Mafia e kromit pas emrit të ACR-së Dokumentet e publikuara në - TopicsExpress



          

Mafia e kromit pas emrit të ACR-së Dokumentet e publikuara në media hedhin dritë mbi skandalin e kromit. Kompanitë po vjedhin përmes faturave fiktive. ACR-së i falen 22 milionë euro “investime” Denoncimet e drejtorit të dorëhequr të policisë së Bulqizës, Shemsi Prençi kanë zbuluar se si funksionon mafia e kromit, kupola e së cilës ndodhet në nivelet më të larta qeveritare dhe degët shtrihen në nëntokën shqiptare. Sipas dokumenteve të publikuara ditët e fundit në media, mbulesa zyrtare e mafies së kromit është kompania ACR dhe përmes saj kryhet e gjithë kontrabanda e mineralit. Madje disa media kanë akuzuar se kompania ACR dyshohet se është kompani e krijuar nga njerëzit e ish ministrit të Ekonomisë Genc Ruli dhe nga Agon Kuliçaj. Gazeta “SOT”, pretendon se disponon faturat fiktive dhe të falsifikuara të kromit të transportuar në Portin e Durrësit. Skema është e thjeshtë: kompanitë deklarojnë në një faturë 35 ton krom të nxjerrë nga minierat, por në të vërtetë është deklaruar vetëm gjysma e kromit, me qëllimit për të shmangur taksat si dhe për të mbuluar të ardhurat. Në një faturë tjetër, rezulton se pesha e kromit të dorëzuar në portin e Durrësit është 75 ton. Afera është zbardhur nga e drejtorin e Policisë së Dibrës, Shemsi Prençi. Kompanitë ndryshojnë peshën reale të mineralit të kromit që kalon nga miniera e Bulqizës drejt Portit të Durrësit, duke e zvogëluar dyfish atë, nga pesha që nxjerr policia kundër krimit financiar dhe ekonomik. Në këtë mënyrë kjo sjell edhe një taksim më të ulët të kompanisë që nxjerr apo transporton mineralin e kromit. Kjo vjedhje e hapur e pasurisë së shqiptareve është denoncuar edhe më parë nga ish-drejtori i Policisë në Qarkun Dibër, Shemsi Prençi, i cili ka deklaruar se sasia që del nga miniera e kromit në Bulqizë dhe ajo që deklarohet në dokumentet e manipuluara, është 10-fish më e lartë se sa ajo që del nga kompanitë e licencuara të shtetit. “Në portin e Durrësit vetëm 5 kompani të kromit kanë numër Serial licence për të depozituar krom dhe të gjithë të tjerët grumbullojnë krom nga puna e zezë e minatorëve dhe të fëmijëve jetim të Bulqizës. Sasia e kromit që del nga krahët e minatorëve është 10-fish më e madhe. Ky është krimi dhe vjedhja që ndodh për të cilën të gjithë heshtin. Unë po flas”, është shprehur Prençi. Kompania ACR ka tentuar ti dalë përpara skandalit që pritet ta përfshijë ditët e ardhshme duke dërguar dy letra, përmes të cilave “njofton” për kompanitë pirate që kryejnë kontrabandë. Në dy letra dërguar ministrit të Ekonomisë, Nasip Naço, ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, Prokurores së Përgjithshme, znj. Ina Rama dhe kryeministrit të Republikës, Sali Berisha, ACR paralajmëron shembjen e minierave të Bulqizës nga kompanitë e paligjshme. Por nga ana tjetër, kjo kompani bën zhurmë qëllimisht që të shmanget vëmendja nga problemi kryesor i sak, kushtet e punës dhe shfrytëzimi i minatorëve si skllevër. ACR është e detyruar nga kontrata me shtetin shqiptar që të investojë në minierën e Bulqizës, por kjo nuk ka ndodhur. Sipas kontratës, krahas shfrytëzimit, kjo kompani duhej që deri në fund të 2010 të investonte të paktën rreth 22 milionë euro, për të rinovuar teknologjinë dhe për të përmirësuar kushtet e sigurisë në punë. Megjithëse faktet ishin sheshit dhe rreth këtij skandali nuk kishte gjë të paqartë, dosja edhe sot vazhdon të endet në zyrat e Prokurorisë ndërsa abuzimet në minierë vazhdojnë. Edhe sot këto para nuk janë investuar dhe situata në galeri sa vjen e përkeqësohet nga dita në ditë. Minatorët kërcënohet se do të hiqen nga puna nëse flasin deri sa aksidenti i radhës të acarojë sërish situatën në qytetin e vogël të Bulqizës. Por ndërkohë heshtja që vjen nga kompania koncesionare lë të kuptosh se aksidenti i radhës nuk është larg, madje është vetëm çështje kohe.
Posted on: Wed, 04 Sep 2013 07:44:21 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015