Kujdes nga vetmia dhe njerëzit e vetmuar… Nga Gëzim - TopicsExpress



          

Kujdes nga vetmia dhe njerëzit e vetmuar… Nga Gëzim Tushi Dëshira për të jetuar në kënaqësi është në esencën e natyrës së e njeriut. Ajo përbën thelbin e kërkesave të shumta që në të gjitha rastet janë të bashkuara me prirjen e natyrshme për të bërë jetë të bukur, të kuptimtë, me lidhje njerëzore që dëshmojnë dimensionin e tij social. Natyrisht kuptimi për jetën dhe mënyrat e realizimit të kënaqësisë njerëzore në kohën e sotme, për shkak të zhvillimit të shoqërisë moderne, ndryshimeve të thella që ka pësuar natyra e njeriut individualist, që nuk e ka shumë për qejf jetën dhe organizimet komunitare, nuk janë më ato me natyrë supersociale dhe holistike kolektive që kanë qenë tipike më pare në jetën tonë. Zgjerimi i prirjes individualiste dhe konceptimet e personalizuara të raporteve të njeriut me botën e jetës, me konceptimin individualist të lumturisë, kënaqësisë, qejfit, kanë sjellë tendencën e fortë të largimit nga shoqëria. Bashkë me të, edhe prirjen e thellë të njeriut që në mënyrë të gabuar mendon se bota është e pamundur për të jetuar me të tjerët, se marrëdhëniet midis njerëzve po bëhen gjithnjë e më të këqija, të dhunshme, të shëmtuara, të padrejta, të mbuluara nga krimi, korrupsioni, shpërdorimi i besimit reciprok, etj. Duke parë jetën me këtë optikë të errët, duke e konsideruar të mbyllur perspektivën sociale dhe marrëdhëniet etike të jetës, shumë njerëz kanë gjetur “argumnte” për të justifikuar largimin nga jeta e vërtetë sociale dhe që gabimisht në mënyrë fatale mendojnë se mund të jetohet më mirë duke qenë në kushtet e vetmisë vullnetare dhe të izolimit të plotë social. Ne duhet të shqetësohemi, të mendojmë dhe të merremi me këtë kategori sociale të njerëzve që janë të vetmuar apo që kanë zgjedhur rrugën e jetës në vetmi. Duke parë motivet moshore, gjinore dhe shtrirjen gjeografike të patologjisë së vetmisë, të motiveve të deformuara të njerëzve që po i shtohen shoqërisë tonë dhe që kanë tendencë të shkëputen nga “bota e jetës” reale dhe që mendojnë se përmes vetmisë mund të të ndërtojnë jetën virtuale. Një pjesë prej tyre e fillojnë jetën e vetmuar dhe hyjnë në botën e ngushtë të izolimit social, duke qenë të bindur dhe në pritje të ditës kur bota të bëhet më e mirë dhe marrëdhëniet midis njerëzve sa më njerëzore. Sëmundjen e vetmisë nuk ka ilaç që e shëron sepse nuk është sëmundje trupore me të cilin mund të merret mjeku, por është sëmundje sociale me të cilën duhet të merremi të gjithë. Së pari duke i mësuar njerëzit tanë me të vërtetën e madhe që kjo është bota reale e jetës sociale me të mirat dhe këqijat e saj. Ne jemi të detyruar të jetojmë këtu, në këtë botë, si pjesë e kësaj shoqërie me të mirat dhe të metat e veta. Njerëzit që pësojnë ruptura nga përballja me vështirësitë, agresivitetin, frymën sociale jo miqësore apo pabesitë e jetës kanë nevojë të ndihmohen nga familja, shkolla shoqëria për të mësuar të vërtetën e fundit se për njeriun nuk ka mundësi për ndonjë “botë tjetër”, që ai të mund ta ndërtojë dhe ta bëjë më të mirë, duke qenë i vetëm, në vetmi, jashtë “stofit të shoqërisë”, i margjinalizuar nga lidhjet sociale dhe marrëdhëniet me njerëzit e tjerë. Me atë shoqëri që kemi dhe ata njerëz që janë dhe ashtu siç janë dhe që na i ka sjellë për të bashkëjetuar shoqëria e kohës sonë. Natyrisht njerëzit që jetojnë në vetmi dhe bëjnë jetë të vetmuar në fillim nuk janë të sëmurë mendorë. Por nuk janë as tërësisht të shëndetshëm kur i kap sëmundja sociale e vetmisë. Të cilën për fat të keq në fillim në mënyrë ekzibicioniste këta njerëz e jetojnë me “kënaqësi” nga që kanë iluzionin dhe e konsiderojnë si një nga format e përhapura të mënyrës moderne të të jetuarit. Këtë psikologji individuale të bashkuar me mentalitetin pseudo modern të jetës së vetmuar ka njerëz që duan ta reflektojnë sa më shpejt të jetë e mundur në jetën e tyre. Ideja e deformuar