M E N D J E L E H T Ë S I A (Në kujtim të bashkëstudentit - TopicsExpress



          

M E N D J E L E H T Ë S I A (Në kujtim të bashkëstudentit Qemal Koni, Inxhinierit - Pilot të helikopterit presidencial, i rënë në detyrë gjatë fluturimit mbi Adriatik në gusht,2006.) Në klasën me numër 232 të Godinës Qëndrore të Universitetit, bënin pothuajse të gjitha orët e mësimit me përjashtim të laboratorëve dhe praktikave mësimore. Qe ora e dytë dhe zhvillonim një orë seminari në lëndën, “ Motorët me Djegie të Brendëshme”, kryesorja e specialitetit në Degën e Transportit. Profesor Ruzhdiu më kishte nxjerrë në tabelë për të shpjeguar për “pozicionin kritik të bjellës” në këndin 400 gradë. S’e kisha vënë re hapjen e derës kur profesori më ndërpreu: -Mos vazhdo më, shko me Dekanin! Pashë shpinën e Dekanit të Fakultetit, Fehmi Shehu, dhe shenjën urdhëruese të pedagogut për ta ndjekur nga pas. Qemali, me të cilin rrija në bankë, ma bëri me shenjë të vazhdoja pa merak se do t’i merrte ai çantën dhe librat e mi. E ndoqa me vrap Dekanin tek zyra e hapur, pa trokitur në derë, me idenë se do të vazhdoja të punoja ndonjë skicë vizatimi dhe disa diagrama në punën e tij të doktoraturës. -Jo, jo! Nuk të kam thirrur për këtë punë, Shkurti! Paske qenë djalë i keq, mirditor i pabesë, më ke zhgënjyer jashtë mase. Meqenëse ishe njeri i afërt me Frok P Gegën, shokun tim të ngushtë të Universitetit në Moskë, të kam mbajtur pranë si djalin tim. Nuk e kam menduar se je kaq mosmirënjohës, mbi të gjitha, i pabesë! Kisha ngrirë si një model fonderie me një gjysmë habie dhe buzëqeshjeje: -Çfarë kam bërë, Profesor, - ku e paskam shkelur që po më flisni kaq rëndë?! -Ke shkruar ndonjë ankesë për mua? -Asnjëherë jo! Si mund të guxoja?! -Po letrën për shokun Mehmet kush e ka shkruar, kush e ka postuar, emrin e cilit mban mbi shpinë zarfi?!.. hë, more Ti, Dedë Gjon…Luli, (kështu më drejtohej shpesh kur ishte në humor të mirë),.. Dedë Gjon… i pabesi!.. Tani hajde të shkojmë ! Kryeministri, shoku Mehmet, na pret në zyrë! Tundu, mos më vështro si tuhaf! … Isha ftohur komplet, po t’mi prisje damarët as nuk do të dëgjoja gjë e as nuk do t’ më rridhte gjak. Kishte ndodhur më e pabesueshmja.. Kryeministrit, jovetëm ia kishin dërguar letrën që ne si klasë e kishim postuar, por kishte ndërprerë shkrimin e Raportit për në Kongresin e Shtatë, kish thirrur më parë Dekanin dhe i kish thënë të sillte edhe Sekretarin e Rinisë së Klasës, mua, që kisha emrin në adresën e dërgimit të postës. … Bëhej fjalë për një budallallëk me brirë, për një mendjelehtësi kalamani, një kapriçio stedentësh : donim që krahas përfundimit të studimeve të vitit të katërt, të merrnim edhe Patentën e Zis-it që e kishim të programuar si studentë të Degës së Transportit.. dhe .. këtë punë të na e zgjidhte vetë, shoku Mehmet Shehu! … Nuk isha ndonjë student i hedhur, pavarësisht se isha ndër tre-katër më të mirët e Degës dhe kjo, për shkak të kompleksit të tmerrshëm të provincës. Kisha ardhur nga Mirdita dhe të vetmen rrugë të Tiranës që dija më mirë ishtë ajo, nga Godina 13 e Qytetit Studenti , tek Korpusi Qëndror dhe deri tek Stacioni i Trenit. Deri në përfundim të vitit të tretë, profesorët ma mësonin emrin vetëm pas provimit kur hapnin sytë nga përgjigjet e mia dhe vështronin të habitur librezën e notave. … Dekani mori çantën elegante