MIRËNJOHJA Krijimi dhe sigurimi i kësaj marrëdhënie harmonike - TopicsExpress



          

MIRËNJOHJA Krijimi dhe sigurimi i kësaj marrëdhënie harmonike është çështje e një rëndësie kaq primare dhe vitale . I tërë procesi i përshtatjes mendore mund të përmblidhet me një fjalë: mirënjohje (falënderim). Së pari, beson se është një Substancë Inteligjente, nga e cila burojnë të gjitha gjërat; së dyti, beson se kjo Substancë të jep gjithçka që ti dëshiron; dhe së treti, ti e ndërlidh vetveten me të përmes një ndjenje të mirënjohjes së thellë nga thelbi i shpirtit. Shumë njerëz, që në të gjitha mënyrat e tjera i rregullojnë jetët e veta si duhet, mbahen në varfëri për shkak të mungesës së tyre të mirënjohjes-falënderimit. Është lehtë të kuptohet se sa më shumë që jetojmë afër burimit të begatisë dhe sa më afër tij të jetojmë, aq më shumë begati do të marrim-pranojmë; dhe po ashtu është lehtë të kuptohet se shpirti që është gjithmonë mirënjohës e falënderues merr më shumë se sa ai që nuk shikon kurrë me vlerësim plot falënderim. Sa më me mirënjohje dhe me falënderim ta përqendrojmë mendjen tonë në Supremin atëherë kur na vijnë gjërat e mira, aq më shumë gjëra të mira do të na vijnë, dhe aq më shpejt do të vijnë ato; dhe arsyeja është thjesht sepse qëndrimi mendor i mirënjohjes dhe i falënderimit e afron mendjen në kontakt më të afërt me burimin nga i cili vijnë të gjitha bekimet. Nëse për ty është i ri mendimi që mirënjohja dhe falënderimi e sjellin tërë mendjen tënde në harmoni më të afërt me energjitë krijuese të universit, atëherë konsideroje mirë, dhe do ta shohësh se është i vërtetë. Gjërat e mira, që tashmë i ke, kanë ardhur te ti nëpër rrugën e bindjes ndaj ligjeve të caktuara. Mirënjohja dhe falënderimi do ta udhëheqin mendjen tënde drejt rrugëve nëpër të cilat vijnë gjërat; do të të mbajnë ty në harmoni të afërt me mendimin krijues dhe do të të parandalojnë të mos biesh në mendimin garues. Mjafton mirënjohja dhe falënderimi që ti të shikosh drejt të Tërës, dhe që të të parandalojnë të biesh në gabimin që furnizimin ta mendosh si të kufizuar; dhe po ta bëje këtë, kjo do të ishte fatale për shpresat e tua. Ka Ligj Mirënjohje, dhe është absolutisht e nevojshme që ta konsiderosh me vëmendje ligjin, nëse dëshiron t’i arrish rezultatet që i kërkon. Ligji i Mirënjohjes është principi natyral që aksioni dhe reaksioni janë gjithmonë të barabartë, dhe në drejtime të kundërta. Shpërhapja mirënjohëse e mendjes tënde në lavdërim plot falënderim për Supremin është lirim dhe harxhim i forcës; kjo nuk mund të dështojë që ta arrijë adresën ku është nisur, dhe reaksioni është një lëvizje e menjëhershme drejt teje. Dhe nëse mirënjohja jote është e fortë dhe konstante, reaksioni i Substancës së Paformë do të jetë i fortë dhe i vazhdueshëm; gjërat që i dëshiron do të lëvizin gjithmonë drejt teje. Pa mirënjohje dhe falënderim nuk mund të përdorësh kushedi sa fuqi; sepse pikërisht mirënjohja dhe falënderimi janë ato që të mbajnë të lidhur me Fuqinë. Por vlera e mirënjohjes nuk konsiston vetëm në prurjen e më shumë bekimeve në të ardhmen. Pa