se bukuria e jetës individualiste moderne është ekuivalente me dëshirën e njeriut eksentrik që mendon gabimisht se për të qenë i vetëplotësuar duhet të jetosh në vetmi dhe pa lidhje sociale dhe komportime njerëzore është vecse iluzioni më i keq social dhe individual që për fat të keq ka gjetur kohët e fundit përhapje të zgjeruar sociale në shoqërinë tonë. Sepse po shtohen njerëzit që kënaqen nga “mbyllja sociale” dhe jeta e vetmuar, pa kuptuar se edhe në kohën e sotme me gjithë kushtet dhe mundësitë, janë të pakta që janë të bukura që na kënaqin kur jemi vetëm, kur bëjmë jetë në vetmi, mbetemi të të vetmuar nga të tjerët. Koha ka treguar se asnjë njeri që ka zgjedhur këtë rrugë të deformuar, josociale nuk i ka dalë jeta personale me sukses jetës. Sepse vetmia nuk është zgjedhja e duhur, mënyra adekuate e të jetuarit. Qoftë edhe për të ndërtuar mënyrën individualiste të jetës sipas kohës dhe kërkesave të saj, ajo nuk mund të bëhet duke u bazuar në tipologjinë e jetës në vetmi. Jeta në vetmi dhe tendenca e ndërtimit të jetës së vetmuar, pa lidhje dhe komunikime sociale, sidomos kur ajo bëhet mënyrë dhe zgjedhje përfundimtare e njeriut është e destinuar që në mënyrë fatale të zhvlerësojë mënyrë të pandreqshme për njeriun e vetmuar çdo gjë të mirë të jetës. Tendenca individualiste e jetës është produkt pozitiv i shoqërisë moderne por nuk është ekuivalent as me vetminë as me tipologjinë e njeriut të vetmuar me dimension asocial. Por është e vërtetë që individualizmi në shoqërinë tonë është bërë i skajshëm, i vrazhdë, pa nuance humanizmi dhe solidariteti social. Kjo ka bërë duke e skajuar individualizmin në jetën e njeriut të sotëm përtej limiteve të modernitetit duke marrë dimensionet e zgjeruara të patologjisë sociale që në mënyrë direkte apo të tërthortë ushqen psikologjinë e vetmisë dhe nxit tipologjinë e jetës së njeriut të vetmuar. Izolimi, vetmia, asocialiteti nganjëherë më shumë se janë sëmundje organike që burojnë nga tipologjia dhe organizimi individualist i jetës, më së shumti shfaqen si ekzibicione të personalitetit të njeriut, që jo në të gjitha rastet është njerëzor dhe bën jetë njerëzore. Njerëzit e vetmuar, ata që i largohen shoqërisë, komuniteteve njerëzore dhe lidhjeve shoqërore janë njerëz me difekte sociale dhe që natyrshëm bëjnë jetë të rrezikuar nga ana individuale. Sepse sado i zhvilluar dhe sundues që të bëhet ndjenja e individualizmit dhe sado ndikim të kenë organizimet në forma të personalizuara të jetës së individit, është e pamundur të bësh jetë njerëzore, në se nuk ke marrëdhëniet e duhura dhe aq sa duhet me qeniet e tjera njerëzore, më të cilët jeton në shoqëri apo bashkëpunon në komunitet. Në fakt në shoqërinë shqiptare koha moderne ka krijuar kushtet materiale që bëjnë të mundur zgjerimin, thellimin e ndjenjës të jetës në vetmi. Sepse një nga shkaqet me natyrë thelbësore që ndikon dhe është “indirekt përgjegjës” për zgjerimin e ndjenjës së vetmisë, e cila në jo pak raste merr për disa njerëz formën e izolimit social nga shoqëria dhe marrëdhëniet me njerëzit e tjerë, është prania në shtëpitë tona të kushteve dhe mundësive materiale që njeriu të ndihet i kënaqur me veten, i vetëmjaftueshëm “pa të tjerët” dhe vetëm në marrëdhënie të ngushta me “veten e tij”. Lidhjet e njeriut të vetmuar me televizorin, magnetofonin, kompjuterin, celularin, internetin, librin, muzikën, filmat pa fund etj, etj, kanë krijuar iluzionin e gabuar, se në këto kushte njeriu ka mundësi të jetojë i vetëm, pa patur nevojë për lidhje dhe marrëdhënie me njerëzit e tjerë. Në fakt duhet të jemi të shqetësuar që në shoqërinë tonë po shtohen me shumë shpejtësi njerëzit që për arsye të ndryshme bëjnë jetë të vetmuar. Shqetësimi rritet në se vetminë si ndjenjë dhe jetën e vetmuar si mënyrë jetese e shikojmë më shumë se sëmundje sociale, patologji individuale dhe fillimin e procesit të ndërlikuar të degradimit në nivel kritik të jetës sociale dhe humane në