prej lëkure bojëkafe me zinxhir të hollë, m’u afrua,vuri dorën e majtë mbi supin tim dhe me dorën tjetër më ngriti mjekrën që po më dridhej nga dënesat. Pa gjatë duke depërtuar në sytë e mi të lagur dhe tha: -Mos e çaj kokën fare! Ti je dhe do të mbetesh për mua Ai që njoh dhe më kanë folur! Kam qenë edhe unë në moshën dhe në gjendjen tënde, ..nuk mund të dalësh ti.. një mirditas njëzetekatër karatësh, kundër vullnetit kapriçioz te shokëve tu! Tani, mblidhe veten.. do të shkojmë në Zyrën e Kryeministrit se na pret të dyve! Do të shkojmë duke ecur në këmbë sa ta mbledhësh veten! Mos ki fare ndrojtje, je me mua! Do ta kesh më lehtë se provimin e Motorëve..! …Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë, Fehmi Shehu, ishte një tiranas i vjetër nga Petrela, kish mbaruar studimet në Moskë. Përveçse Dekan, ishte dhe shefi i Katedrës së Motorëve, lënda kryesore e formimit tonë si Inxhinierë Transporti. Librin për motorët e kishte shkruar vetë dhe jepte njëkohësisht edhe leksionet. Qe njeri shumë serioz, shumë autoritar, fliste me zë të ulët, nuk i qeshte kurrë buza dhe, natyra pak esmere ia shtonte seriozitetin. Shkak pët ta bërë mik qe një ditë praktike në Kombinatin e Autotraktorëve. Na shoqëronte vetë Dekani. Po provohej një derdhje e Boshtit Motorik, (për herë të parë), me gizë sferoidale. Vetë Fehmiu ishte ndër udhëheqësit e projektit, për ecurinë e të cilit vihej në dijeni herëpashere vetë Kryeministri. Qemë si grup duke parë disa Boshte Motorikë të ratifikuara, kur u shfaq N/drejtori i Kombinatit, Frrok P Gega. Vura re që, sapo e pikasi, Dekanit i ndryshoi fytyra, lëvizi nga vendi , i doli përpara dhe u përqafuan fort me njëri –tjetrin. Pastaj Frroku filloi të takonte ne, studentët duke pyetur secilin se nga cili qytet apo krahinë vinim. -O,çfarë mrekullie! Po këtu qënka një mirditor që po ma zënka vendin.. ja dhe Deda, djali i mikut tim!... më përqafoi fort, më puthi në dy faqet dhe filloi t’më pyeste, fillimisht për Babain që e kishte mik, për shëndetin dhe për mësimet. E njihja Frrokun që fëmijë, i kisha dhënë dhjetra herë buqeta lulesh në presidiumet e konferencave të partisë, kishte ardhur mik në shtëpinë tonë dhe unë i kisha shkuar në shtëpi, pasi me Nikollën, nipin e tij ishim shokë që nga klasa e pestë. … Kur po dilnim nga Kombinati Dekani më pyeti se çfarë më lidhte me Frrokun! Në një gjendje pothuase deliri improvizova një rrenë me risk: -Frroku është daja im, jam djali i motrës së tij, (nipi i vërtetë, Pjetri, kishte qenë në Elektrike dhe e kishte ndërprerë shkollën që në vitin e dytë). -Nikollën, nipin nga vëllai, atë studentin e Metalurgjisë e njoh, (Nikoll Gega qe shoku im i gjimnazit që nga klasa e pestë), - kush tjetër përveç Frrokut e meriton t’i ketë dy nipërit inxhinierë! Të nesërmën më thirri në zyrë: -I pashë në sekretari rezultatet e tua, me foli dhe Ruzhdiu. Si je me Gjuhën Ruse?! -Shkruaj, flas dhe përkthej lirshëm. Me rekomandimin e profesorëve jam përgatitur për provime vetëm më librat e autorëve rusë. - Shumë mirë, - ia pashë disa nga përkthimet tuaja në Termoteknikë, Angjelin Shtjefnit. Unë po punoj për temën e Doktoraturës. Do të kërkoj ndihmën tënde. Do t’më bësh disa përkthime, disa punë grafike dhe sidomos shkrimin.. bravo, bravo për shkrimin! Këto do t’mi bësh pa shpërblim, si nipi i Frrokut, i shokut tim më të ngushtë