Kush e ka parë filmin që shkundi Festivalin e Berlinit, me - TopicsExpress



          

Kush e ka parë filmin që shkundi Festivalin e Berlinit, me patjetër që e kujton Rudinën, vajzën 14 vjeçare që çon bukën në dyqanin e fshatit dhe bën çmos për të fituar para për familjen e saj të ngujuar. Kanë kaluar disa vite që nga xhirimet e para dhe fama që shoqëroi filmin “Falja e gjakut” prej festivaleve e deri në kinematë e vendit, shkruan “Shqiptarja”, me të cilën zhvilloi një intervistë. Më të suksesshmet projeksione ishin pikërisht në Shkodër, aty ku u xhirua dhe u zgjodh ndër shumë kandidate, edhe Sindi Laçej, sot një 18 vjeçare, plot energji, me sytë nga e shkuara por edhe nga e ardhmja, me një pjekuri që të lë përshtypje, por që tregon shumë për brezin e saj.- U bë disa kohë tashmë që nga filmi “Falja e gjakut” ku ti interpreton një personazh mjaft të spikatur… Si e kujton tani atë kohë? Si ecën jeta jote pas filmit? Është harruar fama e atij roli, apo vazhdojnë të ta kujtojnë në rrugë? S. Laçej: E kujtoj si një ngjarje të veçantë në jetën time; si një realizim ëndrre e si një përvojë nga e cila mësova shumë. Sa normale, aq edhe e ndryshme nga çfarë mund të ishte nëse nuk do ta kisha realizuar atë rol. Të shumtë janë ato të cilëve personazhi u ka mbetur në mendje, saqë në momente të caktuara duket sikur filmin e kanë parë dje. Madje, miqtë e mi shpeshherë luajnë me mua duke më quajtur “Rudina” ose përdorin disa nga batutat e filmit. Mund të tregoj një episod sa qesharak aq edhe interesant: Si zakonisht, hyra në dyqanin e bukës së lagjes. Ndërsa doja të paguaja, ngrita kokën dhe pashë shitësen që mbante bukën në dorë e duke buzëqeshur më tha: “Ja bukën, Rudina!”. A është harruar fama? Varet nga kush. Nga njerëzit e zakonshëm jam e bindur që jo. Nuk do isha e të njëjtit mendim për ato të cilët merren me artin e kinemasë. Sa ka patur rëndësi filmi për to nuk e di, por besoj se e tregon indiferenca në mospërfshirjen në aktivitetet e ndryshme për kinematografinë. -E ke parë sërish filmin kohët e fundit? Nëse do ta shikoje do të ndryshoje gjë në interpretimin tënd, apo do të krijoje një mendim tjetër për filmin në tërësi? S. Laçej: Me rastis ndonjëherë të ndiej nevojën e rikthimit në disa skena të filmit jo vetëm për t’i rikujtuar ato, por edhe për t’iu kthyer prapaskenave gjatë xhirimit të tij, sepse siç dihet, ato janë pjesa më e bukur që nuk shihet nga spektatori, por që përjetohet gjithmonë nga vetë aktorët. Në të vërtetë nuk do të doja të ndryshoja asgjë nga ajo çfarë kam dhënë në personazhin tim. Mendoj që çdo emocion e ndjenjë që kam ndjerë i kam përcjellë në mënyrën më të sinqertë që mund të përcjellë një vajzë 14 vjeçare e cila në fakt nuk kishte asnjë lidhje me jetën e fshatit e aq më shumë me fenomenin e gjakmarrjes. Filmit i duhej një 14 -vjeçare. Sot jam afër të 18-ve, unë do ta kisha përjetuar ndryshe e ndoshta një këndvështrim me i rritur nuk do t’i shërbente filmit. -Kur u shfaqe në film ishe relativisht e vogël. Gjithë ai sukses e famë si ndikoi tek ty? Si e percepton tani të shkuarën? S. Laçej: Çdokush mendon se në momentin që je bërë e njohur gjithçka ndryshon. Unë nuk e pashë këtë ndryshim tek vetja e as të tjerët tek unë, pasi vazhdova të isha e njëjta, vetvetja, ajo që kisha qenë gjithmonë, edhe pse me emocione të tjera, përjetime të reja, njohje të shumta e përfshirje në ambiente prestigjioze. Si e perceptoj të shkuarën? A mund të perceptohet një ëndërr? Kaq mund të them edhe unë:”E shkuara për mua qe një ëndërr e realizuar”. -Sa e lehtë apo sa e vështirë ka qenë për ty të luaje një rol si ai i Rudinës? Si ndikonte tek ty shoqëria apo familja për realizimin e rolit? S. Laçej: Përfshirja në një staf aq të gjerë, gjithëpërfshirës, shumëkulturor e profesional ndikoi shumë pozitivisht në rritjen time si individ. Marston nga të gjithë njihet si një regjisor i madh, por mbi të gjitha ai është një njeri i