Kam njohur dikë.. Që kapte yjet e i burgoste në një qoshk të - TopicsExpress



          

Kam njohur dikë.. Që kapte yjet e i burgoste në një qoshk të errët të shpirtit Pa e gjetur kurrë çastin e duhur për t’i lënë të shndrisnin… Kam njohur dikë që e rrotullonte kohën nëpër gishta duke shpërfaqur vërtetësinë e qenies e duke i shpallur luftë hipokrizisë e përpjekjeve për t’iu dorëzuar çasteve të haresë… Kam njohur dikë që mund të të vinte një vulë të hirtë në cep të syrit me mbishkrimin “sipërfaqësor”, vetëm se zgjidhje të vallëzoje në majë të gishtave mbi thëngjinj, por veç gërmat ishin prej floriri të kuq, prej atij të lirit, të tregjeve me shumicë… Kam njohur dikë që hënën e demaskoi si trup qiellor borgjez vetëm se s’mundi të kishte kurrë një teleskop që ta afronte drejt vetes… Kam njohur dikë të brishtë si kafka e një fëmije të porsalindur që me këmbët e përgjakura nga drizat e rrugëve të asfaltuara moderne shkelte lulet e me mëngën e çeliktë të bluzës fshinte lotët… Kam njohur dikë që e luftonte dhimbjen duke e parë në sy, dikë që ishte zemërluan e duronte plagët, urinë, të ftohtin e mallin, që fikej e ndizej si far në stuhi, dikë që kokën e anonte veç anash e kurrë për poshtë… dikë që strateg s’mundi të bëhej kurrë… Kam njohur dikë që mendonte se veç dhimbja mund t’ia lehtësonte dhimbjen, dikë që u frikësohej hijeve të muzgut e që me ankth priste rrezet e para të agut… Dikë që i frikësohej humbjes e prandaj jetonte territ, dikë që pastronte pafundësisht emblemën e lavdisë së lashtë të të parëve të njerëzimit që të mos kthente kokën për të parë ndërrimin e stinëve… Kam njohur dikë të madh sa bota, të vogël sa askundi, të lartë një kokë mbi Olimp e që shkurtësia i shkonte pash më pash katranit të përvëluar të Hadit… Dikë plotë jetë ndër vena e me mendime të fishkura e me sy të fikur e zemër të çelur… dikë që lufton mes vargonjve të jetës i etur, i tretur, e sërish i ndezur nga hiri… dikë që një buzëqeshje në muzg do i kishte shpëtuar jetën…
Posted on: Sun, 21 Jul 2013 21:46:43 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015