të Universitetit në Moskë. E dua shumë, po aq shumë sa vëllain tim, Rexhepin, (Rexhep Shehu qe Anëtar i Komitetit Qendror, bashkë me Frrokun). …Kaq mjaftoi për të ndryshuar si me katapultë pozicioni im në grup, syri i profesorëve të tjerë. Për pesë minuta më zgjodhën sekretar rinie – kjo ishte “me të futme” se asnjë student nuk e dëshironte në vitin e fundit një detyrë aq të shpifur. Shokët filluan të nxirrnin kunj duke më thënë se po spostoja profesorin Ismail Dëmneri që ishte zëvendës Dekani i vërtetë. Por ajo më kryesorja që u interesonte shokëve të mi të kursit ishte Ziz-i, makina e famshme, ZIS-s. Ajo makinë që, qëkurëse ishtë krijuar Dega e Transportit, kishte shërbyer për të paisur studetët me Patenta. Në vitin e tretë sapo kishim marrë Patentën e motoçikletës, pra e kishim hapur në polici dosjen e shoferit. Patentën, shumica ndër ta edhe unë, e konsideronim të barazvlefshme me Diplomën e Inxhinierit. Kishim sakrifikuar profilin e Teknologut apo të Mekanikës Industriale duke refuzuar qenien e sigurtë në uzinat dhe ndërmarrjet potenciale mekanike në qytete, punën në laboratore konforte dhe në byrotë tëknologjike, ishim grumbulluar tridhjetedy zdapa në grup pa asnjë vajzë,e mbi të gjitha, ishim detyruar të dëgjonim romuzet e vajzave të gjuhëve të Huaja dhe të Arteve: -Mirë se ishit kovaçë, po shoferë pse u hëngri kurrizi të bëheni?! -O, mësuese fshati, - do të na lëpiheni për një vend pas sediljes sonë në kabinë, do t’ua luçidojmë kofshët! Ca gojëlëshuara e çonin batutën më larg: -Do ta kruajmë me derra. Por ama kurrë më shofera! Alqi, me temperamentin e vlonjatit s’i duronte e s’ua përtonte: -Po mbylleni njëherë të shkretën, maskojeni pak k..r….inë! Si për të na plasur, “mësueset e fshatit” na e kthenin: -Kurva, nëse jena, një gjë është e vërtetë; burrat inxhiniera se inxhiniera do t’i marrim! … Në ditët e para që e ndihmoja në punën e Doktoraturës ia shpreha shqetësimin e grupit Fehmiut: -Shokët më kanë thënë t’ju lutem të urdheroni të fillojmë guidën për patentën e Zisit! -Mos ma kërkoni këtë gjë tani! E kam të pamundur. Kiçon, instruktorin e ka dënuar për një vit Inspektoriati. E kam punonjës të vjetër, njeriun tim, dhe nuk dua ta heq nga puna. Ju jap fjalën se do t’ua rregulloj ta merrni gjatë vitit të stazhit që do ta bëni, të gjithë, nëpër parqet automobilistike. Ua transmetova shokëve, po ku hanin pykë ata! - Hë, mirditas,.. kapidan leshi! - ku ke këllqe ti t’na bësh me patentë, - më thoshte me shaka tepelenasi, oficeri i aviacionit, Turabi Halili! - O, Turabi, - nuk merret patenta me trimërinë e Selam Musait! Më mirë se Deda nuk e ujdis njeri këtë punë. Ky ishte Qemal Koni, oficer aviacioni që kishte punuar në Bazën e Helikopterëve në Farkë, nga Maminasi, bashkë me Turabiun. Përdreq, situatën e ndezi një takim që Kryeministri, Mehmet Shehu, kishte zhvilluar me Shefat e Bujqësisë në rrethe: -Çfarë agronomi është ai që nuk di të ngasë traktorin?! – u ishte hakërryer Kryeministri shefave. Kaq mjaftoi: kur agronomi u dashka të ngasë traktorin, po ne, inxhinierët e tarnsportit, nuk u dashka të ngasim kamionin?! Turabiu dhe Ramiz Jahja nga Bajram Curri, dy shokët e mi të dhomës përpiluan një Fletë-Rrufe ku e vunë në hollin e katit të dytë në emër të grupit. Turabiu, si lab që ishte, e kish filluar fletërrufenë më vargje: “ U caktuam në Transport, Por