mrekullueshëm, pasi arrin të futet në botën e brendshme shpirtërore dhe në psikologjine e aktoreve duke i kuptuar dhe ndihmuar me një durim të pashembullt. Nuk mund të lë pa përmendur edhe fatin e madh që pata të punoj me aktorët Refet Abazi dhe Ilir Çelaj, të cilët për mendimin tim lindën si aktorë, nuk u bënë. Kjo ishte një ndihmesë shumë e madhe, por që nuk do të realizohej tërësisht nëse nuk do të ishte kontakti i vazhdueshëm me të rinjtë e familjeve në gjak, të cilët ndikuan thellësisht në ndryshimin e botëkuptimit tim, në të kuptuarit e drejtë të fenomenit të gjakmarrjes, të përjetimit të këtij fenomeni nga këto të rinj dhe forcën e jashtëzakonshme të femrave shqiptare në përballimin e situatave të tilla. Familja dhe shoqëria më janë gjendur pranë. Nuk ka reshtur mbështetja morale e cila ka qenë tepër e rëndësishme për mua gjatë realizimit të filmit. -Nga Berlinalja çfarë kujtimi ruan? S. Laçej: Sa herë e kujtoj ndiej drithërima që më përshkojnë të gjithë trupin, tamam si ditën e shfaqjes së filmit kur unë shkela për herë të parë në tapetin e kuq. Më duket sikur dëgjoj duartrokitjet e publikut në atë sallë gjigante ku kanë shkelur aktore nga më të mëdhenjtë e unë pata fatin të ulem në karrike e të shijoj plot emocione shfaqjen e filmit. Nuk është e lehtë të harrosh fytyrat e spektatorëve që shprehnin emocione të ndryshme skenë pas skene, përgëzimet e shumta të marra nga ato pas përfundimit të filmit, radhën e pafund para biletarise, takimet në rrugë nga qytetarë të zakonshëm të cilët kërkonin të dinin akoma më shumë. Është e vështirë ta përmbledhësh në pak rreshta atë çfarë është Berlinalja: tapet i kuq, gazetarë të panumërt, drita, fotografë, aktorë të famshëm, mbrëmje gala, publik i zgjedhur. E ç’mund të them më shumë për Berlinalen. -Do të bëhesh aktore, apo ke një ëndërr tjetër? S. Laçej: Një rol? Mirëseardhtë! Asnjëherë nuk do t’i thoja “jo” një propozimi të arsyeshëm për pjesëmarrje në një film. Por ëndrrat janë të pafundme apo jo? E ato të miat jo gjithmonë lidhen vetëm me kinemanë. Një nga veçantitë e atij filmi ishte pikërisht një pasqyrë e rinisë, mes ëndrrave, celularëve, bicikletave, simpatisë apo historive të dashurisë rinore… Sa e vërtetë është kjo rini në jetën e përditshme? Filmi “ Falja e Gjakut” është ndërtuar mbi bazën e historive të vërteta, të marra nga jeta e përditshme e disa familjeve që po përjetojnë fenomenin e gjakmarrjes. Në të vërtetë, para se të përballen me të, jeta e tyre është ajo e çdo familjeje shqiptare ku të rinjtë janë të harruar në problemet e moshës së tyre : celulari, interneti, dashuritë e moshës , etj. Është rinia e përditshme, të cilën e prekim çdo ditë me dorë, por qe në një moment të caktuar shkëputet, izolohet, ndrydhet dhe duket sikur jeton në një botë tjetër. Por e përditshme është edhe kjo botë e vogël e këtyre të rinjve, dalja nga e cila shihet me pak optimizëm e shpresë. Jeta nuk ka vetëm ngjarje të bukura dhe ti këto ditët e fundit për fat të keq e kuptove këtë. E kam fjalën për aksidentin famëkeq ku të rinjtë shkodranë humbën jetën….Një ngjarje që të gjithë do të kishim dashur të ishte vetëm një histori filmi…. Vdekja aksidentale e 5 bashkëmoshatarëve të mi qe një dhimbje e madhe për qytetin e Shkodrës. Nuk e kam shumë të lehtë të flas për të pasi ato kane qene ndër miqtë e mi më të mirë, miq të vjetër nga të cilët nuk mendon se mund te ndahesh ndonjëherë. Ata ishin bij të mirë, shokë të mirë, qytetare të mirë, nxënës të mirë e të gjitha keto e bëjnë më të vështirë faktin. Ju me pyesni a do doja te ishte thjesht një histori filmi. Ndoshta një spektator i zakonshëm do thoshte “po”, por unë që interpretova një film të bazuar në histori të vërteta, do thoja “jo” sepse në fund të fundit filmi është histori njerëzore e si i tillë nuk do kishte vend as për një vdekje kaq të rëndë.
Posted on: Fri, 01 Nov 2013 10:32:14 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015