Kardiologu shqiptar që nderon Polonia në Tiranë Nga Genc - TopicsExpress



          

Kardiologu shqiptar që nderon Polonia në Tiranë Nga Genc Mlloja “Me kërkesë të Ambasadorit të Republikës së Polonisë i akordohet Dekorata e Nderit “Bene Merito” për veprimtari që forcon pozicionin e Polonisë në arenën ndërkombëtare zotit Pandeli Çina”. Ky ishte motivacioni me të cilin Ministria e Jashtme e Polonisë nderoi kardiologun shqiptar me famë ndërkombëtare z. Pandeli Çina në një ceremoni që u organizua në ambientet e Ambasadës polake në Tiranë më 4 korrik 2013 gjatë të cilës Ambasadori Marek Jeziorski dorëzoi dekoratën dhe motivacionin përkatës. Pikërisht paraqitja e këtij ‘Motivacioni’, që mbante firmën e Ministrit të Jashtëm R. Sikorski dhe vulën e shtetit polak, nga z. Jeziorski është ajo që e bëri atë ceremoni, ku z. Çina në krah të të cilit ishte Joanna, bashkëshortja e tij polake, një lidhje martesore që kur doktori kishte qenë student në Varshavë në Akademinë e Mjekësisë (1951-1957), ishte mbresëlënës dhe shumë domethënës. Veç faktit që kardiologu Pandeli Çina është i mirënjohur në të gjithë Shqipërinë për punën e tij por veçanërisht për shpirtin e tij njerëzor kudo që ka punuar në zona të ndryshme, domosdo duke patur Tiranën si pikë kryesorë të jetës së tij, çfarë rreshtoi Ambasadori polak në vendimin e qeverisë polake ishin kuptimplotë. Tiranë, Varshavë, Paris, Londër, Romë e sa e sa të tjerë kryeqytete të botës ishin harta e ‘gjurmëve’ që ka lënë Profesor Çina me studimet dhe veprimtarinë e tij në një fushë të tillë jetike sikurse është kardiologjia. Dhe në të njëjtën kohë ky shkencëtar i madh na paraqitet edhe si një njohës i thellë i letërsisë dhe kulturës polake, madje duke u bërë edhe ‘njeri i letrave’: Ne motivacion thuhej se si admirues i letërsisë polake ai ka botuar vëllimin poetik “Slady” (Gjurmët), i cili përmban vjersha origjinale si dhe përkthime nga krijimtaria e A. Mickieviçit dhe S. Vispianjskit. Aktualisht ai është duke përkthyer poezinë e Ë. Shimbrokës. “Angazhimi i prof. Pandeli Çinës në promovimin e kontakteve shqiptaro-polake si dhe të letërsisë polake në Shqipëri meriton respekt të lartë dhe konsideratë”, përfundonte Motivacioni i kryediplomatit të Varshavës. Atë njeri që ka shpëtuar sa e sa jetë njerëzish me një kontribut shkencor të vlerësuar tej e mbanë botës, të cilin kam patur fatin ta njihja në vitet e para të punës në Agjencinë Telegrafike Shqiptare nëpërmjet drejtuesve të asaj kohe të atij institucioni Arqile Aleksi dhe Kozma Beqari – të dy nga Berati çka i lidhte më fort me profesorin, pata rastin falë ftesës së Ambasadorit polak ta shikoja në majat e nderimit dhe respektit, por ndërkohë edhe tejet të emocionuar. Dukej që ai kardiolog i cili ka bërë që qindra mijra zemra të mos i ‘tradhtojnë’ dhe ‘lënë në baltë’ pacientët e tij duke i mbajtur në jetë e punë, në atë rast nuk po i kontrollonte rrahjet e saj, duke mos e fshehur ndjenjën e lartë të mirënjohjes dhe respektit për nderin që po i bëhej. “Është një surprizë e këndshme për mua”, e filloi përshëndetjen e tij z. Çipa, që sigurisht nuk nguroi të vlerësonte lart Ambasadorin Jeziorski, i cili ishte edhe promovuesi i kësaj ngjarje. Por shkencëtari i mjekësisë shpejtoi të theksonte se Shqipëria dhe kombi shqiptar u janë mirënjohës Polonisë dhe popullit polak dhe politikës konstante të tyre në mbështetje të kombit shqiptar. E si ngjarje ndër më të fundit ai kujtoi mbështetjen e Varshavës zyrtare për pavarësinë e Kosovës dhe zhvillimin e mëtejshëm të popullit të atij vendi sovran në Ballkanin Perëndimor. Nuk është rasti i parë që intelektualë shqiptarë vlerësohen në këtë mënyrë: një plejadë figurash kanë marrë konsideratat më të larta, që veç kontributit në fushat përkatëse kanë qenë edhe ura lidhëse midis popullit shqiptar dhe pooujve të tjerë. Por nuk mund të mos themi se edhe znj. Joanna, e cila me një modesti të lavdërueshme, shikonte bashkëshortin e saj të nderuar nga vendi ku kishte lindur – Polonia. E ajo e ndjente veten krejt shqiptare në krah të Profesor Çinës, kur bashkëkombësit e saj polakë nderonin bashkëshortin e saj nga Shqipëria. (Albania Daily News,Tirana Observer)
Posted on: Sun, 07 Jul 2013 09:53:13 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015