Mbrëmje, 1 Tetor “Zoti do të japë hir dhe lavdi...” Psalmi - TopicsExpress



          

Mbrëmje, 1 Tetor “Zoti do të japë hir dhe lavdi...” Psalmi 84:11 Zemërgjerë është Yahweh-u për nga natyra, por edhe t’i japë popullit të Vet është kënaqësi për Të. Dhuratat e Tij janë pakrahasimisht të vyera dhe jepen po aq falas sa edhe rrezet e diellit. Ai u jep hir të zgjedhurve sepse këtë ia do zemra, i fal hir të shpenguarve për shkak të besëlidhjes që ka bërë me ta, i dhuron hir të thirrurve për shkak të premtimeve të Veta, i mbush me hir besimtarët sepse e kërkojnë atë, por edhe mëkatarët sepse kanë kaq shumë nevojë për të. Ai e fal hirin me bollëk, në kohën e duhur, vazhdimisht, me gjithë dëshirë, në mënyrë sovrane, duke e rritur dyfish vlerën e dhuratës së Tij për vetë mënyrën se si e jep. Popullit të Vet i dhuron hir në të gjitha format e mundshme, duke ngushëlluar, ruajtur, shenjtëruar, drejtuar, udhëzuar, ndihmuar, hir të cilin e derdh në frymët e tyre pa pushim dhe do të vazhdojë ta derdhë çfarëdo që të ndodhë. Mund të na bien sëmundje, por Zoti do të na japë hir, mund të na pllakosë varfëria, por me siguri hiri nuk do të mbarojë ndonjëherë, mund të na bjerë edhe mortja, por hiri do të ndezë një qiri edhe në orën më të zezë. Lexues, sa bekim i madh është që edhe pse vitet kalojnë dhe gjethet zënë të bien sërish të gëzohemi me një premtim kaq të amshueshëm sa ky i mësipërmi: “Zoti do të japë hir”. Lidhëza e vogël “dhe” në këtë varg është një përçinë prej diamanti që lidh të tashmen me të ardhmen: hiri dhe lavdia janë përherë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën. Perëndia vetë i ka bashkuar në martesë dhe atë që Ai ka bashkuar askush nuk mund ta ndajë. Zoti nuk do t’ia mohojë kurrë një fryme lavdinë, të cilën e ka caktuar të qëndrojë së bashku me hirin e Tij. Në fakt, lavdia nuk është gjë tjetër veçse hiri i veshur me petkat e së dielës, hiri që ka çelur lule të bukura, hiri që ngjason me frutat e vjeshtës, sa të pjekura aq edhe të shijshme. Se sa shpejt do të vijë momenti i lavdisë këtë askush nuk mund ta thotë dot! Mund të ndodhë që përpara se të mbarojë muaji Tetor të gjendemi përpara portave të margaritarta të Qytetit të Shenjtë, por sado kohë që të kalojë, ne do të përlëvdohemi gjithsesi. Zoti me siguri do t’i falë lavdi të zgjedhurve të Vet lavdinë e parajsës, lavdinë e përjetësisë, lavdinë e Jezuit dhe lavdinë e Atit. Oh, ç’premtim i rrallë ky i bërë nga besniku Perëndi! Dy hallka të arta të zinxhirit qiellor: Ai që hirin ka me siguri lavdi do të fitojë.
Posted on: Tue, 01 Oct 2013 04:58:38 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015