shoqërinë tonë. Pa lidhjet sociale dhe komunikimet e duhura njerëzore do të ecim në rrugën pa krye, të shoqërisë indiferente për të cilën ekzistenca e individit të izoluar nuk ka asnjë vlerë. A është e mundur që të bësh një jetë të tillë në vetmi, duke qenë i lidhur vetëm me sendet e shtëpisë dhe të mos pësosh deformime sociale, turbulenca evidente individuale ?. Që shpesh të thella dhe të pariparueshme ? Shfaqja e njeriut të vetmuar në shoqërinë tonë, e njeriut që është i gatshëm të zëvendësojë marrëdhëniet me njerëzit me sendet e shtëpisë po jashtë saj, është problem serioz i cili si rregull nuk e ka fundin e mirë, premtues apo optimist. Sa mund të jetojë njeriu i vetmuar, pa lidhje sociale dhe marrëdhënie njerëzore duke qenë vetëm i rrethuar nga objekte, sende elektronike, ushqime dhe veshje qofshin edhe të bollshme, pa pësuar dëmtime psikologjike dhe deformime mendore ? Ne kemi detyrë që të ndihmojmë njerëzit që kanë prirje për vetmi sociale, pikërisht që në hapat e para të shfaqjes së ndjenjës së asocialitetit dhe përjetimit tejet individualist të rehatisë dhe komoditetit. Sidomos kur kjo ndjenjë vjen nga lidhja e tij e ngushtë me sendet e bollshme, që tani gjënden edhe në shumicën e familjeve tona. Në se njerëzit tanë për shkaqe sociale apo individuale, për vështirësi personale për të përballuar vështirësitë e jetës apo për arsye të tjera të ngjashme fillon të shfaqë tendenca izolimi, vetëmbylljeje dhe mungesë të komunikimit social, kjo është koha kur duhet të shqetësohemi si prind, mjek, psikolog, mësues, familje, shkollë dhe komunitet, për ta përballuar dhe korrigjuar që në fillim shfaqjen fillestare të sindromit të “njeriut të vetmuar”. Nuk ka nevojë për dije të mëdha psikologjike, mjekësore apo sociale për të dalluar këtë situatë të devijuar të shfaqjes së prirjes së njeriut për jetë të vetmuar. Mjafton të shikosh që njeriu nuk i dëshiron lidhjet sociale, fillon shkëputjen e marrëdhënieve me njerëzit e tjerë, lidhet patologjikisht me sendet e shtëpisë apo dhomës së tij, për të kuptuar se sëmundja sociale ka dhënë shenjat e para të cilat pastaj ka mundësi që duke u agravuar të bëhet patologjike dhe të marrë trajta të sëmundjeve mendore dhe sjelljeve anormale psikiatrike. Ne nuk kemi shifra të sakta se cilat janë dimensionet e kësaj sindrome sociale. Por e sigurt është që ajo është në zgjerim dhe sasia e njerëzve që jetojnë në vetmi apo që janë të vetmuar me komunikime të ndërprera, është në rritje. Fenomenit ta shikojmë drejt në sy si kusht që të vlerësojmë realisht nevojat që kemi për të ndryshuar optikën e shikimit, trajtimit të këtyre njerëzve që jetojnë në vetmi, të izoluar nga shoqëria dhe marrëdhëniet e natyrshme njerëzore. Është e vërtetë që në kohën tonë shumë gjëra për jetën sociale të njeriut janë bërë më të vështira për t’u realizuar sipas dëshirës. Sepse jemi në kohën e jetës modern të bazuar në garën individuale. Njerëzit janë të përfshirë tërësisht pa asnjë pauzë nga “ideologjia e konkurrencës” personale. E cila nuk është e lehtë që të realizohet nga të gjithë. Por kjo është koha moderne dhe njerëzit duhet t’i përgatisim për ta përballuar atë me forcë, me dinjitet, duke qenë aktorë të jetës individuale, të përfshirë në valët e jetës sociale, lidhjeve komunitare duke bashkëpunuar me njerëzit si qënie njerëzore. Asnjë sukses nuk arrihet në këtë botë duke mbetur i izoluar nga shoqëria, i vetmuar nga lidhjet me njerëzit e tjerë. Përkundrazi vetmia sjell dështime, disfata të rënda personale dhe ngarkesa me peshë sociale që duhen përballuar. Filozofi dhe shkrimtari spanjoll Fernando Savater duke interpretuar me elokuencë të veçantë këtë situatë shkruan “Jeta njerëzore është e mirë midis qenieve njerëzore, përndryshe mund të jetë, por nuk do të jetë as e mirë as njerëzore”. (F. Savater, “Bisedë me tim bir”, f 64) Burimi: tiranaobserver.al
Posted on: Tue, 27 Aug 2013 12:58:27 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015