikës nga regjimi pushtues, dhe as nuk përfliteshin qartë dhe hapur, për shkak të ndikimeve dhe efekteve politike e propagandistike të asaj kohe që mund të kishin ngjarjet si kjo e Prekazit. Me një fjalë: frika dhe dhuna, propaganda, diskreditimi etj., kishin ndikuar që njerëzit të ruheshin, të mos i besonin njëri-tjetrit, t’u iknin mendimeve dhe fjalëve që shkaktonin pasoja, rrezik. Veç kësaj, ishin edhe ndodhitë e njëpasnjëshme nga më të ndryshmet, ato që e mbushnin vendin ditë e natë me makth e trishtim. Ngjarjet e njëpasnjëshme e mbulonin njëra-tjetrën, siç bora e mëngjesit i mbulon borërat që bien gjithë natën. Qyshdoqoftë, lajmi mbërriti deri në fshatin tim, rreth njëqind kilometra larg Prekazit. Lajmi, e as fjalët që e përbënin atë, s’ishin ngrirë udhës nga acari dimëror, as s’kishin humbur nëpër errësirën e netëve. S’kishin humbur nëpër të çarat e ashpra të kohës dhe të rrethanave me përplot dhunë, e terror. Lajmi, në ndërrim të moteve, ishte shpërndarë. Ose: po shpërndahej pak nga pak. Unë ndodhesha në fshat, kredhur në mbretërinë e kohës rutinë. Ndodhesha në fshat ngaqë aty më kishte zënë festa e ndërrimit të moteve. Por, s’kisha asnjë ndjenjë dhe asnjë motiv të festoja festën e ndërrimit të moteve, siç ishte traditë. Pa ndonjë përshtypje apo emocion të veçantë, orët e ndërrimit të moteve të vitit 1991, i kalova rutinshëm, dhe duke medituar e duke analizuar pafund. Herëpashere lexoja disa fragmente të romanit të mbuluar nga pluhuri i harresës “Evgjeni grande”, të Balzakut. S’kisha ndonjë arsye specifike ta lexoja Balzakun, porse s’mund ta përballoja torturën që më shkaktonte gjendja e boshësisë, e letargjisë dhe e muzgut të robërisë. Kisha mbetur pa punë, meqë gazeta ku punoja ishte mbyllur nga regjimi. Në këto rrethana - çfarë duhej të bëja? Leximi ishte një segment imi i preferuar dhe këtyre netëve të ftohta të dhjetorit, të mbushura deng me robëri pushtuese serbe, veç leximi mund të më shpëtonte disi. Në pamje të parë, lajmi ishte dukur disi i largët dhe i ndrydhur nga mungesa e qartësisë. Si kishte ndodhur, kur kishte ndodhur, pse kishte ndodhur…? Në anën tjetër, pesha e rrëfimit, thelbi tij, ishte i jashtëzakonshëm, shigjetues, me një fjalë - përplot pyetje: çka kishte ndodhur, a kishte pësuar ndokush, çdo të thoshte kjo ngjarje, ky akt, kjo hata…? Në brendinë e tij, lajmi apo rrëfimi kishte shumë zjarr përcëllues dhe ngjante me një rrëfim-vetëtimë që shfaqej në një natë të mugët dimri, në një natë të trishtë, në një natë robëruese. Përballë gjendjes në Kosovë, kisha vendosur të jem deri në fund, pjesë e kësaj gjendjeje, qyshdo që të ndodhte. S’kisha ndërmend të largohesha nga Kosova, me asnjë çmim. E di: duhet (gjithsesi) ta kem përjetuar lajmin turbullt, mjegullueshëm, ankthshëm. Duhet ta kem përjetuar lajmin ngatërrueshëm: me shqetësim, me dhimbje dhe sigurisht, edhe me emocion. Pse? Në rrethin e trazimit nacional në Kosovë, kjo ngjarje ishte e veçantë dhe përhapte sa frikë po kaq edhe ngazëllim, respekt, fuqi. E pra, dikush kishte guxuar t’i kundërvihej policisë serbe me armë! Interesant. Ishte si një herezi, si një kumt. Ishte diçka e paimagjinueshme në atë kohë: dikush, kishte guxuar të shtinte kundër policisë serbe, e kjo polici, s’dinte nëse ka njëri a zot në tokën e Kosovës. Ngjarja – rrufe, s’u përfol shumë. Nata e egër si një pelerinë e zezë, e pati mbështjellë vendin. Ngjarja e rrufeshme në Prekaz, u harrua për pak ditë. Krismat e Prekazit u tretën në eterin e përgjakur. Njerëzit, ata që e dëgjuan dhe ata që s’e dëgjuan, e flakën mënjanë këtë ngjarje. Shumë të tjerë as nuk e dëgjuan fare ngjarjen. Disa as nuk e besuan. Të tjerët thanë: lini këto llafe, a jeni në mend!? Kundër policisë…? E, kush guxon me luftue kundra Jugosllavisë, a kundra Serbisë? Pati të atillë që i vunë gishtin kokës. U ndalën paksa, e pastaj e besuan gjithsesi lajmin, ashtu trembshëm e mërzitshëm. Disa i admiruan protagonistët e këtij lajmi. Rrëfimin për ta. Me vete thanë me gjysmëzëri: epo, s’vete gjithmonë kështu! Ka burra ky vend, ka trima e mbi trima, veç duhet me qenë njeriu i vendosur. Qyshdoqoftë, jeta vazhdoi. Mynxyrshëm sa s’ka. Atë natë të ftohtë dhjetorit, s’dihej nëse ishte vrarë ndokush: as prej atyre që qitën pushkë, dhe as nga policia (s’pati të dhëna nëse policia kishte pasur humbjet). Veçse, ishte thënë shkarazi dhe si nëpër dhëmb se, dikush ishte plagosur.
Posted on: Fri, 02 Aug 2013 19:12:19 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015