Mbrëmje, 29 Gusht “Gjatë gjithë kohës së shenjtërimit të - TopicsExpress



          

Mbrëmje, 29 Gusht “Gjatë gjithë kohës së shenjtërimit të tij, ai nuk do të hajë asnjë prodhim të vreshtit, as kokrrat as lëkurën e rrushit.” Numrat 6:4 Mes kushteve të tjera për të plotësuar, nazirenjtë kishin edhe një të tillë që u ndalonte përdorimin e verës. Me qëllim që të mos e shkelnin këtë kusht, atyre u ndalohej të pinin uthull rrushi ose pije të forta alkoolike, dhe për ta bërë edhe më të rreptë këtë rregull, nuk duhet ta preknin as lëngun e pafermentuar të rrushit, ose madje dhe kokrrat e rrushit, qofshin ato të thata ose jo. Kështu, pra, për të mos lejuar shkeljen e kushtit as edhe në mënyrën më të tërthortë të mundshme, nuk u lejohej të preknin asgjë që kishte të bënte me verën, në fakt, ata ishin të detyruar t’i shmangeshin çdo kontakti me gjërat e liga a të fëlliqura. Me siguri ky është një mësim i mirë për të veçuarit e Zotit, duke i udhëzuar ata që t’i shmangen mëkatit në çdo formë të mundshme, duke evituar jo vetëm mëkatet më të rënda, por edhe frymën e tyre dhe çdo gjë tjetër të ngjashme me to. Ecja e disiplinuar në Zotin nuk është një gjë e pëlqyeshme në ditët e sotme, por ji i sigurt, lexues i dashur, se është gjëja më e përshtatshme dhe më e kënaqshme për ty. Ai që dorëzon një apo dy pika të besimit të vet përpara presionit të botës është në rrezik të madh, ndërsa ai që ha rrushin e Sodomës shpejt do të pijë nga vera e Gomorrës. Një e çarë e vogël në digat e Holandës bën që të hyjë deti brenda duke shkaktuar madje edhe përmbytjen e një province të tërë. Përshtatja me botën sado e papërfillshme që të duket në pamje të parë është një kurth për frymën, duke e bërë atë gjithnjë e më të prirë për mëkate fodulle. Veç kësaj, Nazireu që pinte lëng rrushi nuk mund të ishte kurrë i sigurt për shkallën e fermentimit të pijes së vet, duke qenë për pasojë në dyshim nëse e kishte shkelur ose jo kushtin, kështu edhe i Krishteri që dorëzohet shpejt duke bërë lëshime nuk mund të ketë kurrë një ndërgjegje të qetë, por do të vuajë nga dyshimet dhe brerjet e vazhdueshme të ndërgjegjes. Nuk kemi pse të vuajmë nga dyshimet rreth gjërave të dyshimta, sepse ato janë thjesht të dëmshme për ne. Nuk kemi pse luajmë me gjërat që na shtien në ngasje, por le t’ia mbathim sa më shpejt prej tyre. Më mirë të na përqeshin si Puritanë sesa të na përbuzin si hipokritë. Ecja e kujdesshme në udhët e Zotit Jezus mund të kërkojë shumë vetëmohim, por kënaqësitë që vetëm ajo mund t’i falë përbëjnë një shpërblim më se të mjaftueshëm për ne.
Posted on: Thu, 29 Aug 2013 05:13:19 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015