makinë nuk gjetëm dot. E muarëm punën me radhë Deri sot po vijmë vërdallë. Moj, makina jonë me huqe, Ne tëhu, e ti, tutje!” Të nesërmen më thirri Fehmiu: Shko Ti vetë, hiqe Fletë- Rrufenë dhe u thuaj atyre mistrecërve që, jo vetëm që nuk do të shohin patentë me sy, por do t’i lë të gjithë në klasë.. Ka edhe më shumë, i çoj ushtarë për dy vjet në Zall-Herr tek brigada e tankeve! Ky s’qe uji po qe benzinë! Ishin gati t’më kapnin për fyti: O do të na bësh me patentë ose do të bëhet nami! Kemi sakrifikuar rininë në Tiranë, jetën në qytet për ketë mut patente, kemi pranuar grason dhe kovaçhanën, zhargonin e shoferëve dhe mungesën dhe qesendinë e vajzave. Ne nuk e lemë këtë punë, do t’i shkruajmë Kryeministrit. Ai ia tregon drurin Dekanit tonë! Turabiu, Ramizi, Engjëlli, Agustini dhe Alqi e përpiluan Letrën. E lexuan para klasës.. argument ishte vetë fjala që kishte thënë Kryeministri përpara shefave. -Për ta shkruar shkruaje ti, Dedë, se vetëm këtë punë e bën më mirë se ne! Më gjetën rapidografin dhe një format letre të cilësisë sëparë. Letra mbyllej: - “ shoku Mehmet, duke qenë të ndërgjegjshëm për ngarkesën e madhe që keni, ju kërkojmë falje, por menduam se shqetësimi ynë i ligjshëm ia vlen t’ua marrë pak nga koha juaj e çmuar. Ne, studentët.. si ushtarë të arsimuar universitarë të Partisë, kemi besim apsolut tek JU, si bashkëpunëtori më i ngushtë i shokut Enver!” Letra duhej dërguar në dorë Mehmet Shehut. E pyetëm Kujtimin, djalin e vëllait të Mehmetit që e kishim shok se a mund t’ia dërgonte këtë letër në shtëpi. -Unë ia çoj, por mendoj se nuk fitojmë gjë, por merr kuptimin e një letre familjare e jo zyrtare. Më mirë në postë! I kërkoj një mendim Nikollit, djalit të xhaxhait, që ishte Shef i Gardës. - Keni gjetur një kohë apsolutisht të papërshtatshme. Ai tani është mbyllur se po shkruan Raportin e Kongresit. Nuk besoj t’ia japin letrën.. edhe po t’ia japin se është letër kolektive, do të udhëzojë ndonjë nëpunës ta trajtojë, në mos vetë Dekanin tuaj. Gjithësesi, letrën çojeni zyrtarisht me postë rekomande. - .. Delegacioni i Postës me Turabiun, Ramizin, Engjëllin, Alqin, dhe mua u paraqit tek Posta Qendrore. - -Duam t’i dërgojmë një letër shokut Mehmet Shehu, jemi grupi… - Është për në Komitetin Qëndror apo për në Këshillin e Ministrave? - -Për në Këshillin e Ministrave, për vetë Kryeministrin. I parashtrojmë një shqetësim. - Ne e dërgojmë të sigurtë por vetëm më një kusht, në zarf nuk do të shkruhet ..Kolektiv. Njëri nga ju do të vejë emrin e dërguesit. Nxori një zarf të ri e futi letrën brenda dhe na e dha të shkruajmë adresën. Nuk hezitova ,edhe për pak duk, se isha unë kryesori, : “Nga Dedë SHKURTI, Fakulteti i Inxhinierisë, Dega Mekanike, Transport- Bujqësi”, Tiranë. … Ishim afruar godinës së Këshilit të Ministrave. Oficeri i shërbimit e njihte Dekanin, nderoi me grusht dhe na lejoi të hynim brenda. Çuditërisht, jo vetëm më kish kaluar tronditja, por isha në një farë emfaze nga siguria dhe inkurajimi që më kishte dhënë Dekani im. Tek hyrja e Kabinetit qe një officer tjetër civil. Edhe ai me po të njejtin gjest mirësjelljeje e korrektese na lejoi të futemi. Shefi i Kabinetit na ftoi të uleshim dhe të prisnim pak se tek Kryeministri ishte shoku Adil. Pas pak minutash u hap një derë nga ku pashë Kryeministrin dhe zëvëndësin e tij. Një burrë me shtat