Kur “të gjithë” i dhuronin vargje Enver Hoxhës nga - TopicsExpress



          

Kur “të gjithë” i dhuronin vargje Enver Hoxhës nga Shekulli Kur “të gjithë” i dhuronin vargje Enver Hoxhës Nga Dritëro Agolli, Ismail Kadare e Xhevahir Spahiu, deri te Bardhyl Londo, Natasha Lako e Dhimitër Shuteriqi Belina Budini TIRANË – Naive apo të sinqerta? Furçe regjimit, apo bindje të kohës? Dikur pompoze e të rëndësishme, sot butaforike e të harruara. Poezitë e indoktrinuara, kushtuar Partisë Komuniste dhe Enver Hoxhës, prej vitesh kanë përfunduar në kosh e pak nga pak po fshihen nga kujtesa e njerëzve. Për mirë apo për keq! Autorët duhet të jenë lehtësuar nga pesha e tyre në ndërgjegje. Në rastin më të mirë i kanë lënë pas me gjithë kohën. T’u rikthehesh sot, është edhe zbavitëse. Jo vetëm për t’u zbavitur, kërkuam disa syresh. Jo nga ato poezitë e botuara ashtu “rastësisht” në libra, revista e gazeta letrare të kohës, por vargjet e zgjedhura enkas nga vetë poetët e shkrimtarët për t’ia dhuruar Enver Hoxhës. Me firmën e autorit poshtë vargjeve dhuratë për Enverin, në përvjetorin e 70-të të ditëlindjes, pra në vitin 1978. Të shkruara bukur, me dorë, dhe të organizuara në formë libri luksoz për kohën, me kapakë plastikë, libri-dhuratë që ruhet në Arkivën e Shtetit, përmban vargje nga 21 autorët më autoritarë të asaj periudhe në Shqipëri. Të gjitha janë vargje ideologjike, të zgjedhura nga vetë autorët që kanë nëshkruar poshtë tyre. Vargjet janë organizuar në rend alfabetik sipas emrave të autorëve. Libri-dhuratë përmban 23 fletë, ku fleta e parë përmban dedikimin në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve, 21 fletë përmbajnë vargjet e poetëve dhe një fletë, fleta e fundit është bosh. Nuk mungon asnjë fletë e ndërmjetme, pra asnjë autor. Libri i lidhur ka qenë pjesë e fondit personal të Enver Hoxhës, të cilin ai e ka kaluar vetë për ruajtje në Arkivin e Partisë e mandej në atë të Shtetit. Dedikimi Në dedikimin e fletës së parë shkruhet tekstualisht: “Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, të gjithë poetëve të Republikës, që tashti janë aq të shumtë, se Shqipëria jonë e shtrenjtë është vendi i ëndrrës më të bukur të njerëzimit, se në Atdheun tonë socialist poezi ka kudo, siç e keni theksuar Ju, shoku Enver, udhëheqësi dhe mësuesi ynë i dashur, Ju urojmë nga thellësia e zemrës të na rroni sa malet për të mirën e Partisë, të popullit, të idealit të pavdekshëm komunist të Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit. Jetë të gjatë, shëndet të plotë, përherë gëzime në familjen tuaj.” Vargjet Nuk janë poezi të plota, por fragmente poezish të botuara më parë ose të hartuara enkas për t’ia dhuruar ish-diktatorit për ditëlindjen e tij të 70-të. Pjesa më e madhe kushtuar Partisë. Në pak vargje fjala parti përmendet 29 herë dhe aludohet për të dhjetëra herë të tjera. Fjala Enver dhjetë herë, pa përmendur plot fjalë të tjera të përsëritura si turbinë, komunist, 16 tetori yt, tunel, lavdi, hekurudhë, krom e bakër, internacionale, Stalin, Marks, Engels, pushkë, teserë, komitet, shok, kushtrim, punë, ushtar, ballë, krenari, uzinë, çelik, djersë, lapidar... Me një fjalor të tillë kaq jopoetik në vetvete, janë ndërtuar të 21 fragmentet poetike! Autorët Nga të përkëdhelurit e regjimit deri tek ata që sot janë 180 gradë në kah tjetër. Sipas rendit alfabetik autori i parë është Adem Istrefi me poezinë e tij “Emri yt, Parti”. ‘Komunist’ është titulli i fragmentit të dytë poetik, dhuruar Enver Hoxhës, me autor Agim Gjakovën. Aleks Çaçi është autori i tretë që i dhuron ish-diktatorit vargjet “Ashtu, Myzeqe”. Nuk mungojnë vargjet për partinë të Andrea Varfit me titullin “Një ditë nëntori”. Edhe Bardhyl Londo i këndon partisë në vargjet me titull “Ti je zemra, Parti”. Autori i gjashtë në rend alfabetik është Dritëro Agolli me poezinë e tij të njohur “Komunistët”. Pa u ndarë nga partia, Dhimitër Shuteriqi ka dhuruar vargjet “Lavdi për ty, Parti”. Fatmir Gjata ato internacionalet e “Dimri i dyzet e katrës”. Fatos Arapi dhuron poezinë e tij “Alarme të përgjakura”. I dhjeti në rend alfabetik, Ismail Kadare dhuron fragment nga poezia e tij për partinë me titull “Shqiponjat fluturojnë lart”. “Gjirokastër” është poezia e Luan Qafëzezit për 16 tetorin e ditëlindjes së Enver Hoxhës. Llambro Ruci i ka blatuar ish-diktatorit vargjet “Drita e udhës”. Partisë vazhdon t’i këndojë Llazar Siliqi në poezinë “Mesazhi”. Ndoc Gjetja bën poezi me titull “Çast nga pranimi në Parti”. Ndërsa Ndoc Papleka për “Enveri midis nesh”. Natasha Lako përsërit katër herë në katër vargje fjalën parti në poezinë me titull ‘Këngët e rinisë”. Edhe Spiro Dede i ka dhuruar një poezi të titulluar “Krenari” ku shkruan “Ç’nder i madh të jesh shqiptar/ të jesh ushtar i Enver Hoxhës”. Një “Meditim nga uzina e çelikut” i dhurohet Enver Hoxhës nga Sulejman Mato. Një tjetër autor i kësaj rëndësie, Vehbi Bala, shkruan vargjet me titull “Shqipëri” ku sigurisht e ka fjalën për “Zemër, mendje e vegjëlisë, Parti e Punës/ prijëse e shqype e Shqipërisë...”. Xhevahir Spahiu i 20-ti poet në rend alfabetik, i kushton ditëlindjes së partisë vargje me titull “Ditëlindja e madhe”. Autorja e fundit është Xhuljana Jorganxhi me vargjet “Parti e vendit tim”. Në pamundësi për t’i botuar të gjitha, po botojmë vetëm disa prej tyre, ato të autorëve më të njohur, jo vetëm dje, por edhe sot, si dhe disa nga vargjet më zbavitëse të autorëve që sot janë rikthyer në anonimitet.* ( shekulli 2003)
Posted on: Thu, 19 Sep 2013 15:41:26 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015