mirënjohje nuk mund të rrish shumë kohë larg mendimit të pakënaqur në lidhje me gjërat siç janë tani. Në momentin që ia lejon mendjes tënde të jetojë me pakënaqësinë për gjërat siç janë, ti fillon ta humbësh toruan, të venitesh. E përqëndron vëmendjen në të rëndomtën, të zakonshmen, të varfrën, dhe të ligën; dhe mendja jote e merr formën e këtyre gjërave. Pastaj ia transmeton Të Paformës këto forma apo imazhe mendore, dhe e rëndomta, e varfra, ,dhe e liga do të vijnë tek ti. Ta lejosh mendjen tënde të jetojë në inferioren domethënë të bëhesh inferior dhe ta rrethosh veten me gjëra inferiore. Në anën tjetër, ta përqendrosh vëmendjen tënde në më të mirën domethënë ta rrethosh veten me më të mirën dhe të bëhesh më i miri apo më e mira. Fuqia Krijuese brenda nesh na shndërron në imazhin e asaj të cilës ia kushtojmë vëmendjen. Ne jemi Substancë që Mendojmë, dhe substancat që mendojmë e marrim gjithmonë formën e asaj për të cilën mendojmë. Mendja mirënjohëse dhe falënderuese është vazhdimisht e përqendruar në më të mirën; prandaj ajo është e prirë të bëhet më e mira; ajo e merr formën e karakterit të më të mirës, dhe do t’i vijë më e mira. Gjithashtu, edhe besimi lind nga mirënjohja. Mendja mirënjohëse vazhdimisht pret gjëra të mira, dhe pritja bëhet besim. Reaksioni i mirënjohjes në mendjen e personit prodhon besim; dhe çdo valë e falënderimit mirënjohës e rrit besimin. Ai apo ajo që nuk ka ndjenjë të mirënjohjes nuk mund të mbajë besim të qëndrueshëm për kohë të gjatë; dhe pa besim të qëndrueshëm nuk mund të bëhesh i pasur apo e pasur përmes metodës krijuese. Prandaj, duhet ta kultivosh shprehinë që të jesh mirënjohës për çdo gjë të mirë që vjen te ti; dhe të falënderohesh vazhdimisht. Dhe meqë të gjitha gjërat kanë kontribuar në avancimin tënd, të gjitha gjërat duhet t’i përfshish në mirënjohjen tënde. Mos e ço kohën kot duke menduar apo duke folur për të metat apo për veprimet e gabuara të plutokratëve (të pasurit në pushtet) apo të magnatëve (personat e fuqishëm e me ndikim në industri). Mënyra se si e kanë organizuar ata botën i ka krijuar shanset e tua; gjithçka që merr, në të vërtetë vjen te ti për shkak të tyre. Mos u tërbo ndaj politikanëve të korruptuar; nëse nuk do të kishte politikanë ne do të binim në anarki, dhe shanset do të zvogëloheshin në masë të madhe. Krijuesi ka punuar shumë kohë dhe me shumë durim për të na sjellë këtu ku jemi në industri dhe në qeverisje, dhe Ai po vazhdon vendosmërisht me punën e Vet. Nuk ka asnjë pikë dyshimi se Ai do t’i heqë qafe plutokratët, magnatët, kapitenët e industrisë, dhe politikanët posa të bëhen të panevojshëm dhe të mund të shmangen; por në ndërkohë vëreje se ata të gjithë janë shumë të mirë. Kujtoje se ata të gjithë po ndihmojnë në rregullimin e linjave të transmetimit, nëpër të cilat do të të vijnë gjërat e pasura, dhe ji mirënjohës për të gjithë ata persona. Kjo do të të bjerë në relacione harmonike me të mirën në gjithçka, dhe e mira në gjithçka do të lëvizë drejt teje. #Katerina#folhapur
Posted on: Wed, 28 Aug 2013 14:19:44 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015