mesatar, mbi të gjashtëdhjetat, me një ballë të drejtë, pak të zmadhuar dhe me ca flokë të thinjur e të rralluar që i krehte mënjanë me një vijë të drejtë, mbante një palë syze më skelet të praruar dhe kishte një kostum gri të hapur, një këmishë të bardhë dhe një kollare të hollë me me ngjyrën midis së bardhës dhe grisë së kostumit ,me disa pikla të zeza. -Fehmi, paske ardhur me djalin student! Hajdeni, se ua kam shkruar përgjigjen e letrës që më keni dërguar. Aty, në këmbë në hyrje të zyrës, pasi i dha dorën Dekanit, duke mbajtur pak më gjatë në dorën e vet dorën time, më foli: -Ti duhet të jesh sekretari i rinisë së studentëve, Dedë … Shkurti, besoj se duhet të jesh nga Mirdita, apo jo! Po, shoku Mehmet, nga Mirdita jam.. në emër të grupit.. ju lutem, na falni për shqetësimin! -Jo, jo jo, .. shtoi duke qeshur.. sot të kam thirrur unë, nuk të fal..! - Si thua more Fehmi, t’i falim apo t’i dënojmë këta inxhinierë që na u dashkan, domosdo, të bëhen shoferë?! Na uli në disa kolltuqe në anë të tavolinës së tij kryesore me një tavolinë të ulët në mes. Pashë sekretaren me një tabaka që solli tre kafe ekspres dhe tre gota me uji. Filloi të bisedonte me Dekanin për Industrinë Mekanike sidomos për importin e pjesëve të këmbimit që ishte ngushtuar shumë për shkak të Bllokadës. Edhe tema e Doktoraturës së Fehmiut atë problem trajtonte, rritjen e gamës së riparimeve me metoda moderne: -E di që ke shumë kundërshtarë, Fehmi, - tha Mehmeti – por unë të siguroj një gjë, do të mbledh të gjithë profesorët e Industrisë Mekanike, të gjithë Drejtorët dhe Kryeinxhinierët dhe, ose të të kundërshtojnë në sy më argumente shkencorë, përpara të cilave edhe unë edhe ti, do të përkulemi, ose do t’i urdhëroj të zbatojnë pikëpërpikë rekomandimet tuaja! -Faleminderit, shoku Mehmet! Deda është njeri nga studentët e mi të mirë që po më ndihmon ta shkruaj doktoraturën. -Dëgjo, Dedë djali, inxhinier Deda!, ( isha i çliruar.. nga mënyra se si m’u drejtua, e kuptova se çdo gjë ishte dashamirëse),- e lexova me kureshtje letrën tuaj dhe e kuptoj sa dhe Fehmiu dëshirën, energjinë dhe padurimin që keni për të hypur në makinë. -Vërtetë unë kam thënë për agronomët që duhet të mësojnë traktorin por, për agronomët ama, që janë tërë ditën në arë, në fshat, në baltë. -Shumica juaj do të shkojnë nëpër Parqet Automobilistike, tek Luan Babameto. Atje do t’ju dalin makinat dhe transporti për hundësh. Do të merrni patentat e të gjitha makinave, do të kënaqeni sa të mërziteni me to. Në tavolinë qe letra ime, e shkruar në emër të grupit. Në shpinën e saj, diagonal, Kryeministri kishte shkruar përgjigjen e vet. Ma shtriu ta lexoja : - Hë, more, Dedë, a je dokort me përgjigjen time?! - Plotësisht dakort, shoku Mehmet! Do t’ua transmetoj ashtu siç e keni shkruar JU! - M’u bëj të fala dhe ua thuaj edhe diçka tjetër nga unë: Edhe unë jam mekanik, kam mbaruar Shkollën Teknike në Tiranë, kam luftuar dhe kam bredhur nëpër botë me këtë detyrë që kam. -Kam njohur gjatë jetës sime më shumë se pesëdhjetë konstruktorë avionësh të të gjitha llojeve dhe , a e merr me mend se nentëdhjetë përqind prej tyre, nuk kanë patur rastin të hypin qoftë edhe njëherë në krijesat e mendjes dhe të duarve të tyre! Dedë SHKURTI Tetor, 1976 – Tetor, 2013
Posted on: Sun, 10 Nov 2013 